E shtune, 27.04.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Doli nga shtypi libri i Sokol Demakut, Mbrëmja në mërgim

E hene, 29.03.2010, 09:57 PM


Doli nga shtypi libri i Sokol Demakut, Mbrëmja në mërgim

 

Nga Baki Ymeri

 

Lavdi i qoftë atij që ka thënë se nuk është njeri ai që nuk ka mbjellë një pemë, nuk ka bërë një fëmijë, nuk ka ngritur një shtëpi, apo nuk e ka botuar një libër! Çdo botim paraqet një festë shpirtërore dhe ngazëllim të veçantë, sidomos kur vjen fjala për librin e parë, që simbolikisht krahasohet me lindjen e një anëtari të ri të familjes. Këto ditë, në sajë të bashkëveprimit të redaksisë së revistës Shqiptari me redaksinë e revistës Dituria në Borås të Suedisë, e pa dritën e botimit në Bukuresht, vëllimi i parë i poetit kosovar Sokol Demaku, veprimtar aktiv i diasporës shqiptare të Skandinavisë. Krahas lëndës lirike dhe bibliografisë, veprës respektive i paraprin edhe një parathënie e autorit të këtij shkrimi.

 

LIRIKA MËRGIMTARE E SOKOL DEMAKUT

 

Autori i këtij libri, krahas disa penave tjera të mërgatës shqiptare, mund të konsiderohet si poet i mërgimit. Duke deshifruar sensin e frymëzimit të tij, konstaton se brengat e mërgimtarit         që i ndjen çdo ditë mbi supe, janë brenga që krahërorin ta shtërngojnë dhe rrudhat në ballë t’i shtojnë, dhe fuqinë e trupit çdo ditë ngadalë ta shkallmojnë. Brenga e mërgimtarit të kaplon hajnishëm dhe ta trazon shpirtin, thot poeti dhe vazhdon: “E pashë një ditë duke shëtitë në luadh, e luta të me lerë të qetë,  te mos më bezdisë, në shpirt të mos më lëndojë!” Vargjet e Sokol Demakut kanë kuptim të thellë edhe atëherë kur i shndërron në prozë të shkurtë. Lotët sipas autorit janë fjalët e hidhërimit, fjalët e shpëtimit, fjalët e shpirtit që përshkruajnë shpirtin tonë. Ato janë shpëtimi i ndjenjave tona. Autori shkruan epitaf për  një punëtor shqiptar të molisur e të rraskapitur qe njëqind vjet më parë: “Në vuajtje e mjerim, me ideal në shpirt se një ditë për të do të ketë çlirim. I thyer nga uria i harruar nga njërëzia, i pa mbrojtur nga shoqëria, i plandosur për vdekje, i pa armatosur, i pushkatuar nga një plumb i panjohur në kohë paqe.”

 

Mbrëmja në mërgim sipas autorit ka renë në qytet, por ky qytet është i zymtë,  edhe dritat janë të zymta, edhe njerëzit janë të tjerë, nuk është si në qytetin tim, dhe nata nuk është si natë, ngase i ngjan kulçedrës që përbin çdo gjë: ”Kështu është kur je atje ku nuk duhet të jesh/ Kështu është aty ku nuk je dhe nuk e di pse je,/

Kjo është mbrëmje me flladin e lehtë, por jo, nuk është,/ Sepse këtu ka tjetër jetë.” Sokol Demaku është një poet fin që herë pas here prek edhe subjekte me motive atdhetare. Duke parë fotografitë e sokolave të Kosovës që krahas trupave të NATO-s dhanë kontribut për çrobërimin e Kosovës nga kuçedra militariste serbe, më kujtohen fjalët e shkrimtarit të panjohur bukureshtar, Aleko Vançi, i cili më 1940, në kuadrin e librit “Pranë kllanikut” do të shkruajë: “Ushtarët shqiptarë parakalonin para Napolenonit si ca mbretër të maleve". Sipas Sokol Demakut, bijtë e Kosovës janë bijtë e shqipes, që rradhisin fitoret dita ditës. Atdheu sipas tijt është “Nënëlokja e fortë, krenare me shpirt çeliku”: “Rrudhat në ballë i vijëzohen çdo ditë,/ Tregojnë vuajtjet mjerimin e pashpirtë.// Stuhitë e kohës u sulën pa mëshirë,/ Ta zhbijnë Nënëlokën nga faqja e dheut”, por më kot, ngase: “Shekujt e stepën, vitet e mjeruan,/ Por Nënëlokja nuk u dorëzua”.

 

Fjala, ëndërrat, poeti dhe poezia

 

Fjala e poetit ka peshë, pesha e saj ka kuptim, por “nuk është e lehtë, ngase është shumë e rëndë, ngase e vret çdokend.” Fjala e poetit është flori, diamant në gji, e ëmbël për lakmi, dhe është e ashpër, shpatë e mprehtë, shkatërron shoqëri shkatërron dhe jetë: “Ëndërrat tona për çdo natë vijnë: “Vijnë tek unë/ Njerëz të druajtur,/ Engjuj,/ dhe të marrë!/ Buza gaz,/ Të qeshur dhe/ Të qarë./ Por që zhduken/ Me një të parë.” Për poetin e mërgimit fjalët e dashurisë shndërrohen në valë deti “që në ëndërr na vijnë.” Ëndërrat e poetit fluturojnë: “Shumë gjëra në jetë/ Ndryshojnë aq shpejt/ Por dashuria mbetet e njejtë./ Nëpër bregdetin e qiellit/ Ndërtoj ëndërrat e mia/ Në fluturim e sipër.” Endërrat fluturojnë duke e shuar etjen time për liri, për dashuri, për fluturim: “Në ato thellësi magjepse./ Të atij lumi të kaltër/ Të atij kopshti të gjelbërt/ Ku të gjithë e duan njëri tjetrin.”  As që mund të ketë përfundim më të bukur një poezi që bën fjalë për dashurinë, apo një vepër poetike kushtuar mërgimit të fjalës në megrim, dhe rikthimit të saj në vendlindje.

 

Çka bëjnë poetët, pyet poeti duke pyetur: “Kush ka forcën dhe pushtetin,/ të ruajë rimën në poezi?/ Kush është ai që të fton në argumentim?/ Kush krijon kujtimet,/ Kush shprehë ndjenjat,/ Kush hap zemrat,/ Kush krijon ura e dashuri?” Poeti shpeshë herë pyet se kush është ylli yt që të jep forcë ne jetë? Kush të krjijon kujtime që shtegtojnë në fjalë, që të bejnë të komunikosh me hyjnitë? “Ti je yll, ti je forcë e mahnitshme, që buron nga brenda, dhe shpërthen si vullkan e nuk fashitesh!”

 

Ja kjo është bota poetike e një mërgimtari për të cilin poezia është shpirti i dashurisë së nusërimit të fjalës me fjalë, apo “ajri që e thithim, apo nektari i shpirtit, apo ushqimi i zemrës, apo loti i syrit!”. Për më tej e për më shumë, fjalën e kanë kritikët tanë dhe dashamirët e poetit, që vjen për herë të parë para opinionit shqiptar me një vëllim poetik motivesh të ndryshme ku reflektohet jeta sentimentale e një bote magjike, herë herë e gëzuar, dhe herë herë e shfrenuar, një botë ku defilon ”trupi im dhe trupi i saj në ledhatim”, diku në thellësinë e natës: “Këta sy e këta gjinj, këto buzë e këta ndjenja, që do të qendrojnë, përgjithmonë,  në gjirinë tënd të ngohtë.” (B. Y.)

 

BIBLIOGRAFI

 

Sokol Demaku është poet, prozator, pedagog, publicist, redaktor. U lind më 1954, në Arbri të Drenicës, ku kreu edhe shkollën fillore. Ne Prishtinë kreu shkollën Normale dhe studjoi Gjuhën dhe letërsinë shqipe. Aktualisht punon dhe jeton në Suedi. Ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme "Dituria" që del në Borås të Suedisë dhe një radio lokale me emrin "Radio Dituria". Njëherit punon edhe si gazetar i lirë në Radio Suedia, programi në gjuhën shqipe, "Jehona". Që nga mosha e brishtë e rinisë shkollare merret me poezi. Shkruan vargje zhanresh të ndryshme dhe prozë, ndërsa kohëve të fundit ka botuar një monografi për shqiptarët e Boråsit dhe një antologji poetike („Baladë e përflakur”, Bukuresht, 2009). Ky është libri i tretë i tij dhe vëllimi i parë me poezi origjinale, duke qenë i përfshirë para dy vitesh në antologjinë e përbashkët „Çelësi i shpirtit” (Bukuresht, 2008). Është veprimtar aktiv i komunitetit shqiptar të Suedisë dhe studjon Pedagogjinë në Universitetin e Gethenborgut.



(Vota: 15 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora