E shtune, 27.04.2024, 05:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Ylli S. Hoxhaj: Kur shkruan si Kont...

E merkure, 07.04.2010, 09:48 PM


Kur shkruan si Kont...                         

 

 ( Shënime nga leximi i romanit të Koço Kostës “ Nata e Sofie Kondilit “)

 

Nga Ylli S. Hoxhaj

 

 ....  të jesh mik me xhindet...

 

      Më ka takuar, që, në jetën shkollore dhe studentore, të kem qënë bashkë  e me miq të  afërm: me dy rrebelë, apo dy xhinde të letërsisë bashkëkohre shqipe:

     Në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri”- Gjirokastër, në bangën e parë, nga rreshti i bajameve, me Daut Gumenin, atë djalë nga Gusmari i Progonatit, i cili shkruante vjersha e hartime tronditëse,  të cilat e çuan  në burgjet komuniste  për më shumë se 20 vjet.

   Në shkollën e lartë, në vitet 60-të, bashkëstudent me Koço Kostën, tregimtarin që vinte nga Suha e Gjirokastrës, me të cilin, për të ngrënë në mencën studemtore, përdornim  vetëm një blok. ( Atëherë, për ushqimin, studentët përdornin bloqet me lata.) Një blok e shisnim, dhe paratë i ndanim përgjysmë. Prindërit nuk mund të na dërgonin se nuk kishin për vete. Ne na duheshin “ do pare “ për ndonjë teatër, ndonjë libër që botohej dhe duhet ta blinim, apo ndonjë krikllë birrë si studentë bonjakë, me shoket dhe shoqet. Dhe, që të ngopeshim, asaj supës së shkretë  të mencës studentore i hidhnim një grusht me kripë, që të mos mundnim ta hanim me  lugë, se mbarohej shpejt, por, ashtu e farmakosur  me kripë, vetëm mund të  ngjyhej me bukë. Dhe ne ashtu bënim. Fatmirësisht, shfrytëzonim  faktin që bukën dhe  kanat me ujë i merrnim pa  rracion.  Dhe kushedi sa thasë me kripë kemi ngrënë!...Dhe kushedi sa  kana me  ujë kemi tharë...

    Dauti i Pedagogjikes, nisi vjershërimin  në shkollë, dhe u maturua si poet në burgjet e Spacit e të Burreli... Krijimet e tij më të mira i  humbën, andej. E prapë ka vepra sa mund ta vlerësosh  pa frikë një  zë të veçantë e të ri në letrat shqipe,...ende i panjohur... Në një shkrim, të cilën e kam hedhur edhe në faqet e internetit, Poeti, që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë, vargun:... “ Më shumë se liria/  skllav s’ më ka njeri”, e ka lajmotivin e tërë krijimtarisë së tij...  

    Me Koçon; studentë, provuam ta shtynim më tej krijimtarinë e nisur: Ai  në prozë e unë  në poezi. Dhe rrekeshim redaksive të gazetave, almanakëve  dhe revistave të kohës....

    Pastaj filluam punën e mësuesit: ai në fshatrat e Gjirokastër,unë në Përmet. Ruaj letërkëmbimet me  Koçon e viteve 1960-të, të cilat, sot, flasim shumë: aty, pa një pa dy, zbulon qartë rrënjët e krijimeve të tij që do vinin: Të veprave: “Unë dhe komiti”, “Qafa e Botës” që u hoq nga qarkullimi, të romanit “Buka e një stine me borë”, të novelave “Dademadhja”,... të... ”Ata të dy dhe të tjerët”, që e çoi  në internim, etj, ...Dhe  për të ardhur te  kryeromanet e tij, ( pra, edhe të letërsisë shqipe, sigurisht): “Absurdi”(2009) dhe “Nata e Sofie Kondilit”( 2004).

      Dikur, kur  ia nisëm krijimtarisë, veç të tjerave, bënim edhe punën e kritikut për njeri-tjetrin. Por Koçua eci me vullnet, me këmbëngulje dhe  me vrrull: Një besim i patundur, një “ zë së brendëshmi”, i fliste vazhdimisht: “... Ti do të bëhesh shkrimtar!”.  Dhe ai e thoshte këtë  para nesh, pa ndruajtje e modesti: “Unë do të bëhem shkrimtar.”  Dhe eci përpara. Dhe i mposhti pengesat e i kapërceu ato. Dhe  është sot , Ai që është: shkrimari më i veçantë , më i pakontensuari, ... më bashkëkohori, më moderni, artisti i vërtetë i fjalës shqipe, krijuesi më orgjinal,që, gjithashtu, ashtu si na paraqitet me romanet e fundit; do të thosha, pa hezituar: qysh tani, ka zenë vendin që meriton,  edhe, të  një prej “klasikëve” të shquar të letërisë dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare.

 

        rob me leximin e parë...

 

     Siç thashë, dikur ia bëja kritikën, ia kam ndequr ndonjë paragraf apo shprehje në ndonjë tregim të kohës studentore, kurse sot, oh, sot... Në prozën e tij, në stilin e tij, në frazën e tij , në mjeshtërinë e gjuhës dhe të  rrëfimit, në gjetjen e përdorimin e fjalës, të kompozimit të veprës, të lojës dhe magjisë së fjalës, ë shprehshmërisë , të figurës letrare e poetike , të  tërë saj mjeshtërie hutuese e brilante nuk hyn lehtë. ....  Nuk  hyn lehtë  edhe sepse,  në krijimin e tij, nuk gjen dot  shteg, nuk ke nga të hysh, nuk ka lënë ai asnjë rrugë qorre... Ai të merr me vete , të mrekullon, të dënd me emocione e  mendime , të zbut,...të trullos me ide, me të papritura , me ca fjalë të mahnitshme , të reja , krijime të tij, fjalë të rralla me qoshe, fjalë e konsrukte fjalish që i gjen vetëm tek ai... Ai shkon edhe më tej: ...të duket se  prish rregullat sintaksore të ndërtimit, prish rregullat e drejtshkrimit dhe  të pikësimit ... I hedh e i gjen ato ashtu si do ai .Dhe topitesh: ...( Prish apo ndreq ky rrebe?!-pyet vetveten ?!...)   Të duket se prish, por, kur  i gjen ato në prozën e tij të veçantë...Jo...jo, nuk prish..

       Ai  me ato  bën art .

      Ato dukuri  marrin funksion artistik , se flasin me pakë fjalë atë kumtim dhe emocin,  që nuk mund ta thotë fjalia e gjatë klasike e sintaksës. As,...as pikësimi i ngurosur. Ato janë fjali mungesore, që shpesh ndërtohen me  fjalë shërbyese , parafjalë , ndajfolje , pjesëza ... dhe  janë aq poetike ...Dhe  burojnë e kullojnë art, poezi...

      Duke qënë kështu,  unë nuk po bëj punën e kritikut...Jo...

      Por, romani i tij nuk të lë pa folur, nuk të lë pa menduar, pa shfaqur mendime , pa bërë ndonjë koment, pa bërë vlerësime ... Nuk të lë rehat,... të thërret , të ndjell, të kërkon  ..., madje të  detyron të flasësh, të japësh gjykime , të diskutosh , ashtu si e kupton , si di e sa di Ti ...Diçka të thuash , diçka të bësh, të ndryshosh, të mësosh, të kuptosh , të gjykosh, të reagosh, të pasurosh shpirtin , mendjen , sjelljen njerëzore.

    Të reagosh! Kjo është me rëndësi të madhe.....

    Po, të reagosh... Ndaj jetës, ndaj shoqërisë, ndaj historisë, ndaj koncepteve morale e filozofike, ndaj religjionit, mbi të gjitha ndaj njeriut dhe të drejtave  natyrale, njerëzore e shoqërore të tij..Po, të reagosh ndaj vetvetes. Dhe kjo është e veçanta, dhe kjo është forca, cilësia, magjia e artit të fjalës...Këtë Autori e arrin cilësisht e natyrshëm....   

    Në këtë vështrim , mendoj se  nuk do të gjendet lexues që , pasi ta ketë lexuar të mos  ketë menduar gjatë, e të mos ketë ndjerë nevojën e një diskutimi, qoftë edhe të copëzuar... Këtë ndiesi e pësova edhe unë me Koçon: ... jo “si  miku i hershëm e i mirë  i rinisë”, por, si lexues, si lexues që e fillova dhe nuk e ndava nga dora ditë e netë.Që edhe kur e mbarova , iu ktheva e do t’i kthehem , nuk e di sa...Sot, me  lexuesit e ftohtë, rrallë bën vaki të ndodhë kjo.  

     Të lexosh me një frymë, me ankth , pa ndërprerë, ndodhitë e një nate; ndodhitë që rrjedhin brenda orëve të errëta të një nate dimëri , në një fshat shqiptar, diku , në një fshat me kishë. Në një kohë të trazuar me luftra, me gjakderdhje, me gjyqe pushkatimesh, me partizanë e ballistë, që ende nuk ia kanë ngritur armët njeri-tjetrit, por luftojnë, intrigojnë e komplotojnë, me mëri e pabesi. Ndodhi  të trazuara me dimra, borëra dhe erëra të ashpëra e të akullta, me përgjime, me  pasione amorale, me varfëri, paturpësi, të hershme, që kanë ndodhur e tregohen, madje edhe  të reja që ndodhin në këtë natë... ...Brenda orëve të numëruara të një nate të rëndë, vjen:  tërë jeta, puna e njerëzve, lindjet , dasmat, dashuritë, martesat , mentalitetet, mitet, botkuptimet, luftërat , kurbetet, aventuarat , këngët, tragjeditë, mëritë, krimet, dëshirat , keqkuptimet, madje edhe  kurvëritë, edhe  gjyqet,edhe pushkatimet...Brenda një nate gjallojnë, dashurojnë e vegjetojnë: jeta e gjallesave: kafshët, kuajt, demat, dosat, cjepët, këndezët, zogjtë e qiellit...Edhe ata e bëjnë jetën; edhe ata martohen e dashurojnë, bëjnë fëmijë, vdesin e vriten me njeri –tjetrin... Si njerëzit e  bashkë me njerëzit... 

   Brenda një nate të Sofie Kondilit, vjen edhe  historia e brezave, e familjeve, e kurbeteve , e  natyrës, e pemëve: e shegës, e mollëve, e bereqetrave.  Nostalgjia e gjëmat e kurbeteve...Vijnë stinët,...borërat, blerimet, grykat e maleve, shpellat, honet , rrugët e  rrugicat e  vetmura të shkelura nga udhëtarët hallemëdhenj...

 

         ... mesazhet e Trojës...Fenomeni Helenë...

            Në këtë natë, në qendër është një grua, një bukuri gruaje , një shënjtëri gruaje, një demon i patjetërsueshëm  që vjen që nga Troja, një Elenë  që as më shumë e as më pakë, ka ndryshuar ( vetëm) emrin dhe ka marrë një emër, sipas vendit e kohëve të tjera, që quhet Sofie Kondili... Ajo nuk ka asgjë më pak se  Nusja e Trojës...Edhe kjo  ka me vete  sherret, mbart me vete vrasjet, lakmitë, intrigat. Edhe kjo, si Helena e Plakut të Verbër  pyet e pyet : Përse... e përse?!... Sepse  ndihet tërësisht e pafajshme, tërësisht e pafajshme. Pyet qiellin e dheun: Përse...?! Ajo nuk ndjen asnjë mëkat, asnjë faj, asnjë padrejtësi... Vetëm se është e bukur, vetëm se e do jetën e do ta thithë e ta shijojë shëndetin e bukurinë e saj, do të bëhet Nënë , do të shijojë mashkullin, do të mbarset,  si edhe lulet e mollës , si edhe   dallëndyshet në çerdhe , si edhe lopa e Kristofor Kutullës me  demin e Nase Sisës. Ja, ajo lopa ndjen se po bëhet nënë, Sofia jo... Po kush ia dha ketë të drejtë njerëzore për mëmësi?!... Pse nuk ia plotëson!?.. Pse?...Pse? Ajo e kërkon të drejtën e saj , e kërkon ta shijojë , ta prekë , ta bëjë të sajën  bukurinë e shijen e jetës.  Ku qënka krimi i saj?!

    E dimë si hyri Helena në Trojë: ....Troja e pranoi luftën e  shatërrimin , por nuk e nëmi  nuk e pengoi , nuk e  vrau, nuk e flaku Helenën jashtë  mureve. Pse?! ...Për hir, qoftë edhe të një dashurie, Troja  pranoi shkatërrimin ... Për të lënë  një mesazh për  kohërat e njerëzimin:  ... Dashuria është hyjnore, mbi atë nuk dalin dot as tragjeditë, as  rënimet mitike, as vetë Zotat e Tokës dhe të qiejve.. Njerëzimi këtë mesazh, në motet që erdhë pas, ndoshta  nuk e kuptoi drejt, ... e la në harresë ... apo nuk donte ta kuptonte dhe, sigurisht, buruan dhjetra tragjedi , dhe lindën dhjetra e dhjetra Iliada...

     Dashuria e vërtetë rrit, ushqen  e lulëzon bukuri: Bukuri në shpirt, në trup, në gjak, në sy... Dhe bukuria që vjen nga dashuria është stuhi...Eshtë e papërballueshme...Sofie Kondili ishte Helenë... Duke qënë kështu  ajo  bëri Iliadë.

     Fenomeni Helenë ka qënë, është e do të jetë i përhershëm dhe i kudondodhur; në çdo  kënd të botës njerëzore.... Në ç’ zonë e lagje,të paktën,nuk ka pasur e nuk ka  një Helenë-Hanko – Sofie Kondili, që ndes  mërira e sherre, derdh lot e gjak të pafajshëm, për shkakun e vetëm se ajo është e bukur , joshëse dhe grua?!..   /”Sa e bukur, qe , o Zot!”-thonë ata që e njohën(f.574).

       Ky refren që përsëritet  në dhjetra faqe është kryelajtmotivi i veprës. Ajo ishte e tëra e vërtetë.Qe një fanatike primitive dhe  e pacipë e së vërtetetës.Dhe i duhej të dilte nga ai tragjizëm.”-thotë autori. ( f.276). 

 

        Këndojmë për një Hanko-Helenë: / Janë mbledhur fshati, / po të bëjnë varrë/ , Pleqtë po punojnë,/ beqarët po qajnë./... Hanko, mos shko në varre/, se të vdekurit i ngjalle/ të gjallët i vdiqe  fare.../

      Helena e Trojës i vdiq të gjallët, i rrëzoi bedenat me  zjarr. Kjo, e këngës sonë popullore, i  ngre të vdekurit nga varri dhe të gjallët i vdes. Viktimat që  vdesin, nuk priten nga shpata e nuk vdesin nga  heshtat....Po, pse vdesin?!...Eshtë... efekti Helenë

      Por fenomeni Hanko-Sofi- Helenë  ka  aftësi , ka madhështi e forcë të bëjë Iliada... Të  këndojë Iliada... Për Helenën e Trojës këndon Homeri mitik. Homeri, thonë!!...

      Për Hankon këndon e qan  anonimati... Për Sofie Kondilin , që edhe ajo bëri Iliadë, diku në një cep të Dheut,  vjen  me dëshminë-roman shkrimtari Koço Kosta...Ai i kthehet, me guxim e mjeshtëri, atij mësimi të harruar të Botës së Lashtë, që udhëton me njerëzimin  e ftohtë e gati të shurdhuar...

    “ Kam bërë Iliadë”,-thotë Autori... Ai e pohon vetë këtë...Mirë bën që nuk tregohet modest... Thotë një të vërtetë, që ai e ka realizuar  bukur.

        ***

      Homeri shkroi një Iliadë për ngjarjet e 51 ditëve...Thonë!!

      Lavdi pastë Hyji i Verbër!..

       Kjo Iliada e Sofie Kondilit zhvillohet vetëm në një natë...Në një natë ndodh edhe trumfi edhe  hataja edhe shënjtëria e saj ....

       Si mund t’i nxërë  një natë kaq shumë ngjarje!... Kaq shumë personazhe, kaq shumë hapësira  jetësore e kohore... kaq shumë hollësi, ... etj...Kaq hollësi?!..Po, aq  sa  autorit nuk i shpëton nga vëmendja e rrëfimit , qoftë edhe një erotikë e bukur dhe shumë ndiesore   midis dy trumcakëve...Si mund, vërtet, tërë këtë lëndë krijuese, ta ndërtosh artistikisht, ta administrosh mjeshtërisht dhe ta shprehësh artistikisht, madje: do të thosha: poetikisht...Brenda një natë të llahtarshme, të jetës së një gruaje, të një gruaje që ishte : sa e Bukura e Dheut, aq edhe një grua e zakonshme me jetën e saj të pafat, me brengën e kureshtjen tragjike  që nuk e kishte shijuar ende  jetën, dashurinë e vërtetë  e misterin e burrit, madje  të drejtën e mëmësisë...E mjera Sofie Kondili!...

        Kemi përpara një tragjedi, një badërdi... Kur ndizej, kjo Sofia, nga  zjarri i jetës e flaka e dashurisë për jetën, duket sikur  harbohen  zjarret që shkrumbitën Trojën mitike.

      Kjo, pa dyshim është mjeshtëri klasike, mjeshtëri e veprave epope...Klasike si te Homeri,... si te Dikensi,... si te Tolstoi....Edhe këtu, kemi përpara një epope...

      Dhe,  Autori,  arrin e shkruan për një natë të tillë : kater ,... plus  një, = 5 romane ,  të cilët nuk lexohen , por, siç mund të thuhet, përpihen nga lexuesi...Kush e ka lexuar librin “ Nata e Sofie Kondilit “, pa mëdyshje, e ka përjetuar këtë kënaqësi  të artit të Koço Kostës...

 

        Alegoria e  Iliadës ...Nata e  bardhë e Zotit, si nata e fundit  me Krishtin

 

  Por le ta shtyjmë më tej alegorinë e Iliadës.

      Pse Sofie Kondili bën Iliadë?!..Iliadën e dashurisë...E Mira Sofie na zbulohet nga  vetërrefimet e saj: Ajo “ishte një fanatike  primitive dhe tragjike e së vërtetës.“

     Në sa e sa ndiesi kujtimesh ajo vjen e virgjër: me  pasionin e gruas, me “ marrëzira”, me “pacipësira”, me aventura të çuditshme, me aluçinacione e ëndërrime adolishentësh. Sapo ndjen  zjarrin e moshës, fillon të shijojë bukurinë e luleve, ënjtjen e rrumbullkosjen e gjive të adoleshencës nga pickimi i “Nënë Bletës”: përgjon nga vrima e çelsit një natë një skenë  të ngrohtë të Nënës me Babanë... Shkon si ratësisht te shoqja e saj Rita dhe aty me moshataren  lozin lojën: “Nusja e dhëndërri”... Asaj i takoi të luante rolin e Nuses ...Dhe këtë rol e luajti  pa artifice, realisht... Autori i përshkruan skena të tilla me një mjeshtëri më tej se  filmike, nga që zbulon edhe pjesën psikologjike e biologjike që s’ shfaqet gjithmonë në sipërfaqe. Ato zhbirrohen, ndriçohen mjeshtërisht . Këto janë skena e përfytyrime të habitshme që realizohen me një bukuri e qartësi gjuhësore marramendëse.      

      Por, ndodhi, që ëndërrat e Sofije Kondilit  dualë zhgjendërra: Ajo u bë nusja e Deleshë Maçit.Dhe ai goditi të mos ishte dot burri i saj nga që nuk e kishte aftësinë e mashkullit. Gjithnjë e dlirë, gjithnjë me dritë, e kristaltë, e ngrohtë e ylbertë...Domozdo ajo mbartte  tragjeditë e lakmimit të meshkujve...Atë që është edhe marrëzia e tyre natyrore.

       Nga ta priste plotësimin e ëndërrës kjo grua ?!...

      Sidoqoftë, ajo e priste, besonte  te jeta , te bukuria e saj...Besonte te Shën Mëria. E kishte kërkuar, e kishte ndjellë me të gjitha format, i ishte lutur dhe i ishte nënështruar rastit, por dhimbja e zhgënjimi i ishin shtuar.  Ashtu si te perënditë, diçka e pengonte , diku një  mallkim,.. apo një orakull...Ajo e thërriste,...  po ai , rasti i ëndërruar,  nuk po vinte, nuk po vinte dhe ajo zjente si furtunat...

     Ajo ishte pjesë e Iljadës së kohës së saj :

     Helena tragjike, do të bëhej  qëndra e Sherrit të madh dhe do të ngrinte më këmbë , përballë njera–tjetrës ushtri të egëra e armiqësore të dy botëve, të  dy kontinenteve: Ushtri armike që ndeshen e përplasen për  vdekje e shfarosje: grekë e trojanë... Grekët ardhacakë për të rikthyer  të Bukurën e tyre , të grabitur. ... Trojanët  vendës, që mbrojnë trojet e tyre,  dhe, njëherazi  një dashuri të kristaltë njerëzore ...

       Këtu:

       Jemi në  një nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pra, përsëri kohë lufte,përsëri në  luftë... Ndoshta nga që jashtë luftrave dhe gjakderdhjeve nuk ka e nuk mund të mendohen Iliadat.

      Partizanët (ardhës, në kalim), të armatosur, të organizuar në një çetë që do të shkonte tutje, thuhej  në “ ndjekje të armikut”. I zë nata. Eshtë dimër i egër. Ata kërkojnë strehim te  familjet e fshatit. Me dashje e padashje, (edhe jashtë dëshirës së tyre), me ndrojtje e frikë, ata bujtën një natë në familjet e fshatit të Sofie Kondilit, fshat nën ndikimin e Ballit Kombëtar, të cilët ishin kundërshtarë e  armiq të Partizanëve. Ballistët nuk duken gjëkundi...Ku janë kundërshtarët?... Ata nuk shfaqen  kurrkund...Megjithatë, ata janë diku: në prapagandën dhe në  përpunimin politik të njerëzve , për t’i parë shtrembër Partizanët, për t’i urryer, për t’i ngatërruar, për t’i nëmur..Pushkët e ballistëve s’ ndihen, por edhe as krismat e pushkëve të partizanëve nuk ndihen kërkund në vepër.E vetmja krismë pushkësh është batareja e skuadrës së pushkatimit. Betejat e ndeshjet  midis  tyre, edhe pse pa krisma, gjithashtu, hanin njerës të pafajshëm, njerës të ndershëm e të sinqertë.  

      Edhe te  shtëpia e Sofies bujtën ata : Partizan Ashtusi dhe Mitarlieri simpatik, plot bukuri e forcë djaloshare, Kristofor Kutulla.

      Sofia atë natë ishte vetëm, nga që edhe burri, Deleshë Maçi, ishte  me një punë, diku larg. I pret e i gostit ajo me tërë të mirat partizanët e raskapitur:...“Në odën e saj vazhdonte të shpërndahej aromë lulesh dhe mishi.... Lulet prandaj shpërndajnë aromë: Që të thërrasin për dashuri!.Unë jam lutur dhe Zonja Shën Mëri  prandaj e solli këtë natë, mendoi ajo... Dhe Zoti Krisht prandaj të solli ty!”

   Kishte zbritur ëngjëlli i saj, mashkulli i shumëpritur. Pas  shumë mundimesh e ankthesh, episodesh tepër sensuale, dramatike e tejet të rrezikshme, në një vetmi të llahtarshe, që nxiste në çdo qoshe të odës erotizëm, në një botë endërrimtare , parajsore,të laithitur,  Ajo , për herë të parë ndjeu se ishte grua, ndjeu  lëngun e  jetës, të dashurisë  së vërtetë natyrale: ”Kishte një jetë që priste këëënaqësinë...Ndër kohë ishte rritur ai virtuti i mirë: guximi./”

       Partizani e njihte ligjin e Luftës dhe dënimin me pushkatim për raste të tilla.Komandanti i kishte porositur: “ Kujdes, djema!..Amani!”.... por... “Ajo qe bishë e bukur. Unë tani nuk mund të bëhem zap, tha ajo me vete.... Ky zjarr nuk shuhet.... Ajo dëshironte të rrinte ashtu më vete : në atë triumf të saj.Ajo sikur kishte hyrë në një shekull tjetër...Kishte shkelur në jetë. Duhej të delte nga harresa . Dhe doli...Për asgjë nuk ndihej fajtore. Se qe në dashuri.” E megjithatë , mëkatarë të pafajshëm: ishte shkelur besa e mysafirit,që i ka ngrënë bukën si mik, në   vatrën e Menellaut dhe në vatrën e Deleshë Maçit.

 

              ....dëshmorët e Dashurisë... ,himn gruas....

       Iliada e Sofie Kondilit lindi dhe u mpleks si betejë shpirtrash: me një rreptësi të shenjtë: me dhimbje e gjakderdhje, me trima e heronj të rënë. Me luftëtarë e heronj të bukur: Me një pikëllim të sinqertë dhe vërtetësi njerëzore .“O zot , sa të bukur që janë dëshmorët e  Dashurisë.!” ...Brenda gjoksit  të tyre nuk ka ligësi, lagështi, nuk  ka egërsi, e urrejtje kriminale. Ata nuk kanë mburoja trunçi si te Homeri...Brenda gjoksit të tyre ka  shpirt. Shpirt pëllumbash të  bardhë, shpirt blerimi, shpirt të njomë, shpirti  qumështi.

        E megjithatë Sofia jonë është rebele, një rrebele e bukur. Eshtë kryengritëse e pamposhur dhe e pabindur ndaj atyre kufizimeve  e normave morale që i privonin të drejtat njerëzore e gjinore. Ajo nuk hesht edhe kur, të gjitha këto , e detyrojnë të heshtë ... Jo, Sofia  nuk pranon të heshtë.... Këtu ajo i largohet Helenës së legjendës: Kemi një grua, jo mjegullore, por njerëzor: një grua luftëtare, aktive , që nuk bën sehir nga bedenat, por  hidhet vetë, edhe e vetme, në sulm, për ta  jetuar e shijuar njësoj si të tjerat jetën , bukurinë e dashurinë  e saj... Helena e Trojës  vuri  fitilin e flakës dhe lufta  e dogji një botë të tërë. Për atë ndesheshin e  shfaroseshin  ushtritë e verbëra... Jo,  Sofia  e bën dhe mban luftën e triunfin e saj vetë. Ky shpirt është dhe shpata dhe mburoja e këtyre  heronjve. Dashuria. Dashuria dhe  Jeta...Ajo i  bën këta luftëtarë hyj:  “...tek ai mish i ndezur nën lëkurën e saj nxitonin pa reshtur flakëra që s’i kapje dot. Po që silleshin aty. Dhe nëpër ato mishra vazhdonte të zbriste magjia.../ Ajo ishte një bukuri e hatashme.Ajo e tëra të hidhte përpara jetën, dhe jo:Jo Luftën. Qe shumë e ëmbël dhe shumë e bukur. Paturpësitë e saj shpërthenin dehje të papritura...” (f.375)... Pas atyre orëve( si në ndeshjet homerike), ajo do ta ndjente veten normale. Si të tjerat...E arrti të drejtën të bënte këngën.Atë: Këngën e Mjellmës së femrës që bëhet nënë... Që më në fund mund të bëhej nënë.”(f.380)  Gjithashtu, ai vetë, që tani , do të ngrinte nga malli. Do të kem shumë mall për ty !/ tha Partizan Kristofor Kutulla dhe doli  i tërë përjashta.... Ajo do të shkonte drejt përmbysjes !Sepse..., po ikte !... Sikur u fshi....e vetmja natë e vërtetë   aty./ aty në jetën e saj./”

       Ajo e kishte fituar  betejën... Më bëre me lule, i ka thënë ai. Ishte triunfi saj. Ajo këtë  priste ta arrinte , dhe e arriti vetë...

     Pas kësaj, Zonja e shtëpisë i ka dhënë me vete , Kësulën e Fustanit të Nusërisë. Edhe një  flori edhe  një copë buke me djathë. Ai nuk donte t’i merrte . Ajo ia dha me të lutur, me përgjërimë, dhe ai, e hodhi çantën e iku  te sheshi i fshatit, ku e priste çeta partizane.

     Po partizanet nuk mund ta kalonin lehtë këtë fshat kundërshtar, nën influencën e ballistëve: Marroku i fshatit, Cile dhe  skuadrilja e tij,  tërë natën nuk kishin vënë gjumë në sy...Aktivistët e kundërshtarit u  ulërisnin me zëmërim e tërbim partizanëve: “... Dimë për  doçërinë tuaj!Dimë që kërkoni të grabisni vëthë e unaza. Kërkoni t’u bëhemi krah?! Që të na ulni brekët!... Ptu!... Hiquni!...luteni për strehë, u japim zjarr e bukë dhe u hipni nuseve . Këputni dëngëla. Luftojnë për Atdheun,  thonë..... Dhe kërkojnë  t’i ndjekim...” 

     Dhe gjyqi partizan, edhe pse shumë burra e  gra të fshatit dëshmuan, kërkuan e u lutën  me  drithërimë e ulërimë të mos vritej Partizani Kristofor Kutulla, edhe se  vetë Sofie Kondili dëshmoi për dhuratat e falura dhe  pa  pikë  frikë e turpi mori fajësinë e  asaj nate erotike, gjyqi ishte i pakthyeshëm:... Partizani u pushkatua.

     Para plumbit ai pohoi që nuk kishte vjedhur, por heshti në një pikë: Para  se të merrej vendimi fatal, iu kërkua pohimi i fundit. Ky pohim do të vendoste: ose pushkatimin , ose do ta linte  në liri:

    ”Bëre imoralitet ?...Trazove nusen e tjetrit?”- i bëri pyetjen e fundit  Komandanti i çetës partizane...

     Kristofor Kutulla heshtëte, u gëlltit dhe po qullej në djersë të re...   Atëhere : Po? – tha Komandanti..”Në shpirtin e partizanit filloi të rrihte krahët e të shtegtonte  Ajo: Sofie Kondili.”

           Po pse nuk mohoi  Ai?!...

          Kristofor Kutulla tanimë nuk ishte luftëtar i asaj çete të vetmuar, të mbetur në mëshirën e atij dimri të trazuar...Brenda një natë fantastike e magjike,Ai ishte bërë luftëtar i dashurisë njerëzore, dhe kishte luftuar vërtet, dhe kishte ndjerë dashuri e fitore. A mund ta mohonte këtë?!

       Ata i kërkonin të mohonte... Ai s’ mund ta bënte këtë... Dashuria nuk mohohet, nuk tradhëtohet, nuk braktiset. Ndaj ai zgjodhi heshtjen si pohim...

     Heshtja është pranim, tha Komandanti... Dhe gjyqi partizan e dënoi me plumb.

     Kishte përpara tytat  e ngritura të armëve që prisnin urdhër: Donte të bënte diçka , por s’ mundej: ”Dhe fare befas , mu në cepin e ajërit, shqoi se i mbiu shëmbëllesa bukurane E asaj....ndjente mall gërryes për të!”...

     Këto imazhe të një heroizmi homerian të bindin se  Trima të tillë nuk mund të vriten nga plumbi e heshta. Akilit, heshta i gjeti pikën e thëmbrës, dhe vetëm ajo e mposhti...Dhe, Kristofor Kutulla nuk po “vdiste nga plumbi”:..Edhe atij i kishin gjetur  pikën e vdekjes: ndershmërinë e bukurinë e shpirtit të një të dashuruari...Ajo gruaja i dhuroi  magji e dashuri. ( edhe Helena e përdori magjinë e bukurinë). Por edhe Ai , ( si Paridi...) i solli asaj gruaje të njëjtat ndiesi, e kënaqësi. Pa kursim e me çiltërisi:...“U lëkund edhe një herë...Hapi akoma krahët e mëdhenj...dhe... Djali i dheut, Kristofor Kutulla u lëshua të vdiste i tëri...Përqark u ngrit një hingëllimë...Lehën shumë qen dhe asnjë këngë zogu....”

 

      Tani ata ishin bërë shpirtra fluturues. Ishin ngritur deri te lartësia e shenjtëve.Tërë ajo luftë e bukurisë dhe e dashurisë , e shpirtit të dashuruar, tërë ai heroizëm do të shënjtërohej... ”Ti bëhu erë,/ unë re.../ Të piqemi...!Nxitonte si një Shenjtore , dhe s’ ndalte. E Bukur gjer në mahnitje!.../Dhe madhështore./.. Goja e saj ishte e tëra ankim që donte të shpërthente./...  Ikte që të zgjonte një kumt...Ndaj fluturonte. Flatronte aq bukur! Vraponte dhe i çurkonin lot!... ”

       Ja edhe një dasmë mjegullore: Nusja e dhëndërri, Hyj të rinj. Poshtë bota e mbytur në mjegulla, borëra, erërëra të ftohta e të thata. Mullinjtë e botës tokësore grryejnë  dimrin, erërat , stuhitë... Edhe mullinjtë:

       “Mullinj që bluajnë Bukuri “(f 575).

 

 

                 zhgënjim njerëzor..., pendes...,paradokse...

       Komisari partizan, në gjendje haluçinacioni, kur çeta çapitej tutje, perifrazoi  titullin e një vepre filozofike të K Marksit: “ Martirja e Parë  e Shenjtë...Diçka ndryshe, belbëzoi Ai”...(f.579)...”E pushkatuam...Sikur vdiqëm më të pafajshmin, kishte thënë Komandanti”...

     Ai varr ishte një gur i rëndë edhe në shpirtin e fshatarëve: ”Një kuje”,thanë fshatarët.(571)...”Nga ai varr u ngrit një flakërimë...Një tufan...Nga ai varr do të ngrihen tufane.Atje do të mblidhen dhe do të kumbojnë dhe do të ngrihen tufane...Ngaherë!.. Po ja , mu këtu pas veshit e kemi plumbin. T’ia mbath!, tha prerazi Partizani Ashtus.”

     Dasma e çuditshme mbushi atë hapësirë dimri e lufte me  krushq e me këngë dasmash. Ata të dy ishin shëjtëruar....Me kurorë. Përse?!...Martirë të dashurisë: Ajo- Shën Sofia dhe Ai- Shën Kristofor...Lart. Lart...Kurse,  poshtë kishte dimër e krisma  lufte. Fshati ngjante  si një gropë e zezë. Gjithçka ishte  përhitur...Njerëzia e fshatit, të cilin po e  braktisn, “po ktheheshin në barinj patash çaloke!...

     Ata kërcyen, nxituan dhe po  largoheshin  nga pashpirtësia! Dhe u shkundën. Për të hequr  nga vetja dhe për të hedhur tutje tërë veshjet prej guri...” Ajo nxitonte... duke shkelur mbi ajër. Që të zgjonte qyqet...(f. 591)

        ***       

     Qielli dhe  toka  marrin e jepnin midis tyre që  nga koha e ardhjes së zjarrit...Shpirtrat e qënieve njerëzore vazhdojnë të vërtiten me   flakën e zjarreve dhe të  tufaneve midis  Virtytit, Mëkatit e  Krimeve...Por, boshti i boshteve të këtij rruzullimi  të pafund është femëra, me bukurinë , me ëmbëlsinë , me  stuhinë e magjinë mitike . Libri është një himn për gruan , një poemë e vërtetë për atë, një adhurim e dritë kristalore plot ngjyra e tinguj, (madje edhe një elegji e dhimbshme ), apo  një tragjedi Sofoklijane), që vjen që nga ato kohërat e krijimit  dhe  shkon e do të shkojë  tej e më tej. Eshtë thelbi i shpirtit njerëzor, i thënë e i rrëfyr me Epos,  me poezi: si Iliada... Edhe Bibla edhe Kurani janë shkruar me gjuhën e tingullin e poezisë...Ndaj edhe Autori diku thotë: “ Unë i dëgjoja klithmat e Sofisë, i ndjeja dhe i përjetoja sa një poet planetar.”

     Në dhjetra  vepra e kryevepra e gjejmë kumtin e  gruas. Por Sofie Kondili  vjen me tërë vërtetësinë e mahnitjen që të jep një grua e bukur...Ajo nuk përdor maskë, as falcitet, as shtirje e hipokrizi. Ajo i tregon edhe “ turpet “ edhe “ mëkatet” e saj, edhe ato pasionte njerëzore të pamatura që mbushin botën me thashetheme e  me sherre armiqësore...Ajo jep dashuri, përgjërohet për të dhe sakrifikon gjithçka për atë. Ky është edhe paradoksi i saj ....Këto vyrtyte i kanë shw shënjtorët.

     Oh, sa ka vuajtur njerëzimi e bota nga ky paradoks, O Diell që rri atje lart!..

     Paradoksi i saj është edhe tragjedia e vetë  dashurisë të përjetshme njerëzore. Paradoks që është mbushur me vdekje të padrejta e  dhimbje të pamerituara...

 

              ... tisi i qumësht i Kashtës së Kumterit....

      Kur  e lexon veprën gjen pasazhe e  faqe të tëra të shkruara me episode  erotike e linçoze, episode  që mateshe e  ndruhesh kur ia  thua edhe vetevetes. Episide që qëndrojnë tabu prej motesh, apo që knë qene e janë si  zona të paprekshme në letërsi, edhe pse ato lexuesi  i gjen të vërteta, gjithandej në jetë e përditshme. E kur i kalon ato , thua me “dëshpërim”, ( më shumë që ta dëgjojnë të tjerët): “Oh, paska lajthitur miku im!Me se meret, ç’ po na shkruan?!”...

     Por, kur e mbaron veprën, tërë ato skena “të turpshme” mjegullohen, treten,seku shkojnë,... strehohen të gjitha në strofkullat e tyre. Dhe, figura diellore  e  Sofie Kondilit dhe e Dëshmorëve të Dashurisë, shkëlqejnë në tisin qumështor, të Kashtës së Kumterit. Ato treten e humbasin, si kripa e gjalpi në sfondin e  madh të ngjarjeve,  jashtëzakonisht të pasura e jetësore.

 

          po të jesh Qytetar fisnk,...do të shkruash si Kont  në letrat  shqipe

 

       Le të kalojmë shpejt  ndonjë nga temat e nxehta të kohës:

      Në roman kemi ngjarje për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare:

      Koço Kosta  e njeh dhe e di mirë përgjegjësinë e tij qytetare e intelektuale. Ai  është  romancier dhe  artist. Në gjithë  krijimtarinë e tij kështu na shfaqet, kështu e njohim  atë. Ai nuk  hyn në zonat e të tjerëve: as të   politikanëve, as të   historianëve, as të  moralistëve as të  kronikanëve...Eshtë vetvetja. Eshtë   romancieri  që bën e derdh art.

     Në roman natyrshëm trajton ngjarjet e kohës të lidhura me jetën e njerëzve. Ngjarja , si kohë, zhvillohet  në një nga  vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në  një fshat në pjesën jugore të Shqipërisë. Ai e përshkruan luftën natyrshëm: pa glorifikime e shtrembërime, pa mallkime e zbukurime. Ka  fisnikërinë e intelektualit, fisnikërinë  e krijuesit, e njeriut që nuk e shpërdoron mendimin e gjykimin , duke  mbajtur pozicione  politike e ideologjike. Ai është intelektual, pra edhe qytetar fisnik. Lufta,që në roman është shtrati  i tërë ngjarjeve, as mallkohet as përbaltet: Komandanti, Komisari, partizanët i përjetojnë  njësoj, si gjithë  njerëzit tërë  ngjarjet e kohës: Ata kanë një mision të lartë, çlirimin e vendit, dhe janë  urdhëruar të  ecin tutje, në një marshim të tymtë , të mbuluar me mjegulla e suferina, me të papritura e ngjarje të dhimbshme......Dhe e dinë... Ndaj qysh tani   pyesin veten:Qui vadis?!”...

    Diskutohet për ngjarjen tronditëse, pushkatimin publik, para fshatarëve, të një partizani: “Njeri tha:- këtë e bënë ballistët. / - A thua?!.../  - Dyshoj, tha tjetëri...?”( 521), Por,...”Ai demonstrim gjyqi, dhe pushkatimi, sidomos, qenë tjetër!...Tepër të egër dhe, atë mespadreke në atë fshat, përhapën lemeri. Ishte bërë e kundërta...Ajo ngjarje e goditi fshatin përfundimisht”...(f,554)....

      Komisari, që kishte ndërprerë studimet dhe  kishte rrëmbyer pushkën për liri, aktor e regjisor i ngjarjeve të kësaj lufte, tek do të kaptonte shtegun, te një breg, i kthyer i tëri në një zhgënjim, ashtu si  mitralieri i sapo pushkatuar  i çetës së tij, ndjente zhgënjimin e absurdin e asaj që kishte nisur... “ Po tani sikur! filloi të bjerë erë absurditet, tha ai.Tani ka filluar të thuhet me zë: Të kërkojmë armikun edhe midis nesh!”... Madje i kujtohej se një plak i mënçur , që i njihte mirë ngjarjet, edhe më larg: me Jugosllavin e Moskovin; i pati thënë: ... “u tradhëtua nacionalizmi dhe filloi vëllavrasjen...Kjo luftë do sjellë të korra të liga”( f574)...Komisarit përsëri iu përhit Kristofor Kutulla,që ra mbi borën e ftohtë, me pendimin e mallkimin e asaj dite që doli në çetë. Iu përhit edhe Ajo... “Sa e bukur qe Ajo!”..Ai psherëtiu i lodhur dhe si i  sëmurë:

      Midis asaj humbëtire , Partizan Askushi  ishte arratisur , kishte  braktisur çetën... Ikte me vrap tutje... nuk kishte gjetur ende drejtimin...Pas e ndiqnin  suferinat e tufanet që delnin nga varri i ri , i sapohapur i shokut të tij partizan, Kristofor Kutullës...Ishte si në endërr, i mpirë , i paralizuar,i mbushur me  hidhërim e  shgënjim.

   Edhe qielli kishte marrë trajta të turbullta....” Një komb i tërë në luftë! tha Komisari i çetës. I vriten djem e vajza, i digjen e i plaçkiten shtëpitë... Si mud të gremiset , të kthehet e të bëhet një kufomë  një e vërtetë kaq e madhe : Kjo Luftë?!”     

       Komisari i ri i çetës çapitej për të kaluar shtegun e panjohur, dhe “  era i vërshëllente si elegji mu te goja e veshëve.Veshët s’i kishte: i kishin ngrirë...”

      ***

      Romani ka një frymë të dallueshme kristiane: Por Autori nuk bën as teologji,as  histori me sherre, me shpifje, me përçmime e shovinizma.... Edhe kjo temë është shkruar me fisnikëri e me inteligjencë ... Perëndia, Zoti, Zonja Shën Mëri, Zoti Krisht, Kisha e Xhamitë, këtej e më tej, janë pjesë e veprës dhe melhemi i shpirtit të trazuar të  personazheve të romanit. Madje, autori sjell edhe pjesën shpirtërore pagane, që rron e bashkëjeton në mirëkuptim e paqe,  me  tërë besimet e këtij rajoni....Dhe  gjeografia e  ngjarjeve  të veprës është një hapësirë e gjerë e mitike, ku janë  zhvilluan, dikur , ngjarjet e Iliadës së Homerit: Diku në jugë të Shqipërisë; diku në Greqi, e diku përtej, në brigjet e Turqisë.

      Tek çështja  delikate e religjioneve, autori është në pozicionin e intelektualit të përparuar. Besimi te zoti është një lajtmotiv shpirtëror i gjendjes së vështirë, i situatave të rënda shpirtërore e njerëzore: Ai buron si qumështi, vjen e ulet si pëllumbi, si flladi i maleve, që freskon e qetëson shpirtërat  e mendjet e këtyre njerëzve me drama e halle të mëdha. Zonja Shën Mëri vjen  siç vjen edhe Dielli , si hyni edhe mit: ...Ndaj nuk gjen kurkund mërira e fyerje për fetë e besimet e tjera, nuk gjen asgjë armiqësore e përbuzëse , siç mund ta  gjesh te ndonjë roman nostalgjik i kohëve të fundit, që psherëtin për aureolën e humbur bizantine e ortodokse...Jo, Koçua, me shumë mjeshtëri e pjekuri, brenda shpirtit të njerëzve, gjen e  fut këtë frymë paqe e pajtimi, ngushëllimi e besimi. Dhe kjo është , gjithashtu një nga meritat e tij intelektuale, krijuese e qytetare. Zoti Krisht e zonja Shën Mëri qëndrojnë e ndrisin në vendin e tyre....Dhe njerëzit i besojnë me një sinqeritet naiv: Kur vjen partizani  në vatrën e saj, Sofie Kondili beson  se Atë  e solli Zoti Krisht e vetë Zonja Shën Mëri. Kur partizani  ndjen plumbin e pushkatimit, hedh sytë nga Kisha përballë  e , në siluetën e saj  dallon: “ Ajo kishë ashtu në atë pozicion “ i ngjau si shpina e Babait të tij dhe e Mëmës së vet. Kurse ajo këmbanorja e lartë sikur qe Lenica”... Aty hyjnizohen edhe ata dy Shënjtët ...Madje , në çastin më të vështirë të jetës, kur shkoi nuse te Deleshë Maçi,  jashtë dëshirës së saj, dhe  ai nuk e bëri dot detyrën e mashkullit, ajo i drejtohet një Perëndie tjetër, shumë më  e lashtë: ...Ajo, ndjente fuqishëm padurimin e gjakut të ndezur dhe do t’i flistet  Diellit:...” O Diell, o Diell... jam bërë pikëllimë...Ti bën të mira... Po i Miri ia heq dhimbjen botës...Ndjej gjak femëre.. Dua burrë...S’ më lënë të bëhem grua...Pse kjo jetë e nëmur , o Diell?!”(f .264)

       Te këta njerës, me rrënjë  prehistorike,  në këto troje, Besimi te  diçka lart, madje, jo vetëm te Dielli, është besimi i vërtetë. Ata i flasin e i besojnë: Diellit, Tokës, Cices( sisës së qumështit),  Erës , Bukës , Gurit... , e kushedi sa e sa të tjerave , njësoj siç i flasin e i luten Shën Mërisë...

    Autori , gjithçka  e lë brenda shpirtit, misionit të vërtetë  të besimeve e feve. Në këtë Vështrim kemi edhe një herë  kuptimin e  besimit dhe të  modelit të vërtë të  tolerancës shpirtërore .

 

          ...blerim i një gjuhe poetike

        Por  Libri i Koço Kostës është gjithashtu  një hapësirë e madhe, e pasur , e pafundme e një blerimi të pazakontë i një gjuhe  artistike, më sakt poetike. Lënda  leksikore, përdorimi i fjalëve të rralla, i fjalëve të reja, i ndërtimeve  vetiake , i fjalorit poetik, i sintaksës orgjinale, i strukturës së fjalisë së shkurtër,  me ngarkesë stilistikore e shprehëse të emocioneve, të  rrethanave e episodeve të veprës, është gjithashtu një kontribut i veçantë që duhet vlerësuar.

       Ai luan me fjalën...: Befas Ajo ndali një grimë dhe u drith nga të ftohtit.Iu duk sikur ndjeu rëndesë, dhe s’ mbushej me frymë. Të mbetej përsëri në vend e të shkundej: të hiqte nga vetja tërë veshjet prej guri: këmishën dhe dantellat e bukura prej guri!Dhe të brendshmet e qëndisura të akullta prej guri! Fustani dhe fanella e rëndë prej lesh guri! Edhe shamia e rëndë si gur. Ishte prej guri!...T’i hidhte...”

    Ai e kërkon fjalën, e gjen, e zgjedh, e përdor ku duhet, e përdreth, u gjen kuptime e shprehimësi të tjera, deri sa e shtrydh, e deri sa e pikon  art e ndjenjë...Ajo të vjen befasisht, e bukur e zgjedhur, e qartë e ngarkaur e tëra me emocione e kënaqësi.Mjeshtëri e këtij përpunimi të fjalës e pais atë me magjinë  shprehëse.

    Fjala shqipe tingëllon nga e para deri në fund si poezi. “Diku, nëpër të shkarën te thellina e humnerës midis dy maleve befas iu bë sikur ndjeu një zë vajtimtar!/ Ajo u bë gur/ Përqark, mu në mes të dimrit, nxitonte e qante një drer!/  ... Sikur papritur , honi i zgjatur i humnerës, do të mushej me qyqe.!/ Ajo lëvizi dhe nxitonte që të zgjonte qyqet.”

Diku  shkruan: ...”Jetimëri./

                                 Sa i rëndë ai trishtim fshati!/...

                                             Si trishtimi i njerëzimit...”

        Gjuhëtarët e stilistët do të gjejnë lëndë interesante për studimet e tyre të dobishme. Dhe, shqipfolësit do ta ndjejnë e do ta shijojnë pasurinë e tingëllimin e kësaj krijese   artistike e gjuhësore, e këtij krijuesi që e  respekton dhe e  do si Shënjt gjuhën e Mëmës.

     Duke shkruar këto radhë mendoja për mundësinë e përkthimit të kësaj vepre...

    “ Po a mund të përkthehet kjo bukuri gjuhësore në gjuhë të tjera?!...Më ndje, o Perëndi!... Më duket gati e pamundur...Gjithë kjo bukuri s’ besoj se mund të  ruhet në ato gjuhët.Nuk arrihet. Mos na dëmtohet?!... Oh, jo,  edhe kështu mos qoftë thënë ! Epo le ta mësojnë shqipen edhe ata, që nuk  e njohin, për të shijuar xhevahirët e vërtetë të shqipes sonë. Ashtu u bëftë!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora