E enjte, 01.05.2025, 08:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Menduh Leka: Cikël poetik nga Libri '' Riatdhesim shprese'' 2010

E hene, 22.03.2010, 10:04 PM


Cikël poetik nga Libri '' Riatdhesim shprese'' 2010

 

Menduh Leka

 

 

Metaforë shprese

 

Do të jemi më fatlumë se sa ishim

Kodin e rikrijimit e rrëmbyem

Me liberto flijimi do të udhëtojmë

Për hirë  të dashurisë

 

Nuk do të jetojmë sot për nesër

Tepër herët ishte për hidhërim

Sintaksës së zhgënjimit ia mbyllim gojën

 

Do të gëzojmë para se të vie gëzimi

Do të shtegëtojmë para se të trokas pikëllimi

 

Shumëfishin e shpejtësisë së dritës do ta shijojmë

Do ta përjetojmë pafundësinë

 

Vetëm të jemi

Atje ku as fundi nuk do të na arrijë

 

 

Gjen Sodomist           

 

Më në fund erdhi pandemia e largët

U dashurova ne frymën time

Bëra mëkat o zot më në fund

Bëra akt

 

Incest trashëgues

Para uvertyrës së vetflijimit

 

Më në fund

O mjerë trupi

Lum turpi

Shpirti i shprishur i të qenurit përkatësi e dikujt

 

Të inkarnuarit e Sodomës

Dërgojnë sms

Sinjale magjepse lansojnë

Qyteti veshë petkun perverz

 

Nëpër facebooke

Impotententët shfletojnë

Epshet e sodomasëve janë hamshorçe

 

 

Gjeografia e zhgënjimit

 

Në mes meridianit dhe paralelës së vetmisë

Rikrijova pallate me ëndrra për lirinë

 

Eca nëpër histori

Isha partiturë dhembjesh nëpër kohë

Palaço i besimit

Kumtin për Ditën e Madhe ua solla

           

Unë vrava ëndrrën e keqe

Dhe mbolla nëpër atëdhe Luleshpresën

Isha vetëm

Të tjerët ishin më tepër

 

 

Emblema nostalgjike

 

Dua frymëmarrja ime të jesh Syvalë

Ajri që thithë çdo sekondë jete unë te ti të jem

Frymë e yte të jem unë

Në krahërorin tim pulsin e zemrave ta ndjejmë

           

Dua zërin tënd ta kem

Sytë e tu shikimin tim ta kenë

Afshin tim ti ta ndjesh

Shpirti yt të jem e shpirti im të jesh

 

Dua dhimbja yte të jem

Pikëllimi im të jesh

Ëndërra ime e beqarisë të jesh

Cipa e virgjërisë tënde të jem

 

Dua loti yt të jem

Gjaku që më rrjedh ti të jesh

Aty ku zemra ime ndal tiktakun

Fryme te Ringjaljes sime ty kem

 

 

Karnavali i hijeve

 

Zbritën nga thashethemet

Parzmore paturpësie unit i veshën

Lëpijnë ekstremitetet dyshe

Në ekstazë qelben bashkë me lakminë

 

Një parakalim për ethje

Para aktit te celebrimit

 

Janë te dehur nga vetëkënaqësia të gjorët

Si hijenat ne ditën e mbarësimit

 

Kalojnë rrugës kryesore të kremtimit

 

Seksi salcë servojnë ne pjata lirie

Kipcat kombëtarë fërkojnë meskëmbëshin

 

Me gishtin e fitores

Biografitë e tyre lëpijnë

 

 

Ndjenja demonike

 

Kur të kaloj lumin e besimit

Ngërçet profetike të më shtrydhin si hajdutin e verdhë

Shkërdhyerje të pësoj në tregun e besdisë

Të më ndjeni

 

E qullur fjala i vakët inspirimi

Rënie imuniteti

Rënie graviteti

Sall një frymëmarrje eremiti

Një fetus do të jem

 

Kur të shtegëtoj me plaçkat e ndjenjës mbërthyer

Mbi yllësinë e gjakimit

Kumtin ta lansoj rrugës qumshtore

Do të më keni

 

Do të jem gjithësia

Koordinata e pafundësisë dhe e amshimit

Një cikël i përsëritshëm

Nëpër trajektoritë e Rikrijimit

 

 

Prishja e lojës

 

Mjaft ju dënesje hijesh

Asgjë nuk dua të dëgjoj

Asgjë nuk dua të shoh

 

Do të qëndroj  pezull mbi retë e hidhërimit

Pa rrënjë në tokë pa frymë në dallgore

I mbështjellur me veten si heretik i përdhunuar

 

Asgjë nuk dua të di

Asgjë nuk dua të jap për këmbim

 

Nuk e dua pjesën time të rishfaqur

Nuk  dashuroj  vetëm për të lozur

 

Nuk loz për dashuri

Jetoj për hirë të dashurisë

 

 

Marrëveshje e hidhur

 

Çdo ditë vdesim nga pak

Çdo ditë luajmë pak nga drejtpeshimi

 

Shtirremi se jemi keqardhës

Na gëryen në brigje melankolia

Behemi sikur duam të gëzojmë

Hapat e valsit nuk i mësuam

 

Çdo ditë e lëmë dikund

Çdo ditë mbetet dikund pa ne

 

Bëhemi  sikur asgjë nuk kemi humbur

Asgjë nuk na ka ikur pa përjetuar

 

Jemi imitatorë te këndëshëm

As gëzimit nuk i themi te duam

As hidherimit  nuk i përqeshemi

 

 

Pa etiketë jete

 

Nëpër udhëkryqe përqeshjesh

Labirintheve thashethemnaje

Jep shpirtë afër smaforit të mundimit

 

Përballë sfingësit lakmiqar zhvishesh

Furgon i zi pa etiketë jete

Gjëmim i afektit nën paranojë të përgjërohet

 

Një parafytyrim tualeti

Kurth i vënë për gjah epshi

Trill nazeqar me mbeshtjellëse pezmi

 

Asnjë hap mos hidh

Asnjë fjalë mos zgjidh

 

Shëmti e përdalë

Krematorium me fjalë

Me fjalë.....

 

 

Kapërcim i hijes së pikëllimit

 

Riqepim kostumet e shpresës

Kujtimet e leckosura hijesh

 

Le të vishemi solemnisht

Për cirkun e manive epshrore

 

Brezin frekuencor të ndjenjës

Nëpër imazhe adoleshence e përzgjedhim

Party për bukuri shpirti qerasim

 

Amlitudat e durimit deri në zenit emocioni le të pikasin

 

Vetëm të jemi nëpër udhtimin fatlum

Të rikujtimit të këndëshëm

 

 

Kurth  melankolie

 

Nga një Meduzë inerte

Kredoja nuk  fërgëllon  as si fikësim

 

Kot lëshon hukamë testamenti

Fare kot në gurvarre vendosen epigrame

Asgjë nuk mugullon prej mëkateve

 

Nga një somnabul bizar

Gogësima përmjerr ankthshëm

 

Dosido vreri duhej derdhur

Duhej esull pasionin ta dhunoje

 

Hidhu e hidhu e përhidhu

Ngope veten në pasqyrë eremiti

Hije e grimcuar në vajtim

 

 

Getoja shpirtërore

 

Gjirin e gjakut e përdorë si lëpinjzë

Në buzët e poshtme të pamundësisë

 

Një pushim bënë në vithet e lodhjes së huaj

Endërron portalin qiellor frikshëm

Trokëllimën e pikëllimit në diasporën e mejtimit

 

Gjembat afshëror sorrollaten me egon

Adrenalina  ejakulon nën emocione

Hiphopin e  melankolisë imitojnë hijet

Përbuzjet anale këlbaza glacojnë

 

Biokiminë epshore kërkojnë paparcët

Biopsia në laboratorin ndjesor analizohet

 

Vetëm një terapi analitike

Për të rikrijuar anamnezën e trajtimit

 

 

As për hirë të dashurisë

 

Ju kam molisur emblema nostalgjie

Asnjë grimë klorofili artistik nuk ua lash

Një të kaluare nëpër vargmale pikëllimi

Inkarnim nuk do t’i lejoja tash për tash

 

Do të përpija tërë pezmin e jetës sime

Në karnaval mortor solemnisht do të shkoj

Ju dromca dashurishë ma shkelni syrin

Më joshni por unë më nuk provoj

 

Një kozmos trishtim të më vihet barrë

Nuk do ta peshojë emblemenën e nostalgjisë

Tani jam por nuk do të më keni

As për hirë të dashurisë

 

 

Buzëqeshje për Syvalën

 

Sa lozonjare je Syvalë

Nga zeniti kur prekë mallëngjimin qiellor

Bizhuteritë e engjujve i meritove dhuratë

Rrugës qumshtore valsin hedh  valë valë

 

Sa e këndëshme je Syvalë

Nga spektri i ylbertë buzëqeshje  dhuron

Vetëm ti ke fatin atë magji ta shijoje

Të tjerët ëndrrojnë atë mrekulli vetëm për ta parë

 

Sa e bukur je Syvalë

Ty ta ka zili edhe Monaliza

Duke të parë ty është zbehë pak edhe Afrodita

 

Të gjithë ata që një gjë të bukur kanë parë

Kutinë e Bardhë të Pandorës ende nuk e kanë gjetur

Na ishte njëherë një fillim hyjnor sa për të lindur

Dhe një fund mahnitës tej amshimit duke të pritur

 

 

Pjesë e ëndrrës sate të jem

 

Nuk dua të më pluhërosen telat e ndjenjës

Sonte...

Simfonia e nisur te ritingllojë si më parë

Trishtimi le ta thyej xhamin e ëndërrqiellit

Të mos tretem si shkumë

Si valë në bregun e zemëruar....

 

Nuk dua të fosforojë mbi lulet e lëna nëpër përkujtime

Vegimin nuk e dua në rrathët e orbitës kuantike të përjetimit

 

Vetminë Saharë të rraskapiturr nëpër fatamorganë kujtimi

Një mistrall  të më ledhatoj petalet ndjesore

Para  fluturimit drejt hapësirës

Në trajektorinë e rikujtimit të amshtë

 

 

Velloja e mërzisë

 

Nga përçapje reshë e nëpër trase flurudhe vetëtimash

Pikëllimi rigon mbi një trofe të braktisur

Një rrufe godet  mbi një pirg ëndrrimtari

 

I zbrazur ishulli i mjellmave

Kotësi e kotë pa tinguj natyre

Pa  fluturim i mbetur horizonti

 

Relikt Atlandite mbi te cilin rëndon jë oqean

Rënkon....

Vargmal ndjesor nën te cilin dremisë një vullkan

Mallkon...

Në një ishull kënge mbi te cilin prehje nuk ka kush të kërkoj

Vajton.....

 

Nje vello  vetmie fytyrën e një engulli

Mbulon....

 

 

Panoja pa kornizë

 

Mbeten vetëm  disa mbeturina suvatimi afshrore

Pështyma e vetmja jashtëqitje shqisore

Demon në udhëkryq rrugësh mjegullore

 

Domino luajnë pelegrinët e shpirtit

Gërhamë e vendosur në ankand

 

Testeroni loz bixhoz me lakminë sodomiste

Anatomia shqisore shterpëzon lakminë

Fiziologjinë e ëndrrës trathton

 

Kokteji pas agonisë

Rifiguron trillin e gjësendeve biologjike

Brusha e pezmit ia prishë virgjërinë

Mallëngjimit njerëzor

 

 

Ridhesimi i shpreses

 

Rinisem të riatdhesoj shpresën

Nga ky mision nuk heq dore nuk ik

Akuarel kohe zë në thua në bujtina neverie

Surprizat djallëzore më bëjnë një rebel artistik

 

Imazhe të ngrira nga ëndërra në kafaz

Ma venitën metaforën e lirisë

O ç’jam katandisur nëpër mite deri në Sodomë kam arritur

Palaço i besimit isha Flijim për hirë të dashurisë

 

Le të vijnë vargjet kaba si nositët

Syvala sirenë deti le të puthë emblema nostalgjike

Rekuizita ndjenjash thurra perverzën e tundova

Në koktej fabulist ndjenjat do ti pijmë oj mike

 

 

Sozi vetmie

 

Ti asnjëherë nuk e heton

Momentet e vetmisë vijnë

Të vjelë flokun e mërzisë Sozia

 

Sa vonë bëhet sa vonë

E zbrazët hapësira

Bosh një kozmos i tërë

 

Sa vonë bëhet sa vonë

Duke pritur me zjarr yjesh ndezur

Bëhem akullnajë

Vrime e zezë gjithësie

 

Sa vonë bëhet sa vonë

Një trishtim shkretëtire bëhem

Pezm alegorie

 

Flas e bërtas e pëlcas

Shaj e vajtoj

Zhbirohem e tundohem

Tërbohem e flijohem

 

Vetëm të mos jem relikt Atlandite

Përgjasim I ankthëm te mos jem

 

 

Emblema tmerri

 

Qenë endacakë që ma shkelin syrin

Kurva të regjura që lëpihen

Ca politikanë të zymtë

 

Për të parët vepron ligji

Nëse i bie ndërmend grupit të tretë

 

Për të dytët

Të tretëve nuk iu han palla

Ajo punë rregullohet me ligj

 

Të inatosur që nuk ua lidhë

Të tretët

Bishtin lëshojnë për ta fshehur lakuriqësinë

Puthin të dytët

Dhe spërkasin me spermë

Kurmën e incestit

 

 

Zvogëlimi i atdheut

 

Gjatë robërisë atëdheu zvogëlohet shumë

Ditë ka pak dhe nata është e gjatë

Pak yje në zenit flakërrimë reshin

Një copë hënë fatamorganë

 

Mugëtirë e trishtë

Në atëdheun kafaz

 

Endrrat për lirinë

Nuk na lënë rehat

 

Te secili shpirtë ringjallet fryma e Anteut

Ngjizet flijimi për hirë të dashurisë

Rikrijohet harta e re dhe qielli i lirë i atdheut

 

Pastaj vjen liria çelë petalet

Qielli është i plotë me yje e meteorë

Ajo është një pranverë e amshuar

Ajr e diell edhe dëshmorë

 

 

Legjendë

 

Në krahërorin e mermertë të Sharrit

Me shekuj u komponuan melodi

Në frymën e melosit popullor

Çdo lule e lis ato i di

 

Në frymëmarrjen e amshuar të Sharrit

Me shekuj bashkëjetuan epope

Ata qëndisën historinë

Çdo lule e lis ato i di

 

Skardusi rrjedhshëm e fliste ilirishten

Plisin e bartëte në çdo stinë

Sharri plisin e bartë në çdo stinë

Flet e shkruan bukur shqip

 

 

Kumt melankolie

 

Nuk do të ripërtërijë bekim vetmie

Simfoni e pambaruar le të më shoqërojë

Pëjetësisht me shpresën kam flertruar

E vetmja perëndi që i besoj

 

Nuk ju lë pa zot vargje të mia

Flijim e pikëllim në aletë e dashurisë

Një pallat kujtimesh jam një ndjenjë melankolie

Frymë e një rikrijimi të kërshërisë

 

Në kurth ankandesh nuk ju lë

Tagër të lartë do paguaj më ndjeni

Kozmike është idila dhe dhimbja vetëm ju e dini

Klonim ju lejoj fryma ime jeni

 

 

Ti që po endërron      

 

Me qepalla të mbyllura shembëllen në puhizë

Ledhaton gjethet e pemës së dashurisë

Në afshin tim shushurijnë petalet

 

Ia merr një këngë zogu me frymëmarrjen tënde

Pllaja epshore emocionet pushtojnë

 

Një ylber fytyrë e virgjër ëndërron

Në relievin e djaloshar pikturon imazhe

 

Nën qepalla te mbyllura

Sodita një magji valëzuese tek me fton

Hymnin e pulëbardhave ta këndojmë

Kaltërsive të përjetimit të fluturojmë

Vetëm te jemi në vals engjujsh sonte



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx