Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Bisedë me zemrën

| E premte, 03.09.2010, 09:07 PM |


Reshat Kripa

 

Bisedë  me  zemrën

 

Çfarë ke  zemër që rënkon? Pse  s’më thua çfarë ke?

Porse zemra  drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,

Çfarë po  fsheh ti brenda vetes?  Ç’është ajo uturimë?

Nga thellësia e zemrës time, del një zë si një kushtrim.

 

Deri kur do të  durojë, këtu  ndrydhur brenda teje,

E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?

Dua jetën,  bukurinë, dua edhe trimërinë,

Dua shumë begatinë, por më shumë dua  lirinë.

 

Kështu foli  zemra ime, porse unë  nuk e  kuptova,

Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:

Nuk më sheh që jam i  mitur, n’atë flakë për t’u  futur

Jam në moshë  t’ ëndërroj, për  një jetë më të bukur.

 

Ti do që  të ëndërrosh? Por më të bukur  a  ka?

Se të fluturosh i  lire edhe të  pushtosh gjithçka.

Porsi një  zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,

Edhe  fjala jote  zjarrtë, të buças  si një kushtrim.

 

Nga  këto fjalë papritur, mendja ime u  kthjellua,

U ndez zjarri që nga brenda, shpirti seç m’u turbullua

Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet

U ndez flakë  zemra ime , zgjohu koha më  nuk pret!

 

Seç më zgjoi nga letargjia, atje ku unë  kisha rënë,

porsi një zog fluturova, lart  diellin për të zënë.

Pëshpërita  dy,  tri fjalë, ushtoj zëri si bori:

“Për liri, për  Shqipëri, për  flamurin kuq e zi!“

 

Vlorë, janar  1991