E merkure, 30.04.2025, 09:43 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një zë atje ku nuk kishte më zë

E enjte, 09.09.2010, 09:59 PM


Një familje martire

 

Një zë atje ku nuk kishte më zë

 

Nga Reshat Kripa

 

            Natë vonë e shtatorit 1996 në Tiranë. Pas një takimi që kisha me disa miq, po kthehesha   shtëpinë e motrës, ku flija zakonisht ditët që qëndroja në kryeqytet. Rastësisht takova mikun tim, Eden Babani, kryeredaktor i gazetës “Liria A”.

            - Mirë unë, po ti ku ishe kaq vonë? – e pyeta

            - Isha në shtypshkronjë, - u përgjigj. – Nesër del numri i ri i gazetës. Blije se ka një artikull shumë interesant për një familje nacionaliste të dëgjuar.

            Të nesërmen, sapo dola, bleva gazetën dhe fillova të kërkoj artikullin në fjalë. E gjeta të shkruar në faqen e tretë të saj të shoqëruar me fotografinë e një burri të pashëm që duke buzëqeshur dukej sikur thoshte aforizmën e mëposhtme:

 

            Kultivoni besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, jo me “peqe” dhe “lepe”, po me arsyetime të logjikshme dhe të matura. Nuk ka rregulla që caktojnë  drejtat dhe detyrat e një njeriu në gjirin e familjes dhe të shoqërisë, përveç rregullave të arsyetimit.

 

            (Etien Dilo, “Një botë që lind e nuk lind dot”, faqe 215)

 

            Fillova ta lexoj. Ishte një shkrim i mrekullueshëm i shkruar me një stil dhe gjuhë të sigurtë, nga një njeri i letrave, Etien Dilo. Kryesisht bënte fjalë për një figurë të shquar të fisit të madh nacionalist të Dilenjve të Sheperit të Zagorisë, Jani Dilos. Kisha dëgjuar për këtë fis patriotik, për burrat e shquar që kishin dhënë një kontribut shumë të çmuar në rrugën e gjatë të lirisë dhe demokracisë. Ai shkrim sepse më ngeli në mendje.

Kisha dëgjuar edhe për Sheperin, fshatin e Çajupit të madh. Por më tepër më ka ngelur në mendje një skenë e fëminisë time. Ishte viti 50-të. Sapo isha kthyer nga shkolla. Im atë qëndronte mjaft i mërzitur. Pyeta nënën. Ajo më tha se kishte vdekur një mik i shquar i tij. Im atë më dëgjoi dhe tha:

- Dëgjo mor bir, sot pushoi së rrahuri zemra e një njeriu që jetën e tij ia kushtoi atdheut, por që njerëzit e braktisën dhe e lanë të vdiste në mjerim. Për të nuk kumboi asnjë kambanë, njësoj si për Papa Kristo Negovanin dikur.

Ishte fjala për sheperiotin e madh Aristidh Ruci. Anëtar i klubit “Labëria”. Anëtar i komisionit të organizimit të Kuvendit të Drashovicës në përkrahje të memorandumit të Gërçës. Pjesëtar në shpalljen e pavarësisë kombëtare. Anëtar i organizimit të demostratës kunder pushtuesve italianë më 28 nëntor 1919 Anëtar i federatës “Vatra” dhe shoqërisë “Bashkimi” në vitet 1920-1924. Internohet nga fashistët në itali. Anëtar i Organizatës së  Ballit Kombëtar. I dënuar politik në kohën e rregjimit komunist.

            Vitet kaluan. Tashmë nuk ishte më koha kur në vendin tonë ekzistonin vetëm pak shtypshkronja apo shtëpi botuese, si në periudhën e mësipërme. Tashmë jetojmë në botën e internetit, ku njeriu mund të lidhet në çdo kohë me miq që jetojnë larg. Kështu më ndodhi edhe mua. Më pëlqen të shkruaj. Këto shkrime i dërgoj edhe në mediat elektronike në internet. Shpesh herë më vijnë mesazhe të atyre që i lexojnë. Me anën e tyre zura miqësi me disa persona që ende nuk i kam takuar. Midis tyre me Ksenofon dhe Eduard Dilon në Shtetet e Bshkuara të Amerikës dhe Ylli Dilon në Greqi.

            Kështu, një ditë, ndërsa punoja në zyrën e shoqatës tonë, vjen një zonjë e nderuar.         - Me falni, - tha. - Jam Antigoni Dilo, kushërira e miqve të  tu   internetit.  Kam

ardhur t’ju dhuroj këto dy libra që ju a dërgon Ksenofoni.

            I mora. Lexoj autorin:

 

ETIEN DILO

 

Titujt:

 

NË UDHËTIM...

Personalitete të padiskutueshme kur luhej fati i kombit

 

Dhe

 

NË NJË BOTË QË LIND E NUK LIND DOT

Një zë atje ku nuk kishte më zë

 

Dy tituj intrigues. Vështroj kopertinën e fundit. Një jetëshkrim i shkurtër:

 

Limdi më 19 shtator 1938 në Sheper të Zagorisë. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”, dega pedagogjike, në Gjirokastër (1951-1955). Studimet e larta në UT, Fakulteti Gjuhë-Letërsi (1960-1964). Ka shërbyer si mësues në rrethin e Fierit dhe gjimnazin e Ballshit. Pas vendosjes së pluralizmit politkë iu dha titulli “Mësues i merituar”. Libra dhe artikuj:

Bija e Sheperit, një emër që rron mes nesh (monografi)

Ilia Dilo Sheperi, asht nga asht i mëmëdheut

Në një botë që lind e nuk lind dot

Në udhëtim... personalitete të padiskutueshme

Ka ribotuar “Gramatikën” e Ilia Dilo Sheperit, me shtojcat dhe shënimet e nevojshme

Ka lënë në dorëshkrim dy libra të tjerë

U nda nga jeta aksidentalisht më 6 korrik 2008

 

U trondita së tepërmi. Si ka mundësi që Zoti të marrë pranë vetes njerës të tillë? U ula dhe fillova të lexoj. Një galeri e tërë personazhesh, njëri më i madh se tjetri. Një plejadë e tërë e vënë në shërbim të atdheut. Një familje e tërë e lidhur ngushtë me fatet e kombit. Historia e tyre fillon herët, atëherë kur vendi ishte ende nën sundimin otoman, vazhdon me shpalljen e pavarësisë dhe Luftën e Dytë Botërore, Luftën e Vlorës, Republikën dhe Mbretërinë shqiptare, okupimin e Shqipërisë, vendosjen e rregjimit totalitar komunist dhe periudhën e tranzicionit demokratik.

Meditimet më sillen rrotull në ndërgjegjen time.

I pari i tyre: Ilia Dilo Sheperi.  Që në moshë të re i lidhur me lëvizjen për liri dhe pavarësi. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore internohet nga pushtuesit italianë në Itali. Pas një viti mundi të kthehet në Durrës, por autoritetet nuk e lejojnë të zbresë. Dërgohet përsëri në Itali. Më 1917 hap të parën shkollë shqipe në Sheper. Ja çfarë thotë me këtë rast Ilia Dilo Sheperi:

 

Shkolla është themeli i kombësisë dhe përparimit. Kush kurseu mundimet dhe shpenzimet për këtë gjë, nuk përparoi dot në çështjen shqiptare.

 

Në vitin 1927 botoi në Vlorë “Gramatikën”, një libër me shumë vlera për  shkollat

e atëhershme. Del në pension në vitin 1934 por nuk rresht së punuari për Shqipërinë. Kundërshton pushtimin e vendit nga okupatorët fashistë dhe nazistë por kundërshton gjithashtu edhe hapjen e vëllavrasjes nga komunistët. Lidhet me misionet angleze te kryesura nga majori Tilman, majori Bill Maklin dhe nënkoloneli Lik të cilëve iu bënë të qartë qëndrimin e vërtetë antishqiptar të komunistëve. I mbylli sytë më 14 tetor 1945. Vaji i grave sheperiote ushtoi në ato brigje:

 

U shkëput mali me borë

U nda ergjënda kurorë

O baba, baba me  famë

Ike  dhe u ktheve krahnë

Ike, vendi mbeti shkretë

Më Illi nuk do të ketë

O Illi, Illi i mirë

Shami loti për fakirë

Kur flisje për Shqipërinë

Ndrtte vendi vetëtimë.

 

Por komunistët nuk mund të pajtoheshin me këto merita të tij. Me urdhër të partisë i zhvarrosën eshtrat e tij dhe i hodhën diku tjetër. Një akt me të vërtetë barbar. Ilia Dilo Sheperi la shtatë djem dhe tri vajza të cilët patën fatin e keq të hiqnin gjithë të zezat e rregjimit totalitar komunist.  

Djali i Ilias, Mihal Dilo, zooteknik, shok  pune  me Bilal  Golemin. Akuzohet  dhe

demaskohet gjoja për sabotim në fushën e blegtorisë. I bëhet presion për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit. Karakteri i tij nuk mund ta pranonte një gjë të tillë. I biri, Foni, kishte mundur të hynte në estradën e Gjirokastrës por, një mbrëmje ndërsa jepte shfaqje, vë re se autoret kishin veshur kostumet e gjyshes së tij të sekuestruara më parë. Nuk mundi të duronte. U largua në formë proteste.

            Por gjëma më e madhe do të binte kur sapo kishte filluar të çelte drita e demokracisë. Ishte 25 janari i vitit 1991. Një grup banditësh, të shtyrë nga mjeshtrit e krimit të tërbuar nga humbja e pushtetit, masakrojnë barbarisht në pragun e portës së shtëpisë gruan e Mihalit, të ndjerën zonjën e nderuar Kaliopi Dilo. Një krim i neveritshëm. Kriminelët pushtetin që e kishin fituar me gjak po e linin po ashtu me gjak. Ironia më e madhe e këtij krimi makabër është se mbeti, si dhe shumë të tjerë, pa ndëshkuar, me gjithë vendosjen e sistemit demokratik. Dhe ish i burgosuri politikë, poeti Pirro Kuqi, i kushtoi kësaj ngjarje tragjike poezinë e mëposhtme:

 

                                                ATA, të hatashmit

Dolën nga nata

Si ujqër nga një shpellë

Të errët si shtërngata

Në shpirtin djallin thellë

Ata i masakruan

O,SYTË E TU TË KTHJELLË!

 

Dhe na u tkurr mënxyra

Sikur na shqeu brinjën

Dhe na u tkurr fytyra

Dhe flokët na u thinjën

Ata që pesëdhjetë vjet

ME KRIME NUK U NGINJËN.

 

Po vrasësit ku janë?

Askush nuk na përgjigjet

0, kjo kasaphanë

Si një rrufe mbi brigjet

Kur pyesim për krimin

NA MBYLLEN GJITHË SHTIGJET

 

Ata dolën nga nata

Si ujqër nga një strofull

Mbi neve ra shtërngata

Ata ende vinë rrotull

VAMPIRË NËPËR POPULL.

 

            Djali tjetër Qirjako Dilo. Në moshën 16 vjeçare hapi të parën shkollë shqipe në Nivan të Zagorisë. Vazhdoi studimet e larta per hipotekat në Bari të Italisë. Refuzoi me përbuzje detyrën e Ministrit të Financave në kohën e pushtimit fashist. Autor i disa studimeve për figurat e shquara nacionaliste si Mihal dhe Petro Harito, Aristidh Ruci, Jorgji Çako, Ilia Dilo Sheperi e të tjerë. Patjetër nuk mund të pajtohej me politikën vëllavrasëse që ndiqnin komunistët. Për këtë sigurimi i ngriti kurthin e ngjashëm me atë kundër klerit katolik në Shkodër. Në strehën e kolibës i futën fshehurazi disa pushkë e fishekë dhe për këtë e arrestuan dhe dënuan.

            Në çastin e vdekjes i tha të shoqes:

            - Në oborr, moj qyqe, aty varrin!

            E përcollën për në Sheper, duke e mbajtur mbi supe vetëm një pakicë burrash, ata më të afërmit. Shqipëria jetonte periudhën e përçarjes së madhe.

            Margariti, nxënës i shkollës teknike të Fulcit. I arrestuar gjoja për spiunazh në favor të anglo-amerikanëve dhe grekëve. Sheperi, një fshat tërësisht shqiptar, që gjithmonë ka nxjerrë burra në shërbim të atdheut, a mund të kishte nxjerrë një antishqiptar? Në asnjë mënyrë. Por djallëzia komuniste ishte në gjendje të shpikte gjithçka. Kështu vazhduan torturat e tmerrshme. Dhe ja ku na del para syve i vëllaj, Mihali që,  duke  dëgjuar  rënkimet  e  tij  nga  torturat futet brenda forcërisht dhe thërret:

            - Doni ta vrisni?  Vriteni,  askush  nuk  ju  pengon  dot,  po  ç’është  kjo  vdekje  me lemeri!

            Duke e parë veten ngushtë, Margariti,  detyrohet të pijë DDT për të  shpëtuar  nga

torturat. Pasi kryen dy vjet burg, për arsye shëndetësore lirohet. Kthehet në familje i dërmuar. Nuk shkon gjatë dhe mbyll sytë. Mbi varrin e tij ishin shkruar këto fjalë, me gjithë kundërshtimin e fanatikëve komunistë:

 

            Besimi i vërtetë imi nuk është të rroj dhe të lë tjetrin të  rrojë,  por   rroj  dhe  

ndihmojë tjetrin të rrojë.

 

            Jani Dilo. Ja si e fillon shkrimin e saj gazeta “Liria” në nëtorin e vitit 1996:

 

            Jani Dilo, hyri e mbeti në rradhën e rilindasve me të njëjtin ideal, “Për  shqiptarë

të lirë në një Shqipëri të lirë”, një nga bijtë e popullit tonë që luftoi kumdër pushtuesve dhe për shpëtimin e Shqipërisë nga komunizmi, pati ideal, ashtu si të gjithë demokratët e vërtetë, një Shqipëri të begatë, të të gjithë shqiptarëve, pa dallime krahine. feje, ideje, klase, një para ligjit.

 

            Ndërsa Etien Diloja vazhdon:

 

            Ishte në Shqipëri kur duhej të ishte, iku, kur duhej të ikte, jo për të shpëtuar lëkurën, se asgjë nuk kishin bërë veç luftës për Shqipëri, jo për të mbrojtur pronat e çifligjet, por për të luftuar për shpëtimin e vatanit, të çeleshin shtigjet e demokracisë e të merrte rrugën e zgjidhjes çështja kombëtare.

 

            Jani Dilo lindi në vitin 1911. Pas mbarimit të shkollës fillore vazhdon liceun e Gjirokastrës dhe atë të Korçës. Më pas e shohim në Romë si student në Akademinë Ushtarake të cilën e mbaron me sukses. Gjatë luftës e shohim të rreshtuar në rradhët e Ballit Kombëtar. Shokët e quanin “Strateg të luftës së Ballit”. Rastësisht takon ish pedagogun e tij të akademisë, tani gjeneral i ushtrive pushtuese. Ai kerkon ta përqafojë, ndërsa Jani i përgjigjet:

-Të desha e të respektova si pedagog, por jo si gjeneral i një ushtrie pushtuese. Një i madh nuk duhet të merret me një foshnje.

Kjo gjë i shkaktoi internim në Itali. Pas kthimit në atdhe vazhdon luftën përkrah Ballit Kombëtar. Në nëntorin e vitit 1944 detyrohet të marrë rrugën e emigrimit. Fillimisht në Itali ku, në vitin 1947 fiton titullin ”Doktor i së Drejtës Ndërkombëtare” me temën “Problemi i Shtetit”. Në vitin 1950 vendoset në SHBA. Në tetor 1956 përfaqësia e Ballit Kombëtar të Amerikës e dërgon si përfaqësues të saj në Kongresin e Internacionales Agrare në Paris. I mbylli sytë më 14 janar 1984.

Ishte studiues dhe kritik letrar. Ndër veprat e tij  përmenden studimet për Migjenin, për problemet gjuhësore, për tiparet e Skënderbeut, mbajtur në 100 vjetorin e vdekjes së heroit. Ka shkruar “Të njohim martirët tanë”, portrete të bashkudhëtarëve Zef Pali, Nexhat Peshkëpia, At Gjergj Fishta. “Si lindi dhe u rrit komunizmi në Shqipëri”, “Lufta civile në Shqipëri”, si dhe shkrimet në anglisht: “How  the Communists Took Over in Albania”, “Russia’s Dream of Conquest Doomed to Failure”, “Titoism on the March” , “International Peasant Union, 1954, 1955, 1956, 1962”

Ky ishte Jani Dilua për të cilin bëri artikullin    gazetën  “Liria A”  Etieni, artikulli që përmenda në fillim të këtij shkrimi. Por  një  gjë  e  tillë  nuk  tingëlloi  mirë  në veshët e vampirëve që endeshin të lirë nëpër rrugët e qyteteve tona. Njëri prej tyre, një nga ata që në të kaluarën e shkonin jetën duke shkruar letra anonime dhe që nuk kishte kurajon të shfaqte emrin e tij, por të përdorte pseudonimin Jorgji Dëllënja. Fatziu, qw duket se i kishte humbur emri gjatë rrugës së tij nëpërmes plehrave, botoi një replikë në paçavuren komuniste “Kushtrim brezash”. Mendonte qyqari se vazhdonte ende koha e satrapëve. Harroi që ajo kohë kishte perënduar për të mos u kthyer më kurrë.

            Orest Dilo. Si gjithë vëllezërit e tjerë nuk mund të pajtohej me  pushtimin  fashist.

Për këtë burgoset në Torino, ku kishte shkuar për studime. Kur kthehet në Shqipëri i futet rrugës së tregëtisë. Është një tip i nxituar. Për këtë i heq vrejtjen i vëllai, Jani Dilo dhe kjo i bëhet mësim. Në vitin 1944 emigron në SHBA, disa muaj para të vëllajt. Mbaron universitetin për mjekësi, fakulteti pediatri. Vendoset në Easton ku dhe martohet me Vasilia Milides, e bija e zotit dhe zonjës Harry Milides.

            Koço Dilo, më i vogli i djemve të Dilojve. Jetonte në fshat. E ardhura e vetme ishte mbledhja e bimëve medicinale në mal. Arrestohet i akuzuar për ”tradhëti të lartë ndaj atdheut”, gjoja se paskësh patur në mendje të arratisej, gjë që as e kishte shkuar kurrë ndër mend. Dënohet me 10 vjet burg.

            - Mbahu, ka dhe Zot! – i thotë i vëllai, Qirjakua, kur u takuan pas dënimit.

            Filluan sekuestrimet e tjera, deri edhe te rrobat e motrave. Rrëmbyen edhe bibliotekën e pasur të Ilia Dilo Sheperit.  Burgun e bëri në Spaçin e tmerrshëm. Hëngri një grusht duhan për t’i dhënë fund jetës. Sëmuret nga kanseri, zemra. Shtrohet në spitalin e Tiranës. Sot nuk jeton më.

            Nëpër kalvarin e përndjekjes kaloi edhe vëllai tjetër Themua si dhe tri motrat. Viktoria, bija dhe vazhduesja e denjë e të atit, mësuesja e përkushtuar duhej të endej fshatrave të Fierit si shumë shoqe të saj të përndjekura në gjithë Shqipërinë. Më 6 tetor 1982  pushon së rrahuri papritmas zemra e saj e madhe. Nga Fieri e përcollën, me lot ndër sy, pothuajse të gjithë banorët e lagjes dhe ish nxënësit e saj, mirpo në Sheper ishin vetëm familjarët. Organizata e partisë nuk i lejoi bashkëfshatarët të përcillnin bijën e “Dilos së madh”. Një zagorite ju drejtua pjesmarrësve me këto fjalë:

 

            Nderi është më i madh kur ta bëjnë bota; turpi mbetet për të tutë.

 

            Dy motrat e tjera, njëra e martuar në fshat, megjithse familjen e kishte anëtare kooperative, nuk doli kurrë në punë; ndërsa tjetra martuar në Përmet ishte vendosur në Tiranë.

              Këto ishin meditimet e mia ndërsa lexoja dy librat e Etien Dilos. Kisha dëgjuar për shumë raste tragjike të persekutimit gjatë periudhës së diktaturës, por asnjëherë nuk me kishte rastisur një tragjedi e tillë si e kësaj familje martire.

              Ndryshimet demokratike që ndodhën në vendin tonë  ngjallën shpresën edhe në nipërit dhe mbesat e këtij fisi fisnik. Por shpejt ato u shuan. Zhgënjimi zuri vendin e shpresës. Kjo bëri që një pjesë e tyre, megjithse në një moshë të thyer, të marrin rrugët e emigrimit. Sot ata, si dhe shumë shqiptarë të tjerë janë shpërndarë në të katër anët e rruzullit tokësor.

              Megjithatë një gjë është e vërtetë. Zëri i Dilenjve nuk humbi kot. Ky zë i thënë në një kohë kur nuk kishte zë, siç e quan Etien Diloja në librin e tij, është zëri i kushtrimit për një Shqipëri me të vërtetë demokratike, për një Shqipëri me të vërtetë të lirë.  

              Më lejoni së fundi ta mbyll këtë shkrim me një thënie të nxjerrë nga fjalimi i paharrueshëm i Ilia Dilo Sheperit në mitingun  e  popullit   Gjirokastrës   28  nëntor

1920:

 

              Gëzohi, o shqiptarë  t‘arratisur në çdo anë të botës! Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju, lumenj dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju, o dëshmorët e shenjtë t’atdheut! Kurajo, durim dhe shpresë, ti o Shqipëria irredente!



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx