E marte, 30.04.2024, 07:48 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Ago Agaj dhe libri i tij

E merkure, 16.06.2010, 09:59 PM


Me rastin e 90 vjetorit te Luftes se Vlores

 

AGO  AGAJ  DHE  LIBRI  I  TIJ 

 

Nga Reshat Kripa

      

                Lexoj librin ‘’Lufta e Vlorës‘’ të Ago Agajt, botuar ne vitin 1965 në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, dhe para syve më del figura e këtij burri që gjithë jetën punoi për madhështinë e këtij vendi por, për fat të keq, vuri re se shumë ngjarje dhe shumë figura u lanë në harresë ose u shtrembëruan nga pseudo-historianët e rregjimit totalitar. që këto ngjarje dhe personazhe i fshinë nga analet e historisë, vetëm e vetëm pasi nuk i përkisnin parimeve obskurantiste të liderit të tyre diktator. Autori, pjesmarrës i kësaj lufte, që ngjarjet  i ka mbijetuar vetë, nuk mund të pajtohet me këtë qëndrim diskriminues. Në librin e tij gjen personazhe të të gjitha ngjyrave, qofshin nacionalistë apo komunistë. Autori u jep të gjithëve pjesën që u takon në këtë luftë.  Ja si shkruan ai:

 

Kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend që të përshkruaja unë veprën e atyre burrave por u detyrova duke parë se emrat e prisave, të  dëshmorëve,    plagosurve  u  harruan, mohuan fare dhe vepra e tyre u shtrembërua sipas nevojave ideologjike të sunduesve  të sotëm. Kështu u zëvendësua graniti i zi me letrën e butë dhe të bardhë.  Vallë  kush  do  të rrojë më shumë?

 

             Koha tregoi se më shumë rrojti letra e butë dhe e bardhë.

             Prandaj edhe unë në këtë kumtesë do të përshkruaj gjithçka ai ka përshkruar në këtë libër. Dëgjuesit do të dëgjojnë të vërtetën e saj, ashtu siç e ka përjetuar autori i saj.

             Në një të katërtën e parë të librit autori na jep një përshkrim të shkëlqyer të krahinës së Labërisë me doket dhe zakonet e saj me besimin dhe karakterin burrëror të saj. Ai bënë një përshkrim të hollësishëm të të gjitha ngjarjeve të ndodhura në këtë krahinë para Luftës së Vlorës.

              Përshkrimi i Labërisë është i përpiktë i bazuar në dokumenta të shumta që autori i njeh fare mirë. Me ngjyra të gjalla ai përshkruan këtë krahinë që shtrihet në një sipërfaqe të gjërë dhe që kufizohet në perëndim me detin Adriatik, në veri dhe lindje lumin Vjosa deri në grykën e Zagorisë, në jug grykën e Selckës, pjesën perëndimore të maleve të Libohovës deri në Nepravishtë, përfshin Qafën e Muzinës, merr rrëzën jugore të maleve të Delvinës  dhe duke formuar një gjysmë harku arrin në Nivicë Bubar e mbaron prapë në det. Kjo është Labëria.

              Në mes të këtyre grykave ndodhet qendra gjeografike dhe strategjike e saj, rrafshnalta e quajtur Kurveleshi i Sipërm, emri i së cilës sipas autorit rrjedh prej skelës së Lissusit në veri të vendit, prej të cilit shqiptarët, për ta dalluar nga skela e mësipërme e quajtën Akro-Lissus ( Kështjella Lissus ) që më vonë u shndërrua në Kurvelesh.

              Autori bënë një përshkrim të hollësishëm të besimit të këtyre trevave dhe shkaqet që i çuan ato në besimin mysliman. Ai është i mendimit se shkaku i ndërrimit të fesë nuk është dhuna e ushtruar nga pushtuesit otomanë, por karakteri i labit. Tashmë dihet se ligjet e perandorisë otomane e kishin të ndaluar të përfitoje një detyrë shtetërore, nëse nuk do ishe i këtij besimi. Dhe labi që, për natyrën e tij, kërkonte të ngrihej në karrierë, ndërroi besimin nga i krishterë në mysliman. Një gjë të tillë autori e vërteton me një bisedë që Qazim Koculi kishte bërë me një komisar, që më vonë u bë një nga burrat më me rëndësi të shtetit komunist dhe me të cilin ai kishte lidhje gjaku apo krushqie. Në këtë bisedë Qazimi  i thotë që të hiqte dorë nga rruga e gabuar që kishte nisur, ndërsa ai i përgjigjet:

              - Po unë me shokë kur do të dëgjohem?

             Me pak fjalë qëllimi i këtij labi ishte që të dëgjohej pavarësisht nga   rruga    do

të ndiqte. Një shembull shumë kuptimplot në këtë drejtim është edhe ai kur krahason labin me myzeqarin. Përse labi ndërroi fenë dhe myzeqari jo? Mos vallë myzeqari është më trim se labi? Apo shtypja otomane ishte më e madhe në labëri ku pothuajse nuk kishte mundur të depërtonte këmbë ushtari? Të gjitha këto arsyetime hedhin poshtë në mënyrë kategorike tezën e hedhur kohët e fundit nga zoti Blushi në librin e tij “Të jetosh në liqen“, sipas të cilit gjoja popullsia myslimane qenka kthyer e tillë si pasojë e dhunës shtetërore.

              Pasi bënë një përshkrim të shkurtër të rezistencës shqiptare në shekuj, autori ndalet në kryengritjet kundër tanzimatit, lëvizjen e madhe të rilindjes me në krye Abdyl Frashërin me Lidhjen Shqipëtare të Prizrenit dhe përfundon me shpalljen e pavarësisë më 1912 nga Ismail Bej Qemali. Më prapa përshkruan ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, revoltën fshatare të Haxhi Qamilit dhe zbarkimin e ushtrisë italiane më 25 dhjetor 1914.

              Ky ishte pushtimi i parë i Shqipërisë nga Italia. Një pushtim i hidhur për Shqipërinë e porsalindur. Një këngë e trishtuar qarkullonte në ato kohë në Vlorë:

 

                                                Kaqë vjet e vesh dot s’mora

                                                Në ç’mejtim gjëndet Vlora;

                                                Shkruani u thaftë dora

                                                Folni a u thaftë goja

                                                Mos na shitni për të holla.

 

               Kjo     këngë     anonime    labe    ishte    drejtuar    kundër    parësisë.     shtyrë  nga    presioni i popullit parësia i thirri mendjes dhe në vitin 1918 krijoi atë që u quajt “Lidhja Fshatare“. Të parët që çuan në formimin e kësaj lidhje ishin Osmën Haxhiu me Duro Shaskën. Me ta u bashkuan gjithashtu Cano Rustemi nga Mavrova, Hysni Shehu dhe Rapo Çelua nga krahina e Kudhësit, Rexhep Sulejmëni dhe Shero Emini në kryq të udhëve Fenk-Mesaplik e Kudhës-Vlorë, Bajram Qamili në Smokthinë, Ali Beqiri në Velçë, Alem Mehmeti në Tragjas, Hamit Selmani në Dukat, si dhe Halim Xhelua nga Tërbaçi, në atë kohë sekretar i krahinës së Mesaplikut që, duke përfituar prej nëpunësisë  që kishte, bënte ndërlidhje dhe udhëtime të paprera. Në fillim të vitit 1919 këtij blloku iu bashkuan edhe të dy Qazimët, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi, pjesmarrës, ky i fundit, edhe në aktin e pavarësisë së bashku me Ismail Qemalin.

               Ndërkohë më 29 korrik 1919 në Paris ishte nënshkruar pakti Tittoni-Venizelos, sipas të cilit Italia merte përsipër të përkrahte kërkesën e Greqisë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut ( të ashtuquajturin Epir Verior ), ndërsa qeveria Helene merte përsipër të përkrahte përpara Konferencës së Paqes në Paris mandatin italian mbi shtetin shqiptar dhe të njihte sovranitetin italian mbi Vlorën

               Arriti 28 nëntori i vitit 1919. Lidhja Fshatare mori vendimin ta festonte këtë ditë me madhështi. Mbledhja e Kryesisë së Lidhjes u bë në shtëpinë e Osman Haxhiut. Prej andej dolën demostruesit të prirë nga flamuri kombëtar që mbahej nga dy të rinj vlonjatë  Rexhep Arapi dhe Faik Xhaferi. Pranë flamurit ndodheshin edhe Osman Haxhiu, Duro Shaska, Abaz Mezini, Qazim Kokoshi e shumë të tjerë. Pothuajse i gjithë populli i Vlorës ndoqi prapa flamurin. Turma u fut në xhaminë e tabakve dhe pasi mbaroi lutja u drejtua për nga sheshi historik duke kënduar këngën e flamurit. Atje u gjendën para grykave të mitrolozve të ushtrisë italiane.. Oficeri italian urdhëroi të shpërndaheshin por turma nuk kishte se si të bindej. Filloi përleshja. Në këtë kohë dëgjohet zëri i fortë i Duro Shaskës:

              - Me duar, o djem, me duar. Sakën se përdorni armë!

              Kjo thirrje erdhi në kohën e duhur. Ajo shpëtoi parësinë e Vlorës nga shuarja dhe bashkë me të edhe lirinë që sapo kishte filluar të lindte. Pas demostratës parësia u mblodh përsëri, ku u dëgjua zëri i Ali Beqirit që tha:

              - Ne s’jemi mbledhur këtu të mbajmë zi po duhet të shpërndahemi në fshatrat tona, të piqemi me shokët tanë kudo që i kemi dhe pas dhjetë a pesëmbëdhjetë ditësh të mblidhemi prapë e të shohim se ç’mund e ç’duhet të bëjmë.

              Ndërkohë, nëpërmjet të dërguarit të posaçëm Fazlli Bej Frashërit, në shtëpinë e Osman Haxhiut erdhi ftesa që vlonjatët të dërgonin përfaqësonjësit e tyre në Kongresin Kombëtar që do të mbahej në Lushnje. Delegacioni zyrtar i dërguar në Lushnje, sipas Hasan Dostit,  përbëhej nga Qazim Kokoshi, Imer Radhima dhe Myqerem Hamzaraj. Senatorë të Këshillit Kombëtar të Kongresit u zgjodhën Qazim Koculi, Spiro Koleka dhe Myqerem Hamzaraj. Kongresi u dërgoi Fuqive të Mëdha dhe Konferencës së Paqes në Paris një protestë, e cila ngjan të jetë nënshkruar nga Aqif Pashë Elbasani si kryetar i Kongresit. Teksti u shkrua, po sipas Hasan Dostit, nga Sali Ceka, mik i Aqif Pashës, delegat i Elbasanit.

                Pasi   u   kthye   delegacioni    nga   Lushnja,   parësia  e  Vlorës,  me  përjashtim    dy Qazimëve, nuk e quante të  plotë  veprën  e  pajtimit.   Ata   ishin      mendimit   se   duhej  marrë edhe mendimi i Eqerem bej Vlorës,  përfaqësuesi  i  vetëm  i  asaj  familje    madhe  që ndodhej  në Vlorë. Për të biseduar me të shkuan Abaz Mezini, Ali Beqiri dhe autori i këtij libri. Takimi u zhvillua në shtëpinë e Eqerem Beut. Ai i priti ftohtë propozimet e tyre duke e quajtur vendin tonë të papërgatitur për një veprim të tillë, pa kuadro dhe njerëz të aftë për të qeverisur dhe si rrjedhojë duhej pritur ende.. Në këtë kohë Ali Beqiri ia priti menjëherë me ironi:

              - Sa të bëhet djali im bej, yti është bërë pasha.

              Shkaku i vërtetë që Eqerem Beu nuk pranoi propozimin ishte se ai nuk kishte besim te klasa e agallarëve, pasi ajo nuk i përkiste asaj të bejlerëve. Një gjë të tillë ai do ta pranojë më vonë në librin e tij Kujtime .

               Në mbrëmje u mblodhën në shtëpinë e Abaz Mezinit, Qazim Kokoshi i kënaqur, Duro Shaska i menduar, Ali Beqiri dhe Shero Emini të cilëve në kësi rastesh u shtohej vullneti për t’i kapërxyer, Alem Mehmeti i prekur thellë. Durua i drejtohet Agos:

               - Po ti mor bir ç’mendon? Kush ka hak Eqerem Beu apo Ali Efendiu?

               Agua u mendua mirë e mirë dhe së fundi u përgjigj:

               - Eqerem Beu është njeri i mënçur e i mësuar, rritur në Evropë dhe do që vendi ynë të lartësohet e të qeveriset si ato të Evropës. Mirëpo në atë gradë na nuk arrijmë dot kurrë dhe pa hedhur ne çapat e para drejt përparimit, Italia që është e varfër për vend dhe me popull të shumtë, do ta ketë mbushur vendin me aq shumë italianë sa nuk do të mundëm të marrëm as  frymë. Prandaj unë i jap hak Ali Efendiut.

                 Me kaq Durua përsëriti vendimin për luftë dhe u caktua dita kur do jepej ai. Ishte një vendim historik

                Një gjë e tillë ra në sy të italianëve. Për ta ndaluar në kohë këtë urdhërojnë arrestimet e titullarëve. Këtë vendosën ta bëjnë një ditë të ejte që ishte ditë pazari dhe do të zbrisnin edhe nga fshatrat në qytet. Arrestimi në fillim i Mezinajve, Sharrajve dhe Kokoshajve nuk mund të kalonte pa u marrë vesh. Këtë e mësuan edhe lëkurëxhinjtë e qytetit që u shpërndanë në të gjitha hyrjet dhe lajmëruan ata që vinin. Kështu shpëtuan shumë prej udhëheqësve, midis të cilëve edhe Duro Shaska që mbërriti që me mëngjes por u lajmërua nga një tetovar. Në këto kushte italianët arrestuan edhe dy patriotë të krishterë, Dom Mark Vasën dhe Jani Mingën, të cilët pasi deklaruan burrërisht se ishin kundër pushtimit, u internuan në Sazan.

                Përballë kësaj gjendje u dha kushtrimi:

 

                Të gjithë pleqësitë dhe parësia e fshtrave të mblidhen në mal të Tragjasit, te burimi në sheshet e Barçallasë.

 

                Kjo mjaftoi që thirrjes t’i përgjigjeshin të gjithë trimat e Labërisë. Më shumë udhëtonin natën se ditën. Togje kalorësish i drejtoheshin këtij mali dhe në kohën e caktuar të gjithë ishin në vendin e duhur. Në këtë atmosferë të pashoqe u muarën vendimet e mëposhtme:

 

                Armiku të kundërshtohej me armë deri sa të shuhej njëra palë.

                Lufta për Vlorën ishte lufta për Shqipërinë.

 

 Ajo nuk i përkiste vetëm qytetit bregdetar. Ajo ishte e të gjithëve. Kjo ishte një nga madhështitë e kësaj lufte. U vendos që të merreshin vesh me qeverinë e Tiranës në se ishte e gatëshme t’i ndihmonte.

                Për në Tiranë u nisën Osman Haxhiu, dy Qazimët, Alem Mehmeti, Ali Beqiri dhe ndoshta ndonjë tjetër, të cilit autori i veprës nuk ia di emrin. Qeveria e Tiranës premtoi ndihmë. Me t’u kthyer delegacioni u dha përsëri kushtrimi:

 

                 Burrë për dere e me armë në dorë të mblidhen në mal të Smokthinës te Rrapi i Gurave!

 

                Shpejtësia me të cilën u mblodhën labërit ishte e paparë. Midis të ardhurve ishin edhe përfaqësonjësit e Dukatit dhe Tragjasit, Alem Mehmeti, Imer Çelua dhe Hamit Selmani. Kur mbrritën te lëmi në qafë të Ramicës , Alem Mehmeti u kthye drejt portës së madhe të një oborri  dhe tha:

                - Kujt do t’i lëmë shëndetin na në këtë shtëpi, kush mbetet këtu?

                Nënë Isafja, më plaka e të gjitha familjeve që quheshin Agaj, iu përgjigj me një zë burrëror:

                - Me mua Alem Aga, me mua do përshëndetesh. Se djemtë dhe burrat e këtyre pirgjeve do të përcjellin në luftë. Na gratë do të mbetemi në këto pirgje. Ju shkoni në luftë dhe luftoni si të parët tuaj. Zoti ua bëftë mbarë! Ta dini nga unë, Zoti do t’u zbardhë faqen se përpiqi për vatanin tuaj!

                Të nesërmen për mungesë vendi mbledhja u zhvillua dy-tre kilometra më tutje në Beun të Smokthinës. Atje u zgjodh këshilli i luftës që mori emrin Komiteti Mbrojtja Kombëtare, që shkurtimisht quhej Komisioni i përbërë nga 12 vetë që përfaqësonin të gjitha krahinat dhe qytetin. Kryetar i Komisionit u zgjodh Osman Haxhiu dhe anëtarë Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Beqir Sulua, Ahmed Agalliu, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzaraj, Murat Tërbaçi dhe Sali Bedini. Komandant i Përgjithshëm Major Ahmet Lepenica. Komisar i Përgjithshëm i Policisë së Luftës Shero Emini

            U krijuan pesë çeta të mëdha:

Ajo e Shullërit që përfshinte Ramicën, Matogjinin, Bashajn, Velçën dhe Vajzën me komandant Kalo Telhajn nga Vajza

Ajo e Kudhësit që përfshinte Sevasterin, Golimbasin, Shkozën, Ploçën, Hajdarajn, Rexhepajn dhe Mërtirajn, me komandant Rapo Çelon nga Sevasteri.

Ajo e Dukatit që përfshinte Dukatin, Tragjasin dhe Radhimën me komandant Sheme Sadikun nga Dukati

Ajo e Rrëzës që përfshinte Vranishtin, Bratajn, Tërbaçin, Lepenicën, Gjormin me komandant Sali Vranishtin

Ajo e Fëngut që përfshinte Treblovën, Koculin, Mavrovën, Romsin, Kropishtin, Mallkeqin, Armenin e të tjera me komandant Muço Aliun nga Koculi..

                U hartua edhe plani i luftës. Fortesat kryesore italiane që duheshin sulmuar ishin: në rradhë të parë Vlora me Kaninën dhe Sazanin. Pastaj vinin me rradhë sipas madhësisë fortifikatat e Kotës, Gjormit, Llogorasë, Selenicës dhe Drashovicës. Jashtë Qarkut të Vlorës ishin fortifikatat e Tepelenës dhe Matohasanajt.

                Një sulm i menjëhershëm kundër Vlorës ishte i pamundur për shkak se nuk kishte forca     mjaftueshme.  U  vendos    çetat  e  ndryshme    shpërndaheshin    Gjorm, Llogora e të tjera për të penguar ushtrinë italiane të vinte në ndihmë të Kotës që do të sulmohej nga forca kryesore. Mos pushtimi i Kotës do të ishte baras me humbjen e luftës, ndërsa fitorja do të ngjallte shpresa të mëdha për fitore të tjera, deri në marrjen e Vlorës.

                Hartohet një ultimatum që do i dorëzohej Gjeneralit Settimio Piacentini, në të cilin ndërmjet të tjerave thuhej:

 

                Populli shqiptar e quan coptimin e Shqipërisë vepër të Italisë, e cila përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën e saj…

                Ai ka vendosur të rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia, lëshimin e administracionit të Vlorës, Tepelenës dhe Himarës, të cilat vende duhet t’i dorëzohen sa më parë Qeverisë Kombëtare në Tiranë.

 

                Vini veshin. Ultimatumi ka dalë nga suaza vlonjate dhe është hedhur në atë shqiptare dhe kërkon t’i dalë zot gjithë Shqipërisë, duke bërë aludim për paktin Tittoni-Venizelos.

                Më 3 qershor 1920, dorëzimin e këtij ultimatumi e mori përsipër Mehmet Selim Mallkeqi që vuri si kusht të zgjidhte pelën më të mirë dhe zgjodhi pelën doreshë të racës arabe të Alem Mehmetit, e cila për shpejtësi e bukuri nuk kishte shoqe në tërë Shqipërinë.

                Piacentini e hodhi poshtë ultimatumin. Atëhere filloi ajo luftë e pabarabartë ku, nga njëra anë, ndodheshin rreth 4000 trima të armatosur keq me ato që mundeshin t’i rrëmbenin armikut, por me zemrat zjarr dhe flakë dhe në anën tjetër rreth 10.000 ushtarë të armatosur deri në dhëmbë. Por vetmohimi i lebërve ishte i pakrahasueshëm. Ai doli fitimtar mbi numrin e madh dhe armatimet më të mira të kohës që zotëronte armiku.

                Më 5 qershor 1920, dy orë pas perëndimit të diellit, filloi beteja për marrjen e Kotës. Për këtë ishin ngarkuar çeta e Shullërit dhe ajo e Kudhësit. Në këtë betejë ra trimi Zigur Lelo që e kishte parashikuar këtë me anën e shpatullës që kishte parë një natë më parë. Një sharapnel i këputi nofullën Kanan Mazes nga Shkoza, ndërsa Cano Rustemit plumbat i këputën krahun. Megjithatë para furisë së lebërve, italianët u detyruan të dorëzohen në mëngjesin e së nesërmes duke lënë të vrarë komandantin e tyre gjeneral Gottin.

                Pas Kotës i erdhi rradha Gjormit ku vepronte çeta e Rrëzës. Edhe atje lufta ishte e ashpër. Edhe atje ranë dëshmorë Meçan Isaj nga Lepenica, Hodo Zeqiri dhe Sheme Jazua nga Dukati, Tare Selami dhe Mahmut Xhaferi nga Brataj dhe të tjerë. U plagosën edhe shumë të tjerë, midis të cilëve edhe komandanti Sali Vranishti

                Rradha i erdhi çetës së Dukatit të tregonte heroizmin e saj. Betejat e Rodhinës dhe Llogorasë janë unike në rradhën e betejave të zhvilluara. Gratë dukatase ishin në krah të burrave, duke i furnizuar me fishekë.

                 Çetat e Kurveleshit dhe Tepelenës, të ndihmuara nga ajo e Fëngut rrethuan kalatë e Matohasanajt dhe Tepelenës dhe pas një rezistence të vogël ato u detyruan të dorëzoheshin.. Të gjithë robërit e luftës të kapur atje si dhe ata që ishin kapur në Kotë, Gjorm dhe Llogora u dërguan në Vajzë ku ishte ngritur  një  kamp  robërisht  i  komanduar nga Rexhep Sulejmëni. Vlen të theksohet këtu trajtimi human i robërve.

                Së fundi i erdhi rradha Vlorës për t’u bërë goditja përfundimtare. U hartua strategjia e rrethimit të saj. Nga Shkalla e Radhimës deri në majë të Shashicës u vendos çeta e Dukatit. Prej këtu e në Kallafet e në ballin lindor të kalasë, do qëndronte çeta e Rrëzës. Ngjitur me të dhe me qendër në Qafë të Pllakës kishte zënë vend çeta e Shullërit. Më të djathtë të kësaj e me qendër në breg të Xhyherinës  ndodhesh çeta e Kudhësit. Më në veri me qendër në Risili ishte çeta e Fëngut dhe balli verior deri në buzë të detit u ishte besuar burrave të Topalltisë.  Këtyre forcave u shtoheshin ato të ardhura nga rrethet e tjera si ajo e Selam Musajt me çetën e Salarisë, Vehip dhe Riza Runës me çetën e Nivicës, Kamber Belishovës me çetën e Mallakastrës që më vonë u zëvendësua nga trimi Hysni Toska. E gjithë kjo plotësonte rrethimin e plotë të Vlorës dhe jepte shpresa  për fitoren.

                Kështu filloi sulmi i madh. Midis sulmuesve Selam Musa Salaria legjendar që pasi kapërxeu telat me gjëmba sulmoi topin armik, por ra si hero. Shokët e kërkuan trupin e tij por nuk e gjetën Thuhet se italianët e kishin djegur atë për hakmarrje.

                Në sulmin e parë lebërit arritën në kodrat rreth Vlorës. Por arriti dita e Bajramit dhe sipas zakonit atë ditë shqipëtarët  nuk sulmuan, duke shpresuar se të njëjtën gjë do të bënin edhe italianët.

                  Por italianët sulmuan pabesisht. Kushtrimi u dha dhe menjëherë  arritën dy Koculasit, Duro Shaska dhe Qazim Koculi. Pas tyre edhe luftëtarët e tjerë ishin të gatshëm. Midis tyre u shqua Hate Qamili që i fshehur pas një guri i rrezistonte mizërisë së ushtrisë italiane deri sa mbërritën shokët e tij që së fundi e detyruan autokollonën italiane të tërhiqej drejt Vlorës. Kënga popullore e përjetësoi këtë fragment të luftës:

 

                                                Kali verdhë hingëllin,

                                                Durro Shaska sokëllin

                                                O djem-o për këtë ditë

                                                Na nxuarr Arditët sytë.

                                                Mbahu o Hate Qamili

                                                Mbahu burrë sojë trimi

                                                Do të mbahem o aga

                                                Kam përpara një kala

                                                Do më hajë a do ta ha

                                                Nga vate Qazim Koculi

                                                Ku është Qazo desturi

                                                Qazimi në pel të bardhë

                                                U vërvit përmbi Qishbardhë.

 

                 Atëhere filloi sulmi i dytë, sulmi vendimtar i   betejës.  Gjeneral   Piacentini   dërgoi  për marrëveshje me kryengritësit përfaqësuesin e tij zotin Bozio, i cili kërkonte që Italisë t’i liheshin Sazani, Karaburuni dhe një pjesë e skelës së Vlorës. Komisioni nuk pranoi. Në atë kohë në  ndihmë    luftëtarve  kishte ardhur edhe Said Toptani në krye të një çete të Shqipërisë së Mesme.

                 Kështu pas një përpjekje heroike vullnetarët u futën trimfalisht në Vlorë duke u pritur me brohoritje nga populli i qytetit. Italia mbajti vetëm Sazanin, për të cilin shqipëtarët nuk kishin mjete për ta çliruar. Në duart e italianëve kishte mbetur vetëm Himara. Qeveria e Tiranës porositi që të mos ndërhyhej për të mos shkaktuar një incident ndërkombëtar. Por të këtij mendimi nuk ishin antarët e Komisioni që e konsideronin si një çështje të vlonjatëve. Kështu një grumbull të rinjsh me në krye flamurin kombëtar u nisën drejt Himarës. Në Llogora me ta u bashkua edhe grupi i dytë i komanduar nga Azis Çami me një grumbull xhandarësh dhe të gjithë së bashku hynë në Himarë pa ndeshur në asnjë rezistencë. Kështu përfundoi çlirimi i Shqipërisë nga ushtria pushtuese italiane.

                Ago Agaj e mbyll këtë epope me fjalët lapidar. Në këto fjalë nuk mungon as Kosova së cilës ai i kushtoi një pjesë të jetës së tij:

 

                Po gjaku i dëshmorëve, lotët, djersa e mundimi i pashembullt i atyre që shpëtuan nga vrasja? Ky gjak e këta lot u transformuan në liri, pavarësi dhe sigurim të ekzistencës së shtetit  shqiptar, mirë e keq, deri sa të vijë dita e bashkimit me Kosovën dhe ahere çdo rrezik coptimi dhe pushtimi do të zhduket përgjithënjë, se gjokset e tre katër million shqiptarëve, të mbështetur në malet tona të larta që nisin në alpet e veriut, çajnë mes për mes vendin gjer në jugë, do të jenë të pathyeshëm ngado që t’i vijë armiku. Ai që do të realizojë këtë bashkim do të kurorëzojë themelet e hedhura në Vlorë në vitin 1912 dhe në 1920. Ai do të jetë burri më i madh i historisë së re shqiptare.

                Tashti një pyetje atyre që jo vetëm e quajnë veten shqiptarë, por dhe e ndjejnë veten të tillë. A duhet të humbasin emrat e këtyre dëshmorëve, të çdo klase që ishin, blegtorë, bujq apo pronarë? A  duhet të humbasin emrat e atyre prijsave, qoftë që edhe ndonjë prej tyre të ketë bërë në politikë ndonjë akt të quajtur “gabim”, sepse nuk arriti të realizonte qëllimin e tij pa dyshim patriotik?

 

                Mendoj se këto sentenca nuk kanë nevojë për komente të tjera.

                Ago Agaj ishte një prind i mirë. Ishte rritur me një kulturë europiane, pa i shkëputur ato nga zakonet e bukura shqipëtare, por vendosja e diktaturës e detyroi të marrë rrugën e mërgimit duke lënë në atdhe përballë kuçedrës komuniste gruan dhe pesë vajza. Jetoi gati një gjysmë shekulli me ankthin se a do të mund t’i shihte ndonjëherë dhe se a do të kthehej më në atdhe? Rënia e komunizmit ia ngjalli shpresën, por mosha e kishte bërë punën e saj. Ai nuk mund të realizonte dëshirën e tij kaq vjeçare. Ndërkohë e shoqja dhe dy vajzat e mëdha nuk jetonin më. Vajza e katërt, Marika, pati  mundësinë të shkonte e  ta takonte. Plaku 96 vjeçar sikur u përtëri. E pyeste për gjithçka. E pyeste se kur do ta shihnin Kosovën të lirë.  Megjithatë kishte edhe një brengë tjetër që ia shprehu:

                 - A i keni mbetur kujt borxh?

                 Kur mori pergjigjen ndjeu një lehtësim në ndërgjegjen e tij. Ishte dëshira për t’i parë femijtë gjithmonë me kokën lart.

                 Nuk e di se sa munda ta përshkruaj figurën dhe veprën  e tij ashtu si e meritonte, por kaq janë mundësite e mia, pasi siç shkruante edhe ai vehtë:

 

                 Vajtoj mungesën e talentit tim për të përshkruar ashtu si duhet ata burra dhe veprat e tyre, prandaj ju kërkoj ndjesë që s’jam i zoti t’i ve këto vepra në dritën e merituar.

 

                Është detyra e publicistëve, historianëve dhe gjithë njerëzve të letrave t’i nxjerrin ato në dritë se një gjë e tillë është në dobi të këtij vendi.       

                  Shqipëria i mbetet akoma borxh bijve të vet.

 



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora