E hene, 29.04.2024, 08:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (IV)

E diele, 14.03.2010, 10:53 PM


DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

IV.  PËRHAPJA E MËSIMIT SHQIP GJATË LUFTËS 

                (1912-1918) DHE ORTOGRAFIA E KOMISISË

                           LETRARETË SHKODRËS

            Në këtë krye të punimit, së pari do të bëjmë fjalë për disa tekste e libra të  botuar, në dobi të mësimit të shqipes, në prag e pas shpalljes së Pavarësisë (1912), së dyti, rreth legalizimi të mësimit dhe të shkollave shqipe gjatë luftës dhe së treti, do të japim disa konstatime dhe vërejtje rreth Ortografisë së Komisisë Letrare të Shkodrës (1917).

1)     Tekste e libra të botuar në dobi të mësimit të shqipes 

Luftat Ballkanike, por edhe Lufta e I Botërore i solli popullit shqiptar shumë të pamira, amputime me rrjedhoja gangrenëse, pasi shumica e tokave shqiptare mbeten jashtë kufijve të Shtetit të proklamuar shqiptar, megjithatë vetë proklamimi ose njohja e Pavarësisë së shpallur mund të konsiderohet në njëfarë mënyre sukses  a si fitore historike.

Në të vërtetë, siç e pamë në kreun e mëparshëm shqiptarët bashkë me luftën për alfabetin shqip, kishin fituar edhe të drejtën që të gëzonin në mos pavarësi të plotë, gjithësi autonomi funksionale në kuadër të Turqisë, mirëpo ndërsa shqiptarët, sidomos veprimtarët e Vilajetit të Kosovës dhe ata të Manastirit, pothuajse, ishin në gjendje me i imponue kushtet ose ose, qoftë si autonomi, qoftë pavarësi nga Turqia, shtetet fqinje grabitqare (ortodokse) filluan luftën e armatosur kundër Turqisë: Mali i Zi më 8 tetor, Bullgaria më 17 tetor,  Serbia një ditë më vonë më 18 dhe Greqia  më 19 tetor, dhe kështu këto shtete të ndërsyera nga Rusia, si me thënë, me lehtësi zaptonin trojet shqiptare që duhej t’i mbronte shteti turk me ushtrinë e vet.

Sipas prof. M. Pirrakut, shkaqet për një debakël të tillë të ushtrisë turke ishin të shumta, ndër të cilat përmend:

1) Ushtria turke ishte e dobësuar nga luftërat me shqiptarët.

2) Shqiptarët, pos që ishin të rraskapitur në luftën me turqit, ishin të dezorientuar, pa udhëheqës të denjë  për të bashkuar popullin.

3)  Nuk pati koka esëll as nga shiptarët as nga turqit për t’i bashkuar forcat gjithpopullore me ato gjithosmane kundër armikut të përbashkët.

4) Disa krerë popullorë të njohur me emra nuk qëndruan në krye të detyrës historike ndaj atdheut dhe

5) Shqiptarët nuk patën aftësi të përvetësonin asnjë shtet të fortë europiano-botëror që t’i përkrahte në luftën e tyre të drejtë për Pavarësi dhe mbrojtjen e trojeve të veta.

Në të vërtetë, ushtrisë serbe në mënyrë të organizuar i bënë rezistencë vetëm repartet vullnetare të H. Prishtinës, të komanduara nga i biri i axhës së tij patriotit Xhemajl Sulejman Berisha, të cilat për 4 ditë e mbajtën frontin në Merdare dhe pas thyerjes së kësaj force, serbët me lehtësi morën  Prishtinën dhe pothuajse pas katër ditësh rrezikuan selinë e vilajetit Shkupin, i cili përfundimisht u zaptua më 26 tetor 1912. Kështu deri në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 1912, nga forcat armike të shteteve fqinje u pushtuan edhe shumë e shumë vise të tjera.shqiptare deri në Durrës dhe në Elbasan ku e mbyllën shkollën Normale, më 29 nëntor 1912.

Është e vërtetë, se kur Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë në Kuvendin e Vlorës aty morën pjesë edhe tre aktivistë kosovarë: Salih Gjuka- Dukagjini,  Bedri Bej Pejani e Rexhep Mitrovica, të cilët ishin të pranishëm edhe në Kuvendin e Shkupit më 16 tetor 1912, të kryesuar nga Hasan Prishtina. Në të vërtetë Hasan Prishtina nuk udhëtoi drejt Vlorës dhe mbeti në trojet e Vilajetit të vet, kur në fillim të nëntorit në rrethinat e Shkupit u zu nga forcat serbe, dhe bashkë me një grup atdhetarsh të njohur, si Nexhip Draga, Seit Hoxha, Idriz Seferi e të tjerë, u internuan në Kështjellën e Kalemegdanit (Beograd), ku u mbajtën deri më 1 prill 1913. U liruan atëherë kur rezistenca shqiptare e organizuar pothuajse nuk ekzistonte më as në Shkodër.

Sidoqoftë, kur është fjala te shkolla e mësimi i shqipes aktiviteti i veprimtarëve përkatës shqiptarë nuk u ndërpre, por u intensifikua edhe gjatë kësaj periudhe, përveç mënyrave të tjera edhe me mësim vullnetar, duke shfrytëzuar çdo rast që ofrohej. Edhe në këto kushte kaotike përveç botimeve nga studiuesit e huaj, filluan të botohen edhe tekste shkollore për mësimin e gjuhës shqip edhe nga vetë studiuesit shqiptarë, tekste këto, që ishin përgatur më përpara.. Kështu dolën në dritë edhe disa tekste gramatikash të suksesshme, ndër të cilat po përmendim Gramatikën Gj. Pekmezit (1908), Gramatikën e Anton Xanonit (1909), të Sali Gjukë Dukagjinit (1910),  punime të prof. A. Xhuvanit (1910 -1919) etj. Po e përmendim edhe veprën e Fazil Tiranasit “Gramatikë fillestare shqipe” (1911) edhe pse e shkruar me alfabet arab, sipas J. Kastratit, kjo vepër kishte vlerë, sepse “pa kurrfarë rezerve mund të themi se me këtë alfabet  mund të lexohet fare mirë shqipja”.

Kur është fjala te botimet, gjithashtu janë me interes për nga vlera gramatikat e botuara pas shpalljes së Pavarisisë së Shqipërisë 1912/1917, pra në perudhën e okupimit, por edhe këto të përgatitura më herët.  

Së pari po përmendim Gramatikën e Sotir Pecit: Viti premtor i gramatikës (1912), ku ai veç tjerash theksonte: 

Gjithë gjuhët e botës kanë dialekte dhe nëndialekte, që të bënjë një gjuhë kombëtare... për këtë kanë vepruar, kurdoherë, po thua rasjet politike dhe kohërat dhe një ndën dialektet e kanë ngritur dhe e kanë bërë gjuhë kombëtare... Për ne tashti, na duket se është mjaft të bashkohemi, ne Toskët në njërën anë dhe Gegët  më tjetrën anë, duke përmbledhur gjithë nëndialektet, sikush të bënjë një gjuhë shkollore ose të shkruarë dhe të lëmë kohën të bënjë punën e saj... Me këtë program  punuamë, po si do të shëkonjë këndonjësi, i kemi shtrirë mjaft dorën motrës sonë gegënishtes,  pas vijavet të para që u hoqnë ndë shkollën Normale.

Pra, autori thotë se e shkroi veprën toskërisht, duke i shtrirë dorën gegërishtes, por edhe duke i sfiduar e nxitur studiuesit e saj (gegërishtes) që ta përpunojnë gjuhën e tyre gege. 

Së dyti, po cekim gramatikën e mësueses Sevasti Qirias Dako me titull  Gramatikë elementare (Manastir 1912), edhe kjo e shkruar toskërisht, ku autorja falenderon vëllain e ndjerë Gjerasimin (1861-1894), i cili veç gjuhës amtare asaj i “rrënjosi në zemër detyrën e madhe që të punojë pa reshtur për të ndriturit e kombit”  dhe vërtet me këtë vepër ajo dëshmon jo vetëm se ishte mësuese e mirë, por ishte edhe intelektuale e gjuhëtare e zonja. Është mjaft kuptimplot përkufizimi që i jep ajo gramatikës, e cila siç e thotë vetë autorja, gramatika “nuk na mëson vetëm si të flasin e të shkruajmë, por edhe si të stërvitemi për t’i përdorur drejt fjalët në fjali dhe kështu të stërvitemi të përdorim në të folur e në të shkrojtur më të mirën mënyrë për të treguar ndenjat dhe mendimet tona, si dhe të tjera dituri, ngase të mësuarit e gramatikës  na jep një arsim mendjeje të paçmuar”.

Së treti, po përmendim veprën e Shoqnisë Dija të Vjenës në dy vëllime me  titull Gramatika ose Folmarja shqype I (1912) dhe  II (1913), dy vepra këto që sa i përket përmbajtjes, gjuhës dhe stilit, mund të quhen si paraardhëse të Komisisë Letrare të Shkodrës, madje edhe e kalojnë atë në ndonjë pikë. Në veprën I zgjon interes, jo vetëm vendosja e paragrafëve përkatës (si në tekste ortografike), por edhe për bashkangjitjen e një fjalorthi ortografik që është i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe, ndërsa në veprën II, përveç krahasimit ndërdialektor në raportin rotacizëm / jorotacizëm, në disa pika të analizës të sistemit foljor zgjon interes eptimi në raportin gegërisht/toskërisht, të cilit, mund të themi, sido të shohim, nuk i është kushtuar vëmendje aq e duhur në Rregullat  gramatikore të miratuara në Komisinë Letrare të Shkodrës.    

Së katërti, në vitin 1917 u botuan edhe libra të profilit gramatikor si ajo Gaspër Mikelit me titull Gramatikë e gjuhës shqipe, ajo e Iliaz Permetit  Fillime të gramatikës shqipe, e Zef Harapit “Sintaksa e gjuhës shqipe (1917) si dhe filloi botimi i veprave të gjuhëtarit Marko La Piana, me titull Gjuha shqipe  (1917), Mësime të shkurtëra të gramatikës shqipe (1918) etj.

Gjithsesi veprat e tilla ishin ndihmesë për mbarëvajtjen e mësimit në shkollat shqipe që pritej të hapeshin tashmë pa pengesa në Shqipninë e Mosvarme.

2. Legalizimi i mësimit dhe i shkollës shqipe gjatë luftës

            Është e vërtetë, se në viset kur pushteti vendor shqiptar mund të thuhet se frymonte pak më lirshëm, edhe mësimi i shqipes kishte mundësi zhvillimi më normal se në viset, ku sundonin e qeverisnin rreptësisht të huajt, por kur është fjala te pushteti austriak e më vonë pjesërisht edhe ai frances atëherë shkollat shqipe u hapen kudo që ofrohej  pak mundësi.

Kështu, liria e shkollës shqipe u intensfikua sidomos, siç u tha, në viset ku e shtriu pushtetin Austria, ku përfshihej edhe një pjesë e Kosovës. Po në këtë kohë edhe Hasan Prishtinën e ndeshim në anën e Mitrovicës e të Vushtrrisë e në vise të tjera, ku këshillonte dhe organizonte që sa më shumë shkolla të hapeshin në gjuhën shqipe. Siç dihet, në zonën e pushtimit austro - hungarez nga tokat e pushtuara serbe e maleleze bënin pjesë Mitrovica, Vushtrria,  Drenica e Prishtina, Peja, Istogu, Gjakova, Plava, Gucia, Tivari, Ulqini dhe në këto vise (siç mësojmë nga një punim i prof. Nesim Valës) shqiptarëve iu njoh e drejta e vetadministrimit lokal, iu mundësua zhvillimi i arsimnit në gjuhën shqipe dhe zhvillimi i kulturës kombëtare, iu respektua flamuri dhe simbolet e tjera kombëtare. Prandaj edhe pse ishte kohë lufte këto të drejta i shfrytëzuan shqiptarët për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe mësimit të shqipes.Vetëm në Gjakovë, tregon autori, 12 mësues shqiptarë u jepnim mësim afro 900 nxënësve. HUNGAREZ

Në këto rrethana në Shkodër, sipas nismës së Luigj Gurakuqit nën  organizimin e përkujdesjen e Komandës austriake filloi punën e ashtuquajtura Komisia Letrare Shqipe e Shkodres, për aktivitetin e sëcilës në hartimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes dhe të përcaktimit të koinesë së letrarishtes së përbashkët do të bëjmë fjalë më në hollësi pak më poshtë. Ndërsa tani, për mendimnin tonë, është me interes të theksohet se edhe gjatë asaj lufte (1912 -1915) në mënyra të ndryshme si me hapjen e shkollave ose edhe me mësues shëtitës e mënyra të tjera, përhapja e shkrimit shqip me shkronja latine vazhdonte me sukses të konsiderueshëm. Edhe pse kemi të bëjmë me një atmosferë tejet delikate, për atdhetarët e mirëfilltë nuk kishte kohë për dëshpërim. Çështja e mësimit të shkrimit të shqipes duhej vazhduar edhe në  kushte lufte a okupimi të rëndë. Është e vërtetë, siç u cek më sipër,  se edhe gjatë Luftës, është fjala para pushtimit autro-hungares e bullgar, aty ku jepej sadopak mundësi hapeshin shkolla shqipe ose mësohej shkrimi shqip, sigurisht me alfabetin e ri të Kongresit të Manastirit.

Në të vërtetë, për që pati edhe mësues shëtitës vullnetarë që u mësonin shkronjat e shqipes muhaxhirëve e luftëtarëve të çetave nëpër male e vendstrehime të caktuara, sa për dëshmi, po përmendim faktin që ende i kemi të freskëta kujtimet nga fëminia, kur dy bashkëfshatarët tanë (nga Reçani i Suharekës): Mulla Mustafë Veselajt, axha im, i cili e kishte pasur të kryer medresën në Prizreni,  si dhe tjetri Mulla Shaqir Hasanaj, bashkëfshatar, i cili e kishte kryer mejtepin në Mushtisht (Suharekë), të cilët, që të dy, në shkollat që kishin ndjekur në kohën e Turqisë para virtit 1912, kishin mësuar ta shkruanin dhe të lexonin shqip me shkronjat arabe, por jo me alfabetin shqip me shkronja latine. Ata, siç tregonin gjatë viteve l9l3 -1915 si shumë të rinj të tjerë që ishin detyruar të largoheshin nga viset e okupura nga serbët dhe qëndronin një kohë në viset e Malësisë së Gjakovës etj. si refugjatë, iu kishte dhënë mundësia të mësonin edhe alfabetin e shqipes nga një mësues shetitës që e quanin ata Abdullah Hadri. Ata, për që i njihnin paksa edhe shkronjat shqipe, për ne, u zbuluan vetëm në vitin 1941, kur edhe filloi legalisht shkolla shqipe ndër ne, sepse na ndihmonin ne fëmijëve që ta përvetësonim më lehtë këtë alfabet. Ata, në të vërtetë, me sa më kujtohet e ndjenin veten krenar që kishin qenë ushtarë të Hasan Vuçitërnës (Prishtinës) në Luftën e Zhurit, më 15 shkurt 1915.

Sidoqoftë, siç dihet, shkrimin shqip nuk kishin pasur rast ta përdorni legalisht, sepse kur ishin kthyer në shpija të veta, kishin ndeshur një akupator po ashtu sllav si serbin, kishin gjetur bullgarët. Edhe shteti bullgar shkrimin shqip assesi nuk e kishte lejuar, madje mixha im për shkak të mosbashkëpunimit me atë pushtet kishte qenë burgosur e internuar në Maqedoni.(Bullgari). Ndërkohë viset tona pësuan edhe më keq sepse pas Luftë u bë riokupimin i tyre nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia e Kralit, kur edhe më rreptësisht ishte i ndaluar mësimi e shkrimi i shqipes.

S’do mend se dëshira e popullit tonë për dije e shkollën shqipe, jo vetëm nuk u shua, por ajo ishte akumuluar thellë në vetëdije, në botën e tij shpirtërore, andaj në vitet e ’40, shkolla shqipe u prit aq me shpirt e zemër sa që s’mund të përshkruhet dot.

3) Konstatime dhe vërejtje rreth ortografisë së Komisisë Letrare   Shqipe të Shkodrës (1917)

T’i kthehemi tashti edhe pak periudhës së mësimit e studimit të shqipes  nga vitet e fundit të asaj Lufte. Në të vërtetë, kur Armata e Autro-Hungarisë në ndjekje e sipër të ushtrisë serbe e asaj malazeze shkeli ose i çliroi (në njëfarë mënyre) pjesën më të madhe të viseve shqiptare të Veriut e të Mesme, atëherë në ato treva, siç u cek më sipër, jo vetëm lejoi të mësohej, por edhe ndihmoi të organizohej lirisht mësimi në shkollat shqipe, të cilat në ndonjë rast kishin edhe mbështetje materiale e të tjera prej atij pushteti. Në këtë kohë në Shkodër, ku nuk ishte pa traditë shkolla shqipe, u organizua Mbledhja e Komisisë Letrare më 1916-1918, e cila iu përkushtua pikërisht çështjes së shkrimit të shqipes dhe ortografimit të kësaj gjuhe. Kështu, si me thënë, u trajtua për të parën herë institucionalisht drejtshkrimi i gjuhës shqipe, punë kjo që doli si tekst i shkruar e i botuar nga kjo Komisi më 1917.

 Nga teksti në fjalë do të përmendim disa veçori a vlera të qëndrueshme që na duken me shumë interes të njihen e të dihen sa më mirë edhe sot.

1. Që në Parathanë të tekstit Orthografija shqipe, përkatësisht Rregullat mbi orthografin e gjuhës shqipe të Komisis Letrare Shqipe të Shkodrës (1917) në mënyrë të veçantë thuhet se një ndërmarrje e tillë është udhëhequr nga një parim, që do të thoshim, shumë i drejtë, i cili ishte në përputhje me mendimin e dy doajenëve të gjuhës e të kulturës shqiptare, të shprehur botërisht më përpara, që i cekëm në konstatimet paraprake, siç janë rilindësi Sami Frashëri dhe sidomos pasuesi i moderuar Faik Konica, dhe të rilindësve të tjerë, të cilët, rekomandonin “gjuhë të përzier”, d.m.th. letrarishte të shkruar të njësuar jo njëdialektore, por duke i dhënë përparësi një të folmeje ose nëndialekti ku do të përfshiheshin a shkriheshin të gjitha vlerat e gjuhës popullore kulturore të të dy dialekteve. Kështu, misët e asaj Komisie të vetëdijshëm për kompleksin e çështjes së gjuhës së përbashkët u deklaruan fillimisht “që të formohet pak nga pak nji gjuhë shkrimi e përmbëledhun prej të dy dialekteve të parë të sotshëm” dhe “si temel orthografis do të mirret djalekti i Elbasanit me disa përmirësime”. Pra ata miratuan kërkesën, e cila i qe ofruar Kongresit të Manastirit, kërkesë kjo që u rekomandua institucionalisht në Kongresin e Elbasanit (1909), duke besuar, siç theksohet nga kjo Komisi, se në kohën e ardhshme edhe vetë “zhdrivillimi i gjuhës ka për ta gjetë udhën e mesme”. Pra, ashtu siç ishte Elbasani në mes a ”në kërthizë të Shqipërisë”, po më fort në anën e gegnishtes, ashtu mendohej që herdokurdo do të jetë edhe gjuha e përbashkët letrare, duke përfshirë elemente të domosdoshme të njërit dhe të dialektit tjetër.

2. Kuptohet se me përmendjen e ligjërojës së Elbasanit dilte i favorizuar dialekti i gegnishtes në përgjithësi dhe ai i Shqipërisë së Mesme në veçanti. Në këtë kuadër, paskajorja e mirëfillttë si veçori e parë e gegnishtes u mor si trajtë përfaqësuese e foljes, e cila në këtë funksion vinte e trashëguar që nga Fjalori i F. Bardhit (1635), kategori kjo, e cila, siç e thamë më sipër, zinte vend të konsiderueshëm edhe në Kanonizmën e Srambollit, por edhe në shkrimet e tjera, duke përfshirë pothuajse të gjithë shkrimtarët e gramatikanët rilindës, edhe ata me origjinë nga Toskëria

3. Në të vërtetë, duke mbrojtur togjet mb, nd,dilnin të asimiluara në m e n në dialektin e Elbasanit, kjo Komisi për hir të interesit të përgjithshëm (përafrimit të dialekteve) nuk ngeli brenda ligjirojës së Elbasanit, por mori në konsideratë veçorinë më të gjerë bashkuese të dy dialekteve të shqipes.

4. Njëherazi po nga kjo Komisi u favorizua trajta e shkurtër e pjesores e jo versionet e zgjeruara të saj, siç dilnin disi mjaft të avancuara në elbasanishten e asaj kohe, siç e pamë në letrat e S. Shuterqit dhe siç do të shohim edhe më poshtë gjatë analizës.

 Sa pë ilustrim po cekim se shembuj me paskajore me + pjesore, me mb, dalin të regjistruara 40 raste, ndërsa me nd mbi 50. Pra të gjithë këta shembuj si gjymtyrë të dytë kanë pjesoren e shkurtër, pos dy rasteve: me mbimun dhe me ndamun, të cilat në toskërishte pjesoren e bëjnë me fundoren –RË: mbirë, ndarë, formë kjo e pjesores së toskërishtes, e cila për çudi nuk është shënuar fare si alternativë e lejuar nga misët dhe pikërisht këtë fakt ne e konsiderojmë, si me thënë,  njëfarë të mete jo të vogël të punës së kësaj Komisie.

Dihet se paskajoren gege të hibridizuar si me shumuarë, me bërë, me diturë, me përdorurë, me hapurë etj. që e ndeshim edhe në Kanonizmën e Stambollit e përdornin praktikisht me të madhe edhe Faik Konica,  Asdreni,  Sotir Kolea e të tjerë, ndërsa në të folmen e Elbasanit trajtat e tilla praktikoheshin me fundore-prapashtesat përkatëse –U(e)M, -M., -UN(ë).

5. Sidoqoftë, është me interes, dhe këtë po e theksojmë në mënyrë të veçantë, se nga ato pak rregulla, dalin të përfaqësuara në njëfarë mënyre të gjithë tipat e foljeve të gegnishtes me prapashtesat a fundoret përkatëse, pra, përveç atyre me -oj, -uej, -ij edhe atyre konsonantikë (me –un), me mbaresë zero ose  –ë, edhe ato me –it, -is, –os, si .p.sh:

me plandosë, me ndalë, me mbetë, me kumbisë, me llambarisë, me mbytë, me mbarshtue, me shëndritë, me tronditë, me humbë e me hupë, me mbajtë, me ndejtë me ndërlikue, me ndie, e kështu me radhë.

Pra, janë shënuar afro 100 trajta foljesh (në paskajore) në një tekst-ilustrimi të shkurtë.

 6, Përveç ruajtjes së plotë të grupit të bashkëtingëlloreve mb, nd, ngulmohej nga kjo Komisi ruajtja e plotë edhe të dyzanorshit ue/ua, sidomos në sistemin emëror, tipi muej/muaj, duer/duar.

Edhe lidhur me ruajtjen e dyzanorshit Komisia nuk shkoi sipas elbasanishtes, ngase në ligjërojën e saj dyzanorshi zakonisht dilte i asimuluar kryesisht në -u, siç shihet edhe nga disa shembuj të tekstit të sipërcekur nga reagimi me shkrimi i prof. Simon Shuteriqit, si p.sh. me shkrumun, me mbaru, me rregullumun, me diftumun e kështu me radhë, ndërsa në Ortografinë në shqyrtim respektohej togu i plotë UE, karakteristikë edhe e të folmeve edhe të Kosovës, atëherë dhe sot, sa për ilustrim se si përdorej pjesorja në kuadër të paskajores së mirëfilltë në atë kohë në Kosovë, po përmendim tekstin e Klubit të Shkupit që i drejtohet Shoqnisë Bashkimi të Manastirit më 6 nëntor 1908 (të nënshkruar nga  kryetari Hamdi dhe nënkryetari  B. Curri, ku në 16 rreshta tekst përdoren 11 paskajore të mirëfillta, si: me lanë,  me u pas ba,  me punue, me mujët, me nis,  me diftue, me ken,  me shenjue,  me ba,  me pas -- pra në të gjitha rastet është përdorur vetëm pjesorja e shkurtë, dhe dyzanorshi -UE, forma këto që siç e pamë favorizoheshin edhe nga Komisia letrare shqipe në fjalë.  (Shih  Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972. f. 351).

Nuk dimë arsyen pse Komisia edhe te foljet e tipit më ue/-ua/r  e -un/-ur nuk ka shënuar asnjë shembull në trajtën foljore më –UA/r ose -UR të toskërishtes si alternativë e lejueshme ndaj paraleles me -UE ose Ë a UN të gegnishtes. Prandaj edhe lidhur me këtë ne e shohim silajthitje në punën e Komisisë në fjalë.

7. Ndonëse, aty quhen emra mashkullorë asnjanësit primitivë si: grunë, djathë, gjalpë, kuptohet se praktikisht respektohej ky tip asnjanësish, gjithashtu respektohej edhe tipi tjetër i asnjanësve mbi bazë prejpjesoreje, si: të përgjigjunit, të kryemit dhe të mbathnit

8. Edhe pse nuk ceket shumësi me mbaresën –Ë, të emrave me prapashtesat –or, -ar etj., aty praktikisht shënohen si trajta normative shumësi i emrave mashkullorë me –ë: punëtorë,  kryetarë.

 9. Dalin të shënuar si trajta përfaqësuese dhe disa emra prejpjesorë pandajshtesorë si p.sh.: para/thanë-a, mbollë-a, mbushë-a, bindë-a, dhimbë-a, trumbë-a, mundë- a, tandë-a. Këtu do të shtonim edhe fjalën ligjërojë –a nga folja me ligjërue (ligjiru(e) të elbasanishtes).

10. Rastet e zanoreve të theksuara, sidomos Ë-ja të toskërishtes, përmenden në një pikë të veçantë kur thuhet se:
 Theksi hundor do të përdoret vetëm në këto rasa:

1) Mbi të gjitha A-të hundore të gegnishtes, të cilave në tosknishte u përgjigjet  një –Ë, për shembull: gja,  za, asht, e tj.

2) Mbi të gjitha zanoret hundore afër të cilave zhduket disa herë ndë gegnishte shkaku i hundimit (-n) e në tosknishte ndrrohet ndë “r” pe (peni peri); fre (freni freri), hi (hini hiri) mulli (mullini mulliri) hu (huni huri) sy (syni syri) e tj.

 

Siç po shihet në sistemin emëror ceken qartë rastet me elemente rotacizimi, andaj, po përsërisim, nuk dimë arsyen pse nuk u cekën edhe format e rotacizuara të pjesores së toskërishtes –ua/r, përkatësisht –ur, e –r ose –rë,  ngase trajtat e tilla edhe atëherë dilnin si trajta të formëzuara dhe si kode ishin të njohura nga praktika e gramatika, madje në përbërje të Komisisë kishte adhurues të toskërishtes, por edhe jo pak anëtarë toskërishtfolës, si p.sh. Sotir.Peci, Gjergj .Pekmezi, Sali Nivica, Hafëz. Ali Korça.

Sidoqoftë, s’po e zgjasim më shumë me përmendjen e karakteristikave të tjera, të cilat pothuajse të gjitha më kryesoret edhe dalin të inkorporuara në ortografitë e më pastajme, por ia vlen të cekën dy porosi, të cilat duhen të dëgjohen edhe sot e përherë nga veshët e studiuesve (standardologëve) si dhe nga ana e pushtetmbajtësve të çdo kohe, pra edhe të kohës së sotme:

e para, aty theksohet qartë si imperativ: “Me bamun kërkime të thella e të shkoqituna” rreth  temave të caktuara gjuhësore dhe

e dyta, ceket obligimi tjetër shoqëror-shtetëror: lidhur me ndërmarrje të tilla studimore ekspertët duhet me pasë edhe mbështetje materiale, ose siç thuhet aty duhet: “me i pasun për ndihmë të gjitha mjetet që u duken të dobishme për qëllimin e për punën e tillë”.

Sidoqoftë, e tërë ajo atmosferë e krijuar paraparakisht, padyshim u ndihmoi dhe ua lehtësoi punën misëve (anëtarëve) të Komisisë Letrare të Shkodrës, të cilët shfrytëzuan kushtet politike e ushtarake të kohës që në bazë të parimeve të qëndrueshme që pothuaj shumica e tyre, siç u tha, i kishin të ravijëzuara më përpara, të formulonin edhe Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës së shkrueme shqip (1917), të vendueme, pra, mbi një platformë mjaft të gjerë, po parimisht shumë të drejtë për kohën, si nga pikëpamja praktike ashtu edhe nga ajo teorike-shkencore, ortografi kjo që u vazhdua, duke u tumirë edhe institucionalisht në fazat e më vonshme, sidomos gjatë epokës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Pikërisht këtë situatë historike përpëlitëse të popullit tonë me dështimet edhe suksest edhe lidhur me gjuhën, po i rikujtojmë me një fragment të  fjalës së Atë Gjegj Fishtes të mbajtur në Konfrencën e Paqes në Paris  më 1919:

      Për lirin e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin... E gjith kjo ngjet sepse ndërgjegja kombtare ka lëshue rrajë të thella  në shpirt të tij...Shi ditën në të cilën ai (populli shqiptar) ishte gati me fitue lirin e vet Shtetet e Ballkanit ia ngjiten kthetrat e e ban rob nën zgjedhë të veten...për me e shue shqimit e me e qitë fare...Duket çiltas  se shqiptarët  prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant sesa Turqit... Turku si për princip, si në teori, ia ka pasë njoftë Shqipnisë njëfarë autonomie...Në kohë të pushtimit austro-hungarez kjo gjuhë (gjuha shqipe) qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative, Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësore...Intelegjenca shqiptare në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht ngjizun me një mentalitet të ri për kombsin. Shteti shqiptar duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe... (Pjesë nga Teksti i paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, 1919.)

            Nga këto fjalë të Atë. Gj. Fishtes, i cili ishte njëri nga kryesorët e alfabetit të sotëm dhe një nga misët në Komisinë Letrare të Shkodrës,  mësojmë, ndër të tjera se për rëndësinë që kishte gjuha si sinore që duhej pasur parasysh për shtrirjen e kufirit të shtetit shqiptar.edhe për gjuhën ekzistuese letrare (zyrtare), të cilën e vlerëson të arrirë që në atë kohë të sanksionuar me rregullat e Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës.

Sido që të jetë, është e vërtetë se Rregullat në fjalë, hartuar dhe miratuar nga kjo Komisi, të cilat u pranuan në Kongresin e Loshnjes (1920) e në tubime të tjera, patën jehonë pozitive për një kohë mjaft të gjatë, ngase norma gjuhësore e mbi këtë bazë shërbente si gjuhë e përbashkët zyrtare (letrare), madje jehona e tillë  normëzuese për pika të caktuara vjen edhe deri në ditët e sotme.

Pothuajse gjatë tërë Periudhës së Pavarësisë, me mbështetje sadokudo edhe administrative-pushtetore (1923, 1928, 1935, 1940), vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës respektoheshin, natyrisht me ndonjë përmirësim a tolerim me trajta e shprehje të sistemit foljor e atij emëror të toskërishtës ose edhe me ndonjë ndryshim a përjashtim që shfaqej ndërkohë lidhur me përpunimin e normës gjatë procesit të zhvillimit kulturor shoqëror e gjuhësor të shoqërisë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora