E merkure, 30.04.2025, 07:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Teuta Shala: Një vepër monumentale mbi shekujt osman në hapësirën shqiptare

E enjte, 25.03.2010, 10:13 PM


Një vepër monumentale mbi shekujt osman në hapësirën shqiptare

 

(Ferit Duka “Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare”, Tiranë 2009, f.465.)

 

Nga Teuta SHALA (Asistente ne Institutin e Historisë-Prishtinë)

 

Pas një pune studimore të gjatë e  të mirëfilltë shkencore, në fushën e studimeve të periudhës osmane, studiuesi Ferit Duka kohë me parë botoi librin: “SHEKUJT OSMANË NË HAPËSIRËN SHQIPTARE”.

Botimi i këtij libri vjen si rezultat i një hulumtimi disa vjeçar në arkivat e Stambollit dhe të Ankarasë  të cilat siç pohon edhe vet autori në parathënie të librit janë një thesar i jashtëzakonshëm dokumentesh, duke mos lënë anash as arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës i cili gjithashtu ruan fonde të rëndësishme, sidomos vlerë të veçantë në këtë rast sipas studiuesit Duka paraqet korpusi dokumentar i prodhuar nga gjykatat osmane të cilat për shekuj të tërë funksionuan në qytetet kryesore shqiptare.

Libri në fjalë në fokus të studimit ka periudhën pesë shekullore të sundimit osman në Shqipëri. Sipas profesorit  Duka dy janë arsyet që i tërheqin studiuesit për tu marrë me studimin e kësaj periudhe. Së pari brenda këtyre shekujve janë zhvilluar procese të rëndësishme të cilat kanë përcaktuar tiparet e mëvonshme të shoqërisë shqiptare, së dyti pohon ai njohja e kësaj periudhe lejon që të saktësohet edhe imazhi që ne kemi për të kaluarën mesjetare paraosmane të shqiptarëve. 

Libri: “SHEKUJT OSMANË NË HAPËSIRËN SHQIPTARE”, i botuar nga shtëpia botuese UET/Press, trajton në vete probleme të natyrave të ndryshme që lidhen me sundimin osman në Shqipëri. Temat e trajtuara në kuadër të këtij libri ngërthejnë në vete çështje  si të natyrës politike , ekonomike, fetare, demografike, social-ekonomike, urbanistike, infrastrukturore etj.

Pjesë të veçanta të këtij libri janë edhe publikimi i faksimileve të shumta të defterëve osmanë të sanxhakut të Delvinës, si dhe të defterit osman të sanxhakut të Vlorës. Duke iu referuar librit në fjalë, të dhënat që hasim në të sa i përket periudhës kohore mund ti grupojmë në dy grupe, në të dhëna që kanë të bëjnë me periudhën paraosmane dhe me ato që në fokus kanë periudhën osmane në hapësirat shqiptare.

 

PERIUDHA PARAOSMANE

 

Në librin :“Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare”, krahas të dhënave që kanë të bëj me periudhën osmane në hapësirën shqiptare na ofrohen informacione të rëndësishme edhe për periudhën paraosmane. Të kësaj natyre janë të  dhënat që kanë të bëjë me Muzakajt të cilët autori i paraqet si një lidhëz të fuqishme midis kohëve paraosmane dhe osmane.

Ai vë në dukje se familja e Muzakajve si përbërëse elitare e bujarisë shqiptare të mesjetës mbetet gjithnjë një temë e lakmuar për studiuesit. Përveç Gjon Muzakës, studiuesi Duka pohon se të dhëna  të çmueshme për këtë familje  na ofrojnë edhe një sërë veprash të studiuesve të shumtë që janë marrë me këtë çështje. Megjithatë studiuesi në fjalë e sheh si të arsyeshme dhe shumë të domosdoshme thellimin e mëtejshëm të njohurive për këtë familje e veçanërisht për mënyrën e kalimit dhe integrimit të Muzakajve në sistemin e ri politik dhe ekonomik të vendosur në Shqipëri pas pushtimit osman.

 

PERIUDHA OSMANE

 

Me vendosjen  e sundimit osman ne hapësirat shqiptare, populli shqiptar u përball me një perandori të fuqishme dhe me një sundim të gjatë, i cili solli ndryshime si  në aspektin ekonomik, social, kulturor, fetar. Autori na jep të dhëna interesante për shumë çështje të rëndësime me të cilat u përball shoqëria shqiptare gjatë sundimit osman duke filluar që nga vitet e para të vendosjes së këtij sundim në trevat shqiptare. Në mesin e çështjeve të shumta studiuesi Duka një trajtesë të veçantë i  bën ndryshimit të strukturës fetare të popullit shqiptar si rezultat i përhapjes  fesë islame.

Duke u bazuar në fakte dhe analiza, autori përqendrohet në shpjegimin e faktorëve që quan në përhapjen e fesë islame të shqiptarët. Në këtë kontekst ai potencon se përhapja e Islamit në tokat shqiptare u shkaktua nga një numër faktorësh  të natyrave të ndryshme si politike, ekonomike, kulturore dhe fetare. 

Sa i përket faktorit politik ai vë në dukje disa aspekte të politikës së shtetit osman të cilat inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame nder shqiptarët. Në radhë të parë përmend mekanizmat politik që u përdorën për  tërheqjen e fisnikërisë feudale vendase në hierarkinë ushtarako-administrative. Faktor tjetër që ndikoi në përhapjen e fesë islame ishte edhe ai ekonomik, në këtë kuadër  braktisja e fes së krishterë  dhe përqafimi i islamit u stimulua fuqishëm edhe nga detyrimi i popullsisë së krishterë për ti paguar shtetit osman taksen e xhizjes. Si faktor të tretë dhe mjaftë të fuqishëm  që ndikoi në nxitjen e procesit të kalimit në Islam autori radhitë faktorin fetarë për faktin se në kohën kur po vendosej sundimi osman në hapësirat shqiptare, ndryshe nga popujt tjerë fqinjë ballkanik populli  shqiptarë nuk kishte një kish të vetme kombëtare. 

            Në kuadër të  këtij libri studiuesi Ferit Duka na jep të dhëna interesante edhe për qytetet shqiptare gjatë periudhës osmane. Veçanërisht ai përqendrohet në hulumtimin e disa qyteteve roli dhe rëndësia e të cilave bie në sy gjatë sundimit osman. Si të tillë përmend qytetin e Vlorës, i cili ishte i pari që kaloi nën sundimin osman, duke u bërë kështu pikëmbështetje e rëndësishme për shtrirjen e sundimit osman në viset e tjera shqiptare. Në kuadër të qyteteve shqiptare  studiuesi Duka në këtë libër kujdes dhe vëmendje të veçantë  i kushton edhe qytetit të Himarës gjatë sundimit osman duke u ndalur në trajtimin dhe studimin e aspekteve social-ekonomike dhe demografike. Ai nuk lë pa përmendur as rolin dhe rëndësinë e qytetit të  Gjirokastrës dhe të Beratit gjatë periudhës osmane, duke vënë në spikamë aspekte të zhvillimit të urbanistikës dhe të arkitekturës së tyre . Në  prizmin urbanistik,  për qytetin e Beratit ai pohon se karakteristik kryesore e këtij qyteti sa i përket strukturës urbane gjatë shekujve XVII-XVIII, janë objektet e kultit islamik si xhamit, medresetë, teqetë etj.

Një temë tjetër që autori trajton në këtë libër është edhe prania e hebrenjve në Shqipëri. Për autorin e librit studimi i historisë së Shqipërisë nuk do të ishte i kompletuar pa njohur dhe studiuar edhe historinë e bashkësive jo shqiptare e në rastin konkret të hebrenjve. Duke folur për prezencën e hebrenjve në Shqipëri si gjatë periudhës paraosmane ashtu edhe gjatë saj, ai   flete edhe për integrimin e tyre në jetën shoqërore si dhe për rolin që ata luajtën në proceset dhe zhvillimet ekonomike, duke vënë në dukje se ata u dalluan sidomos në tregti, me ç’rast në vitet e 60 të shek. XVI hebrenjtë e vendosur në Vlorë kishin në duart e tyre tregtimin e grurit, vajit të ullirit, kafshëve, lëkurave të punuara etj.

Në faqet e librit “Shekujt osman në hapësirat shqiptare” studiuesi Ferit Duka një trajtesë të veçantë i bënë edhe përpjekjeve të popullit shqiptar për tu liruar nga sundimi  osman, duke iu bërë një shtjellim  të veçantë sfidave me të cilat u përball populli ynë qoftë si pasoj e luftërave të shumta ashtu edhe si rezultat i përpjekjeve diplomatike për të arritur tek momenti më kulmor i këtyre orvatjeve  siç është largimi i osmanëve nga trojet shqiptare dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx