Kulturë » Kozeta
Nikoleta Kovaçi: Flet gazetarja e radio “Blue Sky”, autore e “Kaleidoskop i letërsisë Shqiptare”, Vera Pelaj
E enjte, 01.04.2010, 09:48 PM
Flet gazetarja e radio “Blue Sky”,
autore e “Kaleidoskop i letërsisë Shqiptare”, Vera Pelaj
“Në Prishtinë u rilinda, në Tiranë u plotësova…”
Nga Nikoleta Kovaçi
Nga Peja në Prishtinë e në Tiranë. Duket si një linjë e
pazakontë por talenti, dashamirësia dhe përgjegjshëmria idividuale për të qenë
në të tria këto qytete kryeqendra për gazetaren e radio “Blu Skay” të Kosovës,
e kanë bërë më se të zakonshme linjën, që tashmë është konfiguruar në një “Kaleidoskop
të letërsisë shqiptare”. Ky është titulli, me të cilin u hodh në treg pak ditë
më parë libri i Vera Pelaj, gazetares që sjell një sërë figurash të letrave
shqipe me dhe në zërin e tyre. “Kaleidoskop-i” i Verës është formuar me
intervista të këtyre figurave, shumë prej të cilave janë dhënë në studion e
emisionit të saj kulturor, ndërsa disa të tjera janë marrë në mënyra të
ndryshme. Vera ka aritur të përmbush qëllimin, e madje tregon se do të vijojë;
do të sjellë shpejt një tjetër “Kaleidoskop”, për të mundësuar kështu sjelljen
në një tjetër plan të mendimit të njerëzve të letrave shqipe.
Vera me këtë libër, ka ditur të jetë risi, të jetë urë, të jetë e para në këtë
zhanër publiçistiko-letrar që ngrihet nga Prishtina dhe vjen e promovon librin
e saj të parë në Tiranë, në Tiranën që ajo e kishte ëndrrën e saj të madhe.
Pikërisht në Tiranën, që për të unifikohet edhe krijimtaria që mbajti gjallë
kulturën e të folurit shqip, ndonëse në promovimin e librit të saj, disa prej
autorëve që kishin zërat e tyre në koleksionin e përzgjedhur të Verës, nuk
ishin; pikërisht në Tiranën, që shteti i saj ka ngritur tashmë përfaqësinë e
vet diplomatike, por që zëri i kësaj të fundit su dëgjua gjëkundi; ndoshta se
ambasadat tona duhet të ngjajnë pashmangshmërisht me heshtjen ndaj promovimit
të risive tona të përbashkëta, ose ndoshta për të mësuar se kultura jonë për
njëri-tjetrin, në rastin konkret Kosovë-Shqipëri, s`është pjesë e misionit të
tyre diplomatik…! Megjithatë Vera është e bindur se do të sjell në dritën e botimit
shumë shpejt edhe pjesën e dytë të “Kaleidoskop-it”…
Gjendesh në Shqipëri. Ç`ka për ty mes Prishtinës dhe Tiranës?
Ka shumë dashuri dhe shumë mallë njëkohësisht! Dashuri dhe mall për gjithcka që
ishte pjesë e njëri-tjetrit dhe nuk e njihnim për shkak të jetës që kemi bërë
në sisteme të ndryshme. Shqipëria, jo vetëm për mua, por për të gjithë
shqiptarët e Kosovës, ishte më e largët sesa Amerika e përtej Oqeanit Atlantik.
Andaj, ëndrra e realizuar që tani jemi shumë shumë afër, më bën të ndihem krejt
shqiptare më shumë e plotësuar shpirtërisht dhe etnikisht. Pra, për mua, mes dy
metropoleve shqiptare, Prishtinës dhe Tiranës, ka gjithçka të bukur e mbi të
gjitha shumë dashuri, që është ndjenja më fisnike njerëzore.
Dy ditë më parë u promovua libri yt i parë. Zgjodhe Tiranën për promovim;
thua kjo është arsyeja e vetme që gjendesh këtu?
Janë arsyet që i permenda më lart dhe arsye të tjera. Përmes Tiranës ne
shqiptarët e Kosovës, kemi arritur të mbajmë gjallë gjuhën dhe vlerat tona
kombëtare. Ky libër mua më krijoi shumë miq këtu. Jam shumë e lidhur
emocionalisht më këtë vend dhe e kam ndjerë që duhet ta botoj dhe ta promovoj
së pari këtu e më pas edhe në Prishtinë, gjithsesi.
Libri yt titullohet Kaleidoskop i Letërsisë Shqiptare. Pse kaleidoskop dhe
pse pikërisht k`të kaleidoskop e ngrite në Prishtinë dhe e inagurove në Tiranë?
Kaleidoskop, sepse është laramani e autorëve që kontribuojnë dhe kanë
kontribuar në llojet e gjinive letrare shqipe. Që nga poezia, proza, kritika
letrare, përkthimet dhe studiuesit e letërsisë. E ngrita në Prishtinë, në
qytetin ku unë rilinda! Prishtina dhe radio "Blue Sky", janë ato që
më dhanë mundësi të arrij në stadin e komunikimit me njerëzit e shquar, me
veprat e të cilëve jam rritur. Ndërsa, e inaugurova këtu, sepse dhe Tirana
është qyteti im…
Në librin tënd, gjej emra të njohur të letrave shqipe; emra të intervistuar
në emisionin tënd në radio “Blu Skay”. Më ke thënë se shumë prej tyre i ke
patur në studio, e disa të tjerë, nga pamundësia, i ke telefonuar; çfarë e
shtyu Verën në këtë sipërmarrje?
Emisioni për letërsinë "Fokus Letrar", autore e të cilit jam vetë,
është emision javor ku përmbledh ngjarjet letrare në viset shqiptare dhe në
botë. Duke qenë autore e një emisioni të tillë, puna ime lidhet gjithsesi me
njerëzit e letrave shqipe. Unë kam mbaruar Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në
Universitetin e Prishtinës dhe unë di çka duhet të plasojë tek dëgjuesi në këtë
fushë. Me shumicën e këtyre personaliteteve intervistat i kam realizuar përmes
telefonit për shkak të pamundësisë së tyre për të qenë në studio. Sidomos
autorët që janë nga Shqipëria dhe ata që jetojnë në SHBA. Autorët që i kam në
"Kaleidoskop i letërsisë shqiptare", përpos atyre të Kosovës, në
studio kam pasur Zhuliana Jorganxhiun, Rudina Xhungën dhe Robert Elsie-n. Me
Klara Kodrën jam takuar personalisht në Lushnje, vitin e kaluar në Festivalin
Ballkanik të Poezisë dhe e kam intervistuar aty. Dhe aty, vendosa që ajo të jetë
edhe redaktorja e librit tim.
Besoj je e vetëdijshme, si edhe unë dhe shumë dashamirës të punës tënde se
“Kaleidoskop-i” jot është risi, për mua urë e re, e pangritur ende mes dy
vendeve “Një”. Sa e mbush profesionalizimin dhe pasionin e Verës ky fakt?
Ne duhet të punojmë për vlerat kombëtare. Kur kam menduar ta realizoj
Kaleidoskopin, e kam menduar këtë linjë. Është dashur kohë dhe durim. Misioni i
gazetarit është informimi dhe për ta përmbushur këtë mision, është dashur t'i
mbledh njerëzit që dinë të japin informacione profesionale. Andaj, mendoj që
kjo e përmbush edhe profesionalizmin tim. Bindja ime është që për të qenë
profesionist, duhet të kemi përvojë shumë të gjatë në detyrën që bëjmë.
Në libër gjenden emra shkrimtarësh të njohur, edhe jo aq të njohur; pse kjo
përzgjedhje dhe sa i vështirë ishte realizimi?
Intervistat janë realizuar në kohë të ndryshme dhe në raste të veçanta. Qoftë
me rastin e botimit të ndonjë libri, qoftë në mbajtjen e ndonjë festivali
poetik, apo me rastin e marrjes së ndonjë çmimi nga këta autorë. Në raste të
caktuara, realizimi ishte i vështirë për shkak të ngurrimit të tyre për t'u
përgjigjur. Por, këmbëngultësia ime ishte më e fuqishme dhe ia kam arritur
qëllimit. Dëgjuesi dhe tani lexuesi, kanë nevojë për mendimet e këtyre
njerëzve, të cilët na përfaqësojnë në fushën letrare për mendime konkrete për
një çështje të caktuar, pos asaj që ata shkruajnë në veprat e tyre.
Kam parë që librit tënd i mungojnë edhe emra që për shumëllojshmëri kohërash
kanë bërë diferencën në Letërsi..! Mungesë e qëllimtë?
Ky është vëllimi i parë i "Kaleidoskop i letërsisë shqiptare". Unë veç
kam filluar ta vazhdoj punën për përgatitjen e vëllimit të dytë dhe aty do të
përfshihen ata që mungojnë. Ka edhe të tjerë që duhet përfshirë, por disa nuk
janë përgjigjur deri tani. Ata i dinë arsyet e veta. Ndoshta do të ketë qenë
arsyeja e kohës dhe angazhimit të tyre, që deri tani nuk janë përgjigjur.
Me ke thënë se po përgatit një tjetër kaleidoskop, me të njëjtin format. Do
të kem fatin t`i shoh këto emra...?
Unë do të përpiqem maksimalisht ta bëj punën time sa më profesionalisht që
mundem dhe di. Por, nuk varet e gjitha nga unë. Çdo gjë që varet edhe nga
personi i dytë e tutje, është shumë, shumë relative. Çka varet vetëm nga unë,
nuk frikësohem aspak dhe për asgjë. Shpresoj që këta persona që mendoni ju, të
jenë të ndërgjegjshëm ndaj publikut dhe me Kaleidoskopin tjetër, të plotësohet
ajo çka mungon në këtë të parin.
Vera, të falenderoj që gjete kohën të flasësh për “TO” e njëkohësisht të
uroj shumë suksese.
Ju faleminderit për intervistën. Është intervista e parë
që e jap në një gazetë të Shqipërisë dhe kjo pikërisht me rastin e librit tim
të parë. Është kënaqësi dhe nder. Sëbashku, si komb dhe si kolegë me ju, me
punë dhe përgjegjësi, do të ecim përpara. Punë të mbarë dhe suksese më tutje.