E merkure, 30.04.2025, 08:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Sherifi: Në tavernën e zemrës sate

E premte, 26.03.2010, 10:40 PM


Në tavernën e zemrës sate

 

(Fragmente nga libri i Skënder Sherifit “In taverna inimii tale / Në tavernën e zemrës sate”, që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht. Lënda poetike e përkthyer nga gjuha frenge nga në gjuhën shqipe nga Ibrahim Rugova, Violeta Kraja, Albert   Nikolla, Anton Papleka, Artan Fuga, Ergisa Bebja, Skënder Sherifi, dhe nga gjuha shqipe në gjuhën rumune nga Baki Ymeri dhe 7 poezi nga Ioana Trica).

 

 

FORMAT E MAHNITSHME TË IDESË

   

Ç’është femra, parashtrohet pyetja të cilës mund t’i përgjigjesh në njëmijë mënyra, edhepse askush nuk garanton se ke të drejtë. Përse nuk garanton askush? Ngase ende nuk gjendet një përgjigje e fundit për pyetjen “Ç’është femra”, dhe mu për këtë, gjithë bota pyet. Ç’duhet bërë atëherë? Asgjë veçse të përgjigjesh edhe ti në njëmijë mënyra, derisa të të bëhet e pamundur përgjigja e qëlluar. Domethënë, “femra është një ide”, ndërsa njëmijë përgjigjet tua për hamendjen e botës i gjejmë si forma të befashueshme me të cilat e veshim këtë ide.

          Poezinë e Skënder Sherifit të vëllimit Në tavernën e zemrës sate, mund ta shpallim si një befasi të obsesioneve, duke e përfshirë në lojën e imagjinatës, apo të një zgjatjeje të gjendjes për mirësi në fqinjësinë e reales së mahnitshme, gjendje e ndryshueshme dhe shpesh halucinante, siç janë dashuria dhe femra një gjendje e këtillë. Poeti gjen prehje në kotarin e admirimit, të kontemplacionit dhe platonizmit të pafajshëm, siç i ka hije, duke shfrytëzuar, megjithatë, formula interesante, shpeshherë duke iu shmangur diskursit estetik që të shpie në trojet e livreskut me shprehje si “Për ty mendoj/ Në bulevardin e Hazardit/ Nga heshtja e Fjalëve/ Nën heshtjen e Shikimeve/ Në çdo klithje Intime/ Një dallgë shpirti kemi/ Nuk ka kurrfarë dyshimi:/ Je Bing-Bangu i Shpirtit tim” (Silencio).

     Mund të jetë nje kremte e zemrës, apo vetëm një ushtrim admirimi i Skënder Sherifit, ky vëllim vlerash të seleksionuara, me të gjitha elementet e domosdoshme që i ngërthen, sidomos me poezinë, ngase tejmatanë provokimeve të disa poemave që pezullojnë ndërmjet krasitjes së refleksionit dhe tentacionit për rikthim në metrin antik, poeti ateston edhe një teknikë të mirë të transmetimit të mesazhit personal, me tushime të qarta autentike, duke frizuar vlerat, madje gjenialitetin, po qe se lexojmë siç duhet vargje që kanë të bëjnë me dashurinë e pakufishme, të thellë, sublime, hyjnore, të përjetshme: “Të dua/ Tejmatanë Bing-Bangove të pakufishme/ Tejmatanë përflakjeve të padëgjuara/ Tejmatanë fillimeve verbëruese/ Tejmatanë agimeve të heshtura/ Tejmatanë hapërirave të kohës” (Rainbow Feeling).

     I madh është ai poet që, duke luajtur me atë që është më banale në shprehjen e një gjuhe, t’i prekë rezervat e fundit deri në atë shkallë, saqë të të intrigojë me to, derisa ta shajë edhe dreqin duke ia gjetur fshehtësitë e lazdërimit. I madh është ai poet që, duke shfrytëzuar grandolokuencën e fjalëve të prehta, të të obligojë ty, lexues i çdo kalibri, ta thesh pasqyrën e përfytyrimeve të kota, duke mbetur ndërmjet gjendjes së çuditshme të poetit dhe dembelizmit tënd relativ, dhe të kalosh tejmatanë, në një realitet që s’i përket poetit, ngase poeti është një vlerë autentike, një privilegj i përkushtuar durimit dhe besimit se nuk e humb kohën kot duke e lexuar: “Dashuria është shembur/ Në një Shkretëtirë Trëndafilash/ Dhe Ylli e ka mahnitur/ Ushtarin që prehej/ Në lulishten e Përmallimit/ Në një mëngjez të Rreshurash/ Duke e kërkuar Femrën sublime/ Që e pret Dashurinë” (Projekt personal).

     Njësoj si Zoti në njërën nga ditët e Tij të mira, Skënder Sherifi rritet duke i kërkuar falje, i nënshtrohet duke u nënshtruar, mbledh hapësirë, kohë dhe femrën në një elozh absolutisht të jashtëzakonshëm, pothuajse të gulçuar përmes hijeshisë së nënshtrimit që e plason poetin në platformën e vlerave dhe mirënjohjes definitive. Ja se ç’po ngjet në një situatë të këtillë: Në poemin “Gjum i thellë”, e dashura e poetit dremit lakuriqe, në anën e mëngjër të zemrës së tij. Ai e fton me fjalë të ëmbla: “Të dua, e Dashur/ Shpirti im i florinjtë/ Me kundërmim Levantine dhe Lulesh/ Gjestet tua shëmbëllejnë me Lumurinë tënde/.../ Dëshira jote e fshehtë më mundon”, ngase vetëm dashuria është ajo që meriton të digjesh për të, ngase vetëm poetit i ka hije të digjet për dashuri. Ma merr mendja se Skënder Sherifi ka gjetur në këtë vëllim një nga njëmijë përgjigjet e pyetjes “Ç’është femra”. Edhe po qe se nuk e kënaq poetin, kjo përgjigje është e mjaftueshme për lexuesin, dhe sidomos për përkthyesin e kësaj vepre, një ambasador i përjetshëm në oborrin e dy gjuhëve tona.

 

                          Mihai Antonescu

 

 

          NËN DRITËN E MAGJISË

 

Një  takim tjetër i nevojshëm për të integruar galerinë e portreteve të shkrimtarëve me rrënjë nga Kosova letrare dhe artistike gjen vend „nën dritën e magjisë” së ushtruar nga Skënder Sherifi. Vëllimi i tij antologjik „Në tavernën e zemrës sate” (Bukuresht, 2010) nuk bën tjetër veçse konfirmon dhe nxjerr edhe më shumë në evidencë materialin e pasur bio/bibliografik të seleksionuar për këtë autor, te i cili interferencat multikulturale funksionojnë në mënyrë tejet interesante, si në planin social/identitar, po edhe në atë artistik, duke determinuar lapsërimin e një portreti potencial të autorit, një portret afektiv të cilin ia realizon lexuesi për t’ia rrumbullakësuar impresionin personal të tij në lidhje me këtë. Ngase njëra nga temat më ngashnjyese të Skënder Sherifit është mu kjo portetistikë soditëse gjenerale e afiniteteve intelektuale me një totalitet artistësh të vlefshëm, shumica të mbetur në kujtesën afektive të humanitetit.

         Impresioni predominant është se poeti nuk i dedikon poezitë, por më parë është i inspiruar nga emra të mëdhenj vedetash femërore, bukurishë apo famash epokash të ndryshme që ia okazionojnë (rastësojnë) këto kuazi/evokime apo dedikime të zbukuruara me mjeshtri artistike.  Në këtë mënyrë vetë portretizuesi është i portretizuar, në rendin e tij, aq saqë  ai i ka përshkruar në fjalë  emocionet e përjetuara në ato momente ekstazi kur simboli apo muza inspiruese e kanë nxitur të eksperimentojë gjendje sublime.  Përfytyrimi poetik krijon më shumë se sa një portret të seks/simbolit apo artistit të nderuar, dhe kështusoj lexuesi zbulon sqena të vërteta të futura në vepër me detaje të imta, pikante dhe joshëse, admiruese dhe pasionale.  Këto manifestime dashurie e tejkalojnë kështusoj nivelin e dashurisë platonike dhe përfitojnë jetë përmes amprentës  personale të autorit. Mbeten, megjithatë, situata në një nivel estetik përmes pasurisë së imagjinatës së poetit, që e fisnikërojnë tabllotë e dukshme apo sqenat e përbashkëta, të përkushtimit apo nderimit, ngase i rikonverton në poezi onirike/ëndërimtare. Në këtë kontekst del në pah fusha e preferuar e autorit, fantastikja, si dhe fjalori i tij poetik që inkuadrohet në një zonë të fjalëve të specializuara që transmetojnë familje fjalësh që sugjerojnë përmes sinonimisë këtë fushë semantik: magjinë, hyjnoren, kënaqësinë, guximin, deliriumin.

           Nuk duhet të kërkojmë ngjashmëri ndërmjet përfytyrimit publik të vedetës publike dhe asaj që e riportretizon autori ngase kjo është e rikrijuar përmes interpretimit personal të tij, duke krijuar kështusoj një portret që nuk i përket planit real, filmit, pjesës teatrale apo tablloideve në të cilat del në pah vedetja, por planit të imagjinatës. Është një tjetërsim i asaj që ngjet edhe me piktorët surealistë, punimet e të cilëve, peisazhe apo portrete, janë gjithnjë e më shumë, komentimet dhe interpretimet e botës reale dhe të shëmbëlltyrës, e jo një reflektim në pasqyrë apo një riprodhim i ngjashëm. Nuk është as rasti i autorit, i cili madje thekson në një poezi se ka nevojë për brendinë, siç ka nevojë Pikasoja për Pikasonë („Çka duhet të shtoj?”). Për atë, nuk duhet të kërkojmë portrete konvencioanle, forma apo pronësi të shëmbëlltyrës, por gjendje revelacionesh dhe degdisjesh të ngadalshme, shëmbëlltyra duke ikur nga korniza, për të eksploruar vetëndezjen në hipostaza të reja të një lirie të pakufishme: lirinë për t’u konektuar në  bukurinë e magjsië. Në „Albanian Twist” autori pohon: „Unë nuk di si të ulërij/ Për dashurinë time deri në Qiell/ Kur Arsyeja e ka humbur Arsyen”.

           Më duket se kjo ndikon që lexuesi të zbulojë dalngadalë se autori din ta portretizojë me mjeshtri muzën apo mitivin/simbolin e portretizuar, proçede përmes të cilit portretizimi shpreh duke sugjeruar mahnitjen ngase fjala është për një portret afektiv dhe subjektiv, fakte relevante në kuadrin e poezive kushtuar Sharon Stones (Bing-Bangu i shpirtit tim), Jeanne Moreau (Një dritë magjike në zemrën e Diellit), Ava Gardner (E  dashura e shtrirë në fushë orkideshë),  Greta Garbo (Prezenca dhe Mungesa ime/ Unë jam i dashuri yt që përmendet në Bibël), apo Sofia Loreni e përflakur dhe e qartë, që takohet me imagjinatën e poetit në botën stelare, duke konsumuar së bashku pasione të zjarrta që digjen „Në linjat e Duarve të mia”, kur ëndrrat tona fshihen „Si një Përrallë e vjetrër/ Ndërsa Valët e Detit/ I rruajnë Kujtimet tona”.  Janë vargje sugjestive që vetëm në poezi mund të shndërrohen në një përrallë dashurie të cilën vetëm valët e detit mund ta fshehin në gji. Këtu vërehet dinamika e foljes/verbit/aksionit, si dhe fakti se autori realizon një efekt të fuqishëm poetik përmes diferencës së mbrujtur me kuptime të ndryshme kategoriale, duke i prurë në kujtesën tonë valët e përbujshme të detit, duke e prurë para syrit tonë Afërditën e Ujërave (Catherine Deneuve), Marylin Monroe (Stuhinë e dashurisë), apo Elisabeth Taylorin dhe Brigite Bardonë, Besa Zhutën dhe artistë të panumërt (Jean Arp, Yves Tanguy etj.) apo poetin Robert Desnos.

         Për kuriozitet, nga një ushtrim i thjeshtë raportimi, e mora tekstin „Farurile/Les phares, poezi në të cilën Charles Baudelaire,  poeti dandy, i ndodhur në udhëkryqin ndërmjet romantizmit, parnasizmit dhe simbolizmit, evokon Rubensin, da Vincin, Rembrandtin, Goyan apo Delacroixin: „Rubens, fleuve d’oubli, jardin de la paresse,/ Oreiller de chair fraîche ou l’on ne peut aimer,/ Mais ou la vie afflue et s’agite sans cesse,/ Comme l’air dans le ciel et la mer dans la mer”. Mirëkuptohet se korrespondencatme këta veteranë të artit letrar, janë një pikënisje edhe për Skënder Sherifin, shqiptari frankofon që trajton me mjeshtri artistike këtë gjini të poezisë, në mënyrën e tij personale, duke qenë një njohës i mirë i poezisë frenge, gjë që dëshmon se është një inovator i lindur për zbukurimin e botës me art, dhe se është një shprehje e epokës që i përket çdo artisti.

Duke u rikthyer te vëllimi i përkthyer nga Baki Ymeri dhe Ioana Trika, vërejmë se një pjesë e teksteve të Skënder Sherifit, përmes strukturës së tyre narative, si dhe përmes përmbajtjes dhe mesazhit, janë Ars Amandi të vërteta, ndërsa pjesa tjetër janë poezi tejet moderne dhe art poetik i mirëfilltë me një përmbajtje të rëndësishme. Ja një Ars poetica në „Testamentin e një poeti”: „Kam përfytyruar një gjuhë që ndikon ta zgjojë Zotin/ Një gjuhë prej Edeni dhe Mrekullishë të madhërishme në qiellin e dhjetë”. Në mënyrë indirekte, Skënder Sherifi vetëdefinohet si një „emigrant i dëshiruar”, edhepse traseja e tij ekzistenciale dhe artistike nuk e largon në asnjë mënyrë nga origjina e tij shqiptare (Shih poemin dadaist „Kushkush për një klown shqiptar që shkruan flamandisht”). Autoportreti i tij afektiv mund të jetë i integruar edhe përmes sintagmave poetike si „Kërkime lirike që e trazojnë shtratin dhe dheun e plleshëm”.

           Kështupra, krahas temës kryesore të portretit të realizuar përmes proçedesë së këngëve hipnotike të dashurisë, faktikisht më shumë një autoportret që shfrytëzon mundësi stilistike tejet moderne, hasim në krijimtarinë e këtij autori edhe nëntemën e përfytyrimit erotik, poezinë e një ekzotizmi delikat, esenë poematike për art dhe krijim. Universi tematik raportohet ndërkaq në vetvete, thuajse nga një magnet i hatashëm që tërheq në vetvete çdo gjë: njerëz, art, dashuri, pasion. Nganjëherë kalofil, herë tjera estet, poeti nuk ka vetëm përjetimet e tij, por edhe kriteriumet e veta. Duhet përmendur në këtë kontekst se poeti nuk tërhiqet në vetveten e tij me qëllim që të të tërheqë si një magnet, por ai ka magnetizmin e tij që të tërheq. Ai nuk është një i vetmuar si tipologji, por një artist komunikativ që ia shpërndan lexuesit këto fanitje mahnitëse, duke e shndërruar lexuesin në vetë spektatorin e tij. Ai i hap këtij portën për të hyrë në poezi. Pason që së bashku me të, të shijojnë jetën dhe ekzaltimet e panumërta për përjetimin e mrekullive. „Përjetimi i mrekullive është i paçmueshëm”, thot poeti, dhe ka të drejtë.

 

                        Monica Mure?an  

 

 

KUR SHPIRTI NA MBUSHET ME NJË GËZIM TË SHENJTË

 

            Historiografia dëshmon faktin se shqiptarët, që në kohën e lashtë të qytetërimit evropian kanë patur përkthyes legjendarë të Biblës, nga Hebraishtja e greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe. Duke shfletuar Biblën e shenjtë, kuptojmë se Zoti i njeh zemrat Tuaja ngase Ju jeni ata që krijoni drejtësi para njerëzve. Vepra e Skënderit është Bibla shqiptare e frankofonisë, një libër me një hijeshi të rrallë ku dëgjohet zëri i zemrës dhe zëri i Zotit, një brishtësi poetike e ardhur thuajse nga tjera botë, ku dëgjohen tingujt e historisë, ku reflektohen brigjet e dheut të përjetshëm, të cilin e zbukuron gruaja duke shpaluar ritmet delikate të ndjeshmërisë për lumturimin e planetit poetik. Edhepse bota shqiptare ka poetë më të njohur se ky njeri, duke lexuar poezinë e Skënderit shpirti na mbushet me një gëzim të shenjtë.

            Skënder Sherifi është trafikant konceptesh poetike antike dhe moderne, magjistar dhe mërgimtar, poet dhe profet, mjeshtër profesional i rimave të çuditshme, i ping/pongeve muzikore, i ritmeve virgjine dhe i pulseve primitive. Skënderi është dealer i imagjinatave magjike, i ëndërrave të pabesueshme, i absoluteve hyjnore dhe i ekstremeve tokësore, vizionar i takimeve të pamundshme dhe bashkimeve ireale që përfundojnë në prehërin e harmonisë. Izulionist, idealist dhe utopist, romantik i vaksinuar kundër formalizmit dhe sharlatanizmnit, kundër plenumeve, formatimeve, globalizimeve, klonizimeve të ndryshme të shpirtit dhe të mendimit njerëzor. Specialist i orgjive poetike, i orgazmave krijuese, i ekstazave të lirisë së lirë e të pa emër. Margjinal, vagabond dhe humorist i ekskluduar nga çdo nromalitet i paraprogramuar, i abonuar në bohemi dhe bredhjet e pafund. Eksplorator i lindur i diamanteve poetike ende të pazbuluara, anarhist, humanist dhe atdhetar. Mistikë e shenjtërisë poetike, i përjashtuar nga çdo grup, klan, parti, familje, por i lidhur në një mënyrë misterioze dhe gjenetike me origjinën e tij, me edenin artistik, me pafundësinë kosmike dhe botërat e padukshme. Muzikant i improvizuar oborresh femërore, fan i erotizmit magjik, këngëtar i muzave hipnotike, i frymëzimeve hyjnore dhe i epikurizmit tokësor.

               Para sysh kemi horizonte të reja dhe perla poetike që meritojnë analiza dhe komentime serioze letrare, ngase kemi të bëjmë me një shqiptar që trason shtigje të panumërta inovacionesh dhe revolucionesh në konceptimet e artit poetik. Skënderi ka patur rastin të dialogojë në Paris me elitën e krijuesve francezë me famë internationale. Ai ka qenë mik i kolosëve te mëdhenj të këtij shekulli, sikur Claude Lévy Straussi, Fernand Braudel e tjerë. Ka patur fatin ta njohë Philippe Soupault-it,  baba i surealizmit, i cili së bashku me André Breton-in e kanë ngritur në nivel të lartë ketë rrymë vendimtare të shekullit 20. Shqiptari i Belgjikës ka qenë mik i Allan Ginsberg-ut, i cili konsiderohet si baba i rrymës së Beatnikëve amerikanë. Skënderi është një endacak që ka njohur gjenitë e shekullit francez. Autori e ka lexuar Eliaden, Ionesco-n dhe sidomos Emil Cioranin, tre frankofonë të famshëm me prejardhje rumune. E ka njohur personalisht Eugène Ionesco-n, dhe ka qenë mik i shkrimtarit të famshëm Pierre Seghers, si dhe i një varg personalitetesh tjera me një kulturë fenomenale e enciklopedike. Autori ka trashëguar lirinë absolute të Rimbosë, imagjinatën e pa fund dhe të guximshme, duke krijuar mendimin kritik dhe analitik personal, duke i befasuar me idetë e tij, me një ndjeshmëri poetike të rrallë, shqiptare dhe pariziane, me një filozofi të lindur apo të shpikur për momentin, origjinale, unike dhe specifike, me një gjuhë dhe univers poetik të padiskutueshëm.

              Skënder Sherifi është një artist i vërtetë i fjalës së frymëzuar. Libri i tij vjen para lexuesit rumun si një album vlerash të mirëfillta lirike, i dinamizuar me mendime kritike mbi poezinë e tij nga eseistë rumunë, shqiptarë dhe frankofonë. Prezenca e tij në fjalorin e famshëm Larousse dhe fjalët gjeniale që i thonë të tjerët për poezinë e tij, ndër të cilët edhe poeti i madh francez, Patrice Delbourg, apo krijuesi i famshëm Pierre Seghers, janë vlera reale të kritikës letrare që reflektojnë të vërtetën mbi vrrullin e një vizioni të ri mbi poezinë e këtij talenti të shquar me rrënjë shqiptare nga Kosova. Në këtë kontekst, vend me rëndësi zënë edhe autorët belgë, Jacques Izoard, Jean-Marie Piemme dhe Raymond Quinot, qasje kritike që kanë peshë specifike për justifikimin e vlerave artistike të kësaj vepre me vlerë.

                Skënder Sherifi është një Ufo shqiptar, një frankofon dimensionesh kosmopolite, i pajisur me një kulturë përmasash universale. Në kuadrin e kësaj lënde të konsoliduar, ballafaqohemi me marsjanin shqiptar, mospërfillës shablonesh, kornizash e platformash, një fan i lirisë së lirë të Rembosë, i prezentuar në Bukuresht me një materje letrare të konsoliduar që e dëshmon origjinalitetin dhe fuqinë poetike të autorit. Kjo është zemra, gjaku poetik dhe shpirti i një univers poetik për të cilin ka shkruar me admirim edhe Jusuf Vrioni, të cilin e ka përkthyer edhe Ibrahim Rugova. Vlera artistike dhe pasuria e lëndës letrare është evidente. Jeta e autorit, që nga nga fillimi është e mbrujtur me një eksperiencë briliante evropiane. Ai është një margjinalitet, një ekstrakonformitet dhe normalitet që lind dhe vdes me këtë logjikë, edhepse poeti dhe poezia nuk vdesin kurrë. Skënder Sherifi është një pirrat i poezisë iliriane që impresionon lexuesin, ngase vjen para opinionit të huaj me top-nivelin i tij profesional dhe artistik. Ai vjen si një vlerë e rrallë që e zbukuron imazhin e kombit shqiptar, ngase shpirti shqiptar defilon në çdo libër të tij. Passioni i tij është një vepër e rrallë me vizione moderne, inovuese, evolucionare, avangardiste dhe futuriste.

            Duke deshifruar vlerat e tij konstatojmë se kemi të bëjmë me një poet të jashtëzakonshëm që thyen barierat provinciale të sharlatanizmit dhe banalitetit. Diskursi i tij poetik në gjuhen origjinale (frenge), është i padiskutueshëm, ngase, siç thamë më lart, për fuqinë  dhe vlerat e kësaj lirike kanë shkruar frankofonët e kalibrit të lartë të letërisë. Art magjik, poezi briliante, imagjinatë e bujshme, perla poetike dhe poet me personalitet. Shquhet ndër tjerët edhe libri i tij i fundit Le trio eternel, që është një projekt për skenen teatrale, një lloj drame poetike, një propozim për një spektakël. Vepra e tij është një model poetik i paparë, një koncept futurist që të josh që në lekturim të parë. Ndoshta e ekzagjerojmë një çik kur themi se krijimtaria e tij është Kulla e Babelit të poezisë moderne, manifest i artit poetik, autori duke qenë një futurist që vjen nga gjiri i një familje shqiptare, një shqiptar me një vizion dhe instinkt poetik të rrallë, me një liri të pakufishme, me një guxim të jashtëzakonshëm, dhe me një imagjinatë krijuese të paparë

              Libri i tij Love, i botuar në Belgjikë (2008), është vlerësuar me konsiderata të larta nga shtypi profesional belg, nga specialistë të artit dhe letërsisë, i vlerësuar si një ndër 10 librat më të mirë të vitit 2008 në Belgjikë, duke përfshirë krejt botimet e Evropës frankofone (Franca, Zvicra, Belgjika dhe Luksemburgu). Këtë vlerësim e justifikon edhe shtypi belg, ngase vepra e tij është një koncept personal dhe origjinal. Pokështu e kemi edhe Pasionin dhe Ateljetë e Ëndrave, dy vëllime të një autori shqiptar që i ka befasuar franzezët. Fjala është për një burim të ri me një përvojë jetësore dhe intelektuale të jashtëzakonshme, një vlerë e rrallë që i shtohet imazhit dhe dinjitetit shqiptar jashtë atdheut. Skënder Sherifi dëshmon se jeta nuk ka kuptim pa art dhe arti pa jetë. Ai vjen në këtë botë si një Cassius Clay (Mohammed Ali), duke u shquar si shqiptar që depërton në kujtesën rumune si një normalitet dhe natyralitet, si një spontaneitet dhe si një artist vlerash të mirëfillta, ngase derisa e ka mahnitur Parisin, pse mos ta mahnisë edhe Bukureshtin!

             Skënder Sherifi ka jetuar gjithë kohën, me edukatën dhe formimin e tij, në botën frankofone, dhe e ka një background kultural e poetik krejt tjetër. Me një fjalë, Skënderi është shqiptari që jeton prej moshës 1 vjeçare në Belgjikë dhe Francë. Kështusoj, ai gati se ka lindur në botën frankofone, dhe gjuhën shqipe e ka si gjuhë të dytë, së bashku me ëndrrën për ta përvetësouar gramatikën, leksikun, anën universitare dhe shkencore të gjuhës shqipe. Përfundimisht, vlen të ripotencojmë faktin se Skënder Sherifi është i përfshirë në fjalorin e famshëm francez LAROUSSE i Letërsisë Botërore, i konsideruar në top/elitën e literaturës botërore, një fjalor që botohet çdo 25 vjet në Francë, një vepër që konsiderohet si një lloj Bible referenciale e letërsisë botërore.Fjalori respektiv botohet në Paris, në çdo 25 vjet, sipas gjeneratave të reja autorësh që imponohen me talentin e tyre në sqenën internacionale. Fjala është për një fjalor prestigjioz ku Skënder Sherifi figuron në rangun 26 shkrimtarëve shqiptarë më të mirë dhe më origjinalë të të gjitha kohërave, që nga gjeneza e shkrimeve të para shqipe e deri në ditë tona.

 

                                   Baki Ymeri

 

 

SHËNIMI MBI AUTORIN I FJALORIT TË FAMSHËM «DICTIONNAIRE LAROUSSE» (Paris, 2002-2003, fq. 815)

 

SHERIFI (Skënder); shkrimtar shqiptar i Belgjikës, i lindur në Viti të Kosovës në vitin 1954. Autor i disa veprave me poezi të botuara në gjuhën frenge dhe në gjuhën shqipe, në Paris, Tiranë dhe Prishtinë. Autori shprehet me një lirizëm vizëllues, të jashtëzakonshëm, dhe na hedh me diejt e fjalëve të tij, në detin e trazuar duke e përzjerë me një lumturi të rrallë. Stilet e tij tepër të rafinuara gërshetohen me stilin  popullor, madje dhe me zhargone  (sikur në “Slang from USA”, ose “Cockney from England”, zhargone argotike nga një pjesë e caktuar e popullit – gjuhë e koduar). Autori na tërhjek me muzikën e kohës në bordin e anijes së tij kosmike. Në veprat e tij poetike: (Dikund Dikush, 1980, Lojë dhe Kundërlojë, 1980, Oksigjeni, 1989, Ora e Meteorëve,1996), zhargonet argotike dhe ironia e tij shpërthyese na imponojnë një modernitet të veçantë. Autori është përkthyes, gazetar, i pasionuar për Letërsinë, Filmin, Teatrin, dhe Pikturën. Është një shqiptar i vërtetë frankofon, një kosmopolit, një njeri i të vërtetave, miqësive dhe dhemshurive që xixëllojnë dhe kumbojnë.

      

 

      NJË POET I FUQISHËM DHE DELIKAT

 

 Skënder Sherifi është një Poet i rëndësishem. Ai është një Poet i vërtetë dhe i ndërlikuar, i drejtëpërdrejtë (e admiron Jacques Preverin), por edhe i zotëruar nga imazhi surealist me shumë nënkuptime që lëvizin si kaleidoskopët e shumëngjyrshëm. Skënderi është në substancë Poet modern, pa e shpërdorur ose vulgarizuar këtë përcaktim të vështirë dhe të rrezikshem, jo të lehtë. Skender Sherifi shpalos një kulturë poetike të madhe, jo vetëm frankofone, por edhe evropiane. Ai i takon në thelb traditës dhe modernitetit evropian, por pa e mohuar edhe identitetin e tij shqiptar. Tepër tekanjoz, plot shpërthime, imazhe, kërkimtar i thekur i metaforës, poeti e kapërcen konceptin aristotelian të metaforës (filozofi grek Aristoti) dhe e bën metaforën e metaforave… Pra, hyn në një thellësi akoma më të pabesueshme dhe marramendëse, se sa do të guxonin shum poet të tjerë. Skënderi me veprën e tij poetike, një vend të padiskutueshëm në Antologjinë e Poezisë Shqiptare të modernitetit aktual në fund të shekullit 20. Ky Poet i fuqishëm dhe njëkohësisht delikat bën apelin e humanitetit, të dritës, dhe shpjegon humnerat dhe vrimat e zeza të Njeriut, dhe të shemtuarës me një dlirësi të çuditëshme dhe të përjetshme, përmes një Projekti poetik për krejt Universin. Autori duhet përshëndetur, por për të duhet bëre akoma më shumë: duhet njohur dhe vlerësuar ashtu siç e meriton. Sepse është një Poet që e meriton plotësisht dhe denjësisht vlerësimin estetik dhe të kritikës letrare kompetente. Skender Sherifi i bërë nderë poezisë shqiptare! (Mojkom Zeqo)

 

 

NJË LIBËR QË FLET PËR DASHURINË

(Një origjinalitet i rrallë dhe i fuqishëm)

 

Më ka pëlqyer jashtëzakonisht libri “LOVE” (Bruksel, 2008) një punë kolosale, një laboratorium i shkrimit poetik, ashtu siç e dëshmon vet konstruksioni i Librit, arkitektura e tij, dhe imagjinata e pa kufij e autorit. Libri flet për Dashurinë siç e thotë tituli i tij, një temë e përjetshme e Njerzimit, por e revizituar nga autori me një figure biblike. Skender Sherifi e dine më mirë se çdo kush se Poezia e vërtetë është: arti apo mjeshtria më krijuar valë të reja, me kllapuritë, me e dehur gjuhen dhe me hapur horizonte inovuese. Sepse ky i kallur gjenial është lindur universal, i parfumuar prej nga fillimi nga Bota e Erëzave, dhe është në thelb : Poeti i Jetës dhe i Dashurisë ! Pra edhe pse na shpreh gjithë këtë dashuri me vargun e gjuhes frenge, me muzikalitetin e saj, Autori nuk e ka harruar shpirtin e tij shqiptar, sepse e ka thithur ose integruar kujtesen e të parëve të tij, sikur një muzikë antike që kumbon mbrenda tij. Një besnikëri ndaj gjenezës, lindjes, tokës… e ka trashiguar Memorien e Elefantëve!     

          Natyrisht se Jeta e Autorit me një edukatë dhe një kulturë kombëtare mbrenda familjes së tij në emigracionin shqiptar në Belgjikë, bashkë me ndikimet e botërave që i ka përjetuar ai vet, në Shqipëri, në Kosovë apo në Malin e Zi, të përzjera me formimet, eksperiencat, dhe jeten e tij në hapësirat frankofone, me epiqendër në Bruksel dhe në Paris: këto e kanë krijuar një personalitet të veçantë, kosmopolit, kaleidoskopik, totalisht i hapur e kuriozë ndaj gjitha kulturave botërore, një njeri i demultiplikuar, multidimensional, i lirë dhe i çliruar nga çdo gjë, pa pikë kompleksi, e as paragjykimi.

Skënder Sherifi e ka për parim si poet, ta marrë të drejtën dhe lirinë ta rilexojë, ta rishikojë, ta përjetojë shpirtërisht dhe emocionalisht, duke e rikrijuar e rikompozuar, duke e rikoduar,  rivizituar e projekruar botën ashtu siç don ai, sikur me qenë Dita e Parë e Krijimit virgjinal të Universit. Libri i tij «LOVE » na shëtit prej Egjiptit antik të Faraonëve, deri te bota deliriante e aktualitetit nëper 5 kontinentet, duke kaluar përmes librave, kulturave dhe bibliotekave universale, sikur në veprat e Borgesit (José Luis Borges ) dhe Umberto Ekos (Umberto Ecco). Ky njeri është një magjistar i cili i ka përzjerë të gjitha zhanrat, dhe i ka bërë të mundëshme të gjitha të pamundëshmet. Ndoshta është «David Copperfield»-i, i vargut dhe i rimës? Ai është artist unik në krijimtarinë e tij, dhe Sherifit i lejohet absolutisht çdo gjë (madje edhe ky luks suprem), sepse është në gjendje të krijojë art, bukuri dhe poezi me gjithëçka, sepse është shpirt i thellë artisti, artist i lindur dhe i lirë, një evidencë e natyrës, ashtu siç e ka konstatuar me të drejtë zt. Pierre Seghers, para 30 vitesh.

        Unë kam përshtypjen se nuk mund ta gjej askund një autor si Skënder Sherifi, i cili e njef më mirë se kishdo tjetër botën përendimore, gjuhën frenge apo parashikimet poetike të ardhshme. Ky poet, kur e lexojmë na duket si një UFO ekstra tokësor, thue si i ka jetuar 1000 jeta tjera dhe është ngopur me gjithëçka. Për këtë arsye na duket se është dikund tjetër, në një planet tjetër, dhe na shikon neve dhe jetën tokësore, sikur një astronaut me një vizion special nga hapësirat e larta.

        Duhet theksuar se një vend sikur Shqipëria ka shum nevojë për një shikim të tillë të sinqertë, dhe pa konçesione ose kompromise të ndryshme, me një analizë klinike e objektive të realitetit. Sepse ky autor na vë shpeshherë në pyetje, në dyshim, na shkund dhe na shëron më në fund nga heshtja dhe vërbëria e jonë kolektive. Ky guxim e kjo liri e tij aq befasuese, unike dhe magjike, e erëzuar me plot humor, me pafajësi dhe spontaneitet, është një thesar tepër i rrallë në Përendim. (Mund të lexoni se çka kanë deklaruar autorët dhe gazetarët e perëndimit për autorin, për ta nxjerrë në evidencë mendimin tim për te). Për botën tonë shqiptare, vepra e tij është një elektroshok, një bum. Sepse ne nuk kemi dalur ende nga kornizat e ndryshme, nga dëtyrimet kolektive, nga censurat dhe autocensurat. Kur e shikonë në esence: Skënder Sherifi i takon vetvetës, nuk i takon asnjë shteti, dhe askujt, sepse është një qenje shumë komplekse, e përbërë nga shumë elemente të ndryshme. Ky poet totalisht i pavarur është i lidhur ekskluzivisht me botën e tij poetike, sikur shkëmbi në det, dhe mund të thuajsh se shteti i tij real është gjuha dhe poezia e tij, territori i imagjinatës të cilin e mbizotëron.

         Skënder Sherifi është specialisti i «SURF»-it australian nëper Valet e paradoksit. Në aspektin e formimit kultural, të referencave, të eksperiencave, është në një tjetër galaksi, me vite drite larg nesh. Ngase identiteti shqiptar është prezent dhe i afirmuar në veprën e tij, pa e mohuar edhe pjesën evidente frankofone. Kemi të bëjmë me nje artist të intuitave, instinkteve, të përjetimeve, të kujtesave, të erërave, të shijeve dhe të shqisave, poet i energjive, i valëve, i atmosferave, i dashurive, një krijues që nuk futet në shkollën puro racionale dhe cerebrale. Autori është magnetik dhe na tërhjek në stuhinë apo tsunamin e tij poetik me turrfullimën e vargjeve që janë fyshekzjarret e tij leksikore, me efektet e pa ndërprera të surprizës, të papriturës. Gjithkush ka folur për dashurinë, prej fillimit të njerëzimit, por jo si Skënder Sherifi. Ky origjinalitet, pra, është i rrallë dhe i fuqishëm. Leximi i librit «LOVE» të shpërthen si një grenadë në fytyrë, sepse kërcejnë, fluturojnë, eksplodojnë, xixëllojnë fjalët nga të gjitha anët nga vjen origjinaliteti i figurave, dhe fuqia imagjinative e autorit që na fundos e përmbys definitivisht. Fjala është për një libër magjik që më ka mahnitur! (Artan Fuga)

 

       Luftë e madhe me Kodeksin e gjuhës poetike


Në fillim të leximit, të kaplon një tension në stomak dhe një krizë fjalësh që depërtojnë në rrethinat e zemrës. Një puç poetik i vërtetë i të gjitha shqisave njerëzore! Rebelim dhe revolucion që s'mbaron kurrë, ngase s’ka filluar kurrë. Boksier poetik i hijeve, ushtar i palodhshëm i ekstremeve (okay, por deri ku?). Skënder Sherifi me alivanosjet, pulsimet dhe instinktet e tij, i gjuan dhe i ekspozon ilaçet e realitetit tonë tragjik, dhe i vë në dukje fshehtësitë e përditshmërisë sonë të coptuar dhe të mjerë. Me një stil të një boksieri me "uperkute” poetike, autori shkakton një zhurmë, një shkundje të madhe në leksikun letrar, një luftë të pafund kundër kodeksit poetik të njohur! Pastaj lexuesi i han dëtyrimisht disa grushta poetike të fuqishme në plexus, dhe dikur bie në kaos (si në ringun e boksit ), shumë kohë pasi e ka mbaruar leximin e librit të tij. Një delirium i shenjtë dhe shkatërrues që provokon një dridhje, një shkundje të stuhishme dhe të pa njohur nëper atmosferat dhe klimat tona aq të zbutura. Një kryqëzim poetik me një ngjyrë të kuqe, shpërthyese, një festë gjigante antropofagjike, që na i ka kallur për shumë stinë, trupat dhe mishërat tonë më intimë.   

           Skënder Sherifi e grith utopinë deri në asht, apo në palcë. Në çdo poezi të tij rrjedhin perla orgasmike që na e marrin frymën! Në Universin e tij tejkalohet çdo gjë, deri edhe vetmija dhe harresa. Më në fund, vetëm mbijeton stili  i tij magjik, i mrekullueshem, i cili ia del notit njerëzor me madhështi dhe dinjitet, i pastruar nga çdo gjë e kotë tokësore. Por atëherë lind pyetja se si ushqehet gjithë kjo humnerë dëshprimi?  Vetëm me zjarrin e fjalës, me magjinë e imagjinatës, me dritën sublime të poezisë! Të cilat së bashku i bëjnë shoqëri autorit, bile deri të nesërmen, deri në apokalipsin e fundit! Fatkeqësisht nuk njofin asgjë nga Shqipëria, pos mbretit Zog, Enver Hoxhës dhe prozës së Kadaresë. Tani pra do ta dimë për gjithmonë se një Poet i superfuqishëm dhe me një entuziazëm lirik të pashoq, ua vjedh fjalëve të njerëzimit, urgjencën dhe nektarin e tyre të fshehur. (Patrice Delbourg  



(Vota: 16 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx