E merkure, 30.04.2025, 08:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi për fëmijë nga Jusuf Zenunaj

E premte, 26.03.2010, 10:00 PM


Jusuf Zenunaj

 

 

AKTRIMI I ÇAMËRISË

 

Një vajzë e vogël

me emrin çaamëri,

i tha së motrës

do bêj një çudi.

 

Pa një, pa dy

shkoi në dhomën e saj,

zuri të mendojë

të qeshë, apo të qajê.

 

Kur ta shohin

nëna me babain,

t'u thotë"Kur të dua qesh,

kur të dua mund të qaj".

 

Edhe unë jam aktore

pa qenë kurrë në teatër,

në dhomën time luaj role

shpeshherë edhe natën.

 

Ndaj mos më thërrisni

vogëlushe sikur Arten;

nga java tjetër

bashkë do të shkojmë në teatër.

 

 

DIELLI KA FAJIN

 

Një të diel në mëngjes,

Beni në kolltuk rri mbëstet,

fërkon sytë, hap me gojë

sikur i bën gjumit rojë.

 

Pantallonat mban në dorë,

çorapet s'di ku i ka,

babi e pyet buzagaz

në mos do të flinte prapë.

 

Hapi gojën me përtesë

 e një çik e vari buzën,

përsëri u mbështet

mbuloi këmbët me xhaketë.

 

Kur e ëma mblodhi perden,

dielli shpejt lëshoi rrezet,

xhami dukej i përlyer

sikur t'ishte  një pasqyrë.

 

Zuri nëna ta qortojê,

Beni më mos të gabojë,

ndërsa ai bëri me kokë

fajin nuk e pranoi dot.

 

Vëllai e motra pyetën Benin

kush, pra në xham ka vizatuar,

mos zogu i mëngjesit

bashkë me diellin ia kanë punuar?

 

"Mos qaj Beni,- i tha,- i ati

se edhe unë tash po e di,

fajin që e bëri dielli

s'mund të ta lëmë ty.

 

Sot ta paska vizatuar dorën,

nesër gojën me sy,

por s'është çudi

nëse dielli shkruan edhe poezi."

 

 

NË ORËN E GJUHËS SHQIPE

 

Pasi shpjegoi mësuesi

kohët e foljes,

shkroi edhe këtë fjali:

"Unë jam i ri."

Pastaj fjalën ia dha Vlorës

ta gjejë kohën e foljes.

 

Ajo tha:"Folja është në kohën e shkuar."

Mësuesi ia ktheu:

Vlorë, ke gabuar.

 

Jo mësues nuk gabova.

Në kohën e shkuar është kjo fjali

se ju s'jeni më i ri.

 

 

NË ORËN E HARTIMIT

 

Herë prapa, herë mbrapa

shikonte Albini,

kur e patën orën e hartimit.

 

Lëvizjet e mësuesit

ndiqte në çdo hap,

kokën zgjaste kah Kushtrimi

të kopjonte ndonjë paragraf.

 

Aty-këtu kopjoi

ku mundte nga një fjalë,

por me kot

puna s'i shkoi mbarë.

 

Mezi i renditi

katër-pesë fjali,

pa pikë e pa presje,

s'kish fare kryerresht.

 

Në këndin e djathë

rreshtoi shenjat e pikësimit,

nën to shkroi këto fjalë:

"Mësues ju vendin ua dini.

 

 

PSE LULI S'I PA SYTË E DIELLIT

 

Mbi çati e deri përmbi dardhë

si çadër rri një re e bardhë,

ajo e ka pamjen si arusha,

prej saj nuk duken

mali as fusha.

 

Luli nga dritarja mjegullën lut

sikur t'ish dele, apo ari i butë,

mos të rrijë mbi çati

se do ta shoh diellin a ka sy.

 

Në fletoren e së motrës

diellin e kishte parë

me sy e me gojê

dhe me rreze si flokët zvarrë.

 

Sikur të dinte mjegulla gjuhën e tij,

shtatin e rrudhi

doli përmbi bli.

 

Dielli i fortë

Lulit ia mbushi sytë me lot,

kurse ai shpejt harroi,

ç'deshi të bëjë s'i kujtohej dot.

 

KUR ISHA FËMIJË

 

Kur isha fëmijë

dëshiroja të rritesha

sikur lisat mbi Dri.

 

Kur isha fëmijë

i ndiqja yjet,

kërkoja t'i shihja

edhe kur ishte ditë.

 

Kur isha fëmijë

dëshiroja të jem satelit,

të sillesha rreth botës

vetëm për një ditë.

 

Kur isha fëmijë

kisha shumë dëshira,

por nuk e dija

se mosha që kisha

ishte më e mira.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx