E enjte, 01.05.2025, 06:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Fragment nga romani "Dëgjo floriri im''

E enjte, 18.03.2010, 10:30 PM


Kristaq Turtulli
 
Fragment nga romani "Dëgjo floriri im''

Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë

...sa të dëlirë janë njerëzit...

Ishte mëngjes herët kur ata hynë vrulltas dhe gjithë zhurmë në shtëpinë tonë, duke përmbysur gjithçka. Asnjëri nga ne nuk mundi të bënte edhe lëvizjen më të vogël. Ishim me teshat e natës, të plevitosur, të nemitur. Ata nxituan shumë shpejt drejt meje, sikur të  shtyheshin pas nga një erë e fortë. Ishin tre vetë me pardesy të gjata ngjyrë bari të thatë. Fytyrat e tyre shprehnin një kënaqësi gati pështirë. Ai që ishte afruar pranë meje, ishte gati dy metra i gjatë, kockë madh, hundëmadh, të përthyer, si sqep shpendi të egër. Sytë e tij ishin të vegjël, të errët, ndërsa dhembët e përparme i kishte të mëdhenj, të verdhë, këtë gjë e vura re kur ai ulëriti. Dy të tjerët ishin trup mesëm, ndoshta një kokë më poshtë se ai, me mustaqe të shkurtra, të holla. Të dy kishin fytyra të rrumbullakëta flokë të prera shumë shkurt, ata kishin lënë vetëm pesë qime në çaçkë të kokës dhe ngjanin si vëllezër siamezë. Të dy ndiqnin vëmendshëm çdo lëvizje të kockë madhit. Ai qëndroi përballë, shumë pranë meje dhe vendosi pëllëmbën e madhe mbi shpatullën time. Rëndoi me gjithë forcën, aq sa trupi m’u përthye nga dhembja. Nuk kuptoja kurrgjë se çfarë po ndodhte në shtëpinë time! Në prag të mëngjesit! Nuk më kujtohej saktësh se si ndodhi, ata shkulën derën me gjithë mentesha në gremisjen drejt meje, apo nëna e kishte harruar ti vinte shulin derës së jashtme. Ndoshta hyrja e tyre ishte e vetëtimshme. Ata futën në shtëpi të ftohtin e hidhur të dhjetorit, cingërimën e tij. Prindërit e mi të gjorë qëndronin të kallkanosur në qoshe të dhomës, të llahtarisur, të pagojë! Të paralizuar nga terrori, ata vështronin drejt meje. Sytë e mi u takuan me sytë e tyre, kur kockëmadhi rëndoi për herë të dytë mbi shpatull...
Ata u treguan të pamëshirë, të egër, gjithë urrejtje, sikur të kishin përpara keqbërësin më të tmerrshëm. Ata më tërhoqën me forcë, me përdhunë, jashtë në oborr. Më dukej sikur gjithçka që po ndodhte ishte krejtësisht ireale. Nuk isha unë ai i lidhuri me pranga të ftohta metalike, që po më dërmoheshin kyçet e duarve, por dikush tjetër, i dhunuar, i përbuzur, gjendur rastësisht në qenien time. Unë mora me vete lëndimin dhe tmerrin e prindërve. Nëna u plandos përdhe, për të mbrojtur djalin e vet, nga grushti i hundëmadhit. Unë doja të bërtisja, mos e prekni nënën, por gjuha më ishte trashur, nuk lëvizte!
Prindërit e mi ishin lindur, rritur, mplakur dhe kishin jetuar jetën e tyre me djersën e ballit, me traditat më të mira të qytetit tim, me ndershmëri, përkushtim, nën flladin e këngëve, me serenatat në rrugicat e ngushta dhe karakteristike, me çiltërsinë, ngrohtësinë dhe dashurinë reciproke. Ata nuk kishin dëmtuar, fyer, prekur, vjedhur askënd, vetëm kishin shpërndarë mirësi. Ata përballuan me dinjitet tërmetet, përmbytjet, luftërat dhe rrebeshet e kohës. Por a do t’a përballonin vallë tani në pleqëri, tmerrin, arrestimin,       dhunimin e djalit të tyre të pafajshëm?
Unë u përpoqa të qetësoja lumin e madh të kristaltë të lotëve të tyre, duke u thënë se ishte veçse një keqkuptim i rëndomtë. Çdo gjë do të sqarohej shumë shpejt dhe unë do të kthehesha gjithashtu shumë shpejt në shtëpi, do të jetonim së bashku dhe gjithçka  do të rridhte si më parë, nëna do të më priste tek dera, kur të kthehesha nga puna, mund të bëja një dorë shah me babanë dhe do të pinin ndonjë gotë të vogël me raki rrushi të mrekullueshëm, e të tjera, e të tjera...
Fatkeqësisht prindërit e mi të dashur e dinin mirë se këta nuk bënin asnjëherë keqkuptime të rëndomta. Por edhe sikur të ndodhte keqinterpretimi, kjo qeveri përsëri nuk linte pa t’a skuqur, pa të ndëshkuar, mbasi ishte i pafajshmi ai që provokoi nervozizmin e pushtetit.
Dy vetë më shtrëngonin nga krahët me gjithë forcën e tyre, më dukej sikur isha futur në mengene. Isha i mbushur me djersë të ftohta. Ata e shtynë përsëri nënën. Mos ju lutem, vetëm nënën jo! Asaj i ishin dërmuar bërrylat dhe gjunjët nga rrëzimet, shamia i ishte varur në shpatulla dhe flokët i ishin prishur. Babanë e shtynë qysh në fillim dhe ai kishte mbetur përdhe, dyllë në fytyrë, pa pasur më fuqi të ngrihej, në pjesën e përparme të pantallonave shquaja gjurma gjaku, plagët e operacioneve i ishin lënduar.
Ata më nxorën në rrugë. Befas dëgjova zhurma njerëzish. Nga ishin gjendur këta njerëz kur ishte akoma shumë herët. Rrugica ishte mbushur plot me kureshtarë, nga e gjithë mëhalla, por kishte edhe të tjerë. Turma dukej e irrituar. Një moment kujtova, ata kishin dalë për të protestuar, në mbrojtje të drejtësisë, të pafajësisë time. Të dy anët, përpara turmës kishte gardhe me policë. Kaq i rëndësishëm të isha unë vallë? Doja t’i falënderoja nga shpirti! Aty në krahun e djathtë më zunë sytë Veronikën së bashku me të bijën. Të dyja ishin të skuqura në fytyrë, të indinjuara për padrejtësinë që po i bëhej komshiut, hallexhiut, të pafajshëm dhe të pambrojtur. Unë po bindesha gjithnjë e më tepër që mëhalla kishte dalë në mbrojtje të së drejtës së njeriut, të dashurisë së çiltër, në mbrojtje të familjes. Ata ishin të fyer, të vrarë shpirtërisht. Turma lëvizi dhe policët shtrënguan radhët.  U mbusha me frymë, doja t’i falënderoja, t’u thosha se ne si popull vërtet kemi vitalitet, jemi si një grusht i vetëm, dënojmë padrejtësinë.
Atëherë kur po më mbërthente ngazëllimi, besimi dhe sytë po më përloteshin nga mallëngjimi, dëgjova një zë të lartë, të çjerrë që vinte nga turma, dy metra larg meje:
-Të varet, të varet krimineli!
U çorientova krejtësisht, trupi m’u qull, m’u var. Çfarë krimineli isha unë, që kërkoja të mbroja familjen dhe fëmijën tim?!
Mbas asaj klithme lebetitëse, shpërtheu e gjithë turma si në korr:
-Të varet, të varet krimineli!
Fytyrat e dashura, komshinjtë e rrugicës sime, ishin tjetërsuar, egërsuar. Disa prej tyre ishin të gëzuar dhe kërkonin të argëtoheshin. Mua m’u kujtua përnjëherësh mesjeta, turma e eksituar, njeriun e mjerë, të leckosur që e tërhiqnin zvarrë dhe gijotina aty në mes të sheshit. Ishte argëtimi më ideal i kohës.
Ata më tërhiqnin ngadalë, egërsisht, duke më ngulur thonjtë në mish, sikur t’u linin kohë njerëzve që ishin mbledhur në të dy anët e rrugicës të argëtoheshin. Veronika doli në rreshtat e para, ajo u zgjat drejt meje, filloi të më tregonte me gisht, zëri i saj ishte i holluar si klithmë shpendi:
-E dini, more popull, që ky djall, ky kriminel, më lutej që t’i jepja çupën time për grua! Unë e përzija çdo ditë me bishtin e fshesës. Ky më qante, më betohej, si ishte i ndershëm, por djajtë e ndershëm duken ditën me diell. Ky kriminel nuk gjente dot grua në qytetin e lindjes, u degdis larg dhe solli një kurvë rrugësh, të poshtër, të paskrupull si veten. E parandieja që ky ishte një përbindësh.
Unë ecja i shkalafitur nga çmenduria e mëhallës dhe dhuna e policëve. 
-Nëne, nëne, ju keni rritur një përbindësh në mëhallë, - ulëriti një zë tjetër.
Më dukej sikur rrugica ime ishte e përmbytur nga zjarret dhe flakët e injorancës, e urrejtjes së verbër së turmës pa kokë, pa shpatulla, pa këmbë, thjesht një masë amorfe, përmbytur nga leshterikët!
Ndjehesha i fyer, i poshtëruar deri në palcë! Nuk kisha zë të flisja, të kundërshtoja atë turmë të mallkuar, që po më njolloste, po shpinte me marrëzi të pashembullt drejt ndëshkimit maksimal një të pafajshëm të mjerë. Turma e komshinjve të shtrenjtë vazhdonte çirrej, të bërtiste dhe policët e zellshëm përmbanin indinjatën e tyre. Më zhurmonin veshët, më buçiste koka. Unë doja t’i zija, t’i shtupoja veshët, të mos dëgjoja  ulërimat idiote të turmës, por duart i kisha të lidhura. Vesa e mëngjesit pikonte e hidhur mbi kokat e njerëzve e mbi rrugicë.
Më në fund punonjësit e sigurimit të shtetit, së bashku me mua në mes, mbërritën në krye të rrugicës. Aty na priste një xhip i mbyllur, i mbuluar me llamarinë. Ata trokitën në derë dhe dikush nga brenda xhipit hapi derën, ata më shtynë, më flakën brenda në xhip si një deng me lecka. Dera u mbyll me forcë mbas meje. Më në fund veshët më ranë rehat, kjo ishte një e njëmijta e së keqes. Brenda në xhip ishte errësirë e thellë. U mundova të lëvizja  këmbët dhe shpatullat për të qëndruar ndenjur, ishte shumë e vështirë, mbasi trupi im pengohej, palosej mbas sendeve të forta. Makina filloi lëvizjen, trupi im përplasej sa  andej këndej. Ndoshta ishte më mirë të qëndroja përdhe, në dyshemenë e pistë e xhipsit. Nuk i a vlente barra qiranë, rënkova, isha një i humbur. Atëherë kur hoqa dorë përfundimisht, nga lëvizjet e çrregullta për t’u ngritur, dy vetë më mbërthyen nga shpatullat dhe më plasën në stol të vogël druri të pagdhendur:
-Hë, kafshë,ulu, - dëgjova një zë të egër.
Sytë filluan të mësoheshin me errësirën. Në atë xhip të ngushtë ishin ulur katër vetë, me automatikë, tytat e tyre ishin drejtuar nga unë gati për zjarr. Një hop besova se ndoshta në makinë kishte edhe ndonjë të arrestuar tjetër. Por jo, të katër ushtarakët e armatosur deri në dhembë, me gjashtëqind fishekë, ishin vetëm për një të gjorë, që nuk donte të linte fëmijën  jetim, dhe ky isha unë. Ata nuk flisnin, qëndronin të ngrysur, nofulla shtrënguar në gatishmëri të plotë, duke përgjuar çdo lëvizje timen.
Xhipi tronditej, shkundej, dridhej, koka më përplasej mbas llamarinës. Nëpërmjet një vrime të vogël bërë nga gozhda e shkulur, u mundova të shquaja ndonjë pamje sado të vogël të qytetit tim. Gjithçka më dukej e turbullt, e mjegullt, e lëvizshme, e nxituar, e shpërfytyruar. Makina e mbyllur thëthinte të gjithë erën e rëndë të benzinës së padjegur. Mua filloi të më vinte për të vjellë. U gëlltita me vështirësi, për të rrëzuar poshtë në stomak vjelljen e padëshiruar, sepse e dija që do të ndëshkohesha rëndë. Lëngjet e barkut ishin tekanjozë, të pabindur, të hidhur. Atëherë kur unë isha gati të villja, të nxirrja të gjithë helmin e komshinjve që ishte derdhur mbi mua, makina ndaloi. Ata më nxorën me shpejtësi jashtë, si të kishin pikasur se çfarë po ndodhte me barkun tim.
Kishim mbërritur në njërën nga katër Pallacinat e degës së punëve të brendshme. Katër Pallacinat, ishin katër godina hijerënda, trekatëshe, me mure të trasha, të suvatuara. Secila godinë ishte lyer me bojë të veçantë, ndryshe nga godina tjetër. Godinat ishin të rrethuara me mure të larta rreth tre metër e mbi to ishin vendosur një varg me xhama të thyera, si dhe tela të përdredhura, të trasha me gjemba. Përreth godinave harlisej një pyll i dendur që bënte shkëputjen , izolimin, eliminim e zhurmave, britmave të të burgosurve gjatë torturave. Ky pyll, njëherësh i vishte me mister dhe tmerr katër Pallacinat. Nën to, në bodrumet e tyre, kishte katakombe të nëndheshme, të mistershme. Aty torturoheshin, keqtrajtoheshin, humbitnin, zhdukeshin pa lënë gjurmë, një herë e përgjithmonë, qindra fate njerëzish. Dikur kisha dëgjuar, ashtu të pëshpëritura gjithë frikë, gjithfarë historish të frikshme, por asnjëherë nuk i kisha besuar.  Gjithë fisnikëria shqiptare, familjet e mëdha, kaluan nëpër labirintet e nëndheshme të tmerrit, u torturuan, u shpërbënë, u shfarosën, pothuajse njëherë e përgjithmonë. Ata në fillim u flakën nëpër kullat e hirit, me pas u futën nëpër biruca, deri në eliminime fizike. Turma e verbër i nëmi, i mallkoi, i qëlloi, i dënoi,  njëlloj siç ndodhi me mua. Një skenar i përsëritur, por ishte radha ime, një shfarosje më pranë llojit do të vazhdonte, vazhdonte. Katër Pallacinat ishin arma e fuqishme e proletariatit. Quheshin Pallacina në formë përkëdhelie, për t’i bërë godinat e tmerrshme, të ngrohta dhe intime me qytetarët e ndjeshëm të qytetit. Ato nuk mund të qëndronin të fjetura, të përgjumura...
Katër Pallacinat ishin ndërtuar në lagjen kryesore e të vjetër të qytetit, pranë bulevardit kryesor. Ato ngriheshin si ngrehina të frikshme mbi shtëpitë karakteristike një ose dy katesh. Qytetarët në shëtitjet e mbrëmjeve, kalonin pranë godinave, ulnin zërat, flisnin me zë të ulët dhe vështronin nga sfinksi gjithë frikë.
Pallacina e parë quhej godina e emulacionit socialist dhe ishte lyer me ngjyrë portokalli të hapur. Kjo godinë qëndronte në krah të bulevardit.  Në këtë godinë bëhej grumbullimi i informacionit dhe udhëzimeve. Ditën kjo godinë i mbante dyert dhe dritaret hapura, priste veteranë, ushtarakë, fshatare, të rinj e të reja sulmuese, pionierë të dalluar, ngado dëgjohej muzikë revolucionare dhe patriotike, por që të gjithë ishin në përgjim. Kur binte mbrëmja, godina merrte pamje të rëndë, dyert, dritaret mbylleshin dhe hapej e mbyllej pa pushim një derë e vogël, e rëndomtë druri, që gjendej në krah të rrugicës së ngushtë. Bujtësit duhej të ulnin kokën për të mos u përplasur mbas parvazit të ulët, ata çapiteshin me të shpejtë përmes pemëve, pastaj ngjisnin shkallët me vrap. Natën Pallacina e emulacionit socialist ishte e përmbytur nga punët. Dritaret i mbante të mbuluara me perde të trasha të errëta dhe priste informacione, raportime nga të gjitha skajet e vendit, të spiunëve të paguar dhe të papaguar. Në orën dy mbas mesnatës hynin më të sprovuarit, koordinatorët e grupeve, por jo të gjithë në një kohë, në intervale në çdo pesë minuta. Askush nuk dilte nga dera e vogël, ata dilnin në skajin veri perëndimor, një nga një, e veç e veç.
Pallacina e dytë, quhej godina e zyrave protokollare, e dëgjimeve, respektimit të drejtave të njeriut, të studimit të biografive, përgatitjes së brezit të ri dhe kuadrove të ardhshëm. Disa zyra në këtë godinë merreshin edhe me internacionalizmin proletar. Turistët e pakët që vinin duhet të linin pasaportat e tyre në këtë godinë, për një verifikim rutinë. Godina e zyrave protokollare përgatiste kuadro të aftë për t’u kontaktuar me partitë fantazma, por në radhë të parë, ata më të besuarit të kontaktonin me diasporën, të filtronin mes tyre, të mbillnin përçarjen dhe urrejtjen mes vëllazërish. Natën zyrat kishin jashtëzakonisht punë, vazhdonte në mënyrë intensive procedura dhe studimi i materialeve që vinin nga godina ngjyrë portokalli, duke bërë sondazhe direkte në teren dhe i shpërndante këto konkluzione sipas rëndësisë. Godina ishte e lyer me ngjyrë rozë.
Mbas  godinës së dytë kishte një brez me pemë të larta, pastaj vazhdonte Pallacina e tretë. Aty punonjësit ishin më hije rëndë dhe nuk pëlqenin të ngatërroheshin, të shoqëroheshin me punonjësit e dy godinave të tjera. Ata dinin të gjitha vendimet, ata ishin si zembereku i qytetit. Ata mbartnin sekrete të mëdha dhe ishin në kontakte direkt me viktimat. Ata vështronin me qesëndi qytetarët, mbasi ishin ata që dinin të gjitha sekretet e tyre, spiunllëqet, tradhtitë martesore dhe marrëzitë. Ata rrinin sy zgjuar natë e ditë. Trishtoheshin punonjësit e Pallacinës së tretë, kur të burgosurit e trajtuar me respekt  dhe konsideratë, në dhomat e veçanta të frymëmarrjes së re, largoheshin për në një tjetër vend dhe tjetër ferr. Por mërzia e  specialistëve të torturave ishte jashtëzakonisht e përkohshme, birucat mbusheshin përsëri plot, aq sa i linin, të arrestuarit e freskët të rehatoheshin përdhe, nëpër korridoret e nëndheshme, derisa ndonjë nga të privilegjuarit e birucave, i kthente patkonjtë nga dielli. 
Harrova t’u them se kjo godinë quhej ndryshe godina e frymëmarrjes së re. Këtu silleshin të gjitha materialet e të dy godinave. Aty jepeshin urdhëresat, zbatoheshin vendimet, arrestimet, dëbimet, internimet. Punonjësit e Pallacinës së tretë kishin një bar restorant në krahun juglindor të godinës, ku shërbenin dy femra të reja, një banakiere e një kameriere. Aty punonjësit çlodheshin, argëtoheshin mbas stërmundimit me viktimat. Ndryshe nga dy Pallacinat e para, që kishin vetëm nga një mensë të zakonshme e dy kuzhiniere të vjetra në moshë, dhembë rëna. Ata ishin ankuar në ministri për këtë padrejtësi të madhe, së paku t’u jepnin të dy plakat në shkëmbin të një kameriere të re, bile ata bënë dhe fletë rrufe, por ankesat e tyre binin vazhdimisht në vesh të shurdhër. Ata, punonjësit fatkeq të dy godinave, kishin mbetur pa përgjigje. Pallacina e tretë kishte privilegjin tjetër, ajo ishte lyer me ngjyrë të kuqe.
Pallacina e katërt kishte përpara një shatërvan të vogël të punuar bukur, me shumë shije, flitej që dikush e kishte ndërtuar aksidentalisht në momente dëliri, duke bërë dhe një delfin të vogël në qendër. U përfol gjithashtu se ndërtuesi i shatërvanit ishte mjeshtër i mirë, por u pushkatua për propagandë armiqësore. Ai donte t’i ndryshonte drejtimin dhe qëllimin e godinës, duke i bashkëngjitur godinës serioze, të rëndësisë së veçantë një idiot shatërvan. U dha urdhri që të prishej shatërvani, por pikërisht atë ditë erdhi dikush nga qendra. Ai u ul një copë herë në bordurën e shatërvanit, zgjati krahun dhe la ujin e stërkalë të binte në pëllëmbën e tij. Atë ditë bënte shumë vapë dhe freskia e ujit i u duk sikur e çlodhi. I deleguari i qendrës vështroi një copë herë ujin dhe i u drejtua vartësve,” i duhej Pallacinave një shatërvan, për ju që të çlodheni, të freskoheni, por edhe për ata që janë poshtë nëpër biruca, të dëgjojnë gurgullimin e ujit të shatërvanit e të ndjehen më mirë”. Në fillim u mendua që Pallacina e katër të quhej godina e shatërvanit, por ishte shumë prozaike dhe e thjeshtëzuar, ndoshta edhe e çmendur. Pusho, je në vete apo si, çfarë thua edhe i madhi i ministrisë e vlerësoi shatërvanin, mua më duket poetike! Hesht, mos u ngatërro shumë me poezinë, ajo virane ka marrë shumë veta në qafë, gjuha të ngatërron, por pena të shkatërron! Lëre poezinë të merren të lajthiturit! Ata bien shumë lehtë në grackë! Mbas shumë diskutimesh u vendos të quhej godina e Njeriut të Ri. Disa vite më vonë i deleguari i qendrës përfundoi si shumë të tjerë në bodrumet e nëndheshme, ai asnjëherë nuk dëgjoi zhurmën çlodhëse të shatërvanit!  
Godina e katërt ishte lyer me ngjyrë vishnjë. Në atë godinë bëheshin konkluzionet, rezultatet, fitoret e arritura, bëheshin planet për të ardhmen dhe objektivat që do t’u jepeshin Pallacinave të tjera, në ditët dhe vitet në vazhdim, deri në çfarë shkalle ishte lartësuar hibridi, njeriu i ri. Këtu bëheshin pritjet nga udhëheqja e ministrisë së brendshme, takimet, bisedimet, jepeshin dekoratat gjithashtu dhe shkarkimet. Pallacina e tretë dhe Pallacina e katërt ishin në xhelozi të hapur me njëra tjetrën. Mbasi gjithsecili mendonte se ishin ata që duhej të kishin vendin e nderit. Punën më të vështirë e hiqnin punonjësit e Palacinës së tretë dhe ishin të privuar nga takimet, drekat, darkat, bisedimet me krerët e lartë. Xhelozia e tyre arrinte deri në shatërvanin. Përse duhet të kishte ujë hedhës, pra shatërvan godina vishnjë dhe jo godina e kuqe? Ishin punonjësit e godinës së kuqe, ata që torturuan  dhe pushkatuan krijuesin e shatërvanit, por ata me  trishtim zbatuan vetëm urdhrin e dhënë prej shefit të godinës ngjyrë vishnjë.
Të katër godinat lidheshin mes tyre, me dhjetëra labirinte të nëndheshme, të mistershme. Me dyer të rënda metalike dhe me gjithfarësh dhomash të ndryshme, që nga qeli të ngushta një metër me një metër, që pikonin ujë vazhdimisht, deri në sallat e mëdha për mbledhje sekrete, ku merreshin vendime të një rëndësie të veçantë, në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të asgjësimeve të grupeve armiqësore brenda llojit. E në qoftë se nuk kishte grupe armiqësore, ishte detyra e përbashkët e katër Pallacinave që të gjenin grupe të tilla armiqësore, t’i evidentonin ato dhe të raportonin direkt në majën e kupolës.
Xhipi bëri disa rrotullime përmes pemëve të larta dhe ndaloi përpara godinës së kuqe, pra tek famshmja Pallacina e tretë. Katër ushtarakët më zbritën në tokë. Ndjeva dhembje të forta tek sytë. Unë qëndroja i ulur përtokë, i mbledhur, me duart të lidhura prapa. Aty më morën në dorëzim katër policë gardianë, të vrazhdë, të egër, të etur si minjtë e mëdhenj ngjyrë hiri të vaporëve të mallrave, për të parë fytyra  të reja, të burgosurish. Ata u morën një copë herë me shqyrtimin e dokumenteve të arrestimit tim. 
Befas të tetë u kujtuan, që kishin diçka nëpër duar. Ata u kthyen nga mua dhe më vështruan nga lart poshtë, si një specie të rrallë. Ata zbardhën dhembët, qeshën me të madhe, më treguan me gisht, pastaj më ngritën si lodër me dhunë dhe filluan të më bënin një kontroll të hollësishëm, duke futur duart kudo, në çdo pjesë të trupit tim, duke më trazuar, pickuar, çjerrë, lënduar dhe eksperimentuar. Ata më shtrënguan akoma më shumë prangat duke ndjekur me endje dhe kënaqësi shtrembërimin e trupit tim nga dhembja e tmerrshme të kockave të duarve. Ata prisnin që unë të ulërija, por, me shumë mundim e kapërdiva klithmën, duke shtrënguar dhembët, derisa më kërcitën.
Ata më tërhoqën zvarrë nëpër shkallët e ngurta, e të lagështa drejt birucave të nëndheshme. Korridoret ishin të ngushta dhe muret kullonin ujë, ngado mbante erë të rëndë myku dhe fekale. Minj të madhësive të ndryshme dhe gjithfarëlloj insektesh lëviznin qejfpaprishur anëve të korridorit.
Dy policë më tërhiqnin nga krahët me forcë, ndërsa dy të tjerët më mbanin në mbikëqyrje te vazhdueshme, duke më qëlluar herë mbas here me majat e këpucëve në noçkat e këmbëve. Sipas tyre unë përbëja rrezikshmëri të lartë, isha element i një trajtimit të veçantë. Dy llamba të zbehta ndriçonin me vështirësi korridorin e ngushtë dhe të gjatë.
Ata ndaluan përpara një dere të ngushtë, të ndryshkur metalike. Dikush prej tyre nxori gjithë zhurmë një tufë të madhe me çelësa. Ai i vërtiti çelësat një copë herë nëpër duar, provoi disa syresh në vrimë, por brava nuk luante prej vendit, nuk hapej. Policët filluan të shanin ndyrë e të grindeshin mes tyre. Koka më varej në gjoks, trupi im lëshohej, fërkohej mbas murit të lagësht, binte përdhe. Ata më detyronin të qëndroja në këmbë, duke më vendosur duart në gjoks, për të mbajtur ekuilibrin i ngjeshur mbas murit.
Më në fund brava lëvizi, dera u hap duke kuisur e kërcitur me zhurmë. Policët gjithë nervozizmin e mos hapjes së derës e zbrazën mbi mua, duke më qëlluar me shkelma dhe grushte, çfarë t’u vinte për mbarë. Më në fund ata më flakën si lëvere në birucë. Dera u mbyll me tërsëllëm. Isha gati pa ndjeja i shtrirë përdhe në dyshemenë e lagur dhe të ftohtë të qelisë. Befas trupi im u drodh si purtekë, u shkëput disa herë nga toka, nga gërçi, ndjeva të prera dhe dhembje të tmerrshme në bark, fyti po më përmbytej nga hidhërimi, goja u hap insiktivisht, më plasi e vjella. Unë doja t’a ndalja, por ishte krejtësisht e pamundur. Villja dhe villja pa ndërprerje, gati sa nxora të gjitha zorrët e barkut. Isha i dërmuar. Ndoshta bëra mirë që volla, mbase do të më kishte pushuar zemra nga tronditja e madhe si dhe grushtet dhe shkelmat që pësoi shpina ime. Koka po më ushtonte, filluan të më merreshin mentë, qelia më vinte vërdallë, isha në mesin e ciklonit, të vorbullës. Me shumë vështirësi largova pakës kokën nga pellgu i madh i vjelljes, doja të mbështetesha në bërryla, por nuk munda, u rrotullova keqas në honin e errët të pandjenjës.
Nuk më kujtohet sa kohë ndenja shtrirë, në çimento pa ndjenja. Nuk dija në ishte ditë apo natë, sepse strofulli im qëndronte përherë në errësirë. Askush nuk ishte kujtuar për mua, të hapte derën dhe të shihte në isha gjallë apo jo. Koka më gjëmonte. U zvarrita këmba dorazi në qoshe të qelisë i pa shpresë.
Nuk e di mbas sa kohësh, dera u hap me zhurmë, dikush më flaku përdhe një krodhe bukë. Unë u sula si i babëzitur, e rrëmbeva krodhën dhe doja t’a kafshoja, por ishte tmerrësisht e fortë dhe mbante erë të ndyrë myku. Sidoqoftë, unë nuk pata kohë të provoja lezetin e parë të mykut, sepse dera u hap përsëri, por këtë herë u përplas me tërsëllëm mbi trupin tim presioni i ujit të ftohtë. Klitha dhe u tërhoqa me nxitim drejt qoshes së birucës. Por ata me mençuri i kishin marrë të gjitha masat, presioni i ujit kontrollonte të gjithë folenë e ngushtë, duke më plevitosur deri në palcë, bërë si mace e zgjebosur. Ishte dushi i mirëseardhjes. U pastruan njëherë e mirë ndikimet e botës së jashtme, të familjes dhe gjithë hedhurinave të tjera. Një botë e re më priste përpara, bota e nëndheshme e neveritjes, e torturave dhe shpërfytyrimit! Ferri i frymëmarrjes së re!
Dushi i akullt më përgatiti për një kollë të fortë dhe për zhvillime të mëtejshme, në vendin ekzotik të mrekullive të katër Pallacinave.
Ata kur e panë që dushi i ftohtë e kishte kryer më së mirë detyrën e vet, duke më futur plevitin direkt në zemër dhe mbasi i bënë edhe njëherë një kontroll të hollësishëm trupit tim dhe qelisë, përplasën derën dhe u zhdukën. Ata më prezantuan me ceremoni katër bashkudhëtarët e mi në vite: Dhunën, Urinë, Errësirën dhe Lagështinë.


(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx