E hene, 29.04.2024, 06:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Nuri Plaku

E diele, 14.03.2010, 09:47 PM


NURI PLAKU

U lind në 10 dhjetor 1954 në Marinëz, Fier. Arsimin 8 vjeçar e kreu në fshatin e lindjes. Të mesmin në gjimnazin e Patosit. Më pas kreu aftësimin profesional në fushën e prodhimit të naftës dhe gazit në teknikumin e naftës Patos. Arsimin e lartë e kreu në Fakultetin e Shkencave Humane, në degët Gjuhë - Letërsi Shqipe dhe Histori - Gjeografi, pran Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.
Ka punuar për një kohë të gjatë gjeolog në kantieret e nxjerrjes së naftës në Marinëz, Cakran dhe Patos. Aktualisht jeton dhe punon në qytetin e Fierit me detyrën e specialistit në Muzeun Historik të këtij qyteti.
Me krijimtari letrare është marrë që në vitet e shkollës së mesme duke  u prezantuar në organe të ndryshme të shtypit letrar të kohës. Është pjesëmarrës në festivale poetike dhe takime të ndryshme letrare brenda dhe jashtë vendit.

Bibliografia letrare:

“Brezi i humbur”, poezi, Shtëpia Botuese Dritëro, Tiranë, 1999.
“Prangat e zogjve”, poezi, Shtëpia Botuese Dritëro, Tiranë, 1999
“Dhimbja e lisave”, poezi, Shtëpia Botuese Toena, Tiranë, 2002
“Kuajt mbretërorë”, poemë për fëmijë, Shtëpia Botuese Globus R.Tiranë, 2003
“Qyteti pa statuja”, ese, Shtëpia Botuese Globus R.Tiranë, 2004
“Furtuna blu”, poezi, Shtëpia Botuese Globus R. Tiranë, 2006
“Jaka prej bryme”, poezi, Shtëpia Botuese Globus R. Tiranë, 2008 “Gjeometria letrare”, studim, Tiranë, 2009
 “Kujtesa e humbur”, kritika dhe studime letrare, Tiranë, 2010

Botime jashtë vendit:

      .    “LACRIMA LUNII”, poezi të zgjedhura në gjuhën rumune, Bukuresht, 2009

- Është përfshirë në antologjinë poetike,“TEMPLUL CUVANTULUI” (Tempulli i fjalës), me autor rumun e kosovarë, Bukuresht, 2009
- Cikël poetik në rumanisht. Revista “Oglinda literara”, Fokshan (Rumani), 2009 dhe revista “Vatra veche”, (Rumani) nr.1/2010
     

NURI PLAKU

E VERDHA E PERKOHSHME


GDHENDJE NË ULLI

Druri ku u gdhend ikona jote, u ronit dalngadalë
Dhe dalta që përdori mjeshtri, u vesh me ndryshk
Dhe vetë mjeshtri që e punoi dikur, tashmë u plak.

Vetëm ti mbete ende e freskët
E denjë, për të qenë një tjetër meritë
Midis një druri, një dalte dhe një mjeshtri të ri.

Dhe unë që ruaj pengun tënd të fshehtë
I lutem Zotit
Të më kthejë në ulli.

NJË ZJARR I RI

Për ty e ndeza 
Një zjarr të ri.

Vërshoi drejt tijë 
Një lum i turbullt fjalësh
Ta shuante tinëzisht
Por shteri i gjithë
Kthyer në mallëkim.

Ti erdhe e mardhur
Me vështrim të spërkitur
Me pakëz dhimbje.
Dhe pakëz përgjërim.

Gjithë zjarret e botës janë pjellë e drurëve
Gjithë lumenjtë e dherave janë pjellë e reve
Por unë zjarrin tim nuk e ndeza me dru
As lumin se kërkova kurrë në qiell.

Kam ecur e kam ecur nëpër veten time
Sa njërën gjurmë e bëra vatër
E tjetrën burim.

Dhe zjarrin e ndeza me shegët e shkoqura të gjakut
Dhe lumin e mbusha me pikëzat e hidhura të lotit
Dhe brigjet i lidha me një urë të bukur, të bukur
Me harqe dashurish.

Që të kaloje ti
Me vello perëndish.

1000 FAJE DASHURIE

Mbushmani gotën me verë të kuqe
Të pi e të dehem
Të dehem e të psherëtijë
Dufte marrëzish.

Është koha kur unë betohem
Se do të rrojë
Edhe 1000 vjetë
Për të bërë
1000 faje dashurije.

E pastaj
Të më burgosin
Në zemrën e një gruaje.

ATYRE QË SMË DESHËN

Ju vajza që s’pranuat të bënit dashuri
Së paku s’më urryet, s’më mbajtët mëri.

Por tashmë kur kujtoj, ato vite të shkuar
Më pushton sërisht, një ndjenjë e vagëlluar.

A ndoshta pse shihemi, rrallë e më rrallë
E ju më vështroni me pendesë e mall.

A ndoshta për hir të atyre dashurive
Që mbetën  të heshtura, mistere nën hije.

O ju që s’më deshët, kur isha i ri
Së paku s’më urryet, s’më mbajtët mëri.

NJË NATË ME TY

Tërë natën e kalova me ty në pyllin e parajsës
Duke kthyer gjethet e drurëve një nga një
Të gjeja buzëqeshjen tënde të fshehur.

Por gjethet bëheshin flutura të kuqe
Si buzët e tua mbushur me puthje
E iknin të trëmbura
Larg e larg
Deri në tradhëti.

Pastaj erdhi agu e pylli u kthye i tëri
Në perden e blertë të dhomës
Fluturat u bënë qendizma çarçafi
Dhe ti
Dritë e arratisur e një ylli.

Të nesërmen
Vështroja pëllëmbët e duarëve të mija
E i ktheja
Si dy gjethe pylli.

TË GJITHË BURRAT

Të gjithë burrat
Janë shkëmbenj të fortë
Me një kal troje
Brenda tyre.

Një kal troje
Që hingëllin
Me zë gruaje.

DATËLINDJA E DRURËVE

Unë e festojë çdo vit
Datëlindjen e drurëve të mi!

Gjithë trungjet e tyre 
Bëjnë orgji
Me qumësht guri.

Në pëllëmbët e duarëve 
Më shfaqen përherë
Ca shenja të fshehta ashti.

Një pyll i dëndur
Ku takohem me shpirtrat e të parëve.

Dhe një blanë balte
Ku është shkruar emri im
Me gërma apokrife.

Të gjitha këto
Më flasin
Me gjuhën e gurëve

Sa herë që festojë
Datëlindjen e drurëve.

GJURMA E NJERIUT TË PARË

Unë e kam gjetur gjurmën e njeriut të parë
Përzier me shenja balte dhe bari
Brenda fshihej një kod i thjeshtë
Për jetën që lind dhe rrit ugari.

E gjeta kur toka kthehej nën plyk
Të zhveshur si gjurma ime e fëminisë
Të dyja ishin simotra të rralla
Gdhendur të dyja në të njëjtin plis.

FUSHATA ZGJEDHORE NË QYTETIN TIM

E gjuajti turma të ardhurin në tribunë
Me gurë, me copa druri, me baltë.
Me gjithfarë sendesh të lyera me përbuzje
Dhe askush nuk e mbrojti.

Vetëm vetë ai
Ngriti duartë me lutje drejt qiellit e thirri;
- Mjaft!

Njerëzit heshtën
Heshti ç’do zë e ç’do pëshpërimë
Heshtën, sikur të shihnin të shfaqur
Vet perëndinë.

- Kur ju më gjuajtët me gurë
Unë doja të bëhesha gurë, tha ai
Por s’munda.

- Kur ju më gjuajtët me copa druri
Doja të bëhesha dru
Por s’munda.

Kur mbi trupin tim
Ra balta juaj
Unë u bëra baltë
Si balta që Zoti bëri njerinë.
Dhe tashmë
Unë do t’ju prijë!

Turma e heshtur
E ndiqte me përgjërim
Si të ishte një mbret.

Atë ditë
Qyteti im
U bë pak Nazaret.

VEZËT E GURTA

Vidhen nga statuja e mermertë
Netëve të Krishtlindjes
Gjarpërinjtë mitik të Laokontit
E shkojnë në guva e shpella
Të pjellin vezët e tyre të gurta.

I mbledhin të nesërmen shpellarët
I ngjyejnë me gjak sorkadhe
E dalin të bëjnë Kristos – anesti
Ditën e pashkës së Madhe.

E VERDHA E PËRKOHSHME

E verdhë dhe e përkohshme është flaka e ushtarit të rënë
Mbi varrin e humbur të luftës
E verdhë dhe e përkohshme është vetëtima që çukit
Hekurin e ndryshkur të pushkës.

E verdhë dhe e përkohshme është dekorata e lyer
Me varakun e hollë të lavdisë
I përjetshëm ngelet veç varri i humbur
Në zemrën e shenjtë të lirisë.

SHENJA E ZOTIT

Mbolla në pëllëmbë të dorës një qiparis
Të rritej
Me ujrat e kripura të mallit.

Por filizi u kthye i tëri në qiri
E në majë çeli një flutur të verdhë, të verdhë
Si flakëz e drithëruar.

Ah o Zot!
Kjo është shenja jote
Për varrin e tim eti
Që kam kohë pa shkuar.

DHERAT E VENDLINDJES

Dherat e vendlindjes sime
Janë krejt ndryshe
Rrihen nga shirat e bëhen
Baltë dallandyshe.

KALI FANTAZMË

Përtej çdo shtegu më pret një kal
Një kal i vdekur, mbetur mbi dhe
Nuk ka kalorës, nuk ka as shalë
Një kal i endur udhëve pa strehë.

Më del përpara kudo si fantazmë
Me vdekje të fshehur diku në patkua
Ç’do xixë që del nga trokthi i tij
Është zjarr që digjet enkas për mua.

Zjarre që digjen udhë e pa udhë
Me prush të shuar që shuhet përherë
Zjarre që digjen në kohën e shkuar
Ku ngrohen veç udhëtarët e mjerë.

Përtej ç’do shtegu më pret një kal
Më fton të bëhem vëlla Kostandin
Por unë nuk kam pengje nën dhera
As motër nuk kam me emrin Doruntinë.

NË UDHËKRYQIN E SHPIRTRAVE TË VIRGJËR

Do ta nxjer nga shpirti diellin tim të fundit
Ta vendos në mes të qytetit
Atje ku shiten
Fustanet e bardha të nusërisë.

Kur të vijnë djemtë nga udhëkryqet e botës
Të kenë dritë për të parë
Tekstet e shkruara
Me gërmat e padukshme të gjakut.

Pastaj kuptimet e tyre do të kthehen
Në flakëza të vogla, të vogla
E do t’u digjen në sy
Duke i joshur të bëhen
Dhëndurrët e së ardhmes.

Atëhere dhe dielli im do të bëhet
Paksa lajmëtar, paksa hyjnor
Në udhëkryqin e shpirtrave të virgjër.

TË NJOHËSH ODISENË

Ende se kam njohur mbritjen time të vërtetë
Mes labirintit të udhëve
Mbushur me ecje të verbëra e hutim.

Herë, herë udhëtojë me Odisenë
Hipur mbi kaiken e tij antike
Si pjesë e fateve të fshehta të njeriut.

Herë, herë gjendem fillikat me veten
Kërcënuar nga shkopi magjik i Circes
Dhe kudo që shkojë
Më del përpara
Një Itakë e largët, e përgjumur.

Të gjitha Itakat udhëtojnë brenda nesh
Veshur me ëndërrat tona të plagosura
Si peng kujtese.

Sa herë që shfaqen kthesat e udhëve
Mua më shfaqet Odiseja 
Dhe flasim e flasim
Për Itakat tona.
Që ende flenë.

Se kam njohur mbritjen time të vërtetë
Por është aq bukur
Të njohësh Odisenë.


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora