E enjte, 01.05.2025, 08:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Dy poezi nga Dibran Demaku

E shtune, 27.03.2010, 06:02 PM


Dibran Demaku

 

 

RAPSODI

 

Rri zgjuar e ëndrrës ia bën me sy

rri zgjuar me shpresën e mbyllur nën dry

rrugëve të stërgjatura të botës së mërgimit

askund dhe askurrë një udhëkryq takimi

 

Eh miku im apo imja mikeshë

malli e pasioni e mbajnë trurin peshë

vullkani i fjetur ndër vite filluar ka zgjimin

rrugëve të atdheut duke pritur kthimin

 

Në buzëmbrëmje e agime me Itakën u ngopëm

duke thirrur u lodhëm Odiseun e Penelopën

në një ritakim gjithmonë shpresuar kemi

me diell në duar meridianeve nga vemi

 

Kënga e Rexhes ushtuar ka ndër stinë

e në zemra nënash zgjuar e ka mërzinë

Gjogu i harlisur pa mëshirë shkelur ka mbi barë

rrjetë e merimangës në trarët e shtëpisë varë

 

Motra e Avdisë lotuar ka në Vraninë

shekujve harruar ngrysur ka rininë

lotët e saj tronditur kanë Liqenin e Shkodrës

shaminë e vajzërisë varur tek gur i votrës

 

Kullë e Oso Kukës pa çati veç gurë

në lashtësinë e moteve dritë e fikur kurrë

këngë e qiftelisë e këngëtarit me zemër

Sali a Riza a Agim një emër...

 

 

NË KUNJË THESI

 

Mos e nxirr helmin nga goja

se e plakë këngën para kohe

e këngëtarit ia shëmton rrudhat në ballë

rexhur në netët e errëta të furtunës

 

Helmi e pëlcet edhe palcën e gurit

që dielli me rreze ngrohur e ka

nëpër stinë e shekuj

 

Ëndrrat lindin të trishta

e dita thyhet që në të aguar

hapi merr në thua e rrëzohet

 

Horizonti ngrihet vertikalisht

hëna derdh lotë në maje lisi

shkëlqimin e bardhësisë e humbë  Plisi

 

Një hap më tej e trupi humbë drejtpeshimin

koka lëvaret si një mollë e krimbur

gjarpëri ka zënë pritë në mes të një shtegu

zogu cicëron frikshëm mbi një kaqubë mali

 

Dhëmbi i ujkut varë në qafë fëmije

plaku syshkyer e tmerron dhe diellin

botë e tërë e varur në një kunjë thesi



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx