E merkure, 30.04.2025, 03:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Petraq Pali dhe libri i fundit i tij

E premte, 19.03.2010, 10:26 PM


PETRAQ PALI DHE LIBRI I FUNDIT I TIJ

“Maja e Luleve”

Nga Luan Çipi

Çuditem dhe mrekullohem nga rritja transformuese e Petraq Palit.
E kam njohur  gati 30 vjet më parë, kur punonte si teknik ndërtimi, në Degën Teknike të Drejtorisë  së Ujërave në Vlorë. Një mesoburrë simpatik plot energji, gjithnjë i qeshur dhe i gëzuar, që të jepte sa e takoje, miqësi e dashuri. Ai, gjithë ditën lëvizte majë një motoçiklete, për të drejtuar e kontrolluar punimet e rrjetit të shpërndarjes së ujërave për vaditjen në sistemin e bujqësisë së Rrethit Vlorë. Mund të bëhej një inxhinier ndërtimi i shquar, tek e shihje midis skicash e projektesh, apo kur zgjidhte variantet optimale  në zbatimin e punimeve ndërtuese, mirëmbajtëse, pastruese  e bonifikuese, po kurrë nuk mund të mendoje se ai do bëhej një poet  e prozator në zë. Kjo, ndofta se rutina e punëve të përditshme, po dhe dëshira për shoqëri e aheng, nuk i linin kohë të lirë, që të merrej me pasionin që e mbante thellë të ndrydhur në shpirt dhe që ia kish zbuluar dhe nxitur e
 frymëzuar babai i tij i madhërishëm, mësuesi i merituar  dhe patrioti i spikatur, Janko Pali.
Mërgimi, në Korfuz të Greqisë dhe në Virxhinia të Amerikës, malli, patriotizmi në gjenezën Jankopaliane e Qeparotase dhe dashuria për vendin e vetë: Qeparoin, që e lindi, Vlorën e veprimtarisë djaloshare, që e zbuloi si ajkën e të rinjve të gëzueshëm, të zotë, të dashur dhe që e vuri në ballin e tyre, si nismëtar e organizator, me epiqendër  djemtë e bregdetit, po dhe me shokë e miq nga te gjitha trevat shqiptare. Te gjitha këto, të akumuluara në një mendje të ndritur, origjinale dhe më tej, të përpunuara në art, shpërthyen atje larg në dhe të huaj, dhe u kthyen në mbresa të pashlyeshme në prozë e në poezi. Këto mbresa Petraqi i mban të freskëta dhe i përtërin me ardhjen e herë pas hershme në Qeparo, ku flë e ndrojtura muza inspiruese dhe  ku mesa duket, si lejlekët mërgimtarë, po e ndreq folenë, sipas kërkesave të kohës, për të gjetur qetësinë e dëshiruar.
Rrëfimi, si gjini letrare e lehtë dhe e këndshme për lexuesin, nga Petraq Pali, është një kënaqësi e veçantë, ku shprehet thjeshtësia dhe nënkuptohet madhështia e një njeriu të vërtetë, duke mos përjashtuar atë veçori, që autori është prodhimtar i pashtershëm  në prozë e poezi, me 13 libra të botuara dhe këto pa asnjë interes përfitimi dhe duke investuar kursimet e djersës dhe mundimeve cfilitëse të një mërgimtari. 
Sejti internetik dhe shoqata “Qeparoi” është një tjetër veprimtari, që paraqet vullnetin e pamposhtur dhe sakrificën pa interes, të këtij shqiptari të vërtetë, ndërsa Shkolla “Janko Pali”, një mundim familjar, krejt patriotik, vazhdim i traditës së babit të tij të ndritur, një model i rrallë i përpjekjeve të shqiptarëve të Amerikës, sipas shembullit të hershëm të vatranëve të paharruar, kontribues  të rendësishëm për vetë ekzistencën e Shqipërisë tërësore, me Vlorën dhe Prishtinën.
Një tjetër mësim që na jep Petraq Pali, si rrallë djem të tjerë të kësaj kohe, është kujdesi, respekti dhe shpenzimet financiare që i kushton babit të vetë, të cilit ja ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk  i rresht përpjekjet për ta vendosur atë në piedestalin që meriton.
Petraq Janko Pali, veprimtar shoqëror, në gjirin e Shoqatës se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, ku për 8 vjet, ka qenë nënkryetar, gjëndet  hera herës kudo: Në Tiranë, në Korçë, në Vlorë e në Berat, në  Çikago, Boston, Miçigan, Washington, Njujork e Toronto, kudo ku mblidhen Shqiptarët dhe jep ndihmën e tij modeste për njohjen dhe ruajtjen e traditave më të mira dhe për përparimin e pandalshëm të Kombit Shqiptar.
Edhe tani, 65 vjeçar, tek e shikoj energjik dhe lexoj e njihem me punët e tij, mrekullohem nga veprimtaria e dobishme e mikut tim të mirë, Petraq Pali, krenohem me të  dhe i uroj të ruaj natyrën e tij plot gjallëri dhe entuziazëm dhe të ketë shëndet të mirë e prodhimtari të pashtershme.
Libri i fundit me tregime, “Maja e Luleve”, me parathënie dhe redaktim të Aleko Likaj, është një tjetër arritje me vlerë.  Duke e pare titullin interesant të librit, të lind natyrshëm pyetja: Kush nuk i do lulet? Ato, si simbol i bukurisë, erëmirës dhe delikatesës, janë ne qendër të vëmendjes,  për njerëzit e ndjeshëm e sidomos për të dashuruarit, të cilët, vetëm me një buqetë lulesh, shpesh, shprehin plotësisht atë që nuk e thonë dot me gojë, si pasqyrim të ndjenjës së thellë shpirtërore, të dashurisë sublime.
“Maja e luleve”. Në kuptimin direkt lind pyetja- kush nuk e do majën e lules? Jo vetëm bletët po dhe gumeni, vete e ngulet mbi të e ri gjatë, sodit e thith nektarin  çudibërës. Dhe ti ri e lexon këtë libër të bukur me tregime dhe nuk shqite dot, deri sa i numëron faqen e fundit.
Petraqi, natyrisht, i ka shkruar vetë këto tregime realiste dhe mos e besoni edhe kur thotë, disa herë:“Është ngjarje e vërtetë. Emrat kam ndryshuar”. Përshtypje, patjetër që merr, se ai është gjithnjë mes burrash të zgjuar e tregimtarë, po çdo thurrje, ngjarje e intrigë, ta besoni, është sajim vetjak i Petraqit, i talentit dhe fantazisë së tij, i përvojës personale jetësore.
Nuk dua të shtjelloj, apo të komentoj ngjarjet, që aq bukur dhe si një letrar i pjekur tashmë, paraqet Petraq Pali, se kam frikë mos ju humbas kërshërinë, po, ju rekomandoj ta lexoni “Majën e Luleve”, për t’u njohur me personazhe interesant, që hasen shpesh  në jetë, po që të fiksohen për shumë kohë në mendje.
Le ti urojmë prozatorit dhe poetit prodhimtar, Petraq Pali, në 65 vjetorin e lindjes së tij, jetë të gjatë dhe shumë libra të tjerë, po kaq të bukur.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx