| E diele, 14.03.2010, 10:14 PM |
TRAJTIM I PJESSHËM I AUTORIT NË
LETËRSI
( Nysret Krasniqi, “Autori në letërsi”, AIKD, Prishtinë, 2009 ).
Nga Nuhi Ismajli
Studiuesi
Nysret Krasniqi, gjer më tash, ka botuar veprat: “Rrëfimi dhe shkrimi”(2003),
“Libri i Pashkut” (2008), “Udha kratilike” (2008), “Teori dhe kritikë moderne”
(përkthime, 2008) dhe “Autori në letërsi” (2009).
Vepra “Autori në letërsi”, synon të ndriçojë dy çështje të rëndësishme: çështjen e autorit në letërsi, nga aspekti teorik, në përgjithësi, dhe çështjen e autori në letërsinë shqipe, në veçanti.
Autori në letërsi, sipas pikëpamjeve teorike
Në
pjesën e parë të veprës “Autori në letërsi”, N. Krasniqi ka synuar të japë
pikëpamjet teorike për autorin në letërsi. Ai përqëndrohet në interpretimin e
pikëpamjeve teorike, për autorin në letërsi, të përfaqësuesve të dy shkollave e
rrymave: shkollave e rrymave evropiane dhe shkollave e rrymave
anglo-amerikane.
Nga
shkollat e rrymat e bllokut evropian, lidhur me autorin në letërsi, N. Krasniqi
merret kryesisht me interpretimin e pikëpamjeve eseistike të përfaqësuesve të
të “ashtuquajturit qark frëng”, siç janë: M. Blansho, M. Fuko, Zh. Derrida e R.
Bart.
Nga
shkollat e rrymat e bllokut anglo-amerikan, lidhur me autorin në letërsi, N.
Krasniqi merret kryesisht me interpretimin e pikëpamjeve të eseistëve, siç
janë: T. S. Eliot, M. H. Abrams, E. D. Hirsh e U. C. Buth. Është interesant se,
nga mënyra dhe masa sa e shfrytëzon, N. Krasniqi, në radhën e eseistëve, (po
edhe të poetëve) të mëdhenj botërorë, e radhit edhe S. Hamitin.
Në
këtë pjesë të veprës, N. Krasniqi merret edhe me hetimin e konvergjencave e
divergjencave të pikëpamjeve të autorëve të shkollave e rrymave të ndryshme për
autorin në letërsi.
Ndonëse thekson se nuk ka dashur që të shpallë “dije të vjetëruara dhe dije të reja” e se “do t’i aplikojë të gjitha të arriturat e tyre” (f. 14), dhe ndonëse thekson se mendimet teorike për autorin në letërsi janë shfaqur që nga koha antike (f. 11, 305), ai kufizohet vetëm në pikëpamjet e disa eseistëve të gjysmës së dytë të shek. XX, të cilat përpiqet t’i komentojë e interpretojë radhazi, duke mos dhënë historinë, pasqyrën e pikëpamjeve teorike për autorin, pikëpamjet për autorin, sipas gjinive e llojeve letrare etj., për ç’arsye, në veprën “Autori në letërsi” nuk kemi një pasqyrë të gjerë e të thelluar të autorit në letërsi, nga aspekti teorik.
Autori në letërsinë shqipe
Ndonëse
titulli i veprës nënkupton paraqitjen e autorit në letërsi, në përgjithësi, N.
Krasniqi ndalet vetëm në paraqitjen e autorit në disa nga veprat e letërsisë
shqipe. Kështu, pas ndonjë mendimi të përgjithshëm për letërsinë e Mesjetës (në
fakt, letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII) dhe letërsinë romantike, ai kufizohet
te letërsia shqipe, nga Gj. Fishta deri te Z. Rrahmani, të cilën e emërton letërsi moderniteti, autorët e së cilës,
pa dallim nga drejtimet e rrymat letrare, së cilave iu përkasin ata, i quan
shkrimtarë modernë.
Pse
redukton shumë autorët dhe veprat e letërsisë shqipe, tek të cilat do të duhej
të vërehej çështja e autorit, dhe merret me veprat e pak autorëve të letërsisë
shqipe, siç i quan “të modernitetit (f. 12 etj), shkaku qëndron te mendimi i tij (f. 13, 305), se ajo është letërsi e pranisë së theksuar të autorit (f.
13) dhe individualizimit të tij (f.12, 305); letërsi e autorëve dhe e veprave
të veçanta (f.63), më relevante (f.301); letërsi ku mund të shihet më së miri
mundësia e aplikimit të dijeve për problematikën e autorit në letërsinë shqipe
(f.12, 13, 14, 63, 305) etj.
Gjashtë
autorët, sa ka zgjedhur gjithsej për trajtim, për të dhënë pamjen e autorit në
letërsinë shqipe, i konsideron të veçantë (f.63, 305), relevantë (f.301),
sikundër edhe veprat e tyre, të veçanta (f.63, 305), relevante (f.301); vepra “që arrijnë të shenjojnë më shumë në
botën intencionale, nacionale e universale të letërsisë” (f. 14), dhe modelet më të mira në vepra e autorë të
veçantë të modernitetit të letërsisë
sonë (f.12) , në njërën anë, ndërsa mungesën “e hulumtimeve shkencore në
fushë të shfaqjes së trajtave të kësaj pranie në tekstet (veprat) konkrete të këtyre autorëve”
(f.13), në anën tjetër.
Por,
siç thotë vetë autori, më në fund, zgjedhja e autorëve e veprave të tyre
i nënshtrohet më shumë dëshirës së tij për t’i trajtuar autorët që rrinë më
afër njohjes dhe interesimit të tij (f.15), si dhe “estetikës personale,
pjekurisë, modernitetit e pse jo edhe të jetës në esencë” (f. 15).
Veprat
e zgjedhura për trajtim nga N. Krasniqi, nuk janë veprat më tipike dhe më të
rëndësishme të letërsisë shqipe, për praninë e autorit në letërsi, pasi në
letërsinë shqipe, edhe para botimit edhe pas botimit të veprave të zgjedhura
për trajtim, nuk mungojnë veprat e mëdha dhe tipike, të problematikës së
përmendur. Pra,
Çështjen
e autorit në veprat e letërsisë shqipe,
Duke
u marrë me çështjen e autorit në veprat e vetëm gjashtë autorëve të letërsisë
shqipe, duke injoruar e lënë jashtë interesimit vepra të shumta e tipike,
lidhur me çështjen e autorit në letërsinë shqipe, pra, edhe duke mos dhënë një
pamje të realizimit të autorit në letërsinë shqipe, pastaj, duke mos u marrë
fare me praninë e autorit në letërsinë botërore, e cila, në këtë aspekt, është
mjaft e pasur dhe interesante (veçmas ajo e shek. XX), mund të thuhet se
Titulli
i veprës së tij nuk përputhet me trajtimin e rrudhur të objektit, as sa i
përket trajtimit të mendimit teorik.
Kështu, në vend të një trajtimi të gjerë e të thellë të autorit në letërsi, siç e kërkon tema e përcaktuar, në veprën “Autori në letërsi” të N. Krasniqit, kemi një trajtim të kufizuar e të pjesshëm, pra edhe një mospërputhje ndërmjet objektit të përcaktuar dhe trajtimit të tij. Si i tillë, teksti i veprës “Autori në letërsi” do të duhej të kishte një titull tjetër.
Disa vërejtje të tjera
Krahas
trajtimit të pjesshëm të temës së përcaktuar (Autori në letërsi), N. Krasniqi, me gjithë arsyetimet e dhëna (f.
64 e 301), merret me analiza e interpretime të teksteve teorike e letrare, të
cilat qëndrojnë larg objektit të studimit dhe, siç shihet, veçmas në trajtimin
e veprave shqipe, një nga synimet kryesore ka qenë lartësimi i ndonjë krijuesi
të sotëm, përtej krijuesve, si: Fishta, Koliqi, Lasgushi, dhe si krijuesi numër
një në letërsinë shqipe dhe, madje, i krahasueshëm edhe me poetë të famshëm
botërorë.
Në
veprën “Autori në letërsi”, të
Dihet
se letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, u zhvillua në kohën e Rilindjes evropiane,
pas Reformës dhe Kundërreformës, ka mjaft tipare të letërsisë së Mesjetës, për
çka mund të konsiderohet vazhdim i saj, por ka edhe mjaft tipare, (si rrjedhojë
e ndikimit të faktorëve gjeografikë, kulturorë, shoqërorë e politikë), të cilat
e bëjnë të dallohet prej saj.
Ajo
është letërsi me funksion jo vetëm fetar, por edhe me ngjyrim dhe me funksion
të theksuar politik e kombëtar, që e bën të dallohet shumë nga letërsia
mesjetare dhe të mos jetë vetëm një “këpujë
ndërmjet religjionit dhe shoqërisë”.
Se
sa shkrimtari shqiptar i shek. XVI-XVII, ka shprehur dufin e tij personal dhe
se si doktrina nuk e ka penguar lojën e tij me format e përsosura letrare,
mjafton të shihen tekstet e përkthyera dhe origjinale të Buzukut, tekstet
poetike të Budit (e Palit të Hasit) e të L. Bogdanit, pa kaluar te tekstet
poetike të P. Bogdanit, të cilat, pa farë dyshimi, mund të përqasen me tekstet
poetike të postmodernistëve.
Lidhur
me letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, nuk qëndron as pikëpamja se shqiptarët
kanë shkruar letërsi religjioze në latinisht (“Mbi këtë doktrinë (d.m.th.
religjioze, N. I.) është jetësuar një letërsi e tërë shqiptare e latinitetit
dhe ajo shqipe…” (f. 67), sepse dihet mirë se shqiptarët e shek. XVI-XVII,
shkruan vepra fetare në gjuhën shqipe, të cilat nganjëherë, për shkak të
censurës, u dasht t’i përkthenin, p.sh. italisht, por nuk shkruan latinisht.
Pra, shqiptarët nuk kanë letërsi me përmbajtje religjioze në latinisht.
Mjaft
interpretime të paqëndrueshme
N. Krasniqi, me veprën e tij “Autori në letërsi”, jo pak, shquhet edhe për shkeljen e etikës shkencore. Ai jo vetëm ka mohuar e injoruar vepra të shumta e të rëndësishme letrare për t’u trajtuar në kuadër të temës “Autori në letërsi ”, por ka mohuar e injoruar edhe shumë studime të rëndësishme, lidhur me temën që trajton ose i shfrytëzon, në një mënyrë të tillë, sikur nuk di gjë për to. Kështu, edhe për çështjet, të cilat janë shqyrtuar gjerësisht, edhe para dhjetë vjetësh, siç është p.sh. çështja e gjinisë mashkullore të heroit të veprës “Nji lule vjeshtet” , të Gj. Fishtës, ai bëhet sikur është autori i parë që merret me to.