Kulturë
Luan Çipi: Hanëmja - Dashuria më e madhe (VI)
E merkure, 11.08.2010, 08:58 PM
HANËMJA - DASHURIA MË E MADHE
Jetëshkrim historik i dy vlonjatëve të moshuar
Nga Luan Çipi
Pjesa e fundit
Ndërkohë ne kujtonim, me nostalgji, me radhë njërën pas tjetrës, banesat ku kishim jetuar dhe ku kishim lënë, thuajse gjithë jetën tonë, për çka mendoj të shkruaj shkurtimisht:
-Hanëmja nuse, erdhi në shtëpinë tonë në rrugën “Ceno Sharra” Nr. 11, të lagjes Muradie, Vlorë. Ajo shtëpi u ndërtua, mbi gërmadhat e vjetra, nga babai im, Kaman Çipi, në vitet 1942-1943. Shtëpia ishte me konstruksion mur guri me breza betonarmeje dhe me soletë çimentoje. Kishte sipërfaqe 144 metër katror (12x12), me oborr para dhe mbrapa, me një sipërfaqe të përgjithshme 330 metër katror. Kjo shtëpi ishte me dy kate: Në katin e parë, të lart
Tre dhoma ishin të shtruara mbi soletë, me dysheme druri, ndërsa korridori, dy dhoma dhe kuzhina e banja ishin të shtruara me pllaka të bukura çimentoje, të sjella nga Italia. Në të dy oborret kishte të mbjella portokall kokërr mëdha, të ëmbla, pa farë, limon, ulli, kaki, man, pjeshkë, kumbull dhe dardhë. Të gjitha të zgjedhura e të seleksionuara me kujdes. Në katin e dytë në të gjithë gjatësinë dilte një ballkon, krejt i mbuluar me hardhi. Dritaret kishin dalje nga lindja dhe nga perëndimi. Në lindje të shtëpisë ishte rrugica “Ceno Sharra”, më tej ishin familjet e Faik Xhaferit dhe kushërinjtë e tij; Pavllo Çika (Lolotoja); Skënder Jubani me vëllezërit; Sulejman Çuku dhe më thellë familjet Bezhani, Kume, Strati, Sharra. Në Veri kufizoheshim me Jani Zogën (me vonë vëllezërit Gërbi), në veri perëndim Spiro Suli me djemtë, në perëndim Hotel “Vjosa”, më tej Lulishtja, në jug perëndim Marigo Simoni dhe afër tyre, më në jug- Ban Kalia dhe Spiro Durolli.
Deri në vitin 1965, kur im vëlla, Enveri, u transferua me punë në Fier, ku u shpërngul familjarisht, në shtëpinë e Muradies rronim, vëllazërisht, së bashku, 13-14 veta dhe gatuanim në një “kazan”. E kishim rregulluar bashkëjetesën pa shqetësime, në harmoni të plot, duke dhënë secili një kuotë për ushqim.
Në vitin 1971, kur u lirua nga burgu im vëlla, Bektashi, u ndamë. Unë ndërtova një shkallë nga oborri i mbrapsmë dhe një banjë, më vete, duke u vendosur në një dhomë dhe një kuzhine me aneks. Ishte koha kur lindi, djali im. Ai erdhi nga materniteti drejtë e te shtëpia e ndarë dhe atje u rrit, nën kujdesin e madh të Hanëmes, që në vitet e para u shkëput nga puna. Për të, natyrisht, kujdeseshin dhe motrat e tij, të cilat shkonin shumë mirë me njëra tjetrën dhe duke u kujdesur për të vëllain, ishin akoma më të bashkuara. Në këtë shtëpi, të vogël, po krejt tonën, kemi dhe kujtime të bukura: Shpesh ia merrnim familjarisht këngës, shoqëruar me mandolinë dhe më vonë edhe me kitarën e Anit. Gatuanim dhe hanim ç’na pëlqente, me ato mundësi që krijoheshin. Ndërsa kursenim në veshje e pajisje shtëpiake me ushqime ishim gjithnjë dorëlëshuar dhe sadopak, mish, kishim çdo ditë. Kjo, ishte gjë e rrallë gjetiu, në atë kohë krize.
*
Në vitin 1986 kaluam te një shtëpi e re 2 dhoma e 1 kuzhinë. Ishte godina shtetërore nr. 1219, hyrja 3 kati pestë, apartamenti 12, në lagjen Çole. Kuzhina, me aneks dhe njëra nga dhomat kishin pamje nga jugu. 500 metro më larg dukej deti dhe ndihej flladi i tij, që të mbushte gjoksin me ajër të pastër dhe të kënaqte syrin. Do ta mbajmë gjithnjë në kujtesë atë gjumë aq të qetë, freskinë, gjatë verës dhe ngrohtësinë në dimër. Nxorëm një konkluzion të rëndësishëm: Shtëpinë zgjidhe nga jugu, se në verë dielli i bezdisshëm nuk të futet dhe në dimër rrezet e tij jetëdhënëse hyjnë brenda, te krevati, dhe i thonë mjekut ”ik e më lër t’u bëj shoqëri e t’u jap shëndet miqve të mi” Në këtë shtëpi kemi kujtimin e pashlyeshëm të fejesës e veçanërisht të ceremonisë së martesës së Linditës, ndofta nga ngjarjet më gjurmëlënëse dhe të vetmen e këtij lloj, në familjen tonë. E kam të freskët momentin kur Lina doli nuse e po nisej për të shkuar ne Fier, te shtëpia e burrit të vet. U ngashëreva e u mbusha me lot dhe, për mos t’u parë nga të tjerët, u fsheha te shtëpia e gjitonit, pa e përcjell vajzën e dashur. Në këtë gjendje ngela për disa orë.
Te kjo shtëpi edhe gjitonia ishte si e zgjedhur. Në kat ishin vetëm tre familje. Për karshi ishte mësuesi Vangjel Bojaxhi, me, Vasilikën, nënën e tij të urtë, me gruan, Fato dhe dy vajza, ndërsa në katet e tjera Tasim Lika, me gruan dhe me dy fëmijët e tij të talentuar, Nako Ngjela me të birin Vangjelin, Aristidh Kaçi, Vasil Meçi, Vangjel Panozaqi, etj., të gjithë të njohur e miq të vjetër.
Shtëpia e Çoles ishte komode, por, në të vërtetë shumë larg qendrës dhe njerëzve tanë. Kur vdiq nëna ime, ne, banonim në Çole. Pasi pritëm me vëllezërit miqtë, në shtëpinë e Muradies, ku u bë ceremonia e varrimit, erdhën për ngushëllim edhe në Çole, siç ish zakoni, shokë, miq e të afërt. Një mbas dite erdhën dhe disa shokë, që e kishin për herë të parë dhe se dinin saktësisht adresën. “O sa u lodhëm, duke ju kërkuar, tha Spiro Pasko, një babaxhan i shëndoshë, me dy kile lesh në gjoks, në krahë e në kurriz, si arri. Ai ishte zooteknik në profesion. Pyetëm, gjithandej, vazhdoj Spirua, duke fshirë djersët, u sorollatëm gjatë lart e poshtë Çoles. Meazallah se na orientonte njeri.
-Po, ku punon ky, Luani? Ç’ish pune bën? Ishte një Çam, që kërkonte shpjegime. Ai, si mori përgjigje, vazhdoi: Punon në Kumitet, the? Hiqu, bre shqedhjo! E kini jangllëç. Nuk vijnë ata të Kumitetit të banojnë në Çole. Shikoni atej, qimëtë, kah Pjaca, në zëmër të Vlorës!.
Dhe kishte të drejtë Çami. Shtëpia ishte shumë larg. ”Andej nga ndanin hajdutët paratë e vjedhura” Rrugë e pa rrugë dhe në dimër duhet të kaloje, midis pellgjeve, me çizme. Prandaj unë u i interesova shpejt për lëvizje, duke përfituar nga e drejta e zgjedhjes së shtëpive të banimit, që ndërtofshin me kontribut vullnetar. U lidha me Teki Mukën, djalin e tezes së Hanëmes, drejtor i Ndërmarrjes Elektrike dhe duke qenë, ende, i fuqishëm dhe me njohje të gjerë, e ndihmova atë që shtëpia e re të bëhej shpejt dhe mirë. Për këtë më dolën krahë, me forca pune dhe materiale të zgjedhura, shokët e mi Qeverim Kushta, Dule Arizi dhe Agron Bani, që aso kohe drejtonin Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi”, më e madhja në Vlorë. Shumë punime, në këtë shtëpi, i bëra privatisht, me shpenzimet e mia dhe me pjesëmarrjen time fizike, si: Patinimin dhe lyerjen e mureve, shtrimin e një dhome me mozaik, përshtatjen e dhomës së gatimit dhe të ngrënies, vendosjen e pllakave anësore në banjë dhe kuzhinë si dhe të plintusëve kudo, dhe më vonë portën e blinduar dhe dritare e grila alumini.
*
Në shtëpinë e re, në lagjen “Lef Sallata” Vlorë, godina 1319, hyrja 2, kati 4, apartamenti 12, u futëm në muajin prill të vitit 1990. Padyshim, kjo ishte shtëpia më e gjerë dhe më komode që kemi pasur ndonjëherë, me 3 dhoma, një soxhorno, me dhomë gatimi e ngrënie dhe banjë të kompletuar. Këto lloj apartamentesh quheshin të tipit francez. Edhe këtu, në çdo kat ishim tre familje: Për karshi banonte Ylli Malaj, nipi i Hanëmes, me Kanon, një grua e zgjuar dhe korrekte dhe dy djemtë e tyre simpatikë, Ilirin dhe Adin. Ngjitur me ne banonte Ladi Llanaj dhe Kozeta e urtë, me Tilin dhe Gretën, dy fëmijët e mirë të tyre. Të gjithë familjet e shkalles sonë ishin të zgjedhur, dashamirës e të shkueshëm, ku midis tyre mund të diferencoj, sado pak: Inxhinierin e naftës Bardhyl Xhyheri, me gruan, Beatriçe, djalin dhe dy vajzat; Inxhinierin elektrik Shpëtim Meli, me të shoqen Lumen dhe tre vajzat e tyre; farmacistin Petor Loli me të shoqen Dhorën, vajzën dhe djalin e vet; mjeku pediatër Hito Jazaj me Vriklën dhe tre fëmijët; sindikalisti veteran Milto Gjini me gruan, Frosën, djalin Mimi dhe nusen; Mario e Liza Dhimitri me fëmijët e tyre, etj. Siç kuptohet gjitonët ishin gjëja më e mirë në këtë shtëpi. Jeta kolektive dhe solidariteti i tyre u provua, sidomos, në ditët e mbrapshta të vitit 1997, kur ne ishim të detyruar të mbylleshim, brenda portës së madhe që vendosëm te hyrja e katit të parë dhe kur mblidheshim, bisedonim e deri darkonim së bashku, në shenjë kuraje dhe solidariteti. Për t’u theksuar ka qenë komodideti i banimit në këtë banesë, fakti që ishte në qendër të Vlorës dhe se ishte një si oazë i qetë, larg mundësisë së shqetësimit nga automjetet dhe nga zhurma e kalimtarëve.
*
Në vitin 1977 - 78, për gati dy vjet, banuam në shtëpinë e djalit, Kamanit, në katin e pestë, në apartamentin nr. 12, ndërtuar me “kontribut vullnetar”, me dy dhoma e një kuzhinë në Rrugën “Myslym Shyri”, Tiranë. Kamani emigroi në Amerikë, ku u bashkua me të fejuarën e tij Adela Kolën. Të dy kishin mbaruar për mjekësi të përgjithshëm në Tiranë dhe vazhduan studimet për shumë vjet në Amerikë, ku edhe u specializuan si mjek në profile të ndryshme: Adela për organet e brendshme dhe Kamani për anesti-reaminacion.
Shtëpia gjatazi shtrihej në bulevardin kryesor “Misto Mame”dhe në gjerësi kishte rrugën “Myslym Shyri”. Levizjet në rrugët ditë e natë na shqetësonin, derisa na linin pa gjumë. Ishte kjo, arsyeja kryesore, që ne e shitëm këtë shtëpi, megjithëse ishte në një pozicion qendror dhe shumë të populluar dhe blemë një hyrje të re.
*
Apartamenti i ri ishte në një godinë në ndërtim e sipër, në Rrugën “Mine Peza”, kati i gjashte, dy dhoma fjetje dhe një dhomë ndenje me aneks kuzhine, dy banja dhe ballkon, me ashensor, kondicioner dhe të gjitha pajisjet e kohës për një jetesë më të mirë. Pamëdyshje them se kjo ishte shtëpia më komode e të gjitha kohëve për ne. Këtu banonim së bashku me Artën, vajzën tonë, gjithnjë gojëmbël dhe që na jepte kënaqësi të përhershme dhe me mbesën, Anxhelën 7 vjeçare, që gjithnjë bëhej më e mirë, duke qenë model në sjellje, zgjuarsi, bukuri e përparim në mësime. Gruaja ime, Hanëmja, megjithëse e ndiente largimin e djalit të sajë të vetëm në Amerikë dhe përherë shqetësohej nga larg për të, këtu, te kjo shtëpi, ndjehej gjithnjë e më e lumtur, se, siç thoshte ajo, pati fatin të kishte komshinjtë më të mirë në botë. Në një kat me ne banonte në një anë çifti me të rinjtë kolonjar Sokol dhe Arta Hajro me dy fëmijët e vetë, Petrikën dhe Borën, njerëz të dashur e të gjendur, si të ishin fëmijët tanë; pranë tyre, gati moshatarë me ne ishin Silvana dhe Kristofor Qori, nga Erseka, gjithnjë gazmor e optimistë, megjithëse edhe ata të dy vajzat e tyre të martuara, i kishin larg; për krah nesh dhe fare afër ishin piloti Osman Kushta nga Librazhdi, me gruan e vetë vlonjaten Sllavica, nënën e saj Vasilika dhe djemtë Ergyn dhe Albi, njeri më i mirë e më i gjendur, se tjetri. Një kat më lart banon familjarisht, nipi i Hanëmes Valteri, një kat më poshtë familja vlonjate e Hamzarajt dhe lart e poshtë, plotë njerëz të tjerë, komshinj të mirë.
*
Duhet thënë se, vitet e fundit për 7 - 8 muaj vere, unë dhe Hanëmja ime e dashur, banojmë te shtëpia e re në Skelë të Vlorës, ndërtuar sipas kërkesave dhe dëshirave tona, në truallin tonë që përfituam, pas kthimit të pronave. Apartamentin e kemi zgjedhur, te një godinë e re shumëkatëshe, në lagjen Skelë të Vlorës, afër detit, në katin e nëntë dhe e kemi modifikuar e përshtatur, pas autorizimit të ndërtuesit simpatik Teki Xhemali dhe sugjerimeve të bëra nga dhëndri ynë, arkitekti holandez, Wim van der Vouden. Këtu gjëja më e mirë është një verandë e madhe dhe ndriçimi i bollshëm i kombinuar natyral e artificial. Kjo ishte një nga ëndrrat e mia të realizuara, që më frymëzuan për këtë poezi:
VERANDA E KATIT TË NËNTË
“Ndriçimi i errët,
Tavani i varur”,
Më ngriti herët.
Më zgjoi pa zbardhur.
-Do ketë më vlera
Sallon- veranda:
Zgjerohet dera,
Dhoma del prapa!
E gjithë banesa të orientohet
Te veranda, vlerë madhe
Atje ja vlen më shumë të jetohet:
Të ahet, të pihet e të hiqet valle.
Mendim elite, profesional
Wimi prerazi, po sugjeron
Dhe, dashamirësi Teki Xhemal
Po, vetëtimthi, e miraton.
Lajmi përhapet ndër kontinente
Gëzimi ndahet, s’mbahet për vete.
Do jetë i bukur, ky, kati nëntë:
Ndriçimi i errët, verandë me tendë.
Po pret vetë deti, diellin, në Sazan,
Në perëndimin e flakëruar.
Ngazëllej i tëri, vendi s’ më mban:
Do rroj i qetë, do vdes gëzuar!
Ndërsa fëmijët, nipat dhe mbesat, jetojnë në emigracion, në Amerikë, Kanada e Holandë, ne, pasi i kemi vizituar dhe i kemi lënë të qetë e të lumtur, në rritje, shtim e pasurim, jemi kthyer sërish në Vlorë, me mallin dhe dashurinë për ta. Këtu, në këtë vend të dashur, pranë detit çudibërës dhe të mrekullueshëm me klimë të butë dhe gati 300 ditë diell, ku kemi lindur e jetuar gjatë, jetojmë të gëzuar vitet e fundit të jetës sonë, kujdesemi për njeri tjetrin dhe i lusim zotit të jemi mirë me shëndet deri në fund.
Këtu përfundon historia me jetëshkrimin e dy vlonjatëve të moshuar, duke kërkuar falje, te ju të dashur shqiptarë, që keni marrë mundimin të na lexoni, njëkohësisht duke ju uruar jetë të gjatë, trashëgim të denjë, dhe dashuri të pashuar bashkëshortore. E kuptojmë, që për ndokënd, me intimitetet tona dhe jetën e brendshme familjare, mund të jemi bërë të mërzitshëm dhe të painteresuar dhe pikërisht te ata kërkojmë falje, por, nëpërmjet kësaj historie familjare të moshuarish, kemi kujtuar shokët, miqtë dhe të afërtit tanë me dashuri dhe respekt dhe me këtë rast, duke ndjerë kënaqësi se kemi kryer edhe një detyrë njerëzore, i përshëndesim dhe i falënderojmë ata përzemërsisht.