Kulturë
Më falni, kush jeni ju?
E diele, 22.08.2010, 07:28 PM
KUJTIM AGALLIU
Më falni, kush jeni ju?
Tregim
Vetë e di sa hoqa për ta nxjerrë atë dreq vize për në Greqi. Por gjithsesi e mora dhe kjo kishte rëndësi. Sa vjet kisha pritur, sa ditë e net të mbushura me ëndrra e kujtime. I isha mirënjohës në jetë të jetëve mikut tonë grek, poetit T., që sajoi këtë takim krijuesish në Athinë. Natyrisht më gëzonte shumë fakti që do të takoheshim me miqtë grekë të letrave, por më tepër më joshte mendimi se më në fund po realizohej një dëshirë e largët e imja; një rrugë e dy punë. Ja, pas pesëmbëdhjetë vjetësh do të takoja atë, shqetësimin dhe gëzimin, lumturinë dhe zhgënjimin tim. Si do të më priste vallë? Si do të përflakej në fytyrë nga befasia e këtij takimi? Po kur të shkrehej në lot e varur në qafën time, ashtu si dikur, kur e fyenin dhe ajo e trishtuar gjente ngushëllim në krahët e mi?!
Ende pa marrë rrugën drejt Athinës, po më brenin lloj –lloj mendimesh, lloj-lloj hamendjesh për këtë takim që e kisha pritur jo pak, po pikërisht pesëmbëdhjetë vjet të zymtë e të pashpresë. Herë-herë e kaluara më qasej fare pranë e më ulej në prehër, sikur të kishte ndodhur dje, herë –herë më largohej dhe mjegullohej pas viteve të pambarimta. Por unë do të nisesha për në Athinë, dhe ky ishte një realitet.
Makinës i hipa pothuajse te dera e shtëpisë. Kam fat që firmat e udhëtimeve kanë mbirë në çdo cep të qytetit dhe një të tillë e kam fare pranë. Mora me vete edhe disa adresa të njerëzve të mi që punonin e jetonin në Athinë, ca porosi të fqinjëve për të afërmit e tyre, futa biletën në xhep dhe u nisa me linjën Elbasan- Kapështicë – Athinë.
Para se të ulesha në vendin tim, hoqa xhaketën dhe e vara në varësen sipër kokës që të isha sa më i shpenguar. Si u rehatova në ndenjëse dhe u sigurova që tani nuk kishte më kthim pas, një dallgë kënaqësie dhe lumturie më qerthulloi tërë qenien. Unë isha i lumtur. Disa orë udhëtim, disa orë dremitje dhe, më në fund, në Athinë. Sa shumë kisha dëgjuar për këtë qytet të lashtë, por asnjë herë nuk e kisha parë me sy. Kuriozitetit tim i shtohej edhe takimi i veçantë, i shumëpritur, i shumëdëshiruar prej vitesh me atë. Atë që e kisha dashur përmbi çdo gjë tjetër, që ma kishte bërë jetën të bukur e të lehtë, kur vuajtjet ma brenin trupin me thonj vrastarë. Vura dorën më xhep, preka dhe njëherë me majat e gishteve letrën ku kisha shkruar adresën dhe m’u duk sikur kisha me vete një hartë thesaresh, tamam thesaresh, por kjo e imja ishte një thesar i rrallë, një thesar vlera e të cilit nuk përllogaritej dot. Për ta bërë të shkurtër dhe të palodhshme rrugën rashë në prehrin e kujtimeve. Jo se rashë, por ç’është e vërteta ato më kapëlyen dhe m’u derdhën në kokë si rrëkezat e shirave të pranverës e unë nuk isha i aftë t’iu shmangesha.
“Ajo, mbeti prapa meje. Unë piva ujë, mbusha shishen që ta kisha për më vonë, në të vetmin burim buzë përroit, u hodha një grusht uji syve dhe dola në ledh, sipër burimit. Po prisja të mbushte dhe ajo dhe të niseshim te vendi i punës, disa metra më lart. Vajzat po si vajzat, veç fytyrës ajo freskoi edhe pulpët e këmbëve,llërët e krahëve dhe në fund ngriti kokën me vështrim nga unë.
- Ç’më shikon ashtu, - e pyeta, - sikur s’më ke parë asnjëherë!? – dhe qesha.
Qeshi dhe ajo lehtë, dhe pastaj me zërin e saj të ëmbël, të përkëdhelur me melodinë e flautit, tha:
- E di si më vjen, e di si më vjen..., - u përtyp pak dhe vazhdoi, - të fluturoj që këtu e të të hidhem në qafë! Të të përqafoj fort, fort...
Unë shtanga. Nuk e prisja, sidomos kur shoqëria jonë ishte e pastër dhe pa kurrfarë paragjykimesh. Thjesht e respektoja si shoqe dhe kaq. Shumë dëshira të fshehta, për hir të miqësisë, i kisha kyçur brenda vetes për një vit të tërë. Megjithatë i thashë:
- Kush të ka penguar që ta përmbushësh dëshirën tënde!? Ja ku më ke, eja, fluturo!
- Mos u bëj i keq, nuk ta kam me atë kuptim. Desha thjesht, si motër, të të përqafoj nga mirënjohja për të gjitha sa ke bërë për mua.
- Në rregull, si të duash. Unë nuk kërkoj shpërblim për ato të bëra dhe do bëj. E kam për detyrë. Eja, tani të ikim...Pastaj, ne kemi lidhur besën bashkë...
Më kishte zënë gjumi. Copëza ëndrrash vazhdonin dialogun tim, por unë nuk mundja t’i lidhja dot me njëra – tjetrën. Ishte natë dhe të them të drejtën asnjë nga ndalesat nuk e pashë siç duhet. Vetëm se sillesha si somnambul nëpër lokalet e natës, sa për të pirë një kafe apo diçka tjetër, sepse mendja më rrihte gjetkë. Rruga po më dukej sikur s’do të kishte fund. Kur do të arrinim, kur? Herë pas here pyesnim shoferin se dhe sa orë na kishin mbetur deri në Athinë, por ai i qetë përgjigjej: “Kësmet, rrugës nuk i dihet!”. Përgjigjja e tij jo vetëm nuk më qetësonte por, përkundrazi, ma shtonte më shumë padurimin. Ishte hera e parë që shkoja në Athinë dhe krejt i çorientuar. Dhe ankthi për atë që të pret ta bën më të vështirë rrugën. Kujtimet që kanë fjetur për kaq vjet me radhë janë rizgjuar tani që erdhi çasti i shumëpritur dhe si bletët, kur u vë tymin, të sulen të gjitha njëherësh. Ti mundohesh të përzgjedhësh ato më të bukurat, por është e pamundur. Edhe ato më të parëndësishmet, ato që mendon se i ke harruar me kohë e me vakt, janë të pranishme aty, në një qoshe të mendjes tënde. Ajo ruan ngjarjet më mbresëlënëse, duke flakur tej të rëndomtat, të shumtat, të pagjumat, që lindin dhe shuhen brenda një çasti dhe kështu mbledh e ruan ato që ne i quajmë kujtime dhe që na ndjekim pas deri në fund të jetës. Por kryevendin e këtyre kujtimeve e zënka ajo, dashuria, që rri në fronin e saj të përjetshëm dhe herë-herë na bën të trishtuar e herë-herë na ngazëllen.
“Sikur pate një dëshirë, - e ngacmova unë një ditë nga ditët. - Je e lirë ta realizosh, - dhe iu afrova ballë përballë.”
Pashë se qukat e kafenjta humbën nën kuqëlimin e gjakut që vërshoi mbi mollëzat e faqeve. Vetëm sa tha:
“Puthjen e parë duhet të ma dhurosh. Unë e pres nga ti.”
U turpërova. Afrimiteti që kisha me të më bëri t’i nënvlerësoj disa rregulla mirësjelljeje.
“Mirë, më fal, në rastin më të parë do të ta dhuroj!” - dhe ndërrova pozicion.
“Eja, - i thashë një ditë. – Eja të përmbush detyrimin tim!” – Iu afrova dhe e putha në faqe.
Ajo ende e ftohtë, e akullt sa më bëri të zhgënjehem. U nguta ta puthë përsëri, por këtë herë në buzë. Ajo më vuri dorën përpara.
U zmbrapsa duke thënë: “Mirë, më vjen keq, mendova se ishte edhe dëshira jote.”
“Jo...unë thjeshtë doja një puthje vëllazërore, pa atë kuptimin tjetër...” - s’po dinte ç’të thoshte.
“Megjithatë...megjithatë...- i përtypa fjalët unë, – e puthura vetëm ngjyrë të kuqe ka. Si të duash, nuk ta kërkova.”, bërbëlita tani i ndezur keqas.
“Sa i lig që je,” - dhe më harkoi krahun në qafë.
- Ja, ja, hymë në Athinë,- dëgjova një zë nëpër gjumë.
Hapa sytë dhe vërtetë, tej dukeshin pallatet e para të qytetit. Rreth e qark kodra me shkëmbinj stralli dhe pak tokë, oh, sa pak tokë. Ndryshe e kisha përfytyruar, por le të mos ngutesha, se të nesërmen do ta shihja më me hollësi këtë qytet kaq të famshëm.
Në stacionin e autobusit më priste Fani, të cilin e kisha vënë në dijeni para se të nisesha. Ishte një shoku im i vjetër dhe veç atij s’kisha kujt t’i drejtohesha për ndihmë. Gjuhën s’e dija, qytetin s’e njihja, e si do të bëja pa të? Pimë kafe, po aty ku më la autobusi dhe shkuam të zëmë hotel.
- Do vish nga unë, kam vend boll, - më tha Fani.
Unë kundërshtova dhe u nisëm për në hotel. Kur po ndaheshim i thashë:
- A mund të më shoqërosh nesër për nja dy orë? Desha të takoj dikë dhe nuk di si të orientohem.
- Më vjen keq, por paradite jam në punë, pasditen më ke në dispozicion. – pastaj më pyeti: - Po adresën e atij që do të takosh e ke?
Futa instinktivisht dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe preka me majat e gishtave letrën ku kisha shkruar adresën. Harta e “thesareve” ishte aty.
- Po.
- Jepja shoferit të taksisë në dorë se të çon ai.
Të nesërmen gdhihej e diel, ditë pushimi. Isha i sigurt se në shtëpi do ta gjeja dhe do ta shtangia me vajtjen time të papritur. Përfytyroja se si do të ndjehej ajo kur të më shihte në prag të derës me buqetën e luleve në dorë. Në fillim do të mbetej pa fjalë, pastaj, kur ta merrte veten nga shoku i papritur do të vraponte drejt meje e do të më hidhej në qafë si dikur vite të shkuara. Do të na dridheshin gjunjët nga emocionet, pastaj...pastaj.. një Zot e di ç’do të ndodhte. Fantazia ime nuk shkonte deri aty.
- Taksi, taksi, (shyqyr që këtë fjalë e përdorin gjithandej) – bërtita dhe i ngrita gishtin e madh të parës taksi që më kaloi pranë.
Ajo qëndroi para këmbëve të mia.
Shoferi hapi derën dhe më përshëndeti: “Jasus” duke më ftuar me dorë të futesha brenda. Ai foli përsëri, por unë nuk kuptova asgjë. Nxitimthi nxora letrën ku kisha shkruar adresën dhe ia zgjata. U nisëm. E dija se do shkonim në Halandri, po se ku ndodhej kjo lagje as që e merrja me mend. Kaluam pranë godinës së Parlamentit, në sheshin para tij ku një statujë e një patriarku me duar të shtrira përpara dukej sikur lutej për mua, dhe dolëm poshtë metrosë. Unë s’pipëtija. Kisha dëshirë të thosha diçka e të zbrazesha për ankthin që mbaja përbrenda, por nuk dija greqisht as dhe një fjalë. Sa gabim kisha bërë që e kisha anashkaluar këtë gjuhë. Së paku ca fjalë sa për t’u kuptuar me dikë. Befas m’u kujtua dhe bërtita.
- Lulaqi, lulaqi, - pa shtuar asgjë tjetër.
Më dukej se kjo fjalë ishte njëlloj edhe për grekët. Taksisti uli shpejtësinë i habitur me britmën time dhe ktheu kokën nga unë. I shpjegova me shenja se më duhej të blija një buqetë me lule. Më kuptoi përderisa ndaloi pikërisht para një dyqani lulesh.
Zbrita menjëherë. Shitësja më priti me buzagaz. Siç duket e kuptoi që isha i huaj. “Ta provoj t’i flas njëherë anglisht”, thashë me vete. “Mbase e di anglishten!”
- Hëm, I want to buy...I wish a flowers bunch! But a nice one. – I thashë i pasigurt për shqiptimin tim.