E shtune, 27.04.2024, 04:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Sadik Bejko: Letërsia dhe Globalizmi

E merkure, 07.04.2010, 08:02 PM


Letërsia dhe Globalizmi

 

Nga Prof. Sadik Bejko*

 

Letërsia dhe globalizmi… në të parë, më ngjajnë si dy terma a fjalë që me përdhunë mund t’i vësh pranë e pranë. Në poezi pranëvënia e një fjalë me një tjetër disi jo të pranueshme për t’u vënë afër e afër, prodhon dimensionin artistik, befasinë asociative, shpërthimin e të moskuptueshmes, për ta kthyer edhe më qartë edhe më ndritshëm në kuptimësi. Borhesi mund të jetë mësuesi i madh i pranëvënies së fjalëve a termave që, në shikim të parë, assesi nuk mund të qëndrojnë bashkë. Psh ylli Aleph në një bodrum nëntoke. Sot një fantazi e tillë është e prekshme, ylli Aleph në tunelin nëntokësor të një metroje diku në metropolet e mëdha të botës së sotme, janë kompiuterat. Kohët shkojnë dhe realiteti i teknologjisë së lartë ia kalon edhe një vizioni borhesian. Qytetërim i teknologjisë së lartë e ka globalizuar përfytyrimin dhe mënyrën tonë të jetesës... gjer në kufijtë e së pabesueshmes. Atëherë letërsia, ç’mund t’i japë letërsia një  bote të tillë globale në tregje, në imazhe, në përfytyrime?

Letra, shkronja, të shkruarit është atribut i individit jo i qytetarit. Kulturën, letërsinë, pikturën e bën individi, qytetari, shoqëria bëjnë qytetërimin. Kur lexojmë një poezi nga Libri i odeve i Konfuçit, një hajku japonez të Basios, një poezi të Safos, një sonet a tragjedi të Shekspirit ne ndodhemi përpara individësh, jo para qytetarësh të qytetërimeve të ndryshme në veshje, në mënyrë jetese, në filozofi, qytetërime që edhe kanë vdekur, qytetërime që për  kohën kur jetonin, mundet nuk kishin asnjë urë komunikimi mes tyre. Kjo vjen nga që qytetërimi dhe shoqëria i përgjigjen pyetjes: si të jetoj?, ndërsa letërsia dhe kultura e lartë i përgjigjen pyetjes: përse jetoj? Mjafton të lexojmë disa nga veprat e autorëve që përmenda mësipër librat e Tolstoit, apo Pavioni i kancerozëve të Solxenicinit, ku shtrohet hapur pyetja përse jeton njeriu.

Koha e sotme e përjeton përditë realitetin e pyetjes: si të jetoj? Mijëra e miliona njerëz në botën e sotme po braktisin jetën tradicionale në vendëet e tyre për të kërkuar një jetesë më të mirë në vendet e zhvilluara. Kjo ka ndodhur e ndodh edhe në Shqipëri. Gati një e treta e qytetarëve të vendit tim e kanë braktisur vendin, kulturën, mënyrën e të jetuarit, për të jetuar atje ku atyre dhe fëmijëve të tyre u premtohet një jetesë më e mirë. Kjo për mua, për vendin tim, mund të jetë shumë e trishtuar. Është boshatisur një e treta e një hambari kulturor, e një pasurie tradicionale, për një jetë më të mirë. Gjaku i një kulture, i një gjuhe, rrjedh e rrjedh diku tjetër. Në këtë perspektivë mund të mendosh se gjuha e nënës sime, gjuha ime, gjuha shqipe, një nga gjuhët me themelore të familjes gjuhësore indoevropiane pas njëqind a dyqind vjetësh, mbase dhe më herët, mund të japë shpirt. Një ditë mund të shuhet e të asgjësohet. Nuk dua të bëj Kasdandrën, por as t/i mbyll sytë përballë një realiteti kërcënues. Globalizmi triumfues i ka të gjitha të  drejtat për ta asgjësuar një gjuhë dhe një kulturë kaq të vogël si kjo e imja. Gjuha ime që u ka mbijetuar sa e sa kohërave, i ka mbijetuar tolatitaritetit të greqishtes dhe të latinishtes antike, i ka mbijetuar sundimit otoman kur gjuha shqipe me ligj u ndalua të shkruhet për pesë qind vjet, i mbijetoi totalitarizmit komunist, tashmë ne erën e globalizmit mund të marrë rrokullimën vetvetiu në honet e asgjësimit. Thashë vetvetiu, vullnetshëm, se sot njeriu ka të drejtë të zgjedhë si të jetojë e ku të jetojë. Para disa javësh mediat dhanë lajmin e konfirmuar nga UNESKO, se në Indi vdiq folësja e vetme e gjuhës Bo. Vdiq në Indi gjuha Bo se folësit e saj përvetësuan një gjuhë tjetër që u jepte më shumë mundësi jetese. Gjuhët vdesin në erën e sotme jo nga pushtimi ushtarak, por nga pushtimi i asaj si të jetoj, ku të jetoj, kush më jep më shumë bukë, më shumë të mira për të jetuar.

Mbase ky është ngushtësisht problemi im, i një vendi të vogël, i një gjuhe të vogël. Në erën e globalizmit e të universalizimit konkurrenca e ballafaqimi i vlerave do të jetë më i hapur, më i ashpër e mund të ndodhë që kultura të tilla si kjo e imja mund të tkurren e të tkurren dhimbshëm. Ky mbase është fati ynë në erën e globalizmit. Dhe ne duhet të kemi sy ta shohim, të përballemi, jo t’i fshihemi këtij problemi.

Tani që hë për hë u rreka ta kapërcej anën personale të problemit, mund të më lejohet të them ndonjë gjë për më tej.

 Si rregull, kur duam të dimë ç’do të ndodhë nesër, ne shohim pas, për të parë ç’ka ndodhur në të kaluarën në situatat pak a shumë të ngjashme me tonën.

Gjithmonë kulturën, letërsinë e kanë prodhuar individët dhe qytetërimin – qytetarët, shoqëria. Letërsia e madhe dhe e qëndrueshme në vlerat e saj nuk ka folur për kohën, por për gjithëkohësinë e brendësive të individit. Duke folur për individin letërsia që në fillimet e saj ka gjetur një bar pavdekësie, një bar kundër totalitarizmit, perandorive, despotizmit, kundër strukturave në dukje të qëndrueshme e të frikshme. Në Kinën e dinastitë Tan, në Kinën e epokës së poetëve Li Bo dhe Du Fu, artistët zgjodhën filozofinë e individualizmit taoist përkundrejt konfucianizmit etatist. Zgjodhën subjektivizmin, të imtën, të veçantën,  përballë me Murin e Madh të shtetit, të së përgjithshmes.

Totalitarizmin e globalizmin për kohën e shpiku dhe Roma e Oktavian Augustit. Krishterimi që lindi diku në periferitë e papërfillshme të kësaj perandorie të gjithëfuqishme, fillimisht përçmohej dhe ndjekësve të tij u rezervohej kryqëzimi, një dënim i denjë për skllevërit. Globalizmin romak e sfidoi periferia, rrethina dhe krishterimi triumfoi mbi gërmadhat e globalizmit romak.

Për të mos e zgjatur, Dostojevski, një i dënuar me vdekje nga Cari, prodhoi një letërsi të një universaliteti të pakufi, të pacak për sot dhe për nesër. F. Kafka një nëpunës i papërfillshëm, një individ i ndrydhur në kasafortat e ndryshkura të burokracisë, prodhoi një letërsi shpërthyese që hidhte në erë që nga përvuajtja reale e jetësore atë që në dukje ishte e sigurt, e betonuar.

Unë vij nga një vend që i përkiste globalizmit komunist. Një globalizëm ky aq i sigurt, sa ata që i kundërviheshin, i asgjësonte në kampe, i pushkatonte, i varte në litar. Globalizmi komunist ishte mizorisht i dhunshëm në devizën e tij: o me mua, o me asgjësimin tënd. Dhe prapë, përtej këtyre alternativave përjashtuese, ajo që mbeti nga gjithë gërmadhat e globalizmi politik, ekonomik, kulturor komunist qe fjala, letërsia, ajo letërsi që nuk e pranoi shtratin e Prokustit ku donte ta vinte letërsinë komunizmi. Letërsia nuk është përjashtuese në fjalën, në lëndën, në natyrën e saj. Si në gjithë kohërat, nga letërsia shqipe e kohës së komunizmit mbeti ajo letërsi që nuk iu kushtua totalitarizmit të ngrirë e çnjerëzor komunist, por letërsia që u strehua te brendësia e gjithëkohëshme e individit.

Disa këtë magji të letërsisë për të qenë e gjithëkohshme, për të triumfuar ndaj qytetërimeve asfikësuese dhe strukturave të ngrira shtetërore, e lidhin me fjalën. Fjala në letërsi është një tërësi e pakontrolluar nga vetja, nga ai që e shkruan, nga ai që e lexon sot a që do ta lexojë nesër, po dhe pas një mijë vjetësh. Kjo aftësi e fjalës për të përmbajtur kode që bëhen të zbërthyeshme në mënyrë të re në kohë të reja e në kontekste të tjera, sjell atë që Borhesi thoshte se kush lexon sot Don Kishotin ai po e rikrijon nga e para romanin që Servantesi e ka shkruar rreth pesëqind vjet më parë. Në saje të fjalës edhe letërsia që të ngjan se është shkruar për një kohë të caktuar, në penën e shkrimtarëve mjeshtërorë i kapërcen kohërat.

Në një farë mënyre, me ç’thashë deri tani, tentova të provoj se letërsia ka një histori të gjatë mbijetese, ajo ka ditur t’u mbijetojë totalitarizmave e globalizmave që nuk janë shpikur sot. Ajo u ka mbijetuar si totalitarizmave perandorakë edhe atyre ideologjikë.

Prapë në fillim të kësaj fjale unë paraqita frikën nga totalitarizmi globalist lidhur me gjuhën time dhe me kulturën time të vogël.

Gjuha shqipe dokumentohet për herë të parë aty nga fillimi i shekullit të pesëmbëdhjetë në tërësinë e një tekst latinisht të një peshkopi katolik. Dhe fjalët e para të shkruara shqip, për sa dija njeh deri më sot, janë fjalët e formulës së pagëzimit: unë të pagëzoj për emnit të atit, birit dhe të shpirtit të shenjtë. Peshkopi shqiptar, duke parë se Shqipëria po pushtohej nga otomanët, se priftërinjtë po vriteshin dhe zona të tëra nuk po mbuloheshin me priftërinj, i porosiste besimtarët që fëmijët mund t’ pagëzonin vetë prindërit duke thënë formulën e mësipërme.

Libri i parë në gjuhën shqipe është një libër kishtar, i shkruar nga një prift katolik me emrin Gjon Buzuku më 1555, pothuaj njëkohshëm me përkthimin e Biblës në gjuhën gjermane nga Martin Luteri.

Siç e thashë, gjuha shqipe u mbijetoi kohëve, edhe pushtimit otoman, nga i cili trembej aq shumë peshkopi që shkroi formulën e pagëzimit, pushtim që e ndaloi me ligj shkrimin e gjuhës shqipe. I mbijetoi dhe totalitarizmit komunist.

Sot gjuha shqipe ka një shkrimtar të kalibrit botëror, Ismail Kadarenë, që është i ftuar nderi në mbledhjen ndërkombëtare të PEN_it këtu në Bled, i ftuar dhe për promovimin e një libri të përkthyer në gjuhën sllovene.

Prapë dua t’i kthehem idesë sime, se të rrezikuara nga globalizmi mund të jenë pikërisht gjuhët e vogla dhe kulturat e vogla, të cilat kanë një histori të vështirë mbijetese. Zhdukja e kulturave të tilla nga presioni i globalizmit është real. Për të mos ndodhur një dukuri e tillë, unë do të doja të përsëris fjalët e peshkopit që e shkroi i pari gjuhën time: gjuhë shqipe, unë të pagëzoj për emrit të atit, të birit e të shpirtit të shenjtë. Por mbase nuk duhen vetëm lutjet. Përfitoj nga ftesa për të folur në një forum të tillë që të tërheq vëmendjen ndaj asaj që sot për sot përbën problemin më të madh për kombet e gjuhët e vogla, por që janë pasuri për njerëzimin, për diversitetin kulturor të njerëzimit: përballja me globalizmin mund të jetë fatale për kultura e gjuhë të tilla.

 

*) Fjalë e mbajtur në mbledhjen ndërkombëtare të PEN-it, në Bled të Slovenisë, datë 24-28 mars 2010

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora