Kulturë
Ejup Ceraja: Përtëritja si metaforë e jetës
E hene, 15.03.2010, 10:24 PM

(Bedri TAHIRI: “PËRTËRITJA”, Tregime, Shkrola, Prishtinë, 2002)
(Vështrim i shkurtër)
“Ndiq rrugën tënde,
bota le të flasë ç’të dojë”.
(Dante Aligeri)
Nga Ejup CERAJA
Në vend të hyrjes
Emrin e shkrimtarit e veçan të publicistit të vyer, Bedri Tahirit, e hasim seç herë e më shpesh, qoftë në shtypin ditor, qoftë në shtypin periodik. Pra, shkrimet e këtij shkrimtari me tematikë historike-letrare, gjenden gjithandej morfologjisë së gjeografisë së trojeve shqiptare, por edhe në mërgatë. Ky shkrimtar e publicist i vyer gjer më botimin e këtij libri (2002), ka botuar edhe këta tituj: Azem Bejtë Galica, 1995; Përmendorja që mungon, 1997; Hys Popova – një yll në Yllësinë shqiptare, 1998; Adem Jashari – legjendë e legjendave, 1999; Përjetësia, 2000; Agu i lirisë, 2001 dhe Drenica – një shekull trimërie, 2002...
Maksima e vazhdimësisë së jetës - e përtëritjes së saj
Të themi që në fillim se të të pesëmbëdhjetë tregimet e këtij libri i përshkon kryesisht tema historike e mbështjellë, aty-këtu, edhe me një tis të beftë të reportazhit, se: "Në dukje të parë duket se i përngjan reportazhit, por kur thellohet lexuesi, shihet se mbi këtë stil, që nuk është larg letërsisë, është letërsia vetë..."1).
Bedriu është njohës i mirë i rrethanave historike, andaj nuk e ka të vështirë të bëjë shëtitje nëpër shekuj kohor të historisë së popullit tonë, në një anë dhe nëpër morfologjinë e gjeografisë së trojeve tona etnike, në anën tjetër. Kështu, pra, të themi kushtimisht, ai bën me sukses saldimet kohore me ato hapësinore të historisë dhe të gjeografisë sonë nëpër shekuj, duke filluar nga epoka e ndritur e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, madje edhe më herët e deri në epokën zulmëmadhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të prirë, në fillim, fizikisht e pastaj shpirtërisht nga komandanti legjendar i kësaj ushtrie – Adem Jashari me familje, që u bënë edhe flijuesit e parë kolektiv në altarin e lirisë të kësaj pjese të atdheut. Pra, Bedriu, epokat përpara luftës së UÇK-së i përshkruan me njohurit e një eruditi si njohës i mirë i historisë, kurse epokën e UÇK-së e përshkruan si përcjellës i drejtpërdrejtë i saj...
Të gjitha tregimet i përshkon një narracion artistik, me një gjuhë të pastër, të pasur e të rrjedhshme, me një sintaksë të bukur shqipe, që u rri gjerdan tregimeve edhe nga ky kënd i vështrimit. Pa ngarkesa të tepërta stilistike, që do ta rëndonin qartësinë e porosinë e tyre pa nevojë. Heronjtë e tregimeve, kur ato kanë temë historike, janë figura të njohura historike, duke filluar nga Millosh Nikollë Kopiliqi – heroi i Betejës së Kosovës (1389), e duke vijuar me Gjergjin tonë të madh dhe duke përfunduar me kolosin e kohës sonë – Adem Jasharin dhe, heronj imagjinarë, kur përshkruhen ngjarje nga realiteti ynë jetësor, po të nxjerra si ngjarje përgjithësuese nga bëma individuale...

Shikuar nga ky kënd shkrimtari Bedri Tahiri mëton, por edhe ia del me sukses që të tregojë për hapin burrëror e të paepur të njeriut tonë edhe nëpër kurthe e ndërskamca, që i viheshin gjatë historisë sonë njerkë, i cili gjente e tubonte forcë të mjaftueshme për t’u ngritur e për të bërë ecje vertikale përkundër të gjithave. Të gjitha këto nëpër dekada e shekuj, nga koha kur i fillon ngjarjet e tregimeve Bedriu, i kurorëzon me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila na e largoi njëherë e mirë mendësinë e robit, të shtrirjes së qafës prej të dobëti përballë një force, në dukje, shumëfishë më të fortë e më të organizuar...
Vetë titulli i librit “Përtëritja”, nën “çatinë” e të cilit janë vënë tregimet, them, ka një simbolikë të fuqishme. Ka misionin e përtëritjes së jetës nëpër shekuj, pa marrë parasysh flijimet që bëheshin në emër të saj dhe për lirinë e saj...
Përmbledhjen “Përtëritja” Bedriu e fillon me tregimin “Zemërimi i princit”, që ka për temë përgatitjen e aleatëve për Betejën e Kosovës, më 1389. Në qendër të rrëfimit e vë zemërimin e princit Millosh Nikollë Kopiliqi, të cilin e kishte zemëruar i vjehërri, Car Llazari. Atëherë ishte lidhur një marrëveshje dhe ishte formuar një koalicion në mes shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, vllehëve, hungarezëve, bullgarëve etj., që t’i dilnin përballë ushtrisë osmane, së cilës, atëherë, i kishte prirë vetë Sulltan Murati i Parë. Po, siç hetohet në vazhdim të tregimit, të gjithë dyshonin në besnikërinë e trimit drenicas... Atë e kishte nuhatur e kuptuar edhe princi Millosh Nikollë Kopiliqi, i cili me zemërim në ndarje kishte thënë: “- Do ta shihni kush është Millosh Nikollë Kopiliqi.”
Ai, i zemëruar, e kishte braktisur Kuvendin dhe si vetëtima kishte kaptuar fusha, kodra e male drejt vendlindjes së tij në Drenicën e dashur. Luftëtarët e tij do të renditeshin nën komandën e Gjergj Arianitit, Gjergj Balshajt dhe Teodor Muzakës. Kishte dalë i vetmuar në Majën e Zezë të Qyqavicës, nga ishte dukur rrafshi i Kosovës si në shuplakë të dorës. Kishte parë mizëri çadrash si kërpudhat pas shiut. Ishte fushimi i ushtrisë osmane. Në vazhdim Bedriu shkruan për betejën e zhvilluar, duke u mbështetur në kronikat e një kronisti plak, i quajtur Ashik Zade Pasha, i cili, duke iu dridhur duart, kishte shkarravitur mbi pergamenën e rrudhosur nga nxehtësia për vrasjen e Car Llazarit dhe për fitimin e betejës nga ushtria osmane, në një anë dhe për vrasjen e Padishahut me hanxhar të helmuar nga një i paudhë i quajtur Millosh Kopili, që kishte zbritur si era e malit nga Qyqavica, në anën tjetër...
Koha kishte rrjedhur e rrjedhur pa ndërprerje si ujët nën urë. Kishin kaluar vite, dekada e shekuj. Edhe pse ishte synuar që gjithçka ta mbulonte dalëngadalë pluhuri i harresës, nuk ia kishin dalë plotësisht... Se: “Heroi ynë sfidonte historinë njerkë. Ai frymonte kudo, në mendje, në zemra, në këngë. Smirëziut, Jovan Cvijiqit, sa nuk i ra pika, kur, pas aq shekujsh, kaloi këndej pari.
- O historian, kjo është Fusha e Sharanit... Ja edhe Livadhi i Milloshit... Ky është Bunari i Milloshit... Ndal, shënoje edhe këtë: Themelet e Kullës së Milloshit...
- O zot, po çmendej fare. Mbretëria e tij, kot së koti, paskësh shkrirë para e florinj për trillime e falsifikime...” (12)
Në tregimin”Liridashësit” Bedriu bënë një kapërcim kohor prej shekujsh për të dalë te tribuni popullor Ahmet Delia dhe te Kulla e tij në Prekaz, ku tuboheshin krerët shqiptarë, në përgjithësi e krerët e Drenicës, në veçanti, për të kundërshtuar si gjithherë ushtrinë pushtuese osmane, që tash vinte e kamufluar me petkun e ri, po që e pësoi si kaherë në trojet shqiptare e veçan në ato Drenicase...
Pastaj Bedriu me dashuri sublime, me përkushtim e me njohuri shkruan për Ilirikun e dikurshëm dhe për lakminë e grykësinë e njeriut në kushte e rrethana të caktuara në tregimin “Qerrja e florinjtë”...
Në tregimin “Syri s’ngopet me flori”, Bedriu shkruan me dhembje për “stacionin e lotëve", siç kishin filluar ta quanin njerëzit hallemëdhenj. Kur autobusët luksoz me muzikë “patriotike”, siç shprehet vetë Bedriu, e zbraznin Kosovën pareshtur nga ajka e rinisë, duke i bartur drejt perëndimit...
Në vazhdim në tregimin “Ditë e paharruar” me pietet e simpati Bedriu jep portretin e një nxënësi hafif, me emër të bukur Gëzim, me siguri të klasës së tij, të tërhequr, po shembullor në mësime, i cili e ndërpret shkollimin për t’iu bashkuar krushqve të lirisë gjithandej Kosovës, e të cilin ai e takon në frontin e luftës dhe i cili (nxënësi) ia falë atdheut një pjesë të gjymtyrëve të veta - këmbën...
Në tregimin “Profecitë e Bardhit”, Brdriu rrëfen profecitë e urtak Bardhit, rreth ngjarjeve të përditshmërisë, që zhvilloheshin në dekadën e fundit të shekullit që e lamë pas. Por, për çudi, përbuzej nga ata që e mbanin vetën të ditur e atë sharlatan...
Megjithatë, pas vdekjes, varrin e tij e mbulojnë kurora lulesh nga çdo anë, duke i thurur edhe lëvdata për profecitë e tij...
Sa bindshëm e jep Bedriu portretin e një tribuni popullor përmes figurës së Ukë Gurit, një plak mbi 70-vjeçar, i cili iu kishte bërë krah luftëtarëve të lirisë, duke mbrojtur pragun e shtëpisë me bomba që dinte t’i përdorte aq mirë te tregimi “Vdekja e bardhë”... Pas dëgjimit të plasjes së parë dhe të dytë, që vinin secila më kumbuese se tjetra, plaku Ukë Guri dëgjoi këtë apel, që i vinte si nëpër një tunel të thellë të nëndheshëm:
“- Tërhiquni prapa! – u dëgjua zëri i trashë i komandantit me revole në dorë, trupi i të cilit kullonte gjak. Alo... alo... Ju lutem dërgoni përforcime se kemi hasur në një bazë të UÇK-së!...”(47)
Tok me plasjen e fundit e zuri edhe vdekja Ukë Gurin, për të cilën ai kishte folur me admirim sa kishte qenë në jetë. Po vetën e kishte paguar shumëfish... “Ah, kjo qenka ajo vdekja e bardhë, për të cilën fliste shpesh i uruari...”(48)
Te tregimi “Nënëlokja”, me pietet, dashuri, nderim e admirim Bedriu spikatë, në vijim, qëndresën epike të nënave shqiptare, në përgjithësi e të atyre kosovare, në veçanti, të cilat kur ishte çështja për mbrojtjen, nderin e çlirimin e atdheut, nuk u dhimbsej edhe djali i vetëm, por edhe... Një Nënëloke e tillë i gëzohet ardhjes së djalit të vogël, Liridonit, nga Gjermania e largët për t’u rreshtuar përkrah luftëtarëve të tjerë të lirisë, që ta përtërinte vendin e dy djemve të Nënëlokes, që kishin rënë më herët heroikisht me armë në dorë në fushën e nderit për çlirimin e atdheut...
Fati është një botë e veçantë më vete. Këtë anë kryeneçe të jetës Bedriu e ka përshkruar te tregimi “Punë fati” përmes Kreshnik Drenit, një plak mbi të shtatëdhjetat, i cili përjeton dy herë gjatë jetës së vet “Ferrin e Dantes”. Njëherë në masakrën e Tivarit, e herën tjetër në njërën nga masakrat e shumta në Drenicë gjatë luftës 1999 në Kosovë. Që të dy herët kishte shpëtuar falë mbulimit të tij me trupat tjerë pa jetë...
Ka edhe tregime të tjera, që kanë për temë luftën e fundit në Kosovë. I tillë është tregimi “Përtëritja”, sipas të cilit Bedriu e ka titulluar përmbledhjen me tregime. Në këtë tregim Bedriu shkruan për rënien heroike të komandantit Kreshnik Shpatit dhe për përtëritjen e boshllëkut të tij nga e dashura e tij e ardhur nga kryeqendra...
Ndërsa te tregimi “Shërim shpirti”, shkrimtari Bedri Tahiri shkruan për martesën e luftëtar Petritit me Bukurinë nga Tropoja. Për rënien e tij në altarin e lirisë, për lindjen e djalit të tij, që do ta përtërij jetën, them unë, në tri rrafshe: në rrafshin e vijimit të saj, në rrafshin e zëvendësimit të tij me armë në dorë, kuptohet kur të rritet dhe në rrafshin e përtëritjes së emrit të tij me propozimin e nënë Bukurisë, propozim që plakut imcak, babait të Petritit ia shumëfishoi forcat për përballimin e humbjes të vetmit djalë, Petritit, se: “- Ah, të lumtë Bukurie! Sot ma shërove shpirtin e plagosur.” (72)
Te tregimi “Krenaria jonë”, Bedriu me dashurinë më sublime shkruan për 28 Nëntorin e vitit 2001, kur kryetrimi i trojeve shqiptare, i derdhur në bronz, udhëtonte drejt Kryeqendrës së Kosovës, për të vërtetuar se dikur ishte mburojë jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e krishtërimit evropian... Ai, për herë të parë takohet me legjendën tjetër, Adem Jasharin e Prekazit në Qafë-Morinë për ta bërë një copë rrugë së bashku dy breza me shekuj e shekuj kohorë në mes. Pra, më 28 Nëntor 2001, po përtëriteshin Nëntorët: e Krujës, të Vlorës dhe të Prekazit dhe po bënin rrugëtimin së bashku drejtë Prishtinës...
Në këtë përmbledhje është edhe tregimi “Përgjërimi”, që ka për temë dashurinë. Në fillim shkruan Bedriu për njohjen e dy të rinjve: njëri nga trojet shqiptare e tjetra nga viset e bukura të bregdetit Azur. Pasi shkruan për njohjen e tyre më shumë përmes ndjenjave e zemrave të zhuritura të njërit për tjetrin se sa që dinin të merreshin vesh përmes gjuhëve të ndryshme, që i flisnin. Po, për lidhje të një dashurie të pashkëputshme ju mjaftonte gjuha e zemrës... Bedriu ndalet më gjerësisht në martesën e tyre në vendlindjen e dhëndrit, ku nënëlokja e tij nuk mund t’u përballonte përgjimeve të bashkëfshatareve e të bashkëmoshatareve të saj...
Te tregimi “Sfidat e jetës”, pasi Bedriu jep vuajtjet e familjes së Dule Idrizajt, i cili i la eshtrat në burgun famëkeq të Burrelit gjatë regjimit monist. Në vazhdim shkruan edhe për peripecitë e familjes së tij të internuar në Brosh të Sarandës, ku e kishin kaluar jetën në kampin e quajtur “Ferma e Qazim Palit”... Bedriu shkruan me përkushtim edhe për jetën e emigrantëve shqiptarë në Greqi, ku për ta fituar një leje qëndrimi të përkohshme detyroheshin ta ndërronin emrin e mbiemrin dhe fenë... Çifti bashkëshortor Hysen e Olimbie Broshi, tok me vajzën e tyre Emilion, duke mos mundur ta durojnë një sfidë e një përulje të tillë, vendosin, më në fund, ta braktisin vendin e “Megallo idesë” e të shkojnë drejt Grenoblës...
Përmbledhjen me tregime “Përtëritja” Bedriu e përmbyll me tregimin “Ndërgjegjësimi”, që deri diku, ka një formë të reportazhit, po që ka një rëndësi të shumëfishtë: në radhë të parë t’i ndërgjegjësojë shqiptarët që ta tregojnë e ta mbrojnë të vërtetën tonë aty ku jetojnë e veprojnë, për t’ua sqaruar të tjerëve kush jemi, nga vijmë, për ku shkojmë dhe çfarë si popull e komb synojmë... Në një drekë nderimi Bedriu shkruan: “Na ra beftë. Sot, më 12 shkurt 2002, në orën 12 e 30 minuta, në Restorantin “LE MAGELLAN” shtrohet një drekë solemne për grupin e kosovarëve! - na lajmërojnë që në të gdhirë.”(91) Kah mesi i këtij tregimi pas pyetjes: “Te ju ka pasur femra që kanë luftuar? - pyet ajo me një kureshtje të pashuar”. (Bedriu i përmend emrat):
- Eh, sa të duash: Teuta... Nora... Tringa... Bikja... Ibja... Ajetja... Ganimetja... Xheva... Fatimja... Antigona... Luljeta... ia numëroi ato që më kujtohen në ato çaste”.(94)
Përmbyllje
“Kur erdhi Kushneri në Prekaz, qëllova aty. Ulur këmbëkryq, përbri Rifat Jasharit, pos të tjerash, u shpreh: Dua ta them një të vërtetë të madhe. Prekazi lëvizi gjithë mekanizmat botërorë, që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur çmim Nobel për liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari. Sa bukur. Këtë njeri e mbaja në mend edhe më herët. Ishte mjeku dhe humanisti i parë që botërisht pati pranuar se në Kosovë pati helmime.”(96)
Pra, kur të tjerët dëshmojnë kaq bindshëm për ne, atëherë pse ne të heshtim për vetveten tonë?... Sikur turpërohemi ta themi e ta mbrojmë të vërteten tonë përpara botës së qytetëruar...
_________________
1) Mehmet Kajtazi: MBËLTIMI I FORCËS SË NJERIUT (Fjala e redaktorit), faqe 98.
2. Mehmet Kajtazi: Po aty, faqe 97.
Komentoni
Artikuj te tjere
Jorgo S. Telo: Nëpër hapësirat e pakufizuara të një dukurie studimore
Fjala e Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Gjergj Fishtës
Milazim Kadriu: ''Ringjallja, ringjall aktivitetet letrare
Sokol Demaku: Bisedë me Murat Kocin, mësues dhe aktivist i dalluar në jetën kulturore të shqiptarëve ne Skandinavi
Ndërgjegja humanitare në funksion të çështjes kombëtare
Skulptura nga skulptori dhe shkrimtari Fitim Sula
Poezi nga Mazllum Saneja dhe piktura nga Jan M. Stuchly
Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (IV)
Halit Bogaj: Zherar Filip (1920-1959)
Dy poezi nga Nehat Jahiu
Nuhi Ismajli: Trajtim i pjesshëm i autorit në letërsi
Cikël poetik nga Nuri Plaku
Yllka Sheqiri: Shpirti ynë – dritare e hapur (Poezi)
Cikël poetik nga Gani Qarri
Abdulla Tafa: Eti - Magu i profundizmit
Cikël poetik nga Rizah Sheqiri
Traboini: Fly-Fluturim, etyd poetik
Cikël poetik nga Sokol Demaku
Albert Zholi: Ligji dhe antiligji
Pilo Zyba: Tregim humoristik nga Aziz Nesim