E hene, 29.04.2024, 03:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Rizah Sheqiri

E diele, 14.03.2010, 08:50 PM


Poezi:
 
RIZAH SHEQIRI
 
AMANETI
 
Kahdo që të nisesh 
biro
të qoftë udhë e mbarë
 
po vrapove
                 kujdes
mund të rrëzohesh
mbahu mirë për toke
                 edhe nëse fluturon
 
eh 
po i mërguar
në dhé të huaj
si të ta mbaj amanetin
                 LOKE!

©Rizah Sheqiri
 

FLUTURA NË ERË  1.
 
Bën ftohtë
fryjnë erëra
ngritet tym e mjegull
e bie shi shi i madh
gjelat paralajmërojnë heshtjen
e bie shi shi i madh
pas shiut 
a shfaqet ylberi i buzëqeshjes
 
kohë e bukur 
a bën mbi glob
a çelin lule 
a del pranverë
                 ndonjëherë
për ne - flutura në erë?
 
©Rizah Sheqiri
 
 
FLUTURA NË ERË  2.
- Fëmijëve mërgimtarë -

1.
Po zverdhet blerimi
lulet shumë mërziten 
që kur ikën fluturat
kanë zënë të veniten.
 
2.
Ku humbi buzëqeshja
gëzimi ku u tret
vallë këto flutura në erë
ç'ardhmëri i pret !?

©Rizah Sheqiri
 
´
FAQE DITARI E NJË MËRGIMTARI
 
Nënë po e puth diellin në faqe 
e ti puthe të puthurën time
 
nënë sytë i kam të drejtuar kah ti 
dhe me një rreze grindem si fëmijë 
që nga atdheu s'më solli pak dashuri 
e të dehem të dehem ngrohtësi
 
ju për mua sy e zemër i keni plot mall
e unë bredh botës qyqe - mërgimtar
as gjumin s'e bëj si gjumë 
as diellin s'e ndjej si diell
as hëna s'më duket si hënë
gjithmonë me një lot të ngrirë në sy
me dy fjalë të ndrydhura në zemër
me më të ëmblat fjalë ATDHE E NËNË
 
Nënë puthe diellin në faqe
unë ta puth të puthurën tënde.
 
©Rizah Sheqiri
 
 DEGËZ E KËPUTUR 1
 
Shtërngata një degëz nga trungu e shkuli
era e mori dhe larg larg e shpuri
degëzshkreta pranë një trungu tjetër vend zuri
 
e trungu edhe pse mbeti në erë 
degë e degëza i përtriu përherë
 
trung i plandosur sërish përparoi
pas shtrëngatës me gjelbërim plagët i mbëltoi
po degëza e këputur kurrë nuk gjethoi.
 
DEGËZ E KËPUTUR 2
 
Trungu i paluhatur përballoi erë e shtërngatë
degëzshkreta përgjithmonë hyri në natën e gjatë
 
Kur në qëndresë thyen qafën shtërngata e era
trungun e bulëzuar me afsh e përqafoi pranvera.
 
E degëza që u mashtrua pas erës
kurrë më s'iu gëzua pranverës…
 
Një trungu tjetër në gji iu fut por kot
e tëra u shndërrua në dhembje - në lot.
 
©Rizah Sheqiri
 

KËNGËVAJI
 
Mëngjeset janë të zymta
ditët të errëta
e netët e trishtuara
në dhé të huaj
malli përvëlon çdo refugjat
kokëdhembja është e gjatë
 
Zemra as ndalet as pëlcet
ballit i shtohen rrudha 
poetit në shpirt i qanë muza 
dhe 
nga këngëvaji i dridhet buza.
 
©Rizah Sheqiri
 

BALADË PËR MUZAT
 
Zgjidhur a lidhur në burg në qeli 
kudo muzat me vete i ke -
s't'i ndan dot plumbi as helmi
kur ke shpirt kur ke atdhe.
 
Në mjegull në tym a në flakë -
të zëna ngusht në zgjedhat e robërisë,
bashkë me ty pa frikë kurrë pa ndalë 
ia thoshin zëshëm këngës së lirisë.
 
Muzat të zgjuara ditë e natë 
gjithnjë të rrinin pranë pa përtim,
por tash poet të janë hidhëruar
pabesisht i trathtove - ike në mërgim.
 
Përditë nga pak muzat të vdesin në atdhe
Eh... dhembjen s'mund ta shuash me gotë,
në vend se ta këndonit nga një këngë të re
Ty të shtohen plagë - dergjesh nëpër botë.  
 
©Rizah Sheqiri
 

KUR MERR RRUGËN E KURBETIT
 
Kur merr rrugën e kurbetit
varrin hapur gjithmonë e ke,
 
medet për atë njeri 
që s'ka vend për varr në atdhe.
 
©Rizah Sheqiri
 
 
NË KURBET 1.
 
Si i varuri në litar
                 para ekzekutimit
që pret t'i heqet trekëmbëshi
                 nën këmbë
pa atdheun pranë 
të mbahet për te
të jetë i fortë 
me diellin larg prapa reve
                 pa rrezen e tij
që ta shërojë shpirtin
 
në kurbet jeta pezull
                 mes tokës e diellit
pa qëndresë pa dritë 
në ankth në erë 
shpirti peng përherë.

©Rizah Sheqiri
 
 
NË KURBET 2.
 
1.
Pikëllim 
është edhe gëzimi
e lëre më pikëllimi.
2.
Edhe kur është mirë 
 është keq
edhe kur është shumë mirë
edhe kur është shumë keq
është shumë keq
është shumë keq
Në kurbet !
3.
Kur qan trupi
qan shpirti
edhe kur qesh trupi
                 qan shpirti…
4.
Njeriu - në kurbet i mjerë
flutur në natë
pëllumb në erë
shpirtvrarë zemërplasur
përherë.
5.
Në zemër pikëllimi
dhe loti gur
nga poeti ik çdo muzë
në shpirt ngre çerdhe dhembja
e dergjet një urë
dhe këngëvaji
lëshon rrënjë në buzë.
 
©Rizah Sheqiri
 

I HUMBUR
 
Atdheu i dha emër
po emrin ia tretën rrugët e botës.
 
Tash i ka humbur emri
tash i ka humbur shpirti
tash i ka humbur zemra…
 
Kot, fare kot
e kërkon vetveten nëpër botë.
I është ngatërruar keq rruga e kthimit
dhe jetën e bën në kërkim:
                 kërkon rrënjën
                 kërkon trungun
                 kërkon degën…
Dhe asgjë - s'e gjen as vetveten
përveç një të vërtete të amshuar;
pa atdhe njeriu është i humbur
i humbur përtej çdo skaji të gjithësisë
i mbuluar përjetë me mjegullën e dendur
të tëhuajësisë.
 
©Rizah Sheqiri
 

SHTEGTAR
 
Atje i dhunuar i ndjekur nga shtëpia
këtu i përbuzur i huaj pa shtëpi
armik i rrugëve - rrugët në sy
gjithë bota e vogël për çerdhen e tij.
 
Shpirti i shtegtarit det kurrë i qetë
lëngon të prehet s'paku njëherë në jetë.
 
Patjetër diku në një shtrat
që askush s'e di ku e kur
do të mbulohet me një jorgan dheu
e nën kokë do ta vërë një gur
po s'është i sigurt a do të jetë i tij edhe varri
që s'paku i vdekur të mos shtegtojë shtegtari!
 
***
Rrugëve 
në botë i pa botë
 
dhembjeve 
                 në jetë i pa jetë
 
plot dashuri 
                 edhe në varr i pavarr
 
në këngë 
                 pafundësisht - shtegtar!
 
                                   ©Rizah Sheqiri
 
MALL PËR GJYSHEN
 
Gjyshemira, flokëthinjura ime e dashur
si patën guxim të më thonë se ke vdekur
më vranë shpresën më hapën plagë në zemër                                       
shpirtin ma thau loti gur i dhembjes
e më vërshoi ai lumë i mallit.
 
Gjysheurta ime, përralla e kënga
ata më thanë, po ti s'ke vdekur
jo jo në mua e për mua s'ke vdekur
urtësia ime, s'ju besoj fjalëve kob
as kështu siç jam në këtë amulli
po më thuaj njëmend, gjyshe - thinjoshja ime
a kam vdekur unë i mërguar a ke vdekur ti?
Jo jo 
ti s'ke vdekur se amanetin s'ma the
kam vdekur unë 
që s'ta hodha sipër as një grusht dhé!
 
Eh, dhembje, vdekje, e zezë jetë
gjyshe më thanë syhapur shkove
me mallin për nipat në kurbet
jetëzeza jetë - medet;
ti shkove syhapur me mallin për nipat
e neve rrugëve të botës na verboi malli
shpirt e zemër flakë na i kalli.
 
Njeriu syhapur në vendlindje vdes
po ne në kurbet të verbër nga malli
errësirë e dhembje mbrëmje e mëngjes.
 
E dashura gjyshe njerëzit ndërrojnë jetë 
në atdhe s'vdesin jo - në kurbet vdiqëm ne
për së gjalli të mbuluar nga dhembja e malli
ashtu siç mbulohen kufomat me dhé.
 
©Rizah Sheqiri
 

 LOTËT MA KALLËN SHPIRTIN
 
Kur u ndava nga i dashuri atdhe
më mirë të hyja i gjallë në dhe.
 
Ndarja u mbulua krejt me mallkim
bota ime u shndërrua në pikëllim.
 
Në dhembje lotët e ndezën mallin
shpirtit e zemrës m'i vunë zjarrin.
 
Ç'më digjet zemra dhe shpirti i mjerë
siç digjet eshka që e rrok flaka në erë. 
 
©Rizah Sheqiri
 

EDHE NJË NATË PA GJUMË 
 
Mesnatë 
ulërimë ujqësh
lehje qensh
këngë gjelash
 
pranë tavolinës
vë dorën në ballë
për atdheun për nënën për diellin
malli seç më kallë 
 
koha rrjedh 
edhe kur është terr
buzët më thahen 
sytë më skuqen
gjumi s'më merr
 
me dhembje 
me durim
                 i lodhur
arrij në agim
agimi ngadalë shqyen errësirën
me dritën -  shpatë 
si fëmija gëzohem
larg atdheut -
në kurbet në shtërngatë
e munda edhe një natë...
 
©Rizah Sheqiri
 
 
NË NDËRRIM MOTESH
 
Larg më je sonte
më je afër sonte
                 nënë
ndërrim motesh
                 presim
 
shihemi në ëndërr
diellin e kemi në sy 
ngrisim gotat plot dashuri 
e rrokemi ngrykë
i cakërrojmë 
                 g ë z u a r...
 
Në ndërrim motesh 
bie shi        
                 nënë
e shihemi 
e s'shihemi
re të zeza na kalojnë përmbi
 
e hajt gëzuar nënë
diellin ta varim në çati
 
e jemi larg
e jemi afër 
                 nënë
në ndërrim motesh 
na dridhet buza 
                 nga vaji
i shtërngojmë dhembjet në zemër
ngrisim dolli
                 g ë z u a r
 
©Rizah Sheqiri


Rizah SHEQIRI u lind më 12 janar 1961 në Brainë, ku e kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe Fakultetin Filologjik – Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe i kreu në Prishtinë. Që nga bankat e shkollës së mesme nisi të shkruajë dhe të bashkëpunojë me revistat dhe gazetat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe më gjerë. Një kohë bashkëpunoi edhe me programin arsimor të Radio Prishtinës deri më 15 qershor të vitit 1983 kur u pranua si gazetar i rregullt në këtë institucion informativ. Shtatë vjet punoi në Radio - Prishtinë, në Programin Kulturor Artistik Arsimor, ku realizoi një varg emisionesh kulturore, artistike, arsimore dhe për fëmijë. Në radio iu realizuan një varg radioskenash. Shkroi edhe mbi dyzet tekste të këngëve për fëmijë, të zhanrit popullor dhe argëtues. Disa prej të cilave u bënë aq të dashura sa që këndohen me ëndje edhe sot nga grupmosha të ndryshme si p.sh "Vallja popullore" që rrallë ndonjë shqiptar të mos dijë ta këndojë.
Rizah Sheqiri shkruan prozë dhe poezi për të rritur dhe për fëmijë. Pos me gazetën "Rilindja" dhe me revistën ”Zëri i rinisë” bashkëpunoi pandërprerë edhe me revistat për fëmijë "Gazeta e Pionierëve", "Pionieri" pastaj me "Gëzimin" dhe "Fatosin" e Shkupit, etj. Ishte bashkëpunëtor edhe i revistës për çështje arsimore "Shkëndija" me të cilën bashkëpunimin e intensifikoi sidomos pas largimit të tij nga puna në RTP, si gjithë kolegët e tij, në mënyrë të dhunshme nga policore serbe dhuna Në periodikun shqiptar në Kosovë dhe më gjerë ka botuar një numër të madh krijimesh letrare të të gjitha gjinive dhe ka fituar një varg shpërblimesh në konkurset letrare. 
Urë mes dy kulturash dhe dy letërsish
Disa nga punimet e tij janë përkthyer në gjuhën gjermane, italiane, turke, angleze,rumune e në atë suedeze. Po kështu, në gjuhën suedeze, ka në përkthim e sipër disa përmbledhje. 
Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe, si dhe në antologjinë e krijuesve shqiptarë në Suedi me titull "Diell në dritare" (titull ky i marrë nga një poezi e tij) e botuar nga SHB "Rosengård" në Malme më 2000. 
Me poezinë ”Flutura në erë” është prezentuar në antologjinë botërore të poezisë për mërgimin ”Flykten valde oss” të botuar më 1999 në Suedi, ku janë të përfshirë emrat më eminentë të poezisë e të letërsisë botërore si; William Shakespeare, Ivan Turgenjev si dhe tre poetë që janë fitues të Çmimit Nobel për letërsi si; Pablo Neruda, Nelly Sachs dhe Wislava Szymborska. 
Përveç kësaj Rizah Sheqiri punimet e veta në gjuhën suedeze i ka botuar edhe nëpër disa revista e gazeta suedeze dhe është prezentuar në disa antologji. P.sh në monografinë për Ystadin "Ystadiana" 1993, pastaj në antologjinë "Poezia bashkëkohore shqipe - suedisht" e botuar më 2000,  në antologjinë suedeze "Ventar på ett tåg som aldrig kommer att avgå" ( Të presësh trenin që kurrë nuk do të niset) botuar më 2001 nga Shtëpia Botuese " Lars Andersson Förlag". Me poezinë "Porosia e nënës" ka fituar në konkursin e poezisë së Botuesit elektronik "Skrivarsidan" dhe pastaj është prezentuar edhe në formë të e-librit, në antologjinë e poezive fituese në konkursin vjetor të poezisë botuar nga Shtëpia Botuese e librit elektronik "Serum" 2001. Me dhjetë poezi Haiku është prezentuar në faqet elektronike të poezisë së gazetës së njohur suedeze "Expressen".
Rizah Sheqiri është prezentuar në revistën më reprezentative letrare në Suedi ”Artes" nr 4/2001, kjo revistë del katër herë në vit dhe është organ i  tri akademive suedeze; i Akademisë Mbretërore, i Akademisë së Arteve, i Akademisë së Muzikës dhe botim i Shtëpisë Botuese "Natur och Kultur". "Artes" publikon krijime letrare nga krijuesit më eminent suedezë e botëror. Prandaj prezentimi i poetit tonë Rizah Sheqiri me tetë poezi në faqet e kësaj reviste autoritative është një nder i veçantë që i bëhet poetit tonë dhe poezisë shqipe përgjithësisht. Poezitë shoqërohen edhe me një fjalë paraqitëse të kryeredaktorit dhe me shënimet biografike për poetin tonë dhe për përkthyesin të tij. 
R.Sheqiri është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Ai me poezitë e tij është prezentuar në revistën letrare gjermane "Das bot" (Varka) nr.147 të vitit 1999 dhe në nr.150 të vitit 2000, pastaj është prezantuar në revistën FLB (Fliegende Litteratur Blätter) nr. 3 të vitit 2000 botim i Wiesenburg Verlag në Schweinfurt - Gjermani. Pastaj në antologjinë e poezisë  në gjuhën gjermane "Capriccio" band 2 Edition Wendepunkt, Weiden - Gjermani 2000, në antologjinë "Almanach 2000" botuar nga "Aktuell - Verlag für Literatur der Gegenwart, Weinstadt - Gjermani. Është prezentuar edhe në nr. ’87 të vitit 2000 në revistën austriake për literaturë internacionale "LOG" - Wien. 
Në gjuhën angleze është prezentuar në dy numra të revistës letrare "Poetcrit" 2001, që botohet në Maranda të Indisë ku është përfshirë po në gjuhën angleze edhe në antologjinë poetike " Parnassus of World Poets 2001" ku janë përfshirë 250 poetë eminent nga 75 vende të ndryshme të botës.
Rizah Sheqiri merret edhe me përkthime nga suedishtja në gjuhën shqipe. Ka përkthyer disa libra për fëmijë të shkrimtarëve të njohur suedezë Per Nilsson dhe Ulf Nilsson, pastaj përmbledhjen e poezive "Ora" të Anders Johanssonit, etj. Ai e ka përkthyer edhe librin për fëmijë ”Rruga e gjatë, shumë e gjatë” të shkrimtares Rose Lagerkrantz dhe Ilon Wikland,  5000 ekzemplarë të të cilit libër ju janë dhuruar fëmijëve në Kosovë. Ndërsa bashkë me shkrimtarin e njohur suedez Ulf Nilssson kanë përpiluar antologjinë me krijime të fëmijëve "Broar, skatkistor och guld"( Ura, arkathesari dhe ar). Më 2009 ka përkthyer edhe  librin e  Ulf Löfgren: ”Libri i madh për Lushin e vogël” (Lilla stora Ludde boken), Shtëpia Botuese Apec, Suedi 2009.
Rizah Sheqiri ka zënë të përkthej edhe pjesë nga krijimtaria letrare shqipe e të prezentojë në gjuhën suedeze dhe poashtu ka një varg përkthimesh nga gjuha suedeze në gjuhën shqipe të cilat presin dritën e botimit.
”Ambasador i çështjes së Kosovës” që nga viti ’91
 Që nga dhjetori i vitit 1991 R. Sheqiri jeton dhe krijon në Suedi. Është aktiv në jetën kulturore në Suedi, bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat që dalin këtu. Është redaktor në revistën "Besa" dhe bashkëpunëtorë i revistës "Drita", por ka bashkëpunuar edhe me revistën "Qëndresa" dhe "Dëshira" si dhe me gazetën "Lajmëtari". Ka qenë i angazhuar në disa projekte të ndryshme kulturore e informative që janë organizuar në Suedi dhe që për qëllim kanë pasur të bëjnë të njohura vlerat tona kulturore e kombëtare dhe të vërtetën mbi shqiptarët tek opinioni suedez. Po e përmendim projektin e madh kulturor e informativ  "Shqiptarët e Kosovës  duan Liri" që për moto kishte Dejtoni - po, po ku mbeti çështja e shqiptarëve të Kosovës?,etj. Në këtë fushë angazhimi i tij nuk ka munguar asnjëherë duke shkruar artikuj, debatues e informativ, me qëllim që të marrë në mbrojtje çështjen e drejtë shqiptare, luftën e drejtë të tyre për liri e pavarësi. Këtë sidomos e intensifikon gjatë periudhës së luftës në Kosovë, atëherë kur nëpër shtypin suedez paraqiteshin parlamentar, bile edhe anëtarë të delegacionit të OSSE, politikan e intelektual të tjerë që merrnin në mbrojtje pushtuesin serb dhe kështu e margjinalizonin luftën e drejtë të shqiptarëve për liri. po përmendim vetëm dy reagime të tij ndaj prememories së 172 intelektualëve suedez kundër bombardimeve të Natos,  dhe ndaj Karin Wegestål, (riksdagens försvarsutskott och OSSE –delegation e cila  u ngrit në një fushat të egër kundër Luftës çlirimtare dhe kundër Uçk-së. Përveç këtyre artikujëve debatues ku ofrohen fakte nga dora e parë mbi Kosovën dhe shqiptarët  dhe hudhet poshtë gjithë propaganda pro serbe, 
R. Sheqiri ka shkruar edhe një varg artikujsh tjerë informativ mbi shqiptarët dhe të vërtetën e tyre, që u janë drejtuar instucioneve shtetrore për të njohur Pavarësinë e Kosovës, për të përkrahur shqiptarët dhe çështjen e tyre. 
Rizah Sheqiri shkruan edhe recensione e shkrime publicistike. Veçanërisht ka shkruar mbi veprimtarinë dhe të arritrurat e krijuesëve letrar e figurativ në Suedi.
Angazhim permanent në mësimin e gjuhës amtare
Punon si mësues i gjuhës amtare dhe ruajtja e kultivimi i gjuhës traditës dhe kulturës shqiptare tek gjeneratat e reja dhe tek fëmijët mërgimtarë kanë qenë dhe janë preokupime të përhershme të tij. bashkë me nxënësit e tij ka organizuar dhjetra manifestime të mëdha kulurore e letrare në të cilat përveç bashkatdhetarëve tanë kanë marrë pjesë edhe shumë  vendas. të gjitha këto aktivitete janë përcjell edhe nga shtypi vendor i cili u ka dhënë një hapsirë tejet afirmative.  Me fëmijët dhe për fëmijët ka punuar në shumë mese shqiptare që nga dita e ardhjes së tij në Suedi. Ka punuar me fëmijët e bashkatdhetarëve tanë në strehimoren e Ystadit gjatë katër muajve të parë të vitit 1992 e muajt në vazhdim të të njëjtit vit ka punuar si mësues në shkollën fillore të Mariannelundit në Mariannelund, pastaj është angazhuar në organizimin e mësimit plotësues në strehimoren e Reslövit dhe në Tomelilla ku organizon një varg aktivitetesh me fëmijë, deri në gusht të vitit 1995 kur punësohet si mësues i rregullt i gjuhës amtare në shkollën "Kungsmarken" të Karlskronës, pastaj në Karlshamn e në Asarum, ku vazhon të punojë edhe më tej. R. Sheqiri, përveç kësaj është angazhuar vazhdimisht në organizimin dhe ndjekjen e mësimit plotësues në gjuhën amtare të fëmijëve tanë në Suedi. Për këtë problematikë ai ka botuar në revista e gazeta dhe herë pas herë është paraqitur edhe në Radio Suedinë në programin në gjuhën shqipe "Ditari" - me disa artikuj që kanë të bëjnë me këtë çështje. Bashkëpunon me Entin Shtetëror për Shkolla të Suedisë dhe është koautor i dy librave shkollorë për nxënësit shqiptarë "Urat tona 1" (1997), ”Urat tona 2” 1999 botim i këtij Enti (pra, Skolverket). 
Disa nga Çmimet me të cilat  është nderuar R.Sheqiri
                        Që nga fillimet e vitit 1994 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë. Për vitin 2000 kjo Shoqatë i ndau BURSËN VJETORE PËR KRIJIMTARI. Në vitin 2002 Departamenti për Kultur i Kuvendit të Komunës së Karlskronës i ndau Çmimin Vjetor për Kulturë. Regjioni i Blekinges (region Blekinge) i ndau poashtu Çmimin për Kulturë për vitin 2006, ndërsa Tema Modersmål dhe myndigheten för skolutveckling I ndanë çmimin”Mësuesi i vitit i gjuhës amtare 2007” një nder i madh që i bëhet atij si shkrimtar dhe krijimtarisë së tij letrare në përgjithesi. Për herë të parë ka marrë edhe Çmimin “Kosovë Rexha Bala” nga Festivali  Poezisë dhe i Muzikës në Malmö.  
R.Sheqiri për punën e tij krijuese, letrare e pedagogjike ka marrë edhe një varg mirënjohjesh të tjera. Ai poashtu ka marrë edhe një varg shpërblimesh letrare për poezi e prozë. 

Veprat letrare të Rizah Sheqirit 

Rizah Sheqirit deri më tash ka botuar këto libra për fëmijë: 
1. "Hëna e di lojën" (poezi) 1990, Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore - Prishtinë.
      Ribotim më 1995, nga Shtëpia Botuese "Besa" - Suedi. 
2. "Zemër krejt dashuri" (poezi) 1990, Forumi i Krijuesve të Artit - Prishtinë. 
3. "Çerdhja e gëzimit" (poezi) 1992, Botim i autorit - Suedi. 
4. "Mos na e ndalni rritën" (dramë) 1992, Klubi Letrar "J. Gërvalla" - Malmö - Suedi. 
5. "Shëngjergjat e mi" (poezi) 1993, Bashkësia e Shoqatave Shqiptare në Suedi. 
6. "Peshq të vegjël" (novelë) 1993, LASH "N. Frashëri" - Suedi. 
7. "Bashkë shkojnë e vijnë ndërrojnë mote e stinë" (poezi) 1996, Shtëpia Botuese " Besa" - Suedi. 
8. ”Kujt i buzëqeshin lulet” (poezi) SHB ”Toena” – Tiranë,1998. 
9. ”Dashuri mbi dashuritë” ( poezi ), Botim i autorit, Suedi, 1998. 
10. ”Shëtitja” ( novelë); SHB ”Lilo”, Tiranë, 1998. 
11. ”Kur bishti e harron kokën” ( fabula), SHB ”Lilo”, Tiranë 1998. 
12. ”Në shoqëri me të adhuruarit e mi” ( poezi) ”Toena”- Tiranë dhe NBV- Blekinge, Suedi, 1998. 
13. ”Pranverë pa pranverë” (poezi) ”Toena” – Tiranë 1999. 
14. "Shoferi i lojës (tregime për fëmijë) Doruntina - Gjermani 2000. 
15. ”Pak më ndryshe” (tregime dhe përralla për fëmijë) – Doruntina – Gjermani 2000. 
16.  "Përqafim në ëndërr" (tregime për fëmijë) Malme -Suedi, 2000.
17. Utan hem.Var ska man bo? (Ku të banosh kur s’ke shtëpi) novelë suedisht, Sydostbiblioteket, Suedi 2002.
18. ”Pranvera do të vijë” (pjesë teatrale) Doruntina, Gjermani 2002
19. ”Zemër krejt dashuri”- ”Ett hjärta fullt av kärlek” shqip e suedisht – Ardhmëria, Suedi, 2003.
20. Magjistari i shatë ngjyrave (gjëza në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2004.
21. 88 Gjëza (gjëza në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2004.
22. Të dua shumë (rrëfim për më të vegjëlit në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2005.
23. Për shëndet të mirë (rrëfim për më të vegjëlit në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri”, Suedi, 2006.
24. Dëshira dëshirë (rrëfim për më të vegjëlit në formë vjershe) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2007.
 25. Bashke me yjet e vetmuar (rrëfime për më të vegjëlit ) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2008.
 26. Yll futbolli (rrëfime për më të vegjëlit ) Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2009.
27. Legjenda për mbretin e këngës (libër i ilustruar për fëmijë)  në gjuhën shqipe e suedeze Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2009.
R.Sheqiri për të rritur ka botuar këto përmbledhje: 
1. "Merimanga e dritës" ( poezi ), "Dielli" - Prishtinë, 1991. 
2. "Shkurt e shqip" ( poezi), ShB "Lilo" - Tiranë, 1994. 
3. "Flutura në erë" ( poezi), ShB "Lilo" - Tiranë, 1995. 
4. "Rruga drejt vendlindjes" ( tregime), ShB "Lilo" - Tiranë, 1997. 
5. ”Flutura në natë” (poezi) SHB ”Toena”, Tiranë, 1998. 
6. "Nëse patjetër të duhet e vërteta", (poezi) SHB ”Rosengård”- Malme (botim shqip e suedisht) 2000 
7. "Nëse patjetër të duhet e vërteta", (poezi) ShB ”Botimpex” - Tiranë (botim shqip e gjermanisht) 2000. 
8. ”Degëz e këputur” – zgjedhje poezish, ”Toena” –Tiranë, 2002 
9. “Shprishje” (recensione, shënime kritike e studime për letërsinë për fëmijë) ”Toena” – Tiranë 2002 
10. "Nëse patjetër të duhet e vërteta", (ribotim) poezi shqip e suedisht, Suedi, 2003.
11. "Nëse patjetër të duhet e vërteta"-  “If you really want to know the truth” (poezi shqip e anglisht) Suedi, 2003
12. “Flutura në kaktuse” skica poetike, Botim i Shtëpisë Botuese ”Rizah Sheqiri” , Suedi, 2005.
13. Ftesë për dashuri – Apel pentru iubire (zgjedhje antologjike e poezisë së Rizah Sheqirit shqip e rumanisht) Bukuresht 2007.
14. ”Sorgesånger – en diktbukett från ett hjärta i exil” (”Këngëvaji – një buqetë poezish nga një zemër në ekzil”), përmbledhje në suedisht e anglisht, Suedi, 2008.
Rizah Sheqiri e ka hobi edhe fotografinë artistike
Gjatë vitit 2004/2005 në Karlskrona të Suedisë, R.Sheqiri ka pasur tre ekspozita individuale, në një kohë zgjatje nga një deri në tre muaj (në shkollën Sunadal; Në Kishën e Kungsmarkenit, dhe në qendër të qytetit në Kishën Gjermane) të cilat janë pritur shumë mirë nga vizitorët e shumtë po dhe nga shtypi ditor. 
Gjatë gushtit 2008 ka pasur një ekspozitë vetanake  në Galerinë Waktmester në qendrën e qytetit të Karlskronës.
Nga 22 shtator  deri më 28 nëntor 2008 ka pasur ekspozitë në Bibliotekën Kungsmarken.
Nga 29 nëntori deri 24 dhjetor kap asur ekspozitë në Shkollen e Spandelstorpit.
Nga 2 shkurti deri më 1 mars 2009 ka pasur ekspozitë në Kafe Tre G në Karlskrona.
Nga 1 marsi deri më 1 prill  2009 ka të hapur ekspozoitën e tij në Allaktivitetshuset LOKA në Qytetin Emmaboda.
Nga korriku 2009 në ekspozitën e përbashkët në Foajeun e BLT (gazetë ditore regjionale) në Karlskrona merrë pjesë me tre fotografi.
Ka të aranzhuara edhe disa ekspozita në qerndra tjera.


(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora