E marte, 30.04.2024, 08:19 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Halil Laze dhe libri i tij ‘’Arratisja e pamundur’’

E merkure, 23.06.2010, 09:26 PM


Halil Laze dhe libri i tij

Arratisja e pamundur

 

Nga Reshat Kripa

 

            Qysh në faqen e parë të librit Arratisja e pamundur ndeshim në thirrjen e një të dënuari politikë në kampin e Spaçit ose në “vendin ku dreqnit çilnin zogj“, siç e quanin vendasit:

 

            O Zot, a do të ketë një njeri që do të shkruajë këto vuajtjet tona?

 

            Dhe ky njeri që do të shkruante për ato vuajtje, do të ishte ai, biri i dëshmorit të Luftës  Nacional-Çlirimtare, por edhe nipi i dy të rënëve nga rradhët e Ballit Kombëtar, gazetari i njohur i një gazete ushtarake që, papritur dhe pakujtuar, ashtu si dhe shumë miq të tij, ishte shndrruar në armik të pushtetit popullor dhe, si pasojë, vuante dënimin në po atë kamp ku kishte vuajtur edhe  i dënuari i kampit të Spaçit që citova më lart. Ky njeri ishte një djalosh i ri, pa mbushur ende tridhjet vjet, i sapomartuar dhe me një djalë që nuk i kishte kaluar të dy vjetët. Ky njeri ishte Halil Laze.

            Shfletoj faqet e librit dhe çuditërisht më duket vetja sikur jam burgosur përsëri, sikur punoj si skllav nëpër kampet e tmerrshme të punës së detyruar. Më dalin parasysh kampet e Maliqit, Bedenit, Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit, Bulqizës, Rinasit, Thumanës, Zadrimës dhe plot të tjerë të periudhës time. Çuditërisht tmerret e atyre kampeve më dukeshin të njëjtë me atë të Spaçit, të përshkruar me mjeshtëri nga autori. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Rregjimi diktatorial që kishte gllabëruar vendin nuk mund të vepronte ndryshe. Makbethët e shekullit të njëzetë ishin zhytur në gjak dhe për çdo ditë fundoseshin më thellë në ato pellgje që i krijuan vetë.

            Para syve më del shkodrani që, pasi kishte marrë lajmin se e kishte lënë e shoqja, ishte drejtuar drejt telave me gjemba për t’i dhënë fund jetës. Gjakpirësit mund ta kapnin dhe ta kthenin në kamp. Por jo, ata donin gjak, ndaj filluan të gjuajnë me armë në drejtim të tij nga të gjitha anët. Dhe kur mbeti i plagosur rëndë atje, e lanë pa ndihmë në mes të telave deri sa dha frymën e fundit.

            Ai ishte një emigrant i kthyer nga Franca. Kjo gjë i kishte kushtuar burgun. E kishin akuzuar si agjent francez. Dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burg. Asnjë nuk e përmendte emrin e tij. Të gjithë e thërrisnin “francezi“. Nuk i vinte njeri i afërm. Vetëm shokët e kampit e ndihmonin herë pas here. Më së fundi nuk mundi të duronte më. U hodh mbi telat e kampit ku dha jetën, nën breshërinë e plumbave të gjaksorëve.

            Minoritarin Aristotel e kishin arrestuar pa mbaruar shkollën e mesme, së bashku me shokun e tij Kostën. Tani ishte i sëmurë rëndë. Kanceri po e bluante. Një dhimbje e fortë e mundonte. Në ato momente dilte jashtë dhe thërriste duke iu drejtuar qiellit:

- Oooooo Zoooot! Oooooo nëëëëneeee!

Kosta e kapte dhe duke lotuar të dy futeshin    infermieri.  Por  komanda  nuk  e besonte. E quanin stimulant. Bile njëherë e dënuan duke e futur në birucë. Ndërsa ai lutej që të vdiste për të shpëtuar nga vuajtja.

            Duke lexuar librin të dalin para syve shume figura të shquara dhe të nderuara, që nuk u thyen kurrë para makinës monstruoze që pillte vazhdimisht spiunë dhe provokatorë. Në morinë e këtyre më lejoni të përmend Çezar Toron që ishte burgosur pothuajse familjarisht, së bashku me Ylviun dhe Qazimin. Inxhinierin mekanik (Laureat i çmimit të Republikës) Ismail Farkën që, gjatë studimeve, ishte dashuruar me një ruse me origjinë hebraike, gjë që do bëhej shkak për burgosjen e tij, pa marrë parasysh se ishte nipi i Ije Farkës, në shtëpinë e së cilës kishte bujtur edhe kryediktatori Enver Hoxha. Xhelal Koprenckën, ballistin e njohur që ishte dënuar tre herë deri atëhere dhe e prisnin edhe dy dënime të tjera, i fundit kapital pasi kishte guxuar t’i shkruante një letër Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos. Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin, dy gazetarët e afirmuar që u pushkatuan bashkë me Xhelalin për të njëjtin motiv. Qani Sadikun që nuk duroi dot denoncuesin e tij t’i dilte para syve, apo Xhafer Agarajn që nuk ndenji më shumë se dhjetë ditë brigadier pasi nuk njihte se ç’ishte nënshtrimi. Jamarbër Markon, birin e poetit të njohur Petro Marko dhe piktorin e shquar Ali Osekun. Bardhosh Gjonzenelin nga Vlora, birin e profesorit të shkollës tregëtare, pushkatuar në vitin 1951 dhe Thoma Grillon që kishte guxuar të godiste me këpucë portretin e diktatorit. Seit Bathoren, ish mikun e Babë Myslymit dhe Kryetar i Këshillit Popullor. Ai e pyeti Babën se kush e kishte fajin që Beqir Balluku ishte në burg dhe i tregoi në mirëbesim se në shtëpi kishte një depozitë plot me armatime. Por nuk kishte shkuar akoma atje kur e arrestuan dhe dënuan për t’u kthyer papritur në armik të popullit dhe pushtetit.

            Motivi kryesor i librit, siç theksohet edhe në titullin, është dëshira e përhershme e të burgosurve për të këputur prangat e robërisë, për të fluturuar të lirë. Detajet e kësaj arratisje jepen në libër nëpërmjet dialogut të pesonazheve të veprës. Disa janë pro, të tjerë kundër. Disa janë për arratisje masive, të tjerë për të veçantë. Mbi të gjitha të bie në sy figura e Ahmet Hoxhës që kishte bërë njëzet vjet burg dhe kishte edhe shumë të tjera për të bërë. Ishte prototipi i të panënshtruarit. Dy herë kishte tentuar të arratisej. Herën e parë nëpërmjet një makine që kishte prurë çimento në kamp. Hipën në makinë, e ndezën dhe duke thyer derën u larguan. U strehua te një kushuriri i tij, që i tradhëtoi duke i spiunuar në organet e sigurimit.që i kapën në gjumë. Herën e dytë sulmuan murin e lart të rrethimit, por përsëri pa rezultat. Pas çdo tentative një ridënim. Herën e tretë tentoi së bashku me Sali Çakon. Mundën të arrinin deri afër kufirit. Por duhej kaluar lumi. Ahmeti nuk dinte not. Saliu u mundua ta merrte me vete, por nuk mundi. Një gjë e tillë i detyroi të ktheheshin, kur ishin gati në mes të tij. i kapën dhe ridënuan përsëri. Ahmetin me vdekje. Simbolin e rezistencës e ekzekutuan me ndjenjën e lirisë në zemër.

            Ahmeti ishte një nacionalist me zemër të madhe. Kur ndodhej në kalanë e Gjirokastrës, si i internuar së bashku me të ëmën, vizitohen nga gjeneral Halim Xhelua. Në atë kohë Ahmeti ishte fare i vogël. Kur i pa gjenerali tha:

- Edhe këtë do ta vrasim kur të rritet.

Fati e pruri që të ishin të dy në spitalin e burgut. Halimi ishte rëndë. Ahmeti i shërbeu deri sa ai u shërua.

- Përse nuk më le të vdisja? – e pyeti Halimi, dhe Ahmeti u përgjegj:

            - Unë nuk jam lëkurëkuq. Dua që këtu të njohësh kush janë shqiptarët e vërtetë.

Pak kohë më vonë, kur mori vesh vetvrasjen e Halimit, Ahmeti ndau cigare për shpirtin e tij. Fisniku e tregoi fisnikërinë edhe në momente të tilla.

            Libri ka përshkrime mjaft të goditura. Në to shprehet dhimbja e autorit për jetën e vrarë. Shprehet malli për lirinë, për të afërmit e shtëpisë. Ja si shkruan ai:

 

            Mbeta shumë keq.

            Instiktivisht futa kokën poshtë currilit të ujit dhe ndenja ashtu për disa çaste. Më pushtoi një trishtim i madh. Po mendoja si në ethe:

            - Pse më torturon kaq shumë o Zot? Pse më jep shpresën, guximin dhe arsyen dhe pastaj më braktis? Pse të rri e të vuaj kështu ditë e netë të tëra pa asnjë të nesërme? Pse s’më flet një fjalë? Vetëm një. Nuk e kupton se sa shumë po vuaj?

            Uji që dilte nga një tub i shpuar, më rridhte nëpër kokë, më mbulonte gjithë fytyrën dhe, pasi mblidhej te mjekra, binte poshtë tek një lugth betoni. Më dukej sikur në atë çast po lahesha me të gjithë lotët e nënave shqiptare. Edhe me lotët e nënës time.  Me të gjithë lotët e motrave shqiptare. Edhe të motrës time. Me lotët e grave. Edhe të gruas time. Po lahesha me lotët e fëmijve shqiptarë. Edhe me lotët e djalit tim, për të cilin më kishte përvëluar malli.

 

            Shumë prekës është takimi i autorit me t’ëmën. Një nëne që i janë vrarë të dy burrat. I pari partisan dhe i dyti, vëllai i heroit të popullit Asim Zenelit, “aksidentalisht“. Një nëne që i ishin vrarë dy vëllezër. I pari me çetat balliste dhe i dyti pushkatuar pas mbarimit të luftës. Një nëne që i kishin burgosur të birin, kur në shtëpinë e saj vinte për vizitë vetë Enver Hoxha. Ky episod më kujtoi nënën time që erdhi nga Vlora në Bulqizë dhe nuk e lejuan të më takonte, pasi unë isha dënuar sepse kishim përkujtuar tridhjetepesë vjetorin e luftës së Vlorës më 1920. Atëhere u detyrua të ikte me zemër të thyer, duke ia dhuruar ato pak ushqime që kishte sjellë një nëne dibrane që vinte të takonte të birin.

            Ja si shkruan autori:

 

             Ç’tmerre e ç’drama kishte kaluar nëna e ime!

            Dhe ja tashti ndodhej përsëri në tmerrin e pushtetit. Motra ishte në universitet dhe takimet me mua, pa dyshim, nënën e vinin në pozitë shumë të vështirë.

            LUFTA   E   KLASAVE!   Ishte   shpikja      djallëzore   dhe       e paskrupull që ka nxjerrë mendja njerëzore në gjithë historinë e saj.

            LUFTA E KLASAVE! Ishte një kafshë parahistorike (goxillë) që shkeltë, shqepte, shtypte, shqyente, shpërthente e shkatërronte gjithçka.

            LUFTA E KLASAVE! Të gjithë kundër të gjithëve! “

 

            Një mbresë të thellë të le episodi i fëmijës së oficer Aliut që shkonte për ta vizituar doktor Isufi. Të burgosurit mahniten para fytyrës së bukur dhe të pafajshme të fëmijës. Ky episod më kujtoi atë me një tjetër doktor Isuf, Isuf Hysenbegasin e paharruar, në kampin e Vlashukut në vitin 1953. Djali i operativit të kampit, kriminelit toger Ademi, ishte sëmurë rëndë. Doktori e vizitoi, ndërhyri te një i burgosur që kishte një penicilinë oleoze, që në atë kohë ishte shumë e rrallë dhe e shpëtoi djaloshin. Por krimineli jo vetëm që nuk ia ktheu më penicilinën, por e dënoi të burgosurin me izolim në birucë. Nuk thotë kot një fjalë e urtë popullore:

            - Gjersa ujku mbetet ujk, ai do plumb dhe jo pambuk!

            Por doktori ishte njeri humanitar dhe jo egërsirë si togeri kriminel.

            Takimi në kaush me ish akademistin që kishte mbaruar në  Itali,  pjesmarrësin  në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe komandantin e mjeteve të blinduara pas lufte, dënuar me grupin e deputetve, i la mbresa të thella. Tri herë i dënuar, ai i tha se kishte bërë njëzet vjet burg dhe tashti ishte dënuar edhe me dhjetë vjet të tjera. Ishte shtatëdhjetë e gjashtë vjeç dhe nuk e dinte në se do të rronte sa t’i mbaronte edhe këto vite. Në këtë kohë iu kujtua historia e fotoreporterit dhe kinooperatorit të parë në Shqipëri, Makut, me të cilin kishin qenë në kaush kur e kishin arrestuar. Ishte shtatëdhjetë e katër vjeç dhe gjykata e kishte dënuar me njëzet e pesë vjet burgim. Në fjalën e tij të fundit kishte thënë me ironi:

- Vini dorën në zemër dhe më dënoni me njëzet e gjashtë vjet, në mënyrë që kur të dal i riedukuar të jem plot njëqind vjeç.

Episodet ndjekin njeri-tjetrin. Sejcili më i bukur por edhe më i dhimbshëm se tjetri. Ashtu si vetë jeta e një të burgosuri. Në këto momente më kujtohet shprehja e dramaturgut francez Pjer Korneji, në tragjedinë “Sidi“:

 

            Unë jam i ri, është e vërtetë. Por në njerëzit e mëdhenj, vlera nuk matet me numrin e viteve.

 

            Halil Laze u  nda  para  kohe  nga  ne,  por  jeta  e  tij, aktiviteti i tij letrar, e rendisin në rradhën e njerëzve të shquar të vendit tonë. Ai do të mbetet i tillë përgjithmonë në mendjet tona

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora