E marte, 15.10.2024, 07:45 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Dinjiteti dhe qëndresa e shkrimtarit për shpresën dhe lumturinë

E shtune, 20.03.2010, 03:45 PM


Nga promovimi i tri veprave të shkrimtarit, Murteza Xajë Nura në Bibliotekën e Qytetit në Gjakovë

Sejdi BERISHA:

DINJITETI DHE QËNDRESA E SHKRIMTARIT PËR SHPRESËN DHE LUMTURINË

Rrugëtimi i shkrimtarit, rrugëtimi i poetit është rrugë madhështore. Madhështore, sepse, ai në vete disponon atë tharmin dhe thelbin e dhembjes, të vuajtjes, të dritës e të dashurisë, të shpresës dhe të lumturisë. Dhe, ai, si atdheu, si toka, si kënga e loti të shoqëruar bashkë, rri pip në këmbë për të thënë e treguar atë, që këngën e vajin i bën bashkë për të shpjeguar vrapin e jetës, e në këtë shpejtësi, për të mos gabuar. Sepse, atëherë çdo gjë i ngjanë etjes dhe mallit të pashuar për t’i thënë të gjitha por kurrë të përfunduara.
Rrugëtimi i shkrimtarit është ndjenjë që dhemb më shumë. E, Murteza Nura, e ka atë klithmën se rrugëtimi i tij, sikurse edhe i shumë të tjerëve, është histori e veçantë, është këngë e dhembje e veçantë. Kurse, e veçanta gjithmonë zgjon kureshtjen për dritën e ecjes, për peshën që kurrë s’mund të matet në jetë.
Kjo është e veçanta, kjo është madhështia, ky është rrugëtimi i shkrimtarit, ky është rrugëtimi i popullit. 

A, është një formë e detyrimit, apo dëshirë të thuash, “vitrazh i thyer”, “jam udha e virtytit” dhe “e vërteta vjen virgjër”?! Kjo është çështje që dyshimin dhe rrugëtimin e jetës ta imponon edhe si pasqyrë edhe si kolorit trishtimesh e klithjesh hidhërimi, mospajtim e rebelim për çdo gjë!
Si duket, këtu edhe “zbulohet” ajo çerdhja dhe ngrohtësia e jetës dhe e zërit të njeriut krijues, të njeriut, tek i cili pasqyra e vërtetësisë qëndron dhe kurrë nuk thyhet së paku tërësisht, edhe pse ajo trillon, ajo bëhet rrenë, e cila struket e fshihet pas hijes së historisë. E, historia lemeritë duke kërkuar për tu mos u bërë mëkat apo armik i vetvetes. 
Të gjitha këto e krijojnë atë tabanin interesant dhe detyrimin e kuptimit dhe të studimit ndryshe të krijimtarisë së Murteza Nures. Sepse, edhe veprat e tij sikur janë shkruar në mënyrë karakteristike, për të mos thënë krejt ndryshe nga e rëndomta, gjë kjo e cila ta detyron ndeshjen me vullkanin e hidhërimit, ta imponon acarin e arsyes, të cilat, së bashku të mbërthejnë në dhembjet e dhembjeve, në zërin e zërit për kërkimin e universit, i cili univers, shpesh bëhet legjendë njeriu, shndërrohet në fjalë simboli, në këndim e pikturë ndjenje. Të gjitha këto bashkërisht, padyshim se peshojnë rëndë dhe ndryshe nëpër periudha kohore e të atyre të përplasjeve shpirtërore. Kjo, sikur i ngjanë lapidarit të përjetësisë, nëse ekziston dikund, dhe të ecjes, kuptohet, duke u rrëzuar dhe ngritur, por kurrë pa u rrënuar. Andaj, në tërë këtë, krenaria qëndron edhe si xhevahir, edhe si virtyt. Nuk ka gjë as forcë e cila mund ta mposhtë as krenarinë, as virtytin, as njeriun e mirëfilltë, pra, as shkrimtarin me veti të tilla.
Duke përkujtuar veprat e Murteza Xajë Nures me karakteristikat e veçantisë të mesazhit dhe të prezantimit të mrekullive, të rrugëtimit të njeriut me historinë bashkë, dhe të peshës së fjalës e të zërit, veprat më të reja të tij, e në veçanti, libri, “Jam udha e virtytit” i sublimuar në katër kaptina e me katër gjini të ndryshme letrare, reflekton plotësisht kompletimin e universit të tij dhe stadin esteto-letrar e filozofik, si vlera të mirëfillta, me të cilat shërbehet mendja, zemra e shpirti i krijuesit, i cili asnjëherë nuk është kënaqur dhe as kurrë nuk kënaqet me atë që ka arritur. Ndërsa, etja për t’ia servirur lexuesit dhe opinionit mendimin e plotë të tij për gjithçka, edhe për të kaluarën, edhe për historinë me trakullima, edhe për mungesën e ndërgjegjes, edhe për ndërgjegjësimin dhe për vetëdijesimin e njeriut, edhe për vuajtjet e gëzimet, të cilat gjëra, nganjëherë popullit i janë ngatërruar por edhe tash i ngatërrohen aq shumë njëra me tjetrën, sa që pastaj ato, si dukuri e kanë trembur zogun e dashurisë, e kanë ndaluar mugullimin e lules qoftë ajo edhe me aromë dhembjeje.

Dhe, çfarë më tutje?! Rrugëtimi i njëjtë, por në faza e forma të tjera, që po ashtu, ato gjithnjë rëndojnë e rrisin mallin, pezmatojnë e hidhërojnë mendimin, këto segmente vrapi jete, gjithsesi forcojnë qëndresën, sinqeritetin dhe madhështinë që ka njeriu dhe toka. Andaj, autori i këtyre tri veprave, pra, edhe i librit, “Jam udha e virtytit”, mbetët sinonim i kërkimit dhe i këndimit të së mirës, të së bukurës dhe lumturisë edhe atje ku nuk ekziston, dhe se mendimi i tij, as tash, as kurrë, nuk e do as nuk e kërkon fundin dhe as pikën si formë apo simbol i mbarimit dhe i përfundimit të gjërave, edhe pse, në rrugëtim, diçka të lodhë, nganjëherë diçka përkohësisht të përdhosë, diçka të lëndon e diçka të irriton. 
Tërë kjo, mund të të ngulfatë, por, autori është i bindur dhe e di se dashuria rilindet, kurse liria kurrë nuk duron të qëndrojë e ndrydhur. Kështu që, durimi dhe shpresa, dhembja dhe lumturia ecin së bashku, edhe pse të hidhëruara ndonjëherë njëra me tjetrën, ato ngrehin obeliskun e dritës, të praruar me vetitë më fisnike të njeriut dhe të përmbaruara me virtytin, si një prej vulave të rralla që tek njeriu qëndron si roje e vlerave që i ngjajnë yjeve të cilët stolisin lartësitë mbase edhe universin e gjithësisë dhe të vet njeriut.
Kujtoj, se kështu, Murteza Nura e beson dhe e ëndërron “ardhjen e ditës të rritës madhe” dhe ditën kur do “ta përgëzoj fitoren e jetës”.
Është krejt e natyrshme se krahas të gjitha këtyre shtigjeve, pengesave dhe arenave të përçudshme të jetës dhe të rrjedhave që nuk njohin mëshirë, ai u frikësohet këtyre. Dhe se, në kuadër të kësaj komponente krijuese por edhe njerëzore, autori i afro njëzet veprave të botuara, fenomenin “hiçi” e vë në spikamë si vlerë qortuese dhe në të njëjtën kohë si frikë me konotacione këshille dhe dëshpërimi, ngase: “Hiçi i djeshëm sikur i sotit/Mbledh hiçet e lashta të kohëve të nesërme”, dhe tamam sfidon me ashkun e synimit të këmbëngulësisë dhe të virtytit, se: “Të pathënën duhet gjetur për ta thënë”.
Kujtoj se një “zemërplasje” e tillë, kahmot shëtit e bën strofull tek njeriu ynë, tek populli, pra edhe tek autori i këtyre veprave që sot po i promovojmë! E, të pathënën, toka as nuk e pranon as nuk e duron brenda, por e nxjerrë jashtë si gjënë më të tmerrshme dhe më të frikshme. 
Një gjë e tillë, sikur është imponuar si “thesar” i mbrapsht, që gjithnjë ka shtrembëruar apo ka luhatur baraspeshën edhe të fjalës, edhe të këndimit. Andaj, i nderuari Murteza Xajë Nura, duke lexuar, dhe duke kuptuar e ndierë zjarrminë në shkrimet tuaja, pra, edhe në veprat më të reja, e shoh, dhe e shoh: prapë je ti, dhe, prapë je vetja yte. Dhe, prapë vazhdon të jesh, Ti. Dhe, je me vetveten tënde, por jo vetëm me vetveten! Dhe, nëse me jetë ke mbledhur dramën, atëherë njeriun drama s’e lë vetëm. Për këtë, krijimtaria dhe jeta jote, nuk e kanë dhe as nuk e njohin pikën. Kështu, Ti, Murteza e Xajë Nura, kështu si je, je, dhe ke ngelur i lumtur, edhe pse zemra e shpirti nganjëherë e shpeshherë të ngarkojnë me pa kuptimësinë dhe kuptimësinë e njeriut, të ngarkojnë me dhembjet e kohërave dhe të jetës. Ti, i takon të së kaluarës jo të largët, ti, i takon të së sotmes, ti, i takon të së nesërmes, ti, i takon këtij populli, ti, je pjellë e kësaj toke gjithmonë të përvuajtur por krenare. E, dua të them edhe unë se, e vërteta vjen virgjër, duke ecur nëpër rrugën e virtytit!

Kështu, në këtë mënyrë desha të komunikoj me juve përkitazi me vlerat krijuese dhe përkitazi me librat më të ri të Xajës, “Vitrazhi i thyer”, “Jam udha e virtytit” dhe “E vërteta vjen virgjër”.
Ju faleminderit.




(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora