Kulturë
Arsim Halili: Intervistë me Besnik Camaj- poet
E hene, 22.03.2010, 09:53 PM
Intervistë me Besnik Camaj- poet
Një letërnjoftim të shkurtër kush është Besnik Camaj?
Burojë nga një familje arsimtarësh. Jam i lindur në Novosellë të Pejës (Fierzë), afër burimit të Drinit të Bardhë. Jam rritur me bukuritë që i ka falur natyra këtij vendi. Si fëmijë i një familjeje me traditë arsimdashëse, që në bankat e shkollës fillore kam shkruar poezi. Pa dyshim, puna dhe personaliteti i babait tim (arsimtar tejet i zellshëm) më frymëzuan ta doja arsimin me shpirt. Kam kryer Gjimnazin Matematikor dhe Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë. Pastaj kam vazhduar studimet pasdiplomike të informatikës në Zagreb, në Stafford të Anglisë dhe në Lozanë të Zvicrës. Aktualisht, jam profesor i informatikës grafike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Yverdon të Zvicrës.
Zanafilla e krijimtarisë suaj poetike dhe veprat tuaja?
Kam shkruar poezi sapo e kam mësuar mirë alfabetin, por nuk kam botuar deri vonë për shkak të censurës së asaj kohe dhe druajtjes. Shumë poezi i kam publikuar në forume të ndryshme letrare-shqiptare në internet gjatë viteve 1995 - 2003, me emrin Bes Camaj.
Poezitë i kushtohen kryesisht lirisë, lirisë së vendit, dashurisë dhe shpirtit njerëzor. Edhe pse të shkruara më herët, lexuesi mund ta ndiejë ende fuqinë dhe mesazhin e tyre.
Nga këto, dallohen 4 publikime (vëllime) :
1) Lirisë , 2) Diellit Tim , 3) Mallit të pashuar dhe këto ditë 4) Grimca të Rinisë
Aktualisht jetoni në Zvicër, sa ju krijohen kushte për tu marrë me artin letrar?
Zvicra është një vend i qetë dhe shumë i përshtatshëm për thellim mendimi. Prandaj them se kushtet janë tejet të mira. Por duhet të gjesh laps e letër (apo nëse e ke afër, ta përdorësh kompjuterin) për të shkruar vargjet që të vijnë në mendje kurdo qoftë. Meqë ky është më tepër një pasion, shumë gjëra nuk varen fare nga autori.
Ju sapo keni botuar librin “ Diellit tim”, cila është esenca e këtij titulli metaforik?
“Po si ta quaj ndryshe atë që më ndriçon dhe më ngroh përherë, përveç Dielli im”.
Kjo thënie që gjendet në faqen 17 të librit, shpjegon më së miri se kujt i dedikohet libri.
“Diellit tim” është përmbledhja e poezive të mia më të spikatura nga 4 titujt e mësipërm.
Ja edhe kritika që ju vetë i keni bërë këtij libri (gjendet edhe në kopertinën e pasme librit):
- I nderuar poet, me kënaqësi lexova poezitë tuaja. Ato poezi sikur më çlodhen mjaft sepse vokacioni juaj krijues shfaqet herë në poezi patriotike e herë të dashurisë. Ju sikur i reflektoni këto me një mprehtësi artistike dhe estetike. Vargu i juaj është përplot mesazh për të bukurën për jetën, për gjërat që njeriut i mungojnë në etikën e ti. Ti u jep mesazh edhe atyre që të bëjnë kthesë për të mirë për të gjitha këto. Për mua je një poet i çmuar.
Arsim Halili.
Sa është i organizuar komuniteti i artistëve shqiptarë në Zvicër?
Në Zvicër ekzistojnë disa shoqëri kulturo artistike që organizojnë rregullisht koncertet e tyre që bartin plot vlera dhe ndiqen nga një publik i madh. Por ka edhe artistë që prezantojnë individualisht punët e tyre, kohë pas kohe. Prandaj, edhe shkrimtarë që promovojnë librat e tyre, në një mënyrë apo tjetër. Në një takim për Festën e Flamurit, këto ditë, e kemi hedhë idenë e krijimit të shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Zvicër.
Planet afat shkurtra dhe afat mesme për z. Camaj në fushën e letrave?
Zakonisht kur një krijues shtyp një libër, atëherë veç e ka filluar tjetrin. Nuk do t’ua zbuloj më shumë, sepse jo vetëm të shkruarit por edhe koncepti i vet librit mund të ndryshojë gjatë kohës së të shkruarit. Me rëndësi është që projekti ekziston dhe do e përmbushi, padyshim.
Sa e njihni rajonin e Luginës së Preshevës?
E njoh mirë. Kam miq të mirë nga disa familje dhe atë duke filluar që nga koha e gjimnazit (1975). E di që një numër jo i vogël, kanë emigruar në perëndim dhe mundohen ti ruajnë traditat e tyre. Por megjithatë, kanë mbetur përplot familje të ndritshme pa të cilat nuk do bënte as Kosova e Shqipëria; e lëre më Lugina e Preshevës.
Mesazhi i juaj drejtuar lexuesve tanë e në veçanti krijuesve të rinj?
Kam një besim të madh në arsimimin e kësaj gjenerate, sepse e di që janë të vetëdijshëm që pikërisht këta njerëz po krijojnë dhe vulosin historinë e kësaj ane, e cila do t’u shërbej të jetojnë në paqe të gjitha gjeneratave që do vijnë.
Krijuesit e rinj, shpresoj se janë të liruar nga paragjykimet dhe u them që ta heqin ndrojtjen nga mendja dhe të shkruajnë gjëra të vlefshme. Një popull që lexon (informohet), është i arsimuar. E një popull i arsimuar e fiton dhe e gëzon lirinë e vet shumë lehtë.