Kulturë
Cikël poetik nga Natyra Kuçi
E hene, 22.03.2010, 09:49 PM
Natyra Kuçi ka lindur në Deçan të Kosovës. Është nxënëse në shkollën e mesme “ Vëllezrit Frashëri” në Deçan. Pasioni i saj është letërsia, i pëlqen leximi dhe psikologjia.Zotëron gjuhën Angleze dhe atë Gjermane. Poezia është dashuria e saj, gjuha me të cilat ajo shpreh mbresat e jetës së saj rinore.
Përgatiti: Pilo Zyba
PSE HESHT?
Bjeshkë e livadhe bora i mbuloi
harabeli në dritare çuket ,
një kokërr mel në sqep t’i lëshojë
ai nga i cili këtë më së tepërmi e pret.
Ndonëse pranvera nuk do të vonojë
prapë gjithë natyra të buzëqesh
e dielli rreze të ngrohta të lëshojë
ti nuk bëzan, ti përsëri hesht.
Mbase pret verën të dhurojë ngrohtësi
si atëbotë kur zemrat si një i bashkoi,
për të ringjallur lumturinë përsëri
bilbili të vazhdojë siç vetëm ai di të këndojë.
Mos prit, mos prit vjeshtën atë stinë mëkatare
që gjithë fajet asaj t’ia lija do kisha dëshirë,
mos prit të vyshken lulet nëpër livadhe
as për ty atëherë nuk zbardhë ditë më e mirë.
SHPRESË E KTHYER
Natë e qetë, vetëm
të lehurat e qenëve dëgjoj
e vetme nuk jam, por
në vetmi jetoj!
Mendoj shumëçka
shumëçka s`kuptoj,
arsyetuar gjërat
perfundoj !
Zemra ime flet një gjuhë
por mendja portën s’ia hap
pse gjithnjë kësaj të fundit
fuqinë e vendimit i jap…!?
KË TË LË FAJTOR ?
Dimër është,
bora shkriu, bie shi,
rrugës endem
të kerkoj më sy!
Kokë ulur
Bilbil pa krahë e pa këngë,
Malli sa posht sa lart
Më end
Udhëtoj, kërkoj
Të shkul këtë zhgënjim,
Endem më kot
S`dua t`besoj që ky ishte
Harrim.
Vallë pse endesh,
Kë kerkon
Për atë që ke vrarë
Tani lëngon?!
Mos je je penduar
pse pa fjalë u largove,
dritën e së vërtetës
kurrë nuk e tregove!?
Se di kë të lë fajtor
Mua, ty apo fatin,
Ta lë fajtor rrethin
Mungesën e dashurisë ,
apo Rastin?!
ENDE KUJTOJ FILLIMIN
Ende kujtoj fillimin
E fundi ka kohë që është
Harruar!
Ende mendoj gëzimin
Që si dallëndyshe nga ftohtësia
Diku ka shtegtuar
Ende kujtoj lotët,
Lotë që tashmë janë tharë
Në sytë e përmallshem
Ende shpirti do,
E do një njeri, por
Dashuria është larg, e ndajnë
Shumë kufi.
Ende uni kërkon një
Të puthur, një shtrengim,
Edhe pse e di, që s`ka më vend
Për një tjetër rikthim!
Deçan mars… 2010