E marte, 30.04.2024, 08:20 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Poezi nga Reshat Kripa

E diele, 13.06.2010, 06:11 PM


Reshat Kripa

 

 

DIELLI   I   LUMTURISË

 

Ulur unë në kafe, rri e rri dhe pi pa fund,

Kamarieri djalë i mirë, zemrën time e përkund,.

A nuk keni pirë shumë,  i nderuari zotni?

Ngrehuni t’ju shoqëroj, t’ju përcjell për në shtëpi.

 

Fort të falem djalë i dashur, fort të falem djalë i mirë,  

Sot po pi për jetën time, jetën time të vështirë,

Më shikon kështu të plakur, më shikon të dëshpëruar,

Zemrën time sakatosur, shpirtin tim të copëtuar.

 

Edhe unë dikur kam qenë, një djalosh, një djalë i ri,

Lozja, qeshja dhe këndoja, ëndërroja dashuri,

Por vampirët ma ndërprenë, ëndrrën e bukur rinore,

Nuk më lanë të gëzoja, jetën time shpirtërore.

                                   

Dhe tani që jam i plakur, zemra ime s’po gëzon,

Ajo që unë ëndërroja, nuk e di a egziston,

Nuk e di ku ndodhet vallë, shpirti po e kërkon shumë,

Shqipërinë time të shtrenjtë, Shqipërinë që desha unë.       

 

Desha Shqipëri të mirë, desha Shqipëri krenare,

Ku të sundojë drejtësia, në çdo vatër shqipëtare,

Mos të ulurijnë çakejtë, ujqërit kameleonë,

Që i nxinë jetën kombit, vranë edhe shpresën tonë.

 

Nuk e di do arrij vallë, atë ditë të bekuar,

Kur në vendin tim të bukur, do lind dielli i praruar!

Por dhe po nuk rrojta unë, atë diell për të parë,

Ta gëzoni ju të rinjtë, ta gëzojë çdo shqiptarë!

 

Tiranë, mars 2005

   

 

JETA   IME

 

Jeta ime pikë loti, pikë loti e mbuluar,         

Gjithë brenga, gjithë plagë, plot me ëndrra e harruar,

Sa kam dashur, sa kam vuajtur, jetën time ta ndërtoj,

Një demon më thosh gjithmonë, unë do të shkatërroj!

 

Kur i vogël isha unë, ndonjëherë luaja  teatër,

Ish pasioni im i parë, pasion si një qiell i kaltër,

Por në qiell qëlloj rrufeja, nxiu tokë e nxiu detë,

Seç më mbylli në kafaz, shkatërroi, më nxiu  jetë.

 

Kur u bëra djalë i rritur. prap fillova me tregime,

Shkrova disa poezi, shkrova edhe jetën time,                      

Por demoni prapë u shfaq, si një gjëmë e mallkuar,

Më sulmoi si përbindësh, ëndrrën për ta shkatërruar..       

 

Çfarë të bëja unë i ngrati, s’mund të rrija duarlidhur,

Zemra ime flakë e zjarrtë, zemra ime  çoroditur,

Më shtynte gjithmonë përpara, thoshte asgjë mos të ndali,

Dua që të jesh  në ballë, dua që  të jesh i pari.

 

E dëgjova zemrën time, bëra si më tha ajo,

Ferra, gjëmba para rrugës dhe të tjera si këto,

I vërvita në humnerë dhe demonin tim të zi,

E përplasa  në skëterrë, prap u bëra djalë i ri.          

 

Dhe tani që jam i thinjur, luftën nuk e kam pushuar          ,

Kundër çdo padrejtësie, dita ditës kam luftuar,

Dita ditës kam luftuar, do luftoj edhe çdo natë,

Të fitojë drejtësia, brenga ime më e gjatë!

 

Tiranë, nëntor 2004  

 

 

LE      HAPEN   DOSJET

 

Le të hapen dosjet, gjithë po thërrasin,

Kush e kush më shumë, korbat po kërrasin,

Korbat e pabesë, korbat shpirt të zi,

Thua të jenë engjëj, të jenë bërë njeri?

 

Çirren dhe bërtasin, zihen edhe shahen,

Të gjithë përgjërohen, në fund të qetë ndahen,

S’kanë shpirt as zemër, s’kanë as moral,

Brenda kanë një hienë, janë kufomë e gjallë.

 

Si kufomë e gjallë, ishin edhe dje,

Duke brohoritur, për njerëz pa fe,

Duke vrarë e prerë, duke masakruar,

Popullin e gjorë, zemrën e lënduar.

                                               

Rri edhe vështroj, këtë komedi,

Luajtur nga mjeshtra, të bardhë dhe të zi,

Dua që t’i pyes, ku ishit ju vallë,

Gjithë këto vite, si nuk u bëtë gjallë?

 

Kur neve kërkonim, donim drejtësi,

Ju rrinit të heshtur, s’ndihej asnjeri,

Kur për kriminelët, kërkonim ndëshkim,

Ju përsëri heshtnit, ju vetë ishit  krim.

 

Pelerina juaj, e kuqe me gjak,

Nuk mund të mbulojë krimin tuaj në prag,

Kështu s’mund të shkoni, kurrë në Evropë,

Doni kartën tonë, sot ne jemi zot.

 

Ne ju njohim mirë, mjaft keni gënjyer,

Shpirtin tuaj të zi, ne kemi urryer

Mos na rrini pranë, nuk ju do njeri,

Se fisnikërinë, duam ne tani.

 

Vlorë, shtator 1995



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora