E enjte, 01.05.2025, 01:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet regjisorja dhe skenaristja Donika Mustafaj

E hene, 05.04.2010, 04:45 PM


Flet regjisorja dhe skenaristja  Donika Mustafaj pas promovimit të filimit të ri dokumentar me dy pjesë

 

Dokumentari “Fëmijëria peng”, një pasuri e dhimbshme

 

Nga Albert Zholi

 

Pas filmit të suksesshëm dokumentar “Jetë pezull”, realizuar katër vjet më parë, Donika Mustafaj i drejtohet përsëri problematikës së fëmijëve me realizimin e saj të ri “Fëmijëria peng”. Midis këtyre dy veprave, Donika Mustafaj ka realizuar tre dokumentarë me temën e artit e që janë “Magjia klarinetë”, “Ustai i fundit” kushtuar të famshmit Laver Bariu dhe “Një amerikane në Tiranë”, një portret filmik i piktores amerikane Lea Christine, dhe marrëdhënieve të saj artistike me botën shqiptare, ku ka kaluar disa vjet të jetës së saj si bashkëshorte e një diplomati.

    Në filmin “Jetë pezull” Donika Mustafaj trajtonte fatin e pamerituar të fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, të cilët po kalojnë një fëmijëri nga më dramatiket jo vetëm pse u mungon loja e natyrshme për moshën e tyre, marrin një shkollim të keq e të pamjaftueshëm ose edhe nuk shkollohen fare, por edhe vetë jeta e tyre është natë e ditë e kërcënuar. Në këtë vepër të vlerësuar nga kritika dhe teleshikuesit, Donika Mustafaj synonte të tërhiqte vëmendjen e shoqërisë e të shtetit drejt tyre.

 

Znj Donika, cila qe shtysa që zgjodhët këtë temë paksa të pa cekur nga media, për ta përcjellë në celuloid?

 

Në radhë të parë dua të them se në prekjen e kësaj teme dhe përcjelljen e saj në celluloid unë nuk jam në rolin e nje gjykuesje. Në “Fëmijëria peng” unë u përqëndrova në një aspekt krejt tjetër të ecurisë së shoqërisë sonë. Në objektivin e kamerës kësaj here është shtresa e kamur e shqiptarëve. Qëllimisht zgjedh këtë shtresë, e cila përfaqëson  dukshëm suksesin e ekonomisë së tregut në Shqipërigjatë njëzet vjetëve të fundit dhe ku natyrshëm shtrohet pyetja e mprehtë, sa kanë përfituar posaçërisht fëmijët për të patur një fëmijëri të shëndetshme në sajë të mirëqenies së lartë të siguruar nga puna e prindërve?.

 

Kjo temë  a përmbledh në vetevete të gjitha elementët e shoqërisë së sotme shqiptare ?

 

Siç e thatë dhe ju, ky filëm përbën një temë te re për ekranin tonë dhe tejet komplekse për shkak të vetë përmbajtjes së saj, ku ndërthuren shumë faktorë ende pak të studjuar në vendin tonë, siç janë bashkëjetesa e traditave të shoqërisë sonë në investimin për fëmijët me ndërhyrjen e elementeve të reja kulturore e materiale të moderintetit si pasojë e përfshirjes së natyrshme të Shqipërisë në rrjedhat e globalizmit. Unë jam munduar të ndriçojë lëndën e pasur filmike nga tri pikëvështrime: Si e përjetojnë fëmijët pasurimin e familjeve të tyre? Si e kuptojnë prindërit mundësinë e mrekullueshme për t’ua plotësuar të gjitha kërkesat fëmijëve të vet dhe sa ndikime ka në konceptin e tyre edukativ si prindër fakti se ata vetë kanë kaluar dikur një fëmijëri me mungesa të mëdha? Dhe pastaj vijnë pikëvështrimi dhe analizat e vëmendshme të disa psikologëve, sociologëve dhe

pedagogëve shqiptarë nga më të shquarit mbi këto realitete.

 

Ju qysh në fillim bëtë të qartë se  I jeni shmangur mendimit gjykues. Përse ndodh kjo?

 

Këtë e kam bërë në mënyrë koshiente, pra në gjithë shtrirjen e filmit jam munduar dhe kam arrit të shmang me kujdes qëndrimet gjykuese. Pra siic e patë dhe në film, kam ruajtur asnjanësinë si autore, duke i dhënë rëndësi narracionit filmik në kompozimin e historisë, të cilën jam munduar ta shpalos në formë kapitujsh të ndarë në pyetjet që më shqetësojnë, pyetje që në vetvete dëshmojnë se jam përpjekur, me të gjitha format ta zotëroja temën që po trajtoja. “Shpenzojmë për fëmijët apo me fëmijët?” është njëra nga këto pyetje të mprehta, përgjigja e së cilës vjen nëpërmjet intervistave me të vegjël e të mëdhenj dhe që prek ndërgjegjen e çdonjërit nga shikuesit, i cili vetë është prind.

 

Ju e theksuat dhe vetë se në këtë film keni zgjedhur prindërit e kamur që përbëjnë një pjesë të vogël të popullsisë. Cili ishte qëllimi I kësaj zgjedhjeje?

 

Unë e kam zgjedhur qëllimisht kësaj here shtresën e prindërve të kamur, duke ditur se problemet që vuajnë fëmijët e varfër janë krejt të tjera dhe për më tepër janë trajtuar shumë herë qoftë nga specialistët e qoftë nga mediat. Pra kjo temë për fëmijët e kësaj shtrese të shoqërisë përbën një vëmendje tjetër, në risi, një tematikë që pak ose aspak njihet nga pjesa dërrmuese e shoqërisë.

 

-Ju në film, fëmijët e shtresës së pasur të shoqërisë, I shihni disi ndryshe edhe në formimin e personalitetit edhe në mënyrën se si e jetojnë përditshëmrinë. Mendimi juaj për këtë kategori fëmijësh, pasi në film ua keni lënë në dorë psikologëve dhe sociologëve?

 

Mua më duket se kjo kategori nuk po jeton fëmijërinë. Pra atyre po u “zhduket” fëmijëria. Prindi i zënë me punët e firmës, apo sipërmarrjes, rritjen e fëmijës ja kalon edukatoreve, dados, mësueseve. Kështu që fëmija pjesën dërrmuese të fëmijërisë e kalon mes lluksit, por edhe larg prindërve, nëpër kurse dhe internetit, larg lojrave me shokët. Fëmija duket sikur është I kufizuar në lirinë e tij. Me celularë, në shkollë me fuoristradë, në shtëpi mes bollëkut, mes përkëdheljeve, pa asnjë vështirësi.

 

Me këtë mënyrë edukimi, cfarë fëmije po rritet?

 

Duket se po ndërtohet njeriu i lavdishëm njeriu që patjetër duhet të jetë i pari, një i ri standart, imitues i filmave, i vetmuar, i emisioneve televizive si “Big-Brother”. Pra nqs në regjimin komunist kishim njeriun e ri që imponohej të edukohej me parimet e partisë, sot po edukohet një fëmijë standart, i papërgatitur për jetën, të një fëmije që se kalon fëmijërinë si i rritur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx