E shtune, 27.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Lule Shameti (Dhromi)

E diele, 28.03.2010, 09:55 PM


Lule Shameti

 

Përfundoi studimet universitare, më 1990-tën në Fakultetin  Histori-Filologji, në degën  Gjuhë-Letërsi  Shqipe në Tiranë. U shfaq në skenën letrare në fillim të viteve ’90-të me cikle poetike e, njëkohësisht si korespondente e disa gazetave në shtypin qëndror dhe lokal.

 

Ka lëvruar dhe vazhdon të lëvrojë  gjininë e poezisë, kritikës letrare, esesë, tregimit dhe romanit.

 

Ka në qarkullim shtatë botime, të cilat janë vlerësuar  e mirëpritur nga lexuesi, medjat  dhe shkrimtarët e mëdhenj  Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu.

 

Ka  botuar  librat poetik:-“ Serenatë dashurie”,” Një degëz mimoze”, “Ëngjëj të pambrojtur”,  “Rrënjët e këngës sime” ,”Dallgë  psherëtimash”. Librin me tregime, ese dhe studime ”E fshehta  e Merit”, si dhe romanin  “Vajza me trëndafila prej  ëndrre”.Ka një seri librash në gjini të ndryshme letrare, në procec botimi.

 

 

Kanë thënë  për Poeten Lule Shameti:

 

Ismail Kadare:

"...Si antibiotik trishtimet përze,

bilbilat fton brenda livadhit të zemrës,

trishtimet s’dinë mbi ç'pemë të fluturojnë,

ç'fole të futen,

s'ka më plasaritje të egra zemrës."

 

“Janë vargje të mrekullueshme të poetes Lule Shameti”

 

__________

 

Dritëro Agolli:

"...gjuha poetike që organizon dhe shpreh këtë  materie të poezisë së poeteshës Lule Shameti, në mjaft vargje është  plot figuracion, metafora dhe metonimi, por gjithmonë të kursyera dhe të pashpërdoruara. Një figuracion i tillë është origjinal dhe i natyrshëm, që vjen vetvetiu dhe pa shtrëngime..."

 

____________

Xhevahir Spahiu:

"Mjerimi ende kërcet dhëmbët,

në buzët e plasaritura

rënkojnë koha dhe ëndrrat..."

-janë vargje të poetes, Lule Shameti. I lexon dhe të pushton heshtja, mbi heshtjen mund të ngrihet nje fjalë:bukur!

Lulja shkruan lirshëm, përjeton thellë, ka se çfarë t'u kumtojë të tjerëve,ndjenjat dhe mendimet e saj i derdh në një ritmikë të shqetësuar,të vetvetishme.

Metaforat e fjalës poetike të Lules mbjellin lule në tokë, në ajër, në shpirtra dhe bota, bota e ëndërruar mbushet me aromë:

 

"...duhen harlisur rrufeshëm

çatajtë e shpresës

ndryshe,vjen më i egër dimri..."

 

Gazeta "Ylberi i zogajve" Prill 2000

Poetja e talentuar Lule Shameti...

 

______________

 

Gazeta "Republika" Qershor 1998

"...Një degëz mimoze " nga Lule Shameti është si një fllad pranveror që i shtohet kësaj vere të nxehtë  Shqiptare me shume luftë e probleme..."

 

_____________

 

TVSH Qershor 1999

Poetesha e talentuar Lule Shameti ngjit vrullshëm shkallët e poezisë, me një sensibilitet të këndshëm poetik, përmes vibracioneve të holla emocionale...

 

______________

 

Gazeta "Ushtria" Prill 2000

"...një vend të veçantë në krijimtarine poetike të Lule Shametit zë krenaria kombëtare e Shqiptarit si një antitezë e fuqishme me të sotmen..."

 

_____________

 

Gazeta "Dita Jug"Mars 2000

"Perveç lëvrimit me sukses të poezisë dhe llojeve të shkurtra në prozë,Lule Shameti ështe marrë dhe vazhdon të  merret me gazetari,duke ngritur në shtypin qendror probleme të ndryshme të kohës"

_____________

 

Revista "Ylberi "Mars 2002 Gjenevë me autor Prof.as.Dr.Murat Gecaj

"...Vargjet e poeteshës Lule Shameti janë mjaft të frymëzuara.Ka në to dashuri e trishtim, optimizëm e pasiguri, buzëqeshje, dhimbje, mall e lot. Ndër të tjera ajo i këndon edhe një nëne tjetër të madhe, Atdheut:Atdheu, ku unë u linda,

Në burime të ëmbla,krenare këngësh…

 

__________

 

Dhe  të tjera netë të grunjta,

Si grumbuj shkëmborë,

Zgërlaqur hedhurina  vezullimesh…

Livadhi i natës,  i thellë si hon.

Lehje qensh,

qenushësh gri,

Stomaku kohës mbushur…,

Si tenxhere me turli…

 

Këto janë vargje nga tufa e poezive të fundit të poeteshës Lule Shameti, prurjet e paprera poetike të së cilës dallohen menjëherë, në ndriçimin e veçantë të syve, sapo në tavolinën e  saj, ka nisur të diskutohet për poezitë.

 

Sot është koha që poezi shkruajnë shumë njerëz. Shkaku është se natyra e brishtë e shpirtit njerëzor, ndeshet me ashpërsinë, brutalitetin dhe dhunën e përditëshme të ditëve të sotme, kur ngado bucasin britmat, klithmat dhe rënkimet për para dhe karrierë; pra për të sunduar mbi të tjerët me mjetet më të mundshme,e që nga të ligjëshmet dhe deri te të jashtëligjëshmet.

 

Lulja, kjo pasionante e vjetër e poezisë e ka ndjerë prej kohësh vorbullën e egër të shoqërisë që lexon përditë e më pak libra dhe në të cilën nëpërkëmbet brishtësia poetke.

 

E ka ndjerë dhe ka vazhduar të shkruajë. Të shkruajë në atë mënyrë, saqë edhe tani, pas kaq e kaq vëllimesh të botuar dhe një sërë trofeshë që ajo nuk harron asesi t’i rendisë me kujdes në sirtarin e dhomës jo edhe aq të  fshehtë , të ketë këtë ndriçim të veçantë të syve. Që e kanë vetëm poetët. Më të nëpërkëmburit e stinëve të kohëve të sotme , por edhe më të lumturit.

 

Askush nuk e provon jetën përmbi re, siç e provojnë poetët në vetminë e tyre , ndërsa vështrojnë me dhimbje dhe, sigurisht edhe me revoltë sipas natyrës së tyre personale dhe krahinore, se si shnjerëzohen njëri pas tjetrit shpirtërat njerëzorë.

 

Lulja është shumë e kujdesshme në përzgjedhjen e fjalëve të fjalorit të saj të pasur dhe zakonisht ulet e shkruan vetëm kur është e fyrmëzuar.

 

Të bën përshtypje një diçka e vaçantë në krahasim me poetesha të tjera të sërës së poeteshës labe.

 

Njerëzit të shtangur nga metamorfoza e menjëherëshme apo e ngadaltë e miqve, shokëve e shoqeve, të njohurve e të panjohurve, shikojnë një diçka që ka mundur ta mbajë të pastër natyrën e saj njerëzore. Dashurinë.

 

Thuajse që të gjitha poeteshat tona shkruajnë për dashurinë. Herë lavdërohen për të, zakonisht qahen, u shkruajnë dashurive të dështuara, të nëpërkëmbura, zhgënjimeve, ëmbëlsisë së saj, befasisë së saj, etj. Lule Shameti është më vizionare në vargjet e saja e në poezitë e saja.

 

Ajo në natyrën e saj , sado sensibël që është, nuk është aq e dërrmuar sa të shkruajë vetëm për dashurinë e ta shikojë bukurinë e shpirtit njerëzor vetëm apo kryesisht në dashurinë

 

Është për t’u lavdëruar ky vizion prej shqiponje i të vështruarit të jetës së sotme të Lules.

 

Nga Riza Lahi,Tirane 2010

 

_______________

 

Lule Shameti (Dhromi)

 

 

Ku arratiset dita...

 

Hena  s'ësht’ fajtore, sikurse dhe Dielli

 

Pse të kërkojë Hëna falje?!

se papritmas retë mbushën qiellin?!

frymën rrezeve t'hënës ia zunë,

sikurse ditës dhe rrezeve t'diellit.

 

Thua të ketë hëna faj!?

pse ju shkrep kokës reve rrugën t'i zënë!?

Thua dielli ësht’ mëkatar!?

-pse qiellit zoti e ka vënë.

 

Që të dy banorë të qiellit,

veç në lartësi të ndryshme,

Hëna ësht’ më afër tokës,

Dielli lart disi më ndryshe.

 

Lëreni diellin edhe hënën,

hapësirës tyre qetë,

se ata i krijoi zoti,

secili në fronin e vet.

 

Ku s'mund të mburren prej së koti,

s'mund t'i quash mëkatarë,

pse kanë një truall të përbashkët

qiellor,

yjet vargan si ushtarë.

 

 

Puls epoke

 

Zemra e kohës rreh

Verbërisht,

Pulsi kohës matet me zërat

E errët të natës.

Dritën e kanë poshtëruar,

Mistrecat e damarëve

Të orës njëzet e katër.

 

Zemra e kohës rreh me gulç,

Epokës duan t`i vjedhin

Bardhësinë,

Kohës i ka ngritur  errësira

Pusinë…

 

Damarë,

Të bardhët e epokës!

-mos lini errësirën t`ju përdridhet

rreth qafës,

si gjarpërinjtë kobarë!

Damarë,

që rridhni dritën e freskët,

Të vërtetën,

Mos lini Kalin e Trojës të mat` pulsin

Tuaj!

 

...

 

Helena ishte vec shkaku,

Synimi ishte vec Troja,

Se kuptove trim Menela,

 kur te rreshqiti shpata nga dora!?

 

 

Ku arratiset  dita…

 

Të falem ty,natyrë e qetë,

   O shpirt, o mrekulli e shenjtëruar,

     Ti ,që  frymëzimin ngre përpjetë  gjer tek  retë,

     

          ëndërrimet   m'i  derdh si përrenj të nxituar…

 

rilindim ,  ringjallemi,ripërtërihemi tek ty,

o mrekulli,

         aty ,ku takohen e lartësohen perënditë,

      ku arratiset  dita,perëndon  dielli,skuqet qielli,

    skuqet ,ndrin  edhe   fort   përflaket,

  një botë  e re për njerinë  e mirë  lind, 

tek shijon dehur dhe njëherë  oazet.

 

 

Brengë mërgimtari

 

Mirupafshim  luleshqerra

  çelura,plepa,ftonj,bajame,

Arra…

Qershi  buzëpjekura   rëndoni

Mbi degë…

Cila gjinkallë  këndon

Më e  para…

 

Ah,lamtumirë a pafshim,

Luleçelur  e  shegës,

Petaleerëmirë    mollëve,

Kopsht  i  mbushur plot

Me trëndafila,

Atje ku guit  e fle  uji krojeve..

 

…kodra  mbushur  tul    gjelbër,

o lumë i kulluar ,mban  brezit  ahishte,

do të jem  larg  këngës    zogjve...

 

Mirupafshim  vesë  e butë  e barit,

Fjalë  e ëmbël,ledhatim  i nënës,

Ndënë   rrezet  fijeholla    hënës

 Do të  jem  atje,atje  ku  mungon

Ngrohtësia  e  mëmës.

 

Dhe qiellit të  thellë e të kaltër

I  them;mirupafshim,se ika,

Sytë  e ndritshëm të yjeve mbi mua

Shteri;dhe  rrezet  e ngrohta të diellit

M'i derdh,atje ku të  jem,të jem,porsi drita.

 

 

Prore…

 

Pranverë , o kulm i frymëzimit,

Shpërthim i hireve njerëzore,

Shpirt, ti bëhesh më i bukur

Dhe pjesa  tjetër bëhet prore.

Kur ikin poetët

Poetët ndryshojnë stinët,

Ikin për të zbrazur dëborën

Nga shpirtrat

Dhe vijnë veshur me pranverë.

 

 

ZGJIMI....

(Çast pa pranga)

 

Dit' e bukur vjen prap e qeshur,

gazi dritës ndrit në shpirt,

kur agimi shpërvesh llërët,

i thërret errësirës :-ik!

 

Çelet ditë e bukur çelet,

porsi çelën tërë petalet,

mjalti ëmbël i shpresës mbetet,

brenda zemrës, si këngë e madhe.

 

këngë e bukur rrjedh si krua,

porsi ujë i kulluar,

vjen sërish jo vetëm çasti,

por gjithë jeta e gëzuar.

 

Teksa flladi pëshpërin,

plot ëmbëlsi përbrenda trupit,

teksa dielli rrezet ndrin,

shfaqet çasti shpresës purpurt.

 

Të rrethon si shall najloni,

ky gëzim i papritur,

tek djersët e lëngatës gjatë hedh tek honi,

bredh shpirt e mendje gëzuar,

si shpend mbi qiellin e ndritur.

 

Sa shumë të kisha pritur ty,

ty jetë e purpurt, e bekuar,

po m'u desh nj'agim i ri,

t'u thoshja tutje ditëve të munduara.

 

Erdh’ sërish ky çast i bukur,

këngë e gazit çeli shpirtit,

mbeti mjalti mallit mbeti,

si vesë e freskët trëndafili.

 

Bredh mes lulesh me aromë

 mes lulesh kopshteve shumëngjyrëshe,

nëpër jetën si një zonjë,

qiejve përzemër kishe.

 

Tani që jam një shpend i lirë,

dalë si zogu prej kafazi,

më kish' mbyll' një shpirt i lig,

jo nga afër, përsëlargu.

 

Fluturoj e bredh e lirë,

jo s'është ëndërr, kjo është jeta,

mendje zemër e gëzuar,

ku rishtas ndrin, i plot rilind,

buzagaz një çast nga jeta.

 

 

Botë  torollake...

 

Lamtumirë, shtëpi e ëndrrave të mia,

që të pata aq për zemër,

sallonet përbrenda nuk t'i njihja,

ndaj trokita si e dehur...

 

...dhe nuk qesh' n'asnjë udhëkryq,

tek shihja botën torollake,

që vërvitej si një sfinks,

me sqep të fshehur të më ndalte…

................

 

 

Këngëtar Orfe...

 

Vështroj qiellin e mbyllur,

gjethet pemëve zverdhur pak,

po më shumë degë gri,

buzë  pranverës plot freski,

ftohtë ke ti, a ngrohtë ke ti!?

 

Thua Hënën e dua,

flokët e arta nëpër mbrëmje,

shkon vetmia gjer në thua,

si heshtje gjatë e kësaj mbrëmjeje.

 

Veç një pelte e rremë qetësie,

shtrohet heshtas që pas perdesh,

nuk të lodh ty det mërzia,

tek më mbyt me petale melhemesh.

 

Ma shton dhe më shumë mërinë,

lëngatë e kotë e kësaj kënge,

se veç zërit të sirenave,

Këngëtar Orfe,

Kurrë  se pashë fytyrën tënde! 

 

Kujt?

Kujt i duhen shkurret,

kur ndër to lulëzojnë lulet…

 

 

DHE E NESËRMJA VJEN…

(ditë natës)

 

si pupla  të pjekura ngjyrash,

pulitur, shpalosen puthitur,

hapur kapakët e ditëve…

 

imazhi ëndërrt,

të realtën e mundtë

nga e pamundshmja kërkon,

si thelë e pjekur mishi,

me të ngrohtën aromë.

 

Një grup ditësh t`uritura,

Mbledhur flok dëshirash si shirit,

Veshëve të mbrëmjes rrëshqasin

Biseda     shqetësuara,

Nga sqetullat e ëndrrave përbri.

 

Një grup netësh  mbledhur madhërisht,

Si kërpudhë,

Mbi to lukuni yjesh

Dhe poshtë s`ka udhë…

 

Dhe  të tjera netë të grunjta,

Si grumbuj shkëmborë,

Zgërlaqur hedhurina  vezullimesh…

Livadhi i natës,  i thellë si hon.

Lehje qensh,

qenushësh gri,

Stomaku kohës mbushur…,

Si tenxhere me turli…

Dhe s`është kjo natë   veç për errësirën

E errët, as për meteorët, as vështrime djerrët…

Dhe dielli nga hundë e muzgut,

Ditë-natës, krahët i kthen,

Djellishten marrë ka lënë,

Dhe e nesërmja vjen…

 

 

Të shtrenjtës sime,poezisë!

 

Kur zymtësia më mbështolli,

Të bukurës sime iu drejtova,

Kur lumturia më buzëqeshi,

Në krahët e ëndrrave fluturova…

 

Kur zemra ime mbeti tharë,

Tharë nga xhelozia,

Si shtrati i lumit pa ujë

Mbenë dhe ëndrrat  e mia…

 

Por tek ty, e bukura  ime,

Tek ty gjeta  shërim,

U ula në krahët e tu,

Ti më nise  n` fluturim!



(Vota: 32 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora