| E diele, 14.03.2010, 10:53 PM |
IV. PËRHAPJA E MËSIMIT SHQIP GJATË LUFTËS
(1912-1918) DHE ORTOGRAFIA E
KOMISISË
LETRARETË SHKODRËS
Në këtë krye të punimit, së pari do të bëjmë fjalë për disa tekste e libra të botuar, në dobi të mësimit të shqipes, në prag e pas shpalljes së Pavarësisë (1912), së dyti, rreth legalizimi të mësimit dhe të shkollave shqipe gjatë luftës dhe së treti, do të japim disa konstatime dhe vërejtje rreth Ortografisë së Komisisë Letrare të Shkodrës (1917).
1) Tekste e libra të botuar në dobi të mësimit të shqipes
Luftat Ballkanike, por edhe Lufta e I Botërore
i solli popullit shqiptar shumë të pamira, amputime me rrjedhoja gangrenëse,
pasi shumica e tokave shqiptare mbeten jashtë kufijve të Shtetit të proklamuar
shqiptar, megjithatë vetë proklamimi ose njohja e Pavarësisë së shpallur mund
të konsiderohet në njëfarë mënyre sukses
a si fitore historike.
Në të vërtetë, siç e pamë në kreun e mëparshëm
shqiptarët bashkë me luftën për alfabetin shqip, kishin fituar edhe të drejtën
që të gëzonin në mos pavarësi të plotë, gjithësi autonomi funksionale në kuadër
të Turqisë, mirëpo ndërsa shqiptarët, sidomos veprimtarët e Vilajetit të
Kosovës dhe ata të Manastirit, pothuajse, ishin në gjendje me i imponue kushtet
ose ose, qoftë si autonomi, qoftë pavarësi nga Turqia, shtetet fqinje
grabitqare (ortodokse) filluan luftën e armatosur kundër Turqisë: Mali i Zi më
8 tetor, Bullgaria më 17 tetor, Serbia
një ditë më vonë më 18 dhe Greqia më 19
tetor, dhe kështu këto shtete të ndërsyera nga Rusia, si me thënë, me lehtësi
zaptonin trojet shqiptare që duhej t’i mbronte shteti turk me ushtrinë e vet.
Sipas prof. M. Pirrakut, shkaqet për një
debakël të tillë të ushtrisë turke ishin të shumta, ndër të cilat përmend:
1) Ushtria turke ishte e dobësuar nga luftërat
me shqiptarët.
2) Shqiptarët, pos që ishin të rraskapitur në
luftën me turqit, ishin të dezorientuar, pa udhëheqës të denjë për të bashkuar popullin.
3) Nuk
pati koka esëll as nga shiptarët as nga turqit për t’i bashkuar forcat gjithpopullore
me ato gjithosmane kundër armikut të përbashkët.
4) Disa krerë popullorë të njohur me emra nuk
qëndruan në krye të detyrës historike ndaj atdheut dhe
5) Shqiptarët nuk patën aftësi të përvetësonin
asnjë shtet të fortë europiano-botëror që t’i përkrahte në luftën e tyre të
drejtë për Pavarësi dhe mbrojtjen e trojeve të veta.
Në të vërtetë, ushtrisë
serbe në mënyrë të organizuar i bënë rezistencë vetëm repartet vullnetare të H.
Prishtinës, të komanduara nga i biri i axhës së tij patriotit Xhemajl Sulejman
Berisha, të cilat për 4 ditë e mbajtën frontin në Merdare dhe pas thyerjes së
kësaj force, serbët me lehtësi morën
Prishtinën dhe pothuajse pas katër ditësh rrezikuan selinë e vilajetit
Shkupin, i cili përfundimisht u zaptua më 26 tetor 1912. Kështu deri në fund të
tetorit dhe fillim të nëntorit 1912, nga forcat armike të shteteve fqinje u
pushtuan edhe shumë e shumë vise të tjera.shqiptare deri në Durrës dhe në
Elbasan ku e mbyllën shkollën Normale, më 29 nëntor 1912.
Është e vërtetë, se kur
Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë në Kuvendin e Vlorës aty morën pjesë edhe tre
aktivistë kosovarë: Salih Gjuka- Dukagjini,
Bedri Bej Pejani e Rexhep Mitrovica, të cilët ishin të pranishëm edhe në
Kuvendin e Shkupit më 16 tetor 1912, të kryesuar nga Hasan Prishtina. Në të
vërtetë Hasan Prishtina nuk udhëtoi drejt Vlorës dhe mbeti në trojet e
Vilajetit të vet, kur në fillim të nëntorit në rrethinat e Shkupit u zu nga
forcat serbe, dhe bashkë me një grup atdhetarsh të njohur, si Nexhip Draga,
Seit Hoxha, Idriz Seferi e të tjerë, u internuan në Kështjellën e Kalemegdanit
(Beograd), ku u mbajtën deri më 1 prill 1913. U liruan atëherë kur rezistenca
shqiptare e organizuar pothuajse nuk ekzistonte më as në Shkodër.
Sidoqoftë, kur është fjala te shkolla e mësimi
i shqipes aktiviteti i veprimtarëve përkatës shqiptarë nuk u ndërpre, por u
intensifikua edhe gjatë kësaj periudhe, përveç mënyrave të tjera edhe me mësim
vullnetar, duke shfrytëzuar çdo rast që ofrohej. Edhe në këto kushte kaotike
përveç botimeve nga studiuesit e huaj, filluan të botohen edhe tekste shkollore
për mësimin e gjuhës shqip edhe nga vetë studiuesit shqiptarë, tekste këto, që
ishin përgatur më përpara.. Kështu dolën në dritë edhe disa tekste gramatikash
të suksesshme, ndër të cilat po përmendim Gramatikën Gj. Pekmezit (1908),
Gramatikën e Anton Xanonit (1909), të Sali Gjukë Dukagjinit (1910), punime të prof. A. Xhuvanit (1910 -1919) etj.
Po e përmendim edhe veprën e Fazil Tiranasit “Gramatikë fillestare shqipe” (1911)
edhe pse e shkruar me alfabet arab, sipas J. Kastratit, kjo vepër kishte vlerë,
sepse “pa kurrfarë rezerve mund të themi
se me këtë alfabet mund të lexohet fare
mirë shqipja”.
Kur është fjala te botimet, gjithashtu janë me interes për nga vlera gramatikat e botuara pas shpalljes së Pavarisisë së Shqipërisë 1912/1917, pra në perudhën e okupimit, por edhe këto të përgatitura më herët.
Së pari po përmendim Gramatikën e Sotir Pecit: Viti premtor i gramatikës (1912), ku ai veç tjerash theksonte:
Gjithë gjuhët e botës kanë dialekte dhe nëndialekte, që të bënjë një gjuhë kombëtare... për këtë kanë vepruar, kurdoherë, po thua rasjet politike dhe kohërat dhe një ndën dialektet e kanë ngritur dhe e kanë bërë gjuhë kombëtare... Për ne tashti, na duket se është mjaft të bashkohemi, ne Toskët në njërën anë dhe Gegët më tjetrën anë, duke përmbledhur gjithë nëndialektet, sikush të bënjë një gjuhë shkollore ose të shkruarë dhe të lëmë kohën të bënjë punën e saj... Me këtë program punuamë, po si do të shëkonjë këndonjësi, i kemi shtrirë mjaft dorën motrës sonë gegënishtes, pas vijavet të para që u hoqnë ndë shkollën Normale.
Pra, autori thotë se e shkroi veprën toskërisht, duke i shtrirë dorën gegërishtes, por edhe duke i sfiduar e nxitur studiuesit e saj (gegërishtes) që ta përpunojnë gjuhën e tyre gege.
Së dyti, po cekim gramatikën e mësueses Sevasti Qirias Dako me titull Gramatikë elementare (Manastir 1912), edhe kjo e shkruar toskërisht, ku autorja falenderon vëllain e ndjerë Gjerasimin (1861-1894), i cili veç gjuhës amtare asaj i “rrënjosi në zemër detyrën e madhe që të punojë pa reshtur për të ndriturit e kombit” dhe vërtet me këtë vepër ajo dëshmon jo vetëm se ishte mësuese e mirë, por ishte edhe intelektuale e gjuhëtare e zonja. Është mjaft kuptimplot përkufizimi që i jep ajo gramatikës, e cila siç e thotë vetë autorja, gramatika “nuk na mëson vetëm si të flasin e të shkruajmë, por edhe si të stërvitemi për t’i përdorur drejt fjalët në fjali dhe kështu të stërvitemi të përdorim në të folur e në të shkrojtur më të mirën mënyrë për të treguar ndenjat dhe mendimet tona, si dhe të tjera dituri, ngase të mësuarit e gramatikës na jep një arsim mendjeje të paçmuar”.
Së treti, po përmendim veprën e Shoqnisë Dija të Vjenës në dy vëllime me titull Gramatika ose Folmarja shqype I (1912) dhe II (1913), dy vepra këto që sa i përket përmbajtjes, gjuhës dhe stilit, mund të quhen si paraardhëse të Komisisë Letrare të Shkodrës, madje edhe e kalojnë atë në ndonjë pikë. Në veprën I zgjon interes, jo vetëm vendosja e paragrafëve përkatës (si në tekste ortografike), por edhe për bashkangjitjen e një fjalorthi ortografik që është i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe, ndërsa në veprën II, përveç krahasimit ndërdialektor në raportin rotacizëm / jorotacizëm, në disa pika të analizës të sistemit foljor zgjon interes eptimi në raportin gegërisht/toskërisht, të cilit, mund të themi, sido të shohim, nuk i është kushtuar vëmendje aq e duhur në Rregullat gramatikore të miratuara në Komisinë Letrare të Shkodrës.
Së katërti, në vitin 1917 u botuan edhe libra të profilit gramatikor si ajo Gaspër Mikelit me titull Gramatikë e gjuhës shqipe, ajo e Iliaz Permetit “Fillime të gramatikës shqipe, e Zef Harapit “Sintaksa e gjuhës shqipe (1917) si dhe filloi botimi i veprave të gjuhëtarit Marko La Piana, me titull Gjuha shqipe (1917), Mësime të shkurtëra të gramatikës shqipe (1918) etj.
Gjithsesi veprat e tilla ishin ndihmesë për mbarëvajtjen e mësimit në shkollat shqipe që pritej të hapeshin tashmë pa pengesa në Shqipninë e Mosvarme.
2. Legalizimi i mësimit dhe i shkollës shqipe gjatë luftës
Është e vërtetë, se në
viset kur pushteti vendor shqiptar mund të thuhet se frymonte pak më lirshëm,
edhe mësimi i shqipes kishte mundësi zhvillimi më normal se në viset, ku
sundonin e qeverisnin rreptësisht të huajt, por kur është fjala te pushteti
austriak e më vonë pjesërisht edhe ai frances atëherë shkollat shqipe u hapen
kudo që ofrohej pak mundësi.
Kështu, liria e shkollës shqipe u intensfikua
sidomos, siç u tha, në viset ku e shtriu pushtetin Austria, ku përfshihej edhe
një pjesë e Kosovës. Po në këtë kohë edhe Hasan Prishtinën e ndeshim në anën e
Mitrovicës e të Vushtrrisë e në vise të tjera, ku këshillonte dhe organizonte
që sa më shumë shkolla të hapeshin në gjuhën shqipe. Siç dihet, në zonën e
pushtimit austro - hungarez nga tokat e pushtuara serbe e maleleze bënin pjesë
Mitrovica, Vushtrria, Drenica e
Prishtina, Peja, Istogu, Gjakova, Plava, Gucia, Tivari, Ulqini dhe në këto vise
(siç mësojmë nga një punim i prof. Nesim Valës) shqiptarëve iu njoh e drejta e
vetadministrimit lokal, iu mundësua zhvillimi i arsimnit në gjuhën shqipe dhe
zhvillimi i kulturës kombëtare, iu respektua flamuri dhe simbolet e tjera
kombëtare. Prandaj edhe pse ishte kohë lufte këto të drejta i shfrytëzuan
shqiptarët për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe mësimit të shqipes.Vetëm në
Gjakovë, tregon autori, 12 mësues shqiptarë u jepnim mësim afro 900 nxënësve.
Në këto rrethana në Shkodër, sipas nismës së Luigj Gurakuqit nën organizimin e përkujdesjen e Komandës austriake filloi punën e ashtuquajtura Komisia Letrare Shqipe e Shkodres, për aktivitetin e sëcilës në hartimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes dhe të përcaktimit të koinesë së letrarishtes së përbashkët do të bëjmë fjalë më në hollësi pak më poshtë. Ndërsa tani, për mendimnin tonë, është me interes të theksohet se edhe gjatë asaj lufte (1912 -1915) në mënyra të ndryshme si me hapjen e shkollave ose edhe me mësues shëtitës e mënyra të tjera, përhapja e shkrimit shqip me shkronja latine vazhdonte me sukses të konsiderueshëm. Edhe pse kemi të bëjmë me një atmosferë tejet delikate, për atdhetarët e mirëfilltë nuk kishte kohë për dëshpërim. Çështja e mësimit të shkrimit të shqipes duhej vazhduar edhe në kushte lufte a okupimi të rëndë. Është e vërtetë, siç u cek më sipër, se edhe gjatë Luftës, është fjala para pushtimit autro-hungares e bullgar, aty ku jepej sadopak mundësi hapeshin shkolla shqipe ose mësohej shkrimi shqip, sigurisht me alfabetin e ri të Kongresit të Manastirit.
Në të vërtetë, për që pati edhe mësues
shëtitës vullnetarë që u mësonin shkronjat e shqipes muhaxhirëve e luftëtarëve
të çetave nëpër male e vendstrehime të caktuara, sa për dëshmi, po përmendim
faktin që ende i kemi të freskëta kujtimet nga fëminia, kur dy bashkëfshatarët
tanë (nga Reçani i Suharekës): Mulla Mustafë Veselajt, axha im, i cili e kishte
pasur të kryer medresën në Prizreni, si
dhe tjetri Mulla Shaqir Hasanaj, bashkëfshatar, i cili e kishte kryer mejtepin
në Mushtisht (Suharekë), të cilët, që të dy, në shkollat që kishin ndjekur në
kohën e Turqisë para virtit 1912, kishin mësuar ta shkruanin dhe të lexonin
shqip me shkronjat arabe, por jo me alfabetin shqip me shkronja latine. Ata,
siç tregonin gjatë viteve l9l3 -1915 si shumë të rinj të tjerë që ishin
detyruar të largoheshin nga viset e okupura nga serbët dhe qëndronin një kohë
në viset e Malësisë së Gjakovës etj. si refugjatë, iu kishte dhënë mundësia të
mësonin edhe alfabetin e shqipes nga një mësues shetitës që e quanin ata
Abdullah Hadri. Ata, për që i njihnin paksa edhe shkronjat shqipe, për ne, u
zbuluan vetëm në vitin 1941, kur edhe filloi legalisht shkolla shqipe ndër ne,
sepse na ndihmonin ne fëmijëve që ta përvetësonim më lehtë këtë alfabet. Ata,
në të vërtetë, me sa më kujtohet e ndjenin veten krenar që kishin qenë ushtarë
të Hasan Vuçitërnës (Prishtinës) në Luftën e Zhurit, më 15 shkurt 1915.
Sidoqoftë, siç dihet, shkrimin shqip nuk
kishin pasur rast ta përdorni legalisht, sepse kur ishin kthyer në shpija të
veta, kishin ndeshur një akupator po ashtu sllav si serbin, kishin gjetur bullgarët.
Edhe shteti bullgar shkrimin shqip assesi nuk e kishte lejuar, madje mixha im
për shkak të mosbashkëpunimit me atë pushtet kishte qenë burgosur e internuar
në Maqedoni.(Bullgari). Ndërkohë viset tona pësuan edhe më keq sepse pas Luftë
u bë riokupimin i tyre nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia e Kralit, kur edhe
më rreptësisht ishte i ndaluar mësimi e shkrimi i shqipes.
S’do mend se dëshira e popullit tonë për dije e shkollën shqipe, jo vetëm nuk u shua, por ajo ishte akumuluar thellë në vetëdije, në botën e tij shpirtërore, andaj në vitet e ’40, shkolla shqipe u prit aq me shpirt e zemër sa që s’mund të përshkruhet dot.
3) Konstatime dhe vërejtje rreth ortografisë së Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës (1917)
T’i kthehemi tashti edhe pak periudhës së
mësimit e studimit të shqipes nga vitet
e fundit të asaj Lufte. Në të vërtetë, kur Armata e Autro-Hungarisë në ndjekje
e sipër të ushtrisë serbe e asaj malazeze shkeli ose i çliroi (në njëfarë
mënyre) pjesën më të madhe të viseve shqiptare të Veriut e të Mesme, atëherë në
ato treva, siç u cek më sipër, jo vetëm lejoi të mësohej, por edhe ndihmoi të
organizohej lirisht mësimi në shkollat shqipe, të cilat në ndonjë rast kishin
edhe mbështetje materiale e të tjera prej atij pushteti. Në këtë kohë në
Shkodër, ku nuk ishte pa traditë shkolla shqipe, u organizua Mbledhja e
Komisisë Letrare më 1916-1918, e cila iu përkushtua pikërisht çështjes së
shkrimit të shqipes dhe ortografimit të kësaj gjuhe. Kështu, si me thënë, u
trajtua për të parën herë institucionalisht drejtshkrimi i gjuhës shqipe, punë
kjo që doli si tekst i shkruar e i botuar nga kjo Komisi më 1917.
Nga teksti në fjalë do të përmendim disa veçori a vlera të qëndrueshme që na duken me shumë interes të njihen e të dihen sa më mirë edhe sot.
1. Që në Parathanë të tekstit Orthografija shqipe, përkatësisht Rregullat
mbi orthografin e gjuhës shqipe të Komisis Letrare Shqipe të Shkodrës
(1917) në mënyrë të veçantë thuhet se një ndërmarrje e tillë është udhëhequr
nga një parim, që do të thoshim, shumë i drejtë, i cili ishte në përputhje me
mendimin e dy doajenëve të gjuhës e të kulturës shqiptare, të shprehur
botërisht më përpara, që i cekëm në konstatimet
paraprake, siç janë rilindësi
Sami Frashëri dhe sidomos pasuesi i
moderuar Faik Konica, dhe të rilindësve të tjerë, të cilët, rekomandonin “gjuhë të përzier”, d.m.th. letrarishte
të shkruar të njësuar jo njëdialektore, por duke i dhënë përparësi një të
folmeje ose nëndialekti ku do të përfshiheshin a shkriheshin të gjitha vlerat e gjuhës popullore kulturore të të dy
dialekteve. Kështu, misët e asaj Komisie të vetëdijshëm për kompleksin e
çështjes së gjuhës së përbashkët u deklaruan fillimisht “që të formohet pak nga pak nji gjuhë shkrimi e përmbëledhun prej të dy
dialekteve të parë të sotshëm” dhe “si
temel orthografis do të mirret djalekti i Elbasanit me disa përmirësime”.
Pra ata miratuan kërkesën, e cila i qe ofruar Kongresit të Manastirit, kërkesë
kjo që u rekomandua institucionalisht në Kongresin e Elbasanit (1909), duke besuar,
siç theksohet nga kjo Komisi, se në kohën e ardhshme edhe vetë “zhdrivillimi i gjuhës ka për ta gjetë udhën
e mesme”. Pra, ashtu siç ishte Elbasani në mes a ”në kërthizë të
Shqipërisë”, po më fort në anën e gegnishtes, ashtu mendohej që herdokurdo do të
jetë edhe gjuha e përbashkët letrare, duke përfshirë elemente të domosdoshme të
njërit dhe të dialektit tjetër.
2. Kuptohet se me përmendjen e ligjërojës së
Elbasanit dilte i favorizuar dialekti i gegnishtes në përgjithësi dhe ai i
Shqipërisë së Mesme në veçanti. Në këtë kuadër, paskajorja e mirëfillttë si veçori e parë e gegnishtes u mor si trajtë përfaqësuese e foljes, e cila
në këtë funksion vinte e trashëguar që nga Fjalori i F. Bardhit (1635),
kategori kjo, e cila, siç e thamë më sipër, zinte vend të konsiderueshëm edhe
në Kanonizmën e Srambollit, por edhe
në shkrimet e tjera, duke përfshirë pothuajse të gjithë shkrimtarët e
gramatikanët rilindës, edhe ata me origjinë nga Toskëria
3. Në të vërtetë, duke mbrojtur togjet mb, nd,
që dilnin të asimiluara në m e n në dialektin e Elbasanit, kjo Komisi për hir të interesit të
përgjithshëm (përafrimit të dialekteve) nuk ngeli brenda ligjirojës së Elbasanit, por mori në konsideratë veçorinë më të
gjerë bashkuese të dy dialekteve të shqipes.
4. Njëherazi po nga kjo Komisi u favorizua
trajta e shkurtër e pjesores e jo versionet e zgjeruara të saj, siç dilnin disi
mjaft të avancuara në elbasanishten e asaj kohe, siç e pamë në letrat e S.
Shuterqit dhe siç do të shohim edhe më poshtë gjatë analizës.
Sa pë
ilustrim po cekim se shembuj me paskajore me + pjesore, me mb, dalin të regjistruara 40 raste, ndërsa me nd mbi 50. Pra të gjithë
këta shembuj si gjymtyrë të dytë kanë pjesoren
e shkurtër, pos dy rasteve: me mbimun
dhe me ndamun, të cilat në
toskërishte pjesoren e bëjnë me fundoren –RË: mbirë, ndarë, formë kjo e pjesores së toskërishtes, e cila për çudi
nuk është shënuar fare si alternativë e lejuar nga misët dhe pikërisht këtë fakt ne e konsiderojmë, si me thënë, njëfarë të mete jo të vogël të punës së kësaj
Komisie.
Dihet se paskajoren gege të hibridizuar si me shumuarë, me bërë, me diturë, me përdorurë, me hapurë etj. që e ndeshim edhe
në Kanonizmën e Stambollit e përdornin praktikisht me të madhe edhe Faik
Konica, Asdreni, Sotir Kolea e të tjerë, ndërsa në të folmen e
Elbasanit trajtat e tilla praktikoheshin me fundore-prapashtesat përkatëse
–U(e)M, -M., -UN(ë).
5. Sidoqoftë, është me interes, dhe këtë po e
theksojmë në mënyrë të veçantë, se nga ato pak rregulla, dalin të përfaqësuara
në njëfarë mënyre të gjithë tipat e foljeve të gegnishtes me prapashtesat a
fundoret përkatëse, pra, përveç atyre me -oj,
-uej, -ij edhe atyre konsonantikë (me –un), me mbaresë zero ose –ë, edhe ato me –it, -is, –os, si .p.sh:
me plandosë,
me ndalë, me mbetë, me kumbisë, me llambarisë, me mbytë, me mbarshtue, me
shëndritë, me tronditë, me humbë e me hupë, me mbajtë, me ndejtë me ndërlikue,
me ndie, e kështu me radhë.
Pra, janë shënuar afro 100 trajta foljesh (në paskajore) në një
tekst-ilustrimi të shkurtë.
6,
Përveç ruajtjes së plotë të grupit të bashkëtingëlloreve mb, nd, ngulmohej nga kjo Komisi ruajtja e plotë edhe të
dyzanorshit ue/ua, sidomos në
sistemin emëror, tipi muej/muaj, duer/duar.
Edhe lidhur me ruajtjen e dyzanorshit Komisia
nuk shkoi sipas elbasanishtes, ngase në ligjërojën e saj dyzanorshi zakonisht
dilte i asimuluar kryesisht në -u, siç shihet edhe nga disa shembuj të tekstit
të sipërcekur nga reagimi me shkrimi i prof. Simon Shuteriqit, si p.sh. me shkrumun, me mbaru, me rregullumun, me
diftumun e kështu me radhë, ndërsa në Ortografinë në shqyrtim respektohej
togu i plotë UE, karakteristikë edhe e të folmeve edhe të Kosovës, atëherë dhe
sot, sa për ilustrim se si përdorej pjesorja në kuadër të paskajores së
mirëfilltë në atë kohë në Kosovë, po përmendim tekstin e Klubit të Shkupit që i
drejtohet Shoqnisë Bashkimi të
Manastirit më 6 nëntor 1908 (të nënshkruar nga
kryetari Hamdi dhe nënkryetari B.
Curri, ku në 16 rreshta tekst përdoren 11 paskajore të mirëfillta, si: me lanë,
me u pas ba, me punue, me mujët,
me nis, me diftue, me ken, me shenjue,
me ba, me pas -- pra në të
gjitha rastet është përdorur vetëm pjesorja e shkurtë, dhe dyzanorshi -UE,
forma këto që siç e pamë favorizoheshin edhe nga Komisia letrare shqipe në
fjalë. (Shih Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i
Manastirit, Tiranë 1972. f. 351).
Nuk dimë arsyen pse Komisia edhe te foljet e
tipit më ue/-ua/r e -un/-ur
nuk ka shënuar asnjë shembull në trajtën foljore më –UA/r ose -UR të
toskërishtes si alternativë e lejueshme ndaj paraleles me -UE ose Ë a UN të
gegnishtes. Prandaj edhe lidhur me këtë ne e shohim silajthitje në punën e
Komisisë në fjalë.
7. Ndonëse, aty quhen emra mashkullorë
asnjanësit primitivë si: grunë, djathë, gjalpë, kuptohet se praktikisht
respektohej ky tip asnjanësish, gjithashtu respektohej edhe tipi tjetër i
asnjanësve mbi bazë prejpjesoreje, si: të
përgjigjunit, të kryemit dhe të mbathnit
8. Edhe pse nuk ceket shumësi me mbaresën –Ë,
të emrave me prapashtesat –or, -ar etj., aty praktikisht shënohen si trajta normative shumësi i
emrave mashkullorë me –ë: punëtorë, kryetarë.
9.
Dalin të shënuar si trajta përfaqësuese dhe disa emra prejpjesorë
pandajshtesorë si p.sh.: para/thanë-a,
mbollë-a, mbushë-a, bindë-a, dhimbë-a, trumbë-a, mundë- a, tandë-a. Këtu do
të shtonim edhe fjalën ligjërojë –a nga
folja me ligjërue (ligjiru(e) të elbasanishtes).
10. Rastet e
zanoreve të theksuara, sidomos Ë-ja të toskërishtes, përmenden në një pikë të
veçantë kur thuhet se:
Theksi
hundor do të përdoret vetëm në këto rasa:
1)
Mbi të gjitha A-të hundore të gegnishtes, të cilave në tosknishte u
përgjigjet një –Ë, për shembull:
gja, za, asht, e tj.
2)
Mbi të gjitha zanoret hundore afër të cilave zhduket disa herë ndë gegnishte
shkaku i hundimit (-n) e në tosknishte ndrrohet ndë “r” pe (peni peri); fre
(freni freri), hi (hini hiri) mulli (mullini mulliri) hu (huni huri) sy (syni
syri) e tj.
Siç po shihet në sistemin emëror ceken qartë
rastet me elemente rotacizimi, andaj, po përsërisim, nuk dimë arsyen pse nuk u
cekën edhe format e rotacizuara të pjesores së toskërishtes –ua/r, përkatësisht
–ur, e –r ose –rë, ngase trajtat e tilla
edhe atëherë dilnin si trajta të formëzuara dhe si kode ishin të njohura nga
praktika e gramatika, madje në përbërje të Komisisë kishte adhurues të
toskërishtes, por edhe jo pak anëtarë toskërishtfolës, si p.sh. Sotir.Peci,
Gjergj .Pekmezi, Sali Nivica, Hafëz. Ali Korça.
Sidoqoftë, s’po e zgjasim më shumë me
përmendjen e karakteristikave të tjera, të cilat pothuajse të gjitha më
kryesoret edhe dalin të inkorporuara në ortografitë e më pastajme, por ia vlen
të cekën dy porosi, të cilat duhen të dëgjohen edhe sot e përherë nga veshët e
studiuesve (standardologëve) si dhe nga ana e pushtetmbajtësve të çdo kohe, pra
edhe të kohës së sotme:
e para, aty theksohet qartë si imperativ: “Me
bamun kërkime të thella e të shkoqituna” rreth
temave të caktuara gjuhësore dhe
e dyta, ceket obligimi tjetër
shoqëror-shtetëror: lidhur me ndërmarrje të tilla studimore ekspertët duhet me
pasë edhe mbështetje materiale, ose siç thuhet aty duhet: “me i pasun për ndihmë të
gjitha mjetet që u duken të dobishme për qëllimin e për punën e tillë”.
Sidoqoftë, e tërë ajo atmosferë e krijuar
paraparakisht, padyshim u ndihmoi dhe ua lehtësoi punën misëve (anëtarëve) të Komisisë Letrare të Shkodrës, të cilët
shfrytëzuan kushtet politike e ushtarake të kohës që në bazë të parimeve të
qëndrueshme që pothuaj shumica e tyre, siç u tha, i kishin të ravijëzuara më
përpara, të formulonin edhe Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës së
shkrueme shqip (1917), të vendueme, pra, mbi një platformë mjaft të
gjerë, po parimisht shumë të drejtë për kohën, si nga pikëpamja praktike ashtu
edhe nga ajo teorike-shkencore, ortografi kjo që u vazhdua, duke u tumirë edhe
institucionalisht në fazat e më vonshme, sidomos gjatë epokës së Pavarësisë së
Shqipërisë.
Pikërisht këtë situatë historike përpëlitëse të popullit tonë me dështimet edhe suksest edhe lidhur me gjuhën, po i rikujtojmë me një fragment të fjalës së Atë Gjegj Fishtes të mbajtur në Konfrencën e Paqes në Paris më 1919:
Për lirin e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin... E gjith kjo ngjet sepse ndërgjegja kombtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij...Shi ditën në të cilën ai (populli shqiptar) ishte gati me fitue lirin e vet Shtetet e Ballkanit ia ngjiten kthetrat e e ban rob nën zgjedhë të veten...për me e shue shqimit e me e qitë fare...Duket çiltas se shqiptarët prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant sesa Turqit... Turku si për princip, si në teori, ia ka pasë njoftë Shqipnisë njëfarë autonomie...Në kohë të pushtimit austro-hungarez kjo gjuhë (gjuha shqipe) qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative, Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësore...Intelegjenca shqiptare në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht ngjizun me një mentalitet të ri për kombsin. Shteti shqiptar duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe... (Pjesë nga Teksti i paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, 1919.)
Nga këto fjalë të Atë.
Gj. Fishtes, i cili ishte njëri nga kryesorët e alfabetit të sotëm dhe një nga
misët në Komisinë Letrare të Shkodrës,
mësojmë, ndër të tjera se për rëndësinë që kishte gjuha si sinore që
duhej pasur parasysh për shtrirjen e kufirit të shtetit shqiptar.edhe për
gjuhën ekzistuese letrare (zyrtare), të cilën e vlerëson të arrirë që në atë
kohë të sanksionuar me rregullat e Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës.
Sido që të jetë, është e vërtetë se Rregullat në fjalë, hartuar dhe miratuar
nga kjo Komisi, të cilat u pranuan në Kongresin e Loshnjes (1920) e në tubime
të tjera, patën jehonë pozitive për një kohë mjaft të gjatë, ngase norma
gjuhësore e mbi këtë bazë shërbente si gjuhë e përbashkët zyrtare (letrare),
madje jehona e tillë normëzuese për pika
të caktuara vjen edhe deri në ditët e sotme.
Pothuajse gjatë tërë Periudhës së Pavarësisë,
me mbështetje sadokudo edhe administrative-pushtetore (1923, 1928, 1935, 1940),
vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës respektoheshin, natyrisht me ndonjë përmirësim a tolerim me trajta e shprehje të
sistemit foljor e atij emëror të toskërishtës ose edhe me ndonjë ndryshim a
përjashtim që shfaqej ndërkohë lidhur me përpunimin e normës gjatë procesit të
zhvillimit kulturor shoqëror e gjuhësor të shoqërisë shqiptare.