Kulturë
Fuat Boçi: Në vitet e luftës 43-44, m’u desh të shisja petulla edhe tek ushtarët gjermanë
E diele, 28.03.2010, 12:19 PM
Flet “Artisti I Merituar” princi i humorit fierak, Fuat Boçi
Fuat Boçi
Lipe Shtogu dhe “Doni më për Belulin” ngelen rolet më të dashura
Në vitet e luftës 43-44, m’u desh të shisja petulla edhe tek ushtarët gjermanë
Albert ZHOLI
Fadil Shehu
- Artisti i Merituar dhe Qytetar nderi i qytetit të Fierit, Fuat Boçi, erdhi në jetë 75 vite më parë nga një familje punëtore shqiptare në fshatin Voshtinë (sot Opogonianë) i cili ndoshet brenda territorit grek. Në vitet e fëmijërisë ai dallohej në shoqërinë e mirë të bashkëmoshatarëve të tij. Ndërsa në vitet që do të trokisnin më pas, në shkollën fillore duke thurur ëndrat e moshës më të bukur, papritur nisin e shuhen. Ishte fundi i vitit 1937Ç, kur shovinistët grek masakruan e terrorizuan qinda familje shqiptare. Mes tyre këtë fat e pësoi edhe familja e Fuatit, e cila detyrohet në mënyrë të dhimbshme të shpërngulet nga trojet e veta, duke u strehuar përfundimisht, në trevën e Myzeqesë, në lagjen e vjetër "kishë", sot "Kongresi i Përmentit", të qytetit të Fierit. Në këtë qytet jugor të shqipërisë Fuati 13-vjeçar, për të siguruar bukën për tërë pjestarët e familjes, detyrohet të punoj
si petullashitës deri në çlirimin e vendit. Krahas punës atij i lind dëshira për të ndjekur filmat që shfaqeshin në kinemanë e qytetit. Por për arsye financiare për të parë një film, së bashku me dy apo tri shokë, atij i duhej të hynte fshehurazi dy orë para filmit, dhe në njërin kënd të sallës, të qëndronte ashtu deri sa të fillonte shfaqja e filmit. Shumë shpejt Fuati arriti të dashurohej me artin e skenës fierake, ku shpesh ndiqte me ëndje lojën e ,mrekullueshme të Nestor Pogaçe, Sila Çuko, Thoma Rrapi, Violeta Bakalli, Lake Panajoti, Lejla Muço, Liri Dhimitri, Veniamina Muço e të tjerë. Por ardhja e shpeshtë e djaloshit me trup paksa të pakët, në këto shfaqje, nuk i shpëtuan syrit të regjizorit Llazar Verria, i cili shumë shpejt i ofroi dhe i besoi djaloshit figura të cilat do të admiroheshin nga publiku. Ndonëse në fillim ai u njoh si këngëtar dhe më pas si aktor, me meritë arriti të shfaqte
talentin dhe suksesin e vet në vitet 1951-1953. Për herë të parë në interpretimet e tij në dramat "Kopështi i Jargavanëve", "Nën gështenjat e Pragës", "rruga e madhe", me regji të regjizorit Pirro Mani, Spiro Uruni, tek Fuati shënuan sukseset e para. Urë lidhje frytdhënëse më pas ai krijoi dhe me artistë të njohur si Ibrahim Nova, Avni Mula, Pandi Peleshi, Gaqo Avrazi më të cilët u bë shumë mik. Shfaqjet e suksesshme të trupës amatore ë Fierit, bënë që në vitin 1957, kjo trup të pagëzohej me meritë në trup profesioniste regjizor i së cilës ishte Llazar Verria, Qysh në zanafillën e krijimit të estradës profesioniste, Fuat Boçi, u shqua jo vetëm si këngëtarë, parodistë e valltarë, por madje edhe si aktor drame, komedie e skeçi. Dhjetra e dhjetra role të tipave e karaktereve të ndryshme në veçanti në gdhëndjen mjeshtërore të figurës së Myzeqarit, që prej vitesh ai e ka mmarr me "tapi", e ka
lartësuar atë si një nga artistët e humorit shqiptar në tempullin e artit të vendit tonë. Me mirënjohje ai kujton të paharruarin regjizorin Llazar verria. Duke qenë brumi i tij, ai ishte i pari që na ngjiti në skenë, kur ne ishim ende me pantallona të shkurtëra. Galeria e Fuat Boçit po rritej në numër e cilësi. Shfaqjet e artistëve fierakë nisën të vlerësoheshin në mbarë vendin. e, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur përreth Fuatit publiku do të përkrahte si sukses të padiskutueshëm edhe lojën e partnerëve Kujtim Jorgaqi, Natali Mëhilli, Leonidha Prifti, Luftar Paja, hasan Bregu, Vasil Vaso, në praninë e regjizorëve Pëllumb Kulla e Koço Papadhopulli, dhe krijuesve të njohur Naum Prifti, Maku Pone, Dionis Bubani, Tasim Aliaj e të tjerë. Zor se mund të gjesh ndonjë artdashës, që të mos ketë qeshur, madje të imitoj figura e karaktere nga repertori i pasur plot kolorit i aktorit Fuat Boçi. Me origjinalitet
artistik ai ka mundur ti servir publikut figurën e punëtorit, dembelit, fshatarit, burokratit, intelektualit, deputetit... Por jo të gjithë këto role nuk mbeten gjurmëlënës e të përkryer, pasi kurrsesi nuk mund të dalloheshin rolet e Lipe Shtogut, Cfurku, Belul Gjeraqina deri tek ndër figurat e kohëve të fundit "Llazi bëhet me dhi". Do të ishin sërish bashkëpuntorët e tij si : Dhimitër Jano, Xhuljeta Kulla, Todi Llupi, Arqile Lipe, Fatos Sela, Ilir Bezhani, Sotir Stefa, të cilët do të kontribuanin denjësisht në plotësimin me vërtetësi të figurave artistike të aktorit Fuat Boçi. Por ashtu si për çdo njeri dhe jeta e personazhit të telereportazhit tonë Fuat Boçi, ka "lundruar" në batica e zbatica të ndryshme. Ndërsa si momentet më të lumtura të jetës së tij, të përmend ardhjen në jetë të fëmijës së parë, vajzës, të pagëzuar me emrin Diana dhe më pas të vajzës tjetër dhe djalit. Jo pa trishtim
Fuati të flet edhe për vdekjen e parakohëshme të bashkëshortes së tij Afetes. Ndonëse tashmë fëmijët, nipat e mbesat e tij nuk i ka në Fier, por në Tiranë edhe në Athinë, ai lumturohet kur ata i vijnë shpesh për vizitë, u gëzohet cicërimave të nipave e mbesave që aq shumë u ngjajsojnë cicërimave të zogjve që Fuati i dëgjon shpesh në lulishten me pisha përballë shtëpisë së tij fare pranë sheshit "Fitorja".
Përherë të respektueshëm e sheh vehten ky Artist i Popullit, jo vetëm sepse ai është i vlerësuar me titullin Artist i merituar apo Qytetar Nderi i qytetit të Fierit, por sepse humori plot kripë i Fuat Boçit ka pushtuar ndjenjat e publikut të çdo moshe në vendin tonë. Padyshim është kjo një dashuri njerëzore që e fitojnë vetëm artistët e mëdhenj. Ashtu si artin dashuruar përjetësisht, Fuati pasion të dytë të jetës së tij mbart edhe gjuetinë e peshkut. Arti dhe peshkimi janë oksigjeni i jetës sime pohon plot siguri Fuati. Ai tregon me modesti për sportin e peshkimit, për zbardhjen shumë shpejt të ditës së re, dhe ardhjes së shpejt dhe pa u ndierë të mbrëmjes. Por Fuati tregon edhe për shoqërinë me shokët e tij peshkatarë, tregon edhe për gjuetinë me Kadri Roshin, Nderin e Kombit të artit shqiptar. Tashmë tek ai po trokasin "pa leje" 75 vitet e jetës. Janë 75 vite që për një njeri ndoshta është
shumë, por për një tjetër artist është pak. Ndaj me besim në vetvete duke u ndier ende i fuqishëm, me buzëqeshjen e çelur në buzë ai shprehet se : "Unë do të divorcohem nga skena, kur ajo të më braktisë mua". Duke ecur më tej në arterie të reja të "minierës", së aktorit të talentuar fierak, mësuam se çfarë mendon ai për artin, për ecurinë e mëtejshme të karierës së tij artistike, për shoqërinë shqiptare,... dhe gjithçka ai e shpreh nëpërmjetë intervistës ekskluzive zhvilluar me të enkas në ditët kur Fuati do të festonte 75-vjetorin e lindjes së tij.
-Fuat Boçi : "Në skenë do të kem role edhe më të bukur"
- Zoti Fuat, konsideroheni si një ndër figurat më të spikatura të humorit shqiptar. Ndiheni i kënaqur për këtë vlerësim?
- Mendoj se çdo njeri në punën e vet nuk duhet të kënaqet me atë çka ai ka arritur. Të konsolidosh atë profesion të cilit i jë përkushtuar, padyshim kërkohet më shumë punë. Gjatë jetës sime artistike sigurisht edhe unë kam patur oshilacionet, baticat e zbatica, por ashtu si mjaft kolegë të tjerë të suksesshëm, kam patur disa maja, të cilat më kanë sjell buzëqeshje gëzime. Për gjithçka kam arritur i jam mirënjohës publikut.
- Si aktor keni arritur gjithçka në artin që të fal gjinia e bukur e humorit, po si qytetar, për çfarë ndjen më tepër nostalgji?
- Nostalgji sigurisht ndjej për brezin tim, i cili edhe pse nuk e njihte këtë lloj arti, dalëngadalë me përkushtimin e regjizorit të mirënjohur Llazar Verria, arriti të krijonte me meritë fizionominë e vet. Ndjej nostalgji për atë kohë, pasi nga viti në vit, me punë e këmbëngulje, i transmetonim publikut gjithçka të re, të kohës ashtu si ai dëshironte.
- Për origjinën tuaj ka diskutime... vërtetë Fuat, cila është origjina e saktë e juaja?
- Jam puro shqiptar, paçka se unë kam lindur në Voshtinë, nën fshatin Çatistër, pranë Libohovës.
- Si ka arritur jabanxhiu Boçi të flasë kaq shqeto myzeqarçen?
- Po unë jam rritur në këtë trevë.Të rritesh në Myzeqe do të thotë se je myzeqar, pra unë jam fierak. E folura shqeto e myzeqarit, mendoj se është një dhunti e imja, por edhe një përkushtim, edhe një pasion për të mësuar nga më të vjetrit të folurën, zakonet etj. Afrimi me ta më ka ndihmuar mjaft edhe si artist në përdorimin e akcentit myzeqar.
- Mos do të thoshit se edhe Lipe Shtogu është një sinonim i kësaj treve, figurë aq e besueshme dhe e pëlqyer në gjithë vendin?
- Sigurisht. Lipe Shtogu doli një prototip vërtetë myzeqar, i cili shumë shpejt u ngulit në mendjen e spektatorit. Edhe pse kanë kaluar vite, ai përsëri mbetet i freskët, dhe mbahet mend, sepse ai transmetohet nga brezi në brez.
- Një figurë tjetër e spikatur, mbetet dhe roli i Llazit, vlerësuar me të drejtë me Belulin...
- (Qesh). Eh, llazi, Llazi! Ndjej vërtetë kënaqësi me këtë rol, pasi tashmë Llazi është bërë "lajtmotivi i ditës" jo vetëm në Fier, por edhe në mjaft qytete të tjera, ku shpesh ai transmetohet edhe nga televizione të ndryshme. Këto ditë me mikun tim Zoi papa ishim në Kavajë. Siç duket ky skeç ishte parë edhe në Kavajë sepse njerëz të ndryshëm më flisnin : Llazi, o Llazi! Po kështu edhe në Lushnje. Në stadiumin e Vlorës tifozët thërrisnin : O Llazi, çoje dhinë! duke mos folur pastaj për banorët e qytetit tim.
- Si keni arritur që rolet tuaja të mbeten gjatë në kujtesën e çdo spektatori?
- është e vërtetë se krahas materialit të përzgjedhur që duhet të jetë patjetër interesant, krahas tij, duhet të jetë i pranishëm edhe pasioni e përkushtimi i aktorit. Pra autori i jep skeletin, por ti si artist duhet ta mbushësh bukur këtë skelet me mish e me gjak, ta gjallërosh, ta bësh taë flasë e të ndjejë. Kjo ka rëndësi, në mënyrë që te publiku gjithçka të serviret besueshëm dhe pëlqyeshëm. Nëse materiali letrar është i bukur, regjizori i aftë dhe i zoti për këtë punë, edhe aktori, i jep jetë këtij materiali.
- Për ju Fuiat ishte thonë se i hani shumë petullat, por për çudi ne kështu ju njohim me këtë trup të hollë, elegant si sportist... Si është e mundur që ato të mos ju trashin?
- (Buzëqesh). Dëgjo, kur unë isha 13-14 vjeç, për të siguruar edhe bukën e familjes në vitet e luftës 43-44 mu desh të shisja petulla jo vetëm në Fier, por edhe në rrethinat e tij, madje edhe tek ushtarët gjermanë. kolegu im Vasil Vaso që këtë të vërtetë e mori vesh këto ditë, u çudit. Po unë këtë profesion ambulant e pasova dhe pak vite të tjera...
- Përsëri ju mbani të fshehur edhe historinë e kaposhit të farës, i cili njihet edhe nga publiku si një ndër skeçet, më të realizuara, me Artistin e Popullit Luftar Paja...
- Luftari, duke u njohur si aktor me një ekuilibër të çuditshëm, mendoj se rolet e zonës së tij Mallakastrës, por edhe ato të Labëris, i ka bërë pronë të tij, pra i ka me tapi. S'ka se si të ndodhë ndryshe, kur për partnerë ke Luftar Pajën, do të arrish patjetër sukses...
- Ku e gjen forcën Artisti i Merituar Fuat Boçi i cili edhe pse po troket tek 75 vitet e jetës së tij, sërish mbetet i preferuari i skenës së "Bylisit"?
- Unë këtë zanat kam patur tërë jetën time dhe këtë zanat nuk dua ta përbuz, pasi atij i kam dhënë gjithçka nga shpirti im. Nëse e quan veten vërtetë artist, atëherë përkushtoju dhe shkrije jetën tënde si aktor...
- Çdo të thotë të jesh atrist?
- Të jesh artist do të thotë të pushtosh ndjenjat e spektatorit, botën e tij të brendshme shpirtërore, duke i falur momente emocionale, që atë ta lumturojnë, duke i larguar paksa streset e ditës.
- Ndoshta do t'ju prek paksa ndjenjat, duke parë se kohët e fundit ju jetoni vetëm, pasi bashkëshortja, kolegia, shoqja juaj e jetës, Afetja nuk jeton më midis nesh. Si ndiheni para kësaj mungese të madhe?
- (Mendohet). Njeriu në këtë jetë është jabanxhi. Ashtu siç mund të vijë ashtu dhe mund të iki. Por njeriu duhet ta jetojë jetën ashtu siç i vjen dhe asnjëherë nuk duhet ta fyej atë. Ndaj edhe vdekja është vazhdim i jetës, e cila të sjell dhimbje. Për të vazhduar jetën timë s'mund të qëndroj i gjunjëzuar me ndodhjen e kësaj gjëme. Mua më iku bashkëshortja, me të cilën lidha jetën dhe zoti më dha dy vajza dhe një djalë, tashmë të tre të martuar dhe me fëmijë. Edhe pse tani fëmijët e mi ndodhen në Tiranë dhe në Emigracion, nuk e ndjej në asnjë moment vetminë, jam plotësisht i bindur se nëse më lind një problem e trokas në derën e çdo fieraku, besoj se do të më hapet dera.
- Fuat me rastin e 75 vjetorit tuaj, prite “dasmorë” nga gjithë vendi. Ç'përbënë kjo ngjarje për ju?
- Veç lumturisë ndjej mirënjohje e respekt për spektatorin, për kolegët e mi në të gjithë vendin. Vërtetë mbusha 75 vjet, por kjo s'do të thotë se ndihem i plakur. Përderisa kam frymëzime e projekte të reja, unë s'kam përse të tërhiqem nga skena. Këto ditë do të punoj me një rol nga komedia e Dhimitër Psathari, do të punoj me disa fabula të Ali Asllanit, një reportazh nga humori im në vite, duke mos përmendur këtu angazhimin tim në trupën e estradës së Fierit. Nuk e kam menduar asnjëherë largimin nga skena, sepse atje është vetë jeta ime.
- Dikur shkrimtari Anastas Kondo pat shkruar tregimin për mjeshtrin e avarive në naftë, Sheme Mara, me titull "Mos ardhsh kurrë Sheme Mara", ndërsa ne do t'ju urojjmë "mos vdeksh kurrë, o Fuat Boçi"!
- (Buzëqesh). Ju falenderoj ju edhe gjithë njerëzit që më bëjnë shpesh urime të tilla në rrugë. Megjithatë vdekja, si ligj i natyrës, një ditë do të trokasë edhe tek unë. Duke mos menduar se kjo gjë do të ndodh, unë do të jem i angazhuar deri në pafundësi për artin. Ndaj unë di vetëm të punoj. Me anë të kësaj interviste do të falenderoj gjithë ata që më kanë uruar për 75-vjetorin e lindjes sime, kolegët e mi nga gjiyhë vendi, duke mos harruar spektatorin e mrekullueshëm shqiptar, të cilit ne, artistët, do t'i jemi borxhlinj gjithë jetën.
- Çfarë kanë vlerësuar tek artisti fierak Fuat Boçi, personalitete të skenës shqiptare.
- Kadri Roshi Nderi i Kombit - Tiranë
- E kam parë shpesh herë në skenë me skeçe të ndryshme. Fuati ka ditur të skalis me mjeshtëri mjaft figura. Pra për të gjithë rolet që ai ka interpretuar, me të drejtë mund ta quajmë mbret të skenës.
- Pëllumb Kulla - Ish regjizor -Nju Jork (SH.B.A)
-Fuati ka dhuntinë e çmuar të vëzhgimit të jetës, duke qenë mjaft sistematik në punën me tekstin dhe tepër korrekt me punën mizaskenike.
- Koço Papadhopulli - Ish regjizor - Athinë
- Qysh në proçesin e tavo;inës unë shikoja tek Fuati shkëndijat e figurave të ardhshme të cila qysh aty pretendonim për një pasqyrim dinjitoz.
- Roland Çarka - Aktor, regjizor - Filadelfia (SH.B.A)
- Edhe pse me një skeç humori prezantohej natyrshëm, si aktor Fuati do të punonte me rolin deri sa ai të mbushte të plotë atë, me pasionin e një aktori tepër të veçantë.