E marte, 30.04.2024, 07:51 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Shkallët e ferrit (XII)

E hene, 12.07.2010, 09:55 PM


RESHAT KRIPA

 

SHKALLËT E FERRIT

 

Roman

 

                                                                 IV

 

            Ditët rridhnin njëra pas tjetrës dhe bashkë me to edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar dy vjet nga dita kur Agroni ishte njohur me Robertin. Tashmë kishin formuar një shoqëri të vërtetë. Takoheshin çdo ditë, herë në shtëpinë e njërit dhe herë të tjetrit. Natyrisht takimet zhvilloheshin më shumë në shtëpinë e Agronit, sepse atje ishin më të lirshëm për të biseduar, pasi nuk i shqetësonte njeri. Zakonisht më tepër bisedat zhvilloheshin për letërsinë, që e kishin të dy për zemër. Agroni tregonte se kur kishte mbaruar shkollën e mesme, kishte kërkuar të studionte për letërsi, por i kishin akorduar për inxhinieri elektrike, ndërsa Robertit nuk kishin denjuar t’i akordonin të drejtë studimi.

            Në shtëpi Agroni kishte një etazher shumë të pasur. Librat, e ëma kishte mundur t’i ruante, duke i fshehur nën dërrasat e dyshemesë, gjatë dhjetë viteve që ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën shqipe, si dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Midis tyre aty gjeje që nga Prometeu i lidhur i Eskilit deri te Viti 93 i Hygoit, që nga katër volumet e Lufta dhe paqja të Tolstoit, deri te tragjeditë e famshme të Shekspirit, që nga veprat e Dikensit deri te Tre shokët të Remarkut. Aty gjeje edhe letërsi shqipe që nga Historia e Skënderbeut e Naimit, deri te Albumi i Nolit, që nga Vargjet e lira të Migjenit, te Për mbrojtjen e atdheut të Foqion Postolit, që nga Qyteti i fundit i Petro Markos, te romanet e Kadaresë. Librat në gjuhë të huaja vazhdonin të qëndronin nën dysheme. Kishte frikë t’i nxirrte, se ruhej nga ndonjë kontroll i beftë i sigurimit të shtetit. Midis këtyre librave gjeje vepra që në atë kohë nuk gjendeshin në treg, por që ai i kishte siguruar nëpërmjet shoqërisë së tij. Këtu bënin pjesë veprat e Niçes, Frojdit, Berlinit, , Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos dhe të tjerëve. Ishte një bibliotekë e vërtetë, brenda së cilës ndieje një kënaqësi të madhe në atë kohë të zymtë që i rrethonte.

            Kështu, të dy miqtë mblidheshin atje dhe diskutonin me orë të tëra për temat e këtyre librave. Pasi diskutonin për vlerat, kalonin në brendinë e mendimeve që lidheshin me aktualitetin, me gjendjen në të cilën ndodhej vendi, me mungesën e shprehjes së vullnetit të lirë. Kishin besuar se me vdekjen e diktatorit diçka do të ndryshonte në vend, por shpejt ky iluzion ishte shuar. Pasardhësi i tij po ndiqte të njëjtën rrugë.

- Jetojmë në një botë absurdi, - tha një ditë Agroni. - Ngado jemi të rrethuar nga një mori kameleonësh, që nuk rreshtin së ndërruari ngjyrën sipas oreksit të pushtetarëve. Këta janë të ashtuquajturit “njerëz të rinj“ të krijuar nga sistemi për të ruajtur pozitat e tij që kanë filluar të lëkunden. Këta janë pjella më e keqe e këtij sistemi. Më vjen pështirë kur jam i detyruar t’i takoj apo t’i përshëndes. A e di se çfarë ka thënë Niçja:

Socializmi, si tirani finale e më të vegjëlve dhe më budallenjve, domethënë e të sipërfaqshmëve, cmirzinjve dhe komediantëve për pesë para, është në realitet konsekuenca e ideve moderne dhe e anarkisë së tyre të paçfaqur.

Kjo sentencë është karakteristikë e shoqërisë së sotme shqiptare.

            - A thua do të vazhdojë gjatë?

- Nuk e di. Diçka ka filluar të lëvizë. Europa Lindore ka dhënë shenja se së shpejti mund të ndryshojë. Kurse ne vazhdojmë me frymën e vjetër. Tri herë  erdhi  Shtrausi  dhe të tri herët iku i zhgënjyer. Shqipëria nuk dijti të përfitojë nga shansi i krijuar.

            - Si mendon a do të mundemi ta shohim vendin të lirë?

            - Ti me siguri po, ndërsa unë nuk e di në se do ta kem atë fat. Kam disa kohë që ndiej një dobësi të madhe. Dua të rri shtrirë dhe të ëndërrojë. Kur lëviz lodhem shpejt. Të gjitha këto më bëjnë të mendoj   se nuk do ta kem të gjatë.

            - Fillove nga përrallat ti? Kalove nëpër shkallët e ferrit dhe dorëzohe tani që i kapërxeve ato. Ku është ajo forcë që të mbajti gjallë në ato vite?

            Agroni nuk u përgjigj. Edhe Roberti  e  mbylli bisedën   kur   vuri   re   se   ajo   mori   një   rrugë  të padëshërueshme. Ndenji edhe pak dhe pastaj u largua.

            - Takohemi nesër te puna, - i tha.

            Punonin në suvatimin e një magazine.  Brenda  këtyre  dy  viteve,  me  ndihmën  e

Robertit dhe Astritit, ai kishte mundur të fitonte dy kategori si murator dhe tani kishte kategorinë e tretë. Roberti kishte shkuar në zyrat e sektorit për të mbyllur borderotë e muajit me Astritin. Kur u kthye nuk e gjeti Agronin. Shokët i thanë se nuk e kishte ndierë veten mirë dhe kishte shkuar në shtëpi. U shqetësua. Iu kujtua biseda që kishte bërë një natë më parë. Shkoi menjëherë në shtëpinë e tij dhe e gjeti në shtrat.

            - Ngreu të shkojmë te doktori.

            - Jo, jo nuk kam gjë. Vetëm kam dobësi. Do të pushoj dhe do të më kalojë. Nesër do të jem përsëri në punë.

Roberti nguli  këmbë  dhe      fund  e  bindi.  Shkuan    poliambulancë.  Doktor Arqilea, një mik i vjetër i Agronit e vizitoi me kujdes.

            - Duhen bërë analizat, - tha duke i dhënë raport për  tre ditë pushim.

            Të nesërmen bëri analizat. Përgjigjen e mori pasdite. Doktor Arqilea e kishte mbaruar orarin e shërbimit. Kështu që përgjigjen ia shpuri ditën tjetër. Sa i pa, doktori u zbeh në fytyrë.

            - Si kanë dalë? – pyeti Agroni.

            - Duhet t’i përsërisim analizat.

            - Përse?

            - Dua të bindem që nuk është bërë ndonjë gabim. Kësaj radhe do t’i bësh në spital.

            Agroni mori fletën e analizave dhe shkoi në spital. E lexoi. Në një cep doktori kishte shkruar “urgjent“. Gjatë gjithë rrugës mendonte  përse doktori i kishte përsëritur analizat. Përse kishte shkruar urgjent? Mos vallë vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe doktorit i vinte rëndë t’ia thonte?

            - Përse jeni munduar? - i tha mjeku i laboratorit.

            - Më ka dërguar doktor Arqilea për të bërë këto analiza.

            Doktori lexoi fletën e analizave dhe i tha:

            - Duhet të vini nesër në mëngjes, pasi duhet të jeni esëll.

            Të nesërmen shkoi që me mëngjes. Laboratori hapej në orën tetë. I duhej të priste. Deri sa të vinte ora, vendosi të shëtiste në lulishten e spitalit. Duke kaluar u ndesh ballë për ballë me Robertin dhe Syrjaun që po vinin drejt tij.

            - E more bir, a i bëre analizat? – pyeti Syrjau.

            - Ende se laboratori hapet në orën tetë.

            - Eja  futemi këtu dhe pimë një kafe.

            - Jo, se doktori më këshilloi që duhet të jem esëll.

            U ulën në një stol dhe po bisedonin. Robertit nuk i pëlqeu kur mori vesh se doktori i kishte përsëritur analizat. Por nuk e dha veten. Dyshimin e ruajti për vete. Ndërkohë ora kishte kaluar nga teta. Shkuan në laborator dhe Agroni bëri analizat. Përgjigjen e mori pas dy orësh.

            - Si kanë dalë doktor? - pyeti.

            - Shpjerja doktor Arqilesë.  Ai është specialisti për këtë gjë.

            Në poliambulancë, porsa e pa doktor Arqilea e futi në dhomë. Roberti me Syrjaun mbetën përjashta. Doktori pa përgjigjen dhe i tha infermieres:

            - Dilni dy minuta përjashta, ju lutem.

            Ajo doli.

- Duhet të shkoni urgjent në Tiranë, - i tha me një zë që dukej sikur mezi i  dilte - Keni  nevojë për një ekzaminim më të hollësishëm.

            - Çfarë kam doktor? Ma thoni. Mos më fshihni asgjë. Ju e  dini  se  unë   nuk  kam

njeri. Ndaj dua t’i bëjë ballë me forcat e mia.

            Doktori u mendua një copë herë dhe pastaj i tha:

            -Tani për tani janë vetëm dyshime. Sipas dy analizave shenjat janë për leuçemi. Por mund të jetë edhe ndonjë shkak tjetër. Këtë do ta zbulojë ekzaminimi në spitalin onkologjik në Tiranë.

            Doktori plotësoi epikrizën dhe ia dorëzoi .

            - Ju uroj shërim sa më të shpejtë. Mos u shqetësoni. Ka shumë raste si ky juaji që përfundojnë me sukses.

            Agroni doli jashtë.

            - E si dolën? - e pyetën me një zë ata dy.

            - Nesër do të shkoj në Tiranë për ekzaminim të mëtejshëm, - u tha.

Syrjau   me   Robertin  mbetën    nemitur.  U ndanë në kryqëzimin e rrugës.

 

                                                                   V

 

            Në pasdite Roberti shkoi në shtëpinë e Agronit.

- Sa mirë bëtë    erdhët,  -  tha  ai - Ju  prisja.  Kisha  nevojë     bisedoja  me  dikë.

            Mori dy shishe birrë,  i vuri në lavapjatë dhe hapi çesmën që të ftoheshin.

            - Përse i vure ato, ti nuk ke pirë kurrë, - i tha Roberti.

            - Sot dua të pi.

            Nxori nga dollapi djathë, sallam dhe dy kokrra  vezë    i  vuri    zienin.  Pastaj  u  ul  pranë shokut.

            - A e di se ç’më tha doktori?  Nuk donte të ma tregonte, por unë ngula këmbë, duke i thënë se jam i vetëm. Së fundi më tregoi të vërtetën. Analizat tregojnë se jam sëmurë nga leuçemia. Nesër do të shkoj në Tiranë për t’u vizituar në spitalin onkologjik.

            Lajmi ishte i rëndë. Roberti mbeti si i shastisur. Nuk gjente fjalë për t’i thënë. Kurajua me të cilën i foli shoku e mahnitën. Së fundi, si e mblodhi veten nga hutimi i parë, i tha:

            - Me siguri ata të laboratorit kanë gabuar. Do t’i përsëritësh ato në Tiranë dhe do të shohësh që do të dalin mirë.

            - Jo, nuk janë gabim. E ndiej se së shpejti do shkoj nga kjo botë.

            Hoqi vezët nga zjarri, i qëroi dhe i vendosi mbi tavolinë së bashku me sallamin dhe djathin. Pastaj mori  shishet e  birrës dhe, pasi i hapi, mbushi gotat duke thënë:

            - Gëzuar!

            - Gëzuar dhe me një lajm të mirë!

            - Kemi dy vjet që njihemi. Më ke treguar çdo gjë që të ka ndodhur ty dhe familjes tënde, kurse unë kam heshtur. Çdo gjë e kam mbajtur brenda vetes time. Kam vendosur që të fshehtën time ta marr me vete në atë botë. Nuk kam njeri të afërm të familjes. Vëllaj i vetëm më qëndron larg. Ka frikë nga biografia ime. Ti je miku im më i mirë.

            Kishte kohë që Roberti priste thyerjen e heshtjes nga miku i tij. Por mendoi se atë ditë nuk ishte çasti i përshtatshëm, ndaj i tha:

            - Kemi kohë për të biseduar për ato gjëra. E lemë kur të kthehesh nga Tirana. Do të shohësh se së shpejti do të shërohesh.

            - Jo, nuk janë gabim.

            - Të dija më të fortë.

            - Mos vallë të dukem i dobët.

            - Le ta lemë këtë bisedë sonte.  I vazhdojmë kur të kthehesh nga kryeqyteti.

            - A thua do të kthehem? - tha duke buzëqeshur hidhur, pastaj vazhdoi - Kam lexuar librin e Izajah  Berlinit “Idetë  filozofike    shekullit    njëzet“.    një  vend  ai   shkruan:

Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi.

Kështu dëshëroja të isha edhe unë. Por ky regjim në të cilin jetojmë nuk të lejon të jesh dikush. Ai kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askush. Kjo gjë ndodhi edhe me ne. Ishim tre shokë. Kishim mbaruar arsimin e lartë për inxhinieri elektrike. Mendonim se ishim intelektualë. Mendonim se kishim personalitet. Por realiteti bëri që këto iluzione të binin. Para nesh qëndronin dy alternativa: Ose të ruanim personalitetin tonë, ose të ktheheshim në lakej dhe të gëzonim frytet e servilizmit tonë. Zgjodhëm të parën. Donim ta ruanim të paprekur dinjitetin tonë.  Dhe për këtë ëndërronim. Na dukej sikur fluturonim në qiell, por në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.

            Agroni heshti. Ngriti gotën e birrës, e çiku me mikun dhe vazhdoi:

- Kështu përfunduam të gjithë në burg. Por mbi ndërgjegjen time rëndonte vdekja e mikut tim më të mirë. Kalova njëmbëdhjetë vjet me këtë brengë. Shpresoja se shokët do të ma falnin atë lajthitje të detyruar. Por kjo nuk ndodhi. Ata vazhdojnë të mos ma falin. Rastësisht mësova se ka disa ditë që është liruar Gjergji nga burgu. Nuk e di ç’mendon ai.  Kam frikë se do të jetë me mendimin e të tjerëve. I vetmi që më fali ishte Gëzimi. Shkova e takova në sanatorium. Ishte në gjendje të rëndë. Pse u dashka pritur fundi i jetës për të falur dikë?

Ngriti përsëri gotën e birrës dhe e piu    gjithë. Hodhi vështrimin rreth  e  rrotull  nëpër  dhomë  si  pa  vëmendje.   Roberti  e  kuptoi  dhimbjen e mikut të tij,  ndaj i tha:

            - Me siguri një ditë do të të falin edhe Gjergji me Yllin.

            - A thua? A do të kenë kohë ta bëjnë një gjë të tillë?

            - Përse?

            - Sepse unë i kam të numëruara ditët e mia.

            - Nuk besoja të ishe kaq pesimist.

            - Nuk është pesimizëm. Është realitet. Unë e ndiej.

            - Gjepura.

            - Kjo është historia ime.  Njerëzit nuk  duhet    harrojnë  rrugën nëpër të cilën kanë kaluar qytetarët e këtij vendi mëkatar.  Tani nuk më mbetet tjetër veçse të bëhem gati për të shkuar te të dashurit e mi.

 

                                                                   VI

 

Të nesërmen që me mëngjes, Roberti u gjend te Agroni.

- Do të shoqëroj në Tiranë, - i tha.

Agroni iu lut që të qëndronte, por ai këmbënguli dhe të dy u nisën. Mjekët e spitalit onkologjik, kur lexuan epikrizën, vendosën ta shtronin menjëherë. Në spital do kishin mundësinë t’ia bënin më mirë analizat e nevojshme. Agroni u shtrua.

- Lajmëro Skënderin, - i tha Robertit.

Ai shkoi menjëherë në postë. Nuk vonoi dhe Skënderi erdhi.  Ishte mjaft i tronditur. Njoftimi i kishte rënë si bombë. Nuk mund të besonte që i vëllai të vuante nga një sëmundje e tillë. Kur e takoi  filloi të qajë. E brente ndërgjegja.

- Vëlla, më fal! U tregova i dobët. E di që ke të drejtë të më  trajtosh  si    duash. Të gjitha i meritoj. Meritoj edhe përbuzjen tënde.

- Ngrehu Skënder! Burrat nuk lotojnë. Zemra e vëllait është aq e madhe, sa mund të falë edhe atë që duket e pamundur.

Roberti   ndërhyri,   duke   ndërruar   temën  e bisedës. Mendoi se kjo ishte më e arsyeshmja në atë çast. Filloi të fliste  për vapën që tregonte se po fillonte vera, për plazhin që do të bënin pasi të dilte Agroni nga spitali dhe të tjera biseda të tilla. Një gjë e  tillë  pati  sukses.  Filluan    tre    bisedojnë  sikur  nuk  kishte ndodhur asgjë.

Të nesërmen i kreu të gjitha analizat. Përgjigjen do ta merrte një ditë më prapa.  Skënderi dhe Roberti shkuan dhe morën  shefin  e  pavionit  për    pirë  një  kafe  dhe 

bisedonin

- Leuçemi, - tha ai - e ka në një fazë pak të zhvilluar. Do t’i fillojmë urgjent kimioterapinë me rreze kobalti. Për fat të keq e keni prurë pak me vonesë.

- A ka ndonjë shpresë?

- Vetëm një mrekulli.

- Dielli duket që me mëngjes. Kur nuk të ngroh       fillim,  mos   prit   për      vonë,  -   tha  Skënderi dhe u largua i menduar.

- Ç’donte të thonte me ato fjalë? - pyeti doktori Robertin kur mbetën vetëm.

- Ai është vëllai. I dhemb zemra për të, se ashtu e ka patur fatin.

- Domethënë?

- Agroni është inxhinier elektrik. Ka mbaruar në Çekosllovaki. Por fati e goditi keq. Ka bërë dhjetë vjet burg për motive politike. Gjatë kësaj kohe i vdiq vajza pesëmbëdhjetëvjeçe dhe gruaja. Para dy vjetësh edhe e ëma. Mbeti i vetëm. Të vëllanë e kishte larg. Unë mbeta i vetmi që e shoqëroja. Megjithatë ishte i fortë. Nuk e jepte veten asnjëherë. Është njeri me një kurajo të paparë. Përse ta dënojë fati deri në këtë pikë?

Doktori u habit me fjalët e Robertit. Si  guxoi dhe i tregoi për gjëra të tilla, të cilat të tjerët nuk do të guxonin t’i thonin? Me siguri donte të shfrente dufin që kishte nga brenda. Por doktori ishte një njeri korrekt dhe i ndershëm. Historia e Agronit e preku tepër.

- Do të bëjmë çmos për ta shpëtuar. Po  qe  fat do t’ia hedhë. Të siguroj se nga ana jonë do    bëhen të gjitha përpjekjet.

- Falemnderit doktor!

Roberti shkoi në postë dhe mori sektorin e tij në telefon. Për fat Astriti ndodhej në zyrë. I shpjegoi gjendjen e Agronit dhe i tha t’i jepte lejen e zakonshme, se nuk mund ta linte Agronin vetëm në ato kushte. E porositi që të lajmëronte edhe familjen e tij, që të mos bëheshin merak. Gjithë ditën e kalonte pranë mikut të tij. Mundohej ta linte sa më pak vetëm. Dilte vetëm për të ngrënë një kafshatë bukë dhe kthehej përsëri. Ishte lidhur aq shumë me të,  sa ndarja i dukej humbja më e madhe. Miku i tij, me intelektin dhe logjikën e  hekurt e kishte gllabëruar. Ishte bërë sinonim i zgjuarsisë, mençurisë dhe fisnikërisë. Në mendjen e Robertit, Agroni ishte shndërruar në një simbol.

Skënderi tentoi disa herë ta merrte Robertin në shtëpinë e vet për të pushuar, por ai nuk pranoi. Natën e kalonte pranë mikut të tij.  Paradite shkonte për të fjetur në shtëpinë e një shokut të burgut, që jetonte i vetëm në një dhomë në rrethinat e kryeqytetit. Kishte bërë njëzet vjet burg dhe kur kishte dalë prej andej ishte gati gjashtëdhjetë vjeç. Kështu kishte mbetur pa u martuar.

Gjendja e Agronit sa vente  dhe  po  rëndohej. Me gjithë rrezet që bënte nuk ndiente asnjë përmirësim. Një ditë i plasi gjak  nga  hunda.  Roberti  lajmëroi  doktorin.  Ai  erdhi menjëherë dhe e vizitoi.

- Duhet të përgatiteni, - i tha - Ky është fundi. Sot ose e shumta nesër.

Roberti u tërhoq mënjanë, u fut në një qoshe dhe filloi të qajë pa zë. Ishte e para herë në jetën e tij që derdhte lot. I dukej sikur do t’i shkëputej diçka nga zemra. Në këtë gjendje e gjeti Skënderi. Shkuan të dy. Agroni sa i pa, i çeli fytyra. Me zërin që mezi i dilte nga fundi i shpirtit u tha:

- Nuk dua… të më qajë… njeri… boll lot… janë derdhur… në familjen tonë…le ta gëzojnë… jetën… fëmijtë tuaj…

Bëri buzën në gaz dhe humbi përsëri. Roberti nuk duronte dot më.  Doli  përjashta

dhe po shëtiste në lulishten e spitalit. Aty takoi Syrjaun dhe Besimin.  Sapo kishin zbritur nga treni. Ishin nisur qëllimisht për të  parë Agronin. Robertit i tërhoqi vërejtjen një burrë që pinte cigare i ulur në një stol. Iu duk fytyrë e njohur.

- Ku e kam parë këtë fytyrë? - filloi të mendohej me vete.

Filloi të shtrydhë trurin për t’u kujtuar, por më kot. Ishte një fytyrë të cilën e kishte parë vite më parë, por nuk i kujtohej. Iu afrua dhe e pyeti:

- Më falni që po ju pyes, si ju quajnë?

Burri e pa me vëmendje.

- Gjergji Pano - u përgjigj.

Një rreze drite përshkoi trurin e Robertit. Ishte pikërisht ai, Gjergji  Panua, shoku i Agronit, që kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu.

- Gjergji, a ke forca të falësh një person? -  i tha Roberti

- Nuk të kuptoj. Ç’do të thuash me ato fjalë?

- Këtu        spital    ndodhet   një   njeri       çastet  e  fundit    jetës.   Ai   ka  

bërë   një  mëkat. Por rrethanat në të cilat e bëri, i di vetëm ai. Është një ish-miku juaj

            - Kush është ai?

            - Agron Canaj.

            Gjergji u ngrit më këmbë.

            - Agroni? Nga se është sëmurë?

            - Leuçemi, në fazën e fundit.

            U mendua për një farë kohe. Syrjau, Besimi dhe Roberti prisnin përgjigjen e tij. Së fundi Gjergji foli:

            - Tani do të vijë edhe Ylli. Ka shkuar të takojë një kushërirën e tij që është e shtruar. Të vijë edhe ai dhe shkojmë të gjithë.

            Pas pak mbërriti Ylli. Gjergji shprehu mendimin e tij. Ai u mendua pak, pastaj vendosi:

            - Shkojmë.

            Kur mbërritën atje, Agroni ishte në gjysmë kllapie. Syrjau u përkul mbi të dhe i foli:

            - Si  je mor bir?

            - Në... pragun...e... fundit...të... jetës...

            - Kurse mjeku tha se je drejt përmirësimit, -  donte ta mbante me kurajo Besimi.

            - E... ç’është...vdekja?...Anti...tezë...e...jetës.

            - Agron, -  foli Roberti -   kanë  ardhur Gjergji  me Yllin.

            Efekti ishte i  menjëhershëm.  Hapi    tepër sytë, i pa, buzëqeshi dhe u zgjati dorën. Deshi të fliste, por nuk mundi të nxjerrë zë. Gjergji i kapi dorën, ia shtrëngoi dhe i tha:

            - Agron, erdha bashkë me Yllin.

            - Mos… vallë… jam… në… ëndërr…?

            - Jo, -  u përgjigj Ylli. – Jemi ne miqtë e tu.

            - A…më…falët…?

            - Miqtë nuk kanë çfarë t’i falin njëri-tjetrit, -  foli Gjergji.

- Fa… lem… nde…  rit…!  Ro… bert…  të… lu… tem…  Në…  xhe…  pin…e…xha… ke… tës…   ë…shtë…  një…  le…tër…Le…xo… he… ni… Ë … shtë…e…fshe…hta…i…me.

            U mundua të ngrihej por nuk arriti dhe ra përsëri në shtrat.

            - Ngr…më…ni…! -  u foli me një zë të shuar miqve të tij.

            Gjergji me Yllin u munduan ta ngrenë

            - Lam…tu…mi…rë     da  shur   miq!  -  pëshpëriti me një zë të mekur dhe u përplas pa jetë në shtrat.

            - Rruga e mbarë, o mik - i tha Gjergji duke i mbyllur sytë.

            - Lamtumirë vëlla! -  pëshpëriti Ylli.

            Skënderi u tërhoq mënjanë dhe filloi të qante me zë të ulët. Besimi qëndronte në heshtje. Roberti filloi të lexonte letrën.  Si e mbaroi, nxorri shkrepsen, dhe i vuri flakën. Hirin e saj e hodhi në koshin e plehrave.

            - Çfarë shkruante? -  pyeti Skënderi me kureshtje.

            - Mos më pyesni. Më mirë të mos e mësoni. Është tragjedia e një njeriu të madh. Ajo nuk mund të përfytyrohet nga asnjë mendje e shëndoshë. Le ta marrë me vete.

            - Atëhere mos e pyesni më gjatë, -  e vulosi bisedën Syrjau

            Trupin e tij e çuan në shtëpi me makinën e funeraleve. Atë mbrëmje ai u gdhi atje. Pranë tij ishin Skënderi,  Roberti,  Gjergji,  Syrjau,  Besimi,  Astriti  dhe  gjithë  shokët  e brigadës. Të nesërmen erdhën dhe të tjerë. Midis tyre edhe disa që, sa ishte  gjallë,  nuk  i flisnin me gojë. Vdekja i kishte bashkuar. E varrosën pranë s’ëmës. Në varr i   vendosën  dhe  eshtrat  e    shoqes  dhe    së bijës.

 

                                                                  VII

 

            Roberti vazhdonte të qëndronte mbi varroshin e mikut të tij. Kishin kaluar pesë vjet nga dita kur miku kishte mbyllur sytë. Gjatë këtyre viteve kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Era e lirisë kishte filluar të fryjë edhe në vendin tonë. Një jetë e re po fillonte në atdhe. Por Roberti nuk po e shijonte si duhej këtë ndryshim. Ai kujtonte me dhimbje mikun  që nuk arriti ta jetonte këtë ditë. Ai varrosh i dukej si lapidar i dhimbjes mizore të shkaktuar nga regjimi i përmbysur, por i dukej, gjithashtu, edhe si një himn që i bënte thirrje për të parë përpara, pa harruar të shkuarën.

-          Agron, - i fliste mikut    tij, -  dielli  lindi përsëri. Tani  ne  jemi  bërë  përsëri

dikushi, ashtu siç ëndërroje ti.

            Mbi supet ndjeu një dorë. Ngriti kokën dhe pa Skënderin me sytë e përlotur.

            - Skënder, erdhe?

            - Po, or mik, erdha.

            U përqafuan me njëri-tjetrin.

            - Kur e ke ndërtuar?

            - Para dy muajsh, në pesëvjetorin e vdekjes.

            - Më bëhet qejfi. Të lumtë!

            - E ndjeja për detyrë. Atë që nuk munda t’ia jap sa ishte gjallë, mendova ta kryej pas vdekjes së tij. Me këtë veprim doja të qetësoja ndërgjegjen time. Ndryshimi i sistemit më bëri përsëri njeri. Deri atëherë unë isha një zvarranik që nuk guxonte të shprehte asnjë mendim, një njeri pa personalitet, megjithse isha intelektual dhe gëzoja një detyrë relativisht të lartë. Ky  “intelektual i shquar“ e braktisi vëllanë kur ai kishte nevojë për të më tepër se në çdo kohë tjetër. Braktisi edhe nënën, atë që i kishte bërë kokën. Isha bërë një krimb, në një kohë kur vëllai im ishte një zgalem.

            - Po eshtrat e babait pse i lëndove?

- Ato nuk janë varrezat e kombit. Janë varrezat e partisë së përmbysur. Për deri sa

mbi to vazhdon të qëndrojë ylli i kuq i komunizmit, ato nuk mund të quhen të tilla. Eshtrat e  tim eti nuk e kanë vendin atje. I respektoj dëshmorët e luftës për liri, por ithtarët e regjimit të përmbysur i kthyen ata në dëshmorë të Partisë Komuniste. Për këtë më vjen keq. Im at nuk u vra as për komunizmin dhe as për yllin e kuq. Ai u vra për atdheun. Ndaj i hoqa eshtrat nga ai vend dhe i solla pranë njerëzve të tij më të dashur. Brezat le të më gjykojnë për këtë veprim.

            Roberti e kuptoi gjendjen shpirtërore të bashkëbiseduesit. Një zemër e dobët, e qulltë, e ndrydhur për kaq vite, që tani kishte shpërthyer me forcë, i dhanë të kuptojë se me të vërtetë diçka kishte ndryshuar në jetën e vendit. Kuptoi se nuk është kurrë vonë për të korigjuar gabimet e së shkuarës.

            - Ikim? - pyeti Roberti.

            - Shkojmë, - u përgjigj Skënderi.

            U nisën të dy me një brengë hallakatëse. Nën këpucët e tyre kërciste dhimbshëm zhavorri i varrezës.

 

Tiranë, gusht 2008

 

 

 

                     Shënime për autorin

 

            Reshat Kripa lindi në qytetin e Vlorës më 28 janar 1936. Është fëmija i fundit i Qazimit që  kishte mbaruar studimet në kolegjin “Robert College” të Stambollit  dhe ushtronte tregtinë e vajit të ullirit.        

           Në vitin 1950 u arrestua i  vëllai, Besniku, për krijimin e një grupi antikomunist dhe u  dënua me 15 vjet burgim. Një vit më vonë, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare u  arrestua edhe Reshati,  për të njëjtin motiv si i vëllai, dhe u dënua me 5 vjet burgim. U lirua në fund të vitit 1955.

           Në vitin 1956 tentoi të shkruajë poezi e prozë, por rruga e botimit ishte e mbyllur. Kështu hoqi dorë. E vetmja punë që mund të bënte ishte ajo e muratorit në ndërmarrjen bujqësore.

           Ka marrë pjesë aktive që nga viti 1990 në proceset demokratike, fillimisht në Vlorë, duke dhënë një ndihmesë të devotshme në demaskimin  e shtypjes dhe të krimeve të diktaturës komuniste.

           Pas ndryshimeve demokratike ka shkruar nëpër gazeta rreth 70 artikuj, analiza, opinione e kujtime, si dhe ka mbajtur mbi 30 kumtesa nëpër konferenca të ndryshme shkencore.

           Në vitin 2004  botoi përmbledhjen “Një tregim për mikun tim“.  Ka ndër duar librin me kujtime të fëminisë dhe rinisë “Hija e pleqërisë“,  si dhe një përmbledhje me poezi.

            Banon e punon në Tiranë.

 

 

Tel.     O4-2269512

Cel.     O692687582

 

  

                                                KOMENTE

 

Kur dramat ktheheshin në tragjedi

 

    Rreth romanit “Shkallët e ferrit” të Reshat Kripës

 

            “Letërsia është një mjet në duart e burrave dhe grave të kohës sonë që të shprehin identitetin e tyre, të kërkojnë të drejtën e fjalës, të dëgjohet zëri i veçantë i gjithsecilit. Pa këtë zë, pa thirrjen e tyre, tani do të jetonim në një botë të heshtur”.

            E nisa me këto rreshta të nobelistit Klezio për romanin e Reshat Kripës nga  një asociacion idesh mes asaj që autori aspironte dhe asaj që është arritur, pra te fitorja e lirisë që duhet të dëshmohet nga arti i fjalës për brezat, të cilët s’kanë për ta njohur mungesën e saj.

            Reshati këtë roman ua kushton bashkëvuajtësve, me të cilët kapërxeu dallgët goditëse të një diktature të pamëshirshme në burgjet dhe kampet – Shkallë ferri, por diti të mbijetonte edhe nën persekutimin përbuzës gjatë gjithë jetës me vulën “armiku” mbi shpinë.

            Ky roman është një aktakuzë tronditëse për këtë diktaturë, e cila robëroi, fizikisht e shpirtërisht, një popull të tërë, e la vendin jashtë kohës dhe hapësirës, jashtë zhvillimeve historike që duhej të kryheshin krahas popujve të tjerë europianë.

            Fati i inxhinierit Agron Canaj, protagonistit të romanit, merr përmasa simbolike;është kalvari i të gjithë atyre intelektualëve të ndershëm, të ditur e të ndërgjegjshëm që për njërin apo tjetrin shkak ranë pre e kthetrave të rregjimit, i cili synonte të gjente edhe shkaqet më absurde, më banale për të goditur në mënyrë sistematike çdo mendim të lirë, çdo gjykim realist, çdo qëndrim, sado i heshtur, jo konformist. Agron Canaj ishte nga ata intelektualë që kërkonin, brenda atij sistemi, të  krijonte çerdhen e vet të lumturisë familjare, por kursesi duke shkelur parimet morale, bindjet dhe dinjitetin. Atë përpiqen ta bëjnë spiun të shokëve të tij. Ai me guxim nuk pranon. Këtu fillon edhe zinxhiri i vuajtjeve. Densiteti i ngjarjeve është konceptuar nga autori për të ngritur në shkallën më të lartë temperaturën dramatike që shkallë shkallë përfundon në tragjedi të vërtetë. Nën torturat më çnjerëzore Agroni qëndron burrërisht, por përpara përdhunimit shtazarak të familjes ai dorëzohet. Nënshkruan jo vetëm tradhëtinë ndaj shokëve, por edhe ndaj karakterit, dinjitetit dhe moralit të tij.

            Kështu brenda një romani shtjellohen njëkohësisht tri drama që autori i përmbyll vetëm me vdekjen. Drama e vet protagonistit, drama e familjes së tij dhe drama e shokëve të tij që i qëndroi si gur i rëndë mëkati mbi shpinë  deri në fundin e parakohshëm të jetës.

            Gjatë shtjellimit të subjektit autori ka synuar dhe zbulon me vërtetësi mekanizmin djallëzor, të sofistikuar, perfid të regjimit, që krahas helmit ideologjik të lyer me ngjyrë trëndafili, nuk harron për asnjë çast demagogjinë propagandistike për të fshehur gjurmët e krimeve. Për ironi të fatit, personazhet si Demiri dhe Ilia, këto figura të përbindshme, shkojnë në perëndim si shpërblim për krimet e bëra, çka fatkeqësisht përputhet me realitetin e djeshëm dhe të sotëm shqiptar.

             Në rrjedhën tronditëse të romanit përshkruhen tabllo, situata, personazhe, ku shpërfaqen solidariteti njerëzor e shoqëror, njerëz të mirë që në një mënyrë a tjetrën ndihmojnë me sa munden njerëzit në fatkeqësi, një vëlla që për të ruajtur pozitën mohon jo vetëm vëllanë, por edhe nënën e tij, të persekutuar që u ishte nxirë tërë jeta, por nuk iu  ishte nxirë shpirti, të burgosur të pamposhtur, por dhe mjeranë, komunistë fanatikë, njerëz të vegjël të indoktrinuar, shpifës ordinerë, vegla të bindura të regjimit, përfaqësues të dhunës shtetërore që nuk lenë mjet pa përdorur për të realizuar qëllimet dhe direktivat e partisë. Ky mozaik personazhesh krijon kontraste me ngjyrime bindëse për një realitet që e kemi përjetuar të gjithë.. Këtu do përmendur edhe tendenca e hapur e qëndrimi emocional i autorit, çka bën që  herë herë romani të tingëlloi si dokumentar dhe herë herë si publicistikë.

            A  është pesimist ky roman? Shuhet një familje, por jo jeta. Tronditen strukturat morale të shoqërisë, por nuk rrëzohet virtyti, ndershmëria, dashuria të mishëruar në karakterin tragjik të Agronit, të bashkëshortes së tij Lumturisë dhe të nënës.

            Reshat Kripa, ashtu si në tregimet e mëparshëm, edhe në këtë roman, rrëfen qartë e thjeshtë. Stilin e tij e karakterizon rrjedhshmëria e frazës, thjeshtësia e proçedimit letrar, vërtetësia e rrethanave dhe situatave e çdo komponenti e detaji të romanit.

            Autori nuk synon të futet e të analizojë në thellësi lëvizjet shpirtërore, rrahjet e mendimeve në vetëdijen e nënvetëdijen e personazheve, vrundullin e ndjenjave në situatat e dhimbshme. Të gjitha këto ai i pasqyron me lakonizëm nëpërmjet detajeve domethënëse, dialogut të kursyer dhe funksional, skemave të gjalla e tipike.

            Dhuna e verbër policore, për qëllime të caktuara politike ose ekonomike, në pushtetet ose klaneve brenda tij, në kushtet e mungesës së zbatimit të ligjit, kudo qoftë, sjell padrejtësi, bjerrje të dinjitetit dhe personalitetit të njeriut, terror dhe krim shtetëror. Kjo është domethënia e mesazhit të këtij romani të Reshat Kripës, mesazh që ende s’duam ta dëgjojmë e ta kuptojmë.

 

                                                                                                Pandeli   Koçi

 

 

             Mbajtur në promovimin e librave “Shkallët e ferrit” dhe “Rini e copëtuar”, zhvilluar në Vlortë më 27 maj 2009. Botuar në gazetën “Telegraf” Nr. 1091 (5091) datë 28 qershor 2009

 

  

      “Shkallët e ferrit”, Reshat Kripa për terrorin

                                                         Komunist

 

          Frymëmarrja e fundit tek fytyra e zbehtë e personazhit ruante kërcënimin e një dihatje të vështirë. Mjegulla, simbolikisht është dhimbje dhe re pulsore. E mbaroi punën e tij dhe vate te perëndia, shkruan Naim Frashëri. I butë shpirti i tij. I lehtë si ajri, shtegtoi në prehrin qiellor. U zhduk në hapsirën kozmike., nëpër tunelin e frikshëm, përmes ngjyrave të hatashme. Ç’kishin ashtu ngjyrat? Përse vallzonin me aq dhëmshuri në atë endje të gjatë? Ravijëzonin pambarimisht endje në konstelacionin ferr-parajsë. Atje është qyteti i varrezave lart në kodër. Sepse gjithë herës të vdekurit i shtrinin nga perëndimi. Nëse dihet se vesa kristalore pikonte, loti kullonte lot, përmbi varroshin e pesë personazheve, nuk ndjente më as klithmën e dalë nga fundi i shpirtit. Firomën e fundit, që kërcënonte dhe e kurthonte me terrin e zi, përgjithmonë e dhanë në kohën e diktaturës.

          Reshat Kripa, një ish i dënuar i ndërgjegjes, arrestuar në Vlorë. Ishte 15 vjeç dhe ndërsa ndërtonte “ura për ëndrrat”, burgoset prej 5 vjetësh. I lindur në qytetin jugor risjell fatet e pesë personazheve. Po t’i nguc mendimet, mua më duket se diku e kam dëgjuar këtë histori. Një roman i këndshëm që edhe për titull ka zgjedhur diçka nga ferri. Ngase kështu diktatura nuk mund të ravijëzohet më mirë porteti i saj. Deshifrimi i asaj kohe, i atij rregjimi të ngjet i vështirë. Sepse të gjithë e kemi jetuar. Por ekzistenca juaj, Reshat, dëshmia juaj është reale, kur trupi finte, mendja jote dremiste, “bluante mulliri”, kohën në të cilën ju vuajtët, kur historitë e sotme të romaneve janë vjetëruar shumë, kjo e Reshat Kripës, thithet shpejt, të intrigon. Shkallët e ferrit, ç’madhësi, gjërësi apo lartësi kanë? Pyesni vetëm ata, që nëpër ato labirointe errësirë shkuan.

          Një personazhi si Irida do t’i vendosja për epitaf, vargëzimin e Naimit:

                                                         O lulez e Perëndisë,

                                                         Që të mbolli vetë Zoti

          Vallë ku do të shpien? Në qiej përpara Zotit? Si zhduket një familje shqiptare. Dita lind bardhoshe, por pjell natën aq të zezë. Pesë pjestarë të familjes Canaj, Agroni, Lumturia, Gjylua, Irida vdekur tragjikisht në diktaturë dhe Bexheti vrarë në 43-in. U mblodhën së bashku nën ftohtësinë e mermerit.

                                                         Në jetë kërkuat gëzim,

                                                         Njerëzit ju kishin harruar,

                                                         Por Zoti me përdëllim,

                                                         Ju dha lirinë e amëshuar.

shkruan Reshat Kripa. Me një stil të këndshëm, ngjarjet nisin të rrjedhin dhe zhvillohen sipas një logjike të caktuar. Një material i gjërë faktesh dhe dokumentash për të dekonspiruar mekanizmin mbi të cilin ishte ndërtuar dhe funksiononte diktatura. Reshat Kripa ka sjellë me bollëk fakte. Mënyra si kërkoheshin të rekrutoheshin në sigurimin e shtetit. Në dimensionin e kohës ai ishte mekanizmi i ngjashëm me gestapon naziste. Një ndryshim në kohë. Plumbi kokës, por i ngadalësuar. Brenda këtij rrethi përfundonin të gjithë.

          Nëse mëngjesi fillonte më vizionin e Arushës së Madhe, që bënte fir qiellor, nata binte frikshëm në tokat e shqiptarëve.Trokitjet në porta kishin si orbitë jo lëvizjen e hënës, por rrathët e ferrit. S’ka Dante shqiptar t’i përshkruajë ato. Si zbrisnin në zgafelle dhe më poshte e më thellë. Copërat nga flijimi i madh janë ngjethëse. Është drithëruese kur mëson se qindra shqiptarë u rrëmbyen natën. Gestapoja shqiptare me thirrjet tinzare: “Në emër të popullit”, kurse vdekatarët, që njerëzimit i sollën këtë humbje kanë përjetuar lemeri. Gjykata hyjnore nuk do t’i falë kaq lehtë shkaktarët. U shkollua. Një fakt në mendje të mbesë. I ati personazhit, vrarë në vitin 43 nga pushtuesit. Tragjizmi që nis në rradhët e para nuk shuhet deri në sekondat e fundit.

           Koha e kurtheve, një muzg i përhimët, që për 50 vjet punonte pa ndërprere. Fut nën rrathët etij personazhin Agron Canaj. Arestohet i shkolluari në lindje. Familje dëshmori. I përdhunohen vajza dhe bashkëshortja.  Një engjëll që fluturon pas tmerrit. Në nëtokë më mirë sesa përmbi tokën e diktaturave. Ikja nga jeta e fëmijve përbëjnë tronditjen më të madhe, dhimbjen më të thellë. Këtë e përshkruan edhe Reshat Kripa në romanin më të fundit. I vetëhelmohet bashkëshortja personazhit Agron Canaj, pas aktit tragjik të përfitimit të hetuesve të diktaturës me bashkëshortet. I shkëputet vëllaj. Por në shpirt i rëndon. Firma e dhënë, për të shpëtuar vuajtjen e gruas dhe fëmijës, gjë për të cilën nuk ua doli mbanë. Tortura të tilla u përkasin nazistëve në luftën e fundit të përbotëshme.. Diktatura, sidomos kjo e jona, i përgjasonte për nga stili, mënyra dhe funksionimi i saj. Vrasje, tortura, përdhunime. Me çfarë emërtimi ta quajmë këtë kohë të gjatë, të lodhëshme dhe të mynxyrtë për shqiptarët. Kur vendi nuk ishte as i pushtuar dhe askënd nuk pushtoi, por në një qerthull të mbyllur shqiptarët vrisnin njëri-tjetrin. Ishin lëshuar prej litari ‘zogoria e diktaturës”, qenve të ligësisë. Ishin gati të shkatëronin gjithçka, nëse të vrisnin me shpalljen armik, përdhunonin gra dhe fëmijë, nën frymën e Partisë dhe parimeve të saj. Kulmet e kësaj rradhe të tërbuar, që ka ardhur nga pushtuesit e egër, por jo më pak nga rregjimi enverian, që sundoi vendin në të gjithë territorin brenda gjysëm shekulli

          Në librin e kohëve shqiptare të bëmave të diktaturës do të shënohet si provë edhe romani me fakte të pakundërshtueshme i Reshat kripës. Kot mundoheni ta shpini deri në fund me shpresën se diku do të gjendet ndonjë dritëz, për të shpëtuar personazhin. Vdekja e paralajmëruar, kur në qytetin e të vdekurve shkoi krejt familja, ishte e paraprirë. Nuk ka asnjë skenë artificiale. Madje duhet të ketë fakte të tjera, që implikojnë mekanizmin se si ngriheshin kurthet, si viheshin në zbatim skemat dhe si rrokullima e fateve të pafajshëm i rrëzonte në hon, për të mos u ngrituir dot më. Pyetjeve a ka Zot, që të ndalte këto masakra, u ka dhënë një përgjigje të shkëlqyer. Zot ka, por në tokë janë mëkëmbësit e djallit. Ravijëzimi i portretit të kësaj kohe nuk është i ndërlikuar. Një pyetje që del është se ndonse me një përvojë të paktë në letra, Reshat Kripa ia ka dalë të shkruajë një roman, madje deri në faqen e fundit mbetet befasues. Arsyeja është sepse fabula ka qenë e mirë jetuar në të gjithë familjet e persekucionit shqiptar. Nuk ka asnjë shtesë. Pena ka rrëshqitur vetë përmbi letrën e bardhë. Krijimet që shpesh kanë mbytur treguan në 18 vitet e fundit, për të sjellë fatin e të persekutuarve shqiptarë, shpesh kanë qenë jo të arrira, por me një shkak të thjeshtë. Faktet dhe sajimet artifice nuk përbëjnë dramë. Reshat Kripa ka sjellë në letrat shqipe histori reale nga jeta e një familje shqiptare.

          Mbetet një libër i këndshëm. I vetmi sugjerim është se kur shkruajnë për persekucionin shqiptar, shpesh autorët i vendosin tituj bazuar nga libri i Dantes, pra të ketë një shqiptim ferri. Edhe këtij botimi i është vënë titilli “Shkallët e ferrit”, madje duke përshkruar shkallët në të cilat zbritet në ferr. Aty ku hyet për të mos u kthyer më. Ju që hyni këtu, lani duart nga çdo shpresë e njohur. Mirpo ferri shqiptar ishte ndoshta i pangjashëm dhe do të desha të kishte më shumë shqiptesa si zgafella, labirinte frike, terre të panginjura e të tjera, e të tjera. Sepse shumë libra të shkruara vitet e fundit kanë si bazë apo si titull diçka nga Dantja. Duan të shprehin ferrin, atë të cilin e ka përshkruar Dantja. Mirpo ky yni të ngjan si diçka shqipotar, autentik, enverian, diktatorial, makabër.

          Sidoqoftë dokumentimi i kësaj kohe është një përpjekje për të cilën Reshat Kripa duhet vlerësuar seriozisht, kur mëson faktin se ka në dorë botime të tjera. Mirardhsh zoti Kripa në dyert e letrave shqipe. Kontributi yt është një vlerë për letrat shqipe.

 

 

                                                                                                            Gëzim   Llojdia

 

 

          Botuar në gazetën “Republika” Nr.242 (4619) datë 14 tetor 2009

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora