E marte, 30.04.2024, 05:58 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Requiem për Skënder Qëndron

E marte, 27.07.2010, 10:00 PM


Skender Qendro
Skender Qendro, i dyti majtas siper, ne Kongresin e XVIII-te te Shoqates Nderkombetare te Burgosurve Politike dhe Viktimave te Komunizmit, mbajtur ne Rumani me 20-25 maj 2010

 

Requiem për Skënder Qëndron

 

Nga Reshat Kripa

 

Nuk ma merrte mendja se do të isha unë që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde në banesën e përjetëshme.  Nuk ma merrte mendja, se donim të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës së nisur së bashku. Por Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes se tij dhe Zoti zgjedh gjithmonë më të mirët dhe ti ishe më i miri.

            Çfarë të të kujtoj o vëlla? Ishe ende fëmijë kur u detyrove t’i dilje për zot familjes tënde të nderuar dhe kjo sepse murtaja e kuqe që po pushtonte vendin e detyroi Boçon tënd të merrte rrugën e emigrimit nga ku nuk do të kthehej më kurrë. Ishte ajo murtajë që rrëmbeu nëntë pjestarë të fisit tënd të madh. Por ti kishe genin fisnik të fisit tënd. Ishte ky gen që të udhëhoqi në çdo hap të jetës tënde. Ndaj nuk u përule asnjëherë. Dallgët e jetës i përballove me krenari dhe dinjitet. Nuk të thyen as internimet dhe as endjet nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri dhe përsëri nga veriu në jug.

            Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Për këtë arsye ata të zgjodhën në krye të tyre. Dhe nuk u gabuan. Por edhe ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Edhe ti ishe i gatshëm gjithmonë për të ndihmuar ata që kishin nevojë. Ne nuk do të harrojmë kurrë për tërë këta vite që do të jetojmë.

            Por ti pate edhe një fat të madh. Në krahun tënd kishe një grua të mrekullueshme dhe nga një familje fisnike, Shaqen, që t’u ndodh pranë si në të mirë dhe në të keqe. Të dy së bashku rritët tre djem dhe dy vajza po aq të mira sa edhe ju.

            Ngrihe kokën lart Shaqe! Qëndroni krenarë  Bujar, Tiku, Xheti, Ida dhe Zoica! Ju keni me se mburreni. Krenaria, fisnikëria dhe dinjiteti i burrit dhe babajt tuaj ju bënë edhe juve krenarë si ai. Labi nuk e ka zakon të derdh lot për trimat. Ai u thur atyre vargje dhe këngë. Skënderi ishte një lab trim.

            Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim në krye dhe në krahun tonë. Ne sot po i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes tonë Skënderin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

            Qoftë i lehtë dheu që do t’i bjerë përsipër!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora