E hene, 29.04.2024, 08:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Trajtim i pjesshëm i autorit në letërsi

E diele, 14.03.2010, 10:14 PM


TRAJTIM I PJESSHËM I AUTORIT NË LETËRSI

( Nysret Krasniqi, “Autori në letërsi”, AIKD, Prishtinë, 2009 ).

Nga Nuhi Ismajli

Studiuesi Nysret Krasniqi, gjer më tash, ka botuar veprat: “Rrëfimi dhe shkrimi”(2003), “Libri i Pashkut” (2008), “Udha kratilike” (2008), “Teori dhe kritikë moderne” (përkthime, 2008) dhe “Autori në letërsi” (2009).

Vepra “Autori në letërsi”, synon të ndriçojë dy çështje të rëndësishme: çështjen e autorit në letërsi, nga aspekti teorik, në përgjithësi, dhe çështjen e autori në letërsinë shqipe, në veçanti.

Autori në letërsi, sipas pikëpamjeve teorike

Në pjesën e parë të veprës “Autori në letërsi”, N. Krasniqi ka synuar të japë pikëpamjet teorike për autorin në letërsi. Ai përqëndrohet në interpretimin e pikëpamjeve teorike, për autorin në letërsi, të përfaqësuesve të dy shkollave e rrymave: shkollave e rrymave evropiane dhe shkollave e rrymave anglo-amerikane.  

Nga shkollat e rrymat e bllokut evropian, lidhur me autorin në letërsi, N. Krasniqi merret kryesisht me interpretimin e pikëpamjeve eseistike të përfaqësuesve të të “ashtuquajturit qark frëng”, siç janë: M. Blansho, M. Fuko, Zh. Derrida e R. Bart.

Nga shkollat e rrymat e bllokut anglo-amerikan, lidhur me autorin në letërsi, N. Krasniqi merret kryesisht me interpretimin e pikëpamjeve të eseistëve, siç janë: T. S. Eliot, M. H. Abrams, E. D. Hirsh e U. C. Buth. Është interesant se, nga mënyra dhe masa sa e shfrytëzon, N. Krasniqi, në radhën e eseistëve, (po edhe të poetëve) të mëdhenj botërorë, e radhit edhe S. Hamitin.

Në këtë pjesë të veprës, N. Krasniqi merret edhe me hetimin e konvergjencave e divergjencave të pikëpamjeve të autorëve të shkollave e rrymave të ndryshme për autorin në letërsi.

Ndonëse thekson se nuk ka dashur që të shpallë “dije të vjetëruara dhe dije të reja” e se “do t’i aplikojë të gjitha të arriturat e tyre” (f. 14), dhe ndonëse thekson se mendimet teorike për autorin në letërsi janë shfaqur që nga koha antike (f. 11, 305), ai kufizohet vetëm në pikëpamjet e disa eseistëve të gjysmës së dytë të shek. XX, të cilat përpiqet t’i komentojë e interpretojë radhazi, duke mos dhënë historinë, pasqyrën e pikëpamjeve teorike për autorin, pikëpamjet për autorin, sipas gjinive e llojeve letrare etj., për ç’arsye, në veprën “Autori në letërsi” nuk kemi një pasqyrë të gjerë e të thelluar të autorit në letërsi, nga aspekti teorik.

Autori në letërsinë shqipe

Ndonëse titulli i veprës nënkupton paraqitjen e autorit në letërsi, në përgjithësi, N. Krasniqi ndalet vetëm në paraqitjen e autorit në disa nga veprat e letërsisë shqipe. Kështu, pas ndonjë mendimi të përgjithshëm për letërsinë e Mesjetës (në fakt, letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII) dhe letërsinë romantike, ai kufizohet te letërsia shqipe, nga Gj. Fishta deri te Z. Rrahmani, të cilën e emërton letërsi moderniteti, autorët e së cilës, pa dallim nga drejtimet e rrymat letrare, së cilave iu përkasin ata, i quan shkrimtarë modernë. 

Pse redukton shumë autorët dhe veprat e letërsisë shqipe, tek të cilat do të duhej të vërehej çështja e autorit, dhe merret me veprat e pak autorëve të letërsisë shqipe, siç i quan “të modernitetit (f. 12 etj), shkaku qëndron te  mendimi i tij (f. 13, 305), se ajo është  letërsi e pranisë së theksuar të autorit (f. 13) dhe individualizimit të tij (f.12, 305); letërsi e autorëve dhe e veprave të veçanta (f.63), më relevante (f.301); letërsi ku mund të shihet më së miri mundësia e aplikimit të dijeve për problematikën e autorit në letërsinë shqipe (f.12, 13, 14, 63, 305) etj.         

Gjashtë autorët, sa ka zgjedhur gjithsej për trajtim, për të dhënë pamjen e autorit në letërsinë shqipe, i konsideron të veçantë (f.63, 305), relevantë (f.301), sikundër edhe veprat e tyre, të veçanta (f.63, 305), relevante (f.301);  vepra “që arrijnë të shenjojnë më shumë në botën intencionale, nacionale e universale të letërsisë” (f. 14), dhe modelet më të mira në vepra e autorë të veçantë të modernitetit të letërsisë sonë (f.12) , në njërën anë, ndërsa mungesën “e hulumtimeve shkencore në fushë të shfaqjes së trajtave të kësaj pranie në  tekstet (veprat) konkrete të këtyre autorëve” (f.13), në anën tjetër.  

Por, siç thotë vetë autori, më në fund, zgjedhja e autorëve e veprave të tyre i nënshtrohet më shumë dëshirës së tij për t’i trajtuar autorët që rrinë më afër njohjes dhe interesimit të tij (f.15), si dhe “estetikës personale, pjekurisë, modernitetit e pse jo edhe të jetës në esencë” (f. 15).  

Veprat e zgjedhura për trajtim nga N. Krasniqi, nuk janë veprat më tipike dhe më të rëndësishme të letërsisë shqipe, për praninë e autorit në letërsi, pasi në letërsinë shqipe, edhe para botimit edhe pas botimit të veprave të zgjedhura për trajtim, nuk mungojnë veprat e mëdha dhe tipike, të problematikës së përmendur. Pra, N. Krasniqi ose nuk i njeh ose i mohon qëllimisht veprat që do t’i hynin në punë studiuesit për paraqitjen e autorit në letërsinë shqipe. 

Çështjen e autorit në veprat e letërsisë shqipe, N. Krasniqi e kundron sipas pikëpamjeve të eseistëve të gjysmës së dytë të shek. XX, ndonëse pohon se nuk ka dashur të shpallë “dije të vjetëruara dhe dije të reja për problemet letrare – filozofike” dhe se do të aplikojë “të gjitha të arriturat e tyre” (f.14).   

Duke u marrë me çështjen e autorit në veprat e vetëm gjashtë autorëve të letërsisë shqipe, duke injoruar e lënë jashtë interesimit vepra të shumta e tipike, lidhur me çështjen e autorit në letërsinë shqipe, pra, edhe duke mos dhënë një pamje të realizimit të autorit në letërsinë shqipe, pastaj, duke mos u marrë fare me praninë e autorit në letërsinë botërore, e cila, në këtë aspekt, është mjaft e pasur dhe interesante (veçmas ajo e shek. XX), mund të thuhet se N. Krasniqi vetëm pjesërisht është marrë me çështjen e autorit në letërsi.      

Titulli i veprës së tij nuk përputhet me trajtimin e rrudhur të objektit, as sa i përket trajtimit të mendimit teorik. 

Kështu, në vend të një trajtimi të gjerë e të thellë të autorit në letërsi, siç e kërkon tema e përcaktuar, në veprën “Autori në letërsi” të N. Krasniqit, kemi një trajtim të kufizuar e të pjesshëm, pra edhe një mospërputhje ndërmjet objektit të përcaktuar dhe trajtimit të tij. Si i tillë, teksti i veprës “Autori në letërsi” do të duhej të kishte një titull tjetër. 

Disa vërejtje të tjera

Krahas trajtimit të pjesshëm të temës së përcaktuar (Autori në letërsi), N. Krasniqi, me gjithë arsyetimet e dhëna (f. 64 e 301), merret me analiza e interpretime të teksteve teorike e letrare, të cilat qëndrojnë larg objektit të studimit dhe, siç shihet, veçmas në trajtimin e veprave shqipe, një nga synimet kryesore ka qenë lartësimi i ndonjë krijuesi të sotëm, përtej krijuesve, si: Fishta, Koliqi, Lasgushi, dhe si krijuesi numër një në letërsinë shqipe dhe, madje, i krahasueshëm edhe me poetë të famshëm botërorë.

Në veprën “Autori në letërsi”, të N. Krasniqit, janë shprehur pikëpamje të paqëndrueshme për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, duke e quajtur letërsi mesjetare,   që “ka njohur shkrimin mesjetar…me të gjitha specifikat e tij…” (f. 67);  letërsi që, për nga funksionaliteti, “ishte këpujë ndërmjet religjionit dhe shoqërisë” (f. 67)”; letërsi shqiptare e latinitetit në të cilën “autori rrallë e hiç ka “denjuar” ta shfrytëzojë penën për shprehjen e dufit personal apo lojën (f. 67) me format e prezencës letrare, sepse thënë figurshëm doktrina e fuqishme “e ka vrarë” këtë tip të mundshëm të autorit” (f. 68).

Dihet se letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, u zhvillua në kohën e Rilindjes evropiane, pas Reformës dhe Kundërreformës, ka mjaft tipare të letërsisë së Mesjetës, për çka mund të konsiderohet vazhdim i saj, por ka edhe mjaft tipare, (si rrjedhojë e ndikimit të faktorëve gjeografikë, kulturorë, shoqërorë e politikë), të cilat e bëjnë të dallohet prej saj. 

Ajo është letërsi me funksion jo vetëm fetar, por edhe me ngjyrim dhe me funksion të theksuar politik e kombëtar, që e bën të dallohet shumë nga letërsia mesjetare dhe të mos jetë vetëm një “këpujë ndërmjet religjionit dhe shoqërisë”.

Se sa shkrimtari shqiptar i shek. XVI-XVII, ka shprehur dufin e tij personal dhe se si doktrina nuk e ka penguar lojën e tij me format e përsosura letrare, mjafton të shihen tekstet e përkthyera dhe origjinale të Buzukut, tekstet poetike të Budit (e Palit të Hasit) e të L. Bogdanit, pa kaluar te tekstet poetike të P. Bogdanit, të cilat, pa farë dyshimi, mund të përqasen me tekstet poetike të postmodernistëve.      

Lidhur me letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, nuk qëndron as pikëpamja se shqiptarët kanë shkruar letërsi religjioze në latinisht (“Mbi këtë doktrinë (d.m.th. religjioze, N. I.) është jetësuar një letërsi e tërë shqiptare e latinitetit dhe ajo shqipe…” (f. 67), sepse dihet mirë se shqiptarët e shek. XVI-XVII, shkruan vepra fetare në gjuhën shqipe, të cilat nganjëherë, për shkak të censurës, u dasht t’i përkthenin, p.sh. italisht, por nuk shkruan latinisht. Pra, shqiptarët nuk kanë letërsi me përmbajtje religjioze në latinisht. 

Mjaft interpretime të paqëndrueshme N. Krasniqi bën gjatë interpretimit të veprave të autorëve të zgjedhur. Kështu, p.sh. interpreton vargjet e shkëputura nga konteksti i veprës “Nji lule vjeshtet ”, të cilave u jep një kuptim tjetër, në krahasim me esencën e veprës; herë pranon, herë mohon heroin e veprës, ndonëse flet për cilësitë e tij; herë-herë, autorin e veprës (Gj. Fishtën) e identifikon me personazhin e tij, me ç’rast, cilësitë e një figureje tipike popullore, të shquar për përvojën, urtinë, fjalën, bukurinë fizike etj., i quan cilësi të njeriut të shkolluar, të kulturës, të shkrimtarit – vetë Gj. Fishtës (! ); vajtimin për humbjen e jetës tokësore të heroit - qenies së dashur, e konsideron si dëshirë, lakmi për të kaluar në botën tjetër etj.    

N. Krasniqi, me veprën e tij “Autori në letërsi”, jo pak, shquhet edhe për shkeljen e etikës shkencore. Ai jo vetëm ka mohuar e injoruar vepra të shumta e të rëndësishme letrare për t’u trajtuar në kuadër të temës “Autori në letërsi ”, por ka mohuar e injoruar edhe shumë studime të rëndësishme, lidhur me temën që trajton ose i shfrytëzon, në një mënyrë të tillë, sikur nuk di gjë për to. Kështu, edhe për çështjet, të cilat janë shqyrtuar gjerësisht, edhe para dhjetë vjetësh, siç është p.sh. çështja e gjinisë mashkullore të heroit të veprës “Nji lule vjeshtet” , të Gj. Fishtës, ai bëhet sikur është autori i parë që merret me to.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora