E merkure, 30.04.2025, 04:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Copëza...” Madonina mia”

E premte, 19.03.2010, 10:30 PM


Suzana Kuqi

Copëza...” Madonina mia”

Një ditë e bukur me diell dhe dy të moshuara që bisedojnë ulur në korridor. Presin orën e meshës. Në fakt njëra e pret me padurim duke shikuar orën herë pas here, tjetrës as që i bjen ndër mend të shkojë. Ajo zakonisht nuk shkon në meshë, fjala zakonisht siç duket më shpëtoi për forcë zakoni, sepse në fakt nuk e kam parë kurrë të shkojë atje. I lutet Zotit çdo mëngjes e çdo pasdite që të mos bjerë shi. Dhe kaq. Sepse i dhëmbin këmbët. Por kur grindet, siç po grindet tani me shoqen e vet e i bjen më qafë kot e më kot, e harron dhimbjen, shiun dhe Zotin, madje dhe burrin që nganjëherë bën sikur harron të vijë e ta shohë. Kështu i thotë ai, ndërsa mua më bren ai dyshim tundues, them tundues sepse këtë efekt bën të menduarit keq... Jo, jo keq është term aspak i hijshëm. Sipas meje ai i shmanget zënkave me të, në të cilat ajo e bën leckë fare në sy të të gjithëve. Bëj çudi se si e ka duruar gjithë jetën, por edhe këtu hyn në lojë ai dyshimi tundues... e niste shpesh në udhëtime të gjata përreth botës, për të cilat ajo lavdërohet shumë. E prapë është e pakënaqur. Tjetrës, një grua e imët por që ende ruan tiparet e karakteristikat një fëmije të urtë e të ëmbël, i shoqi i ka bërë naftën që në kohë qës'mbahen mend duke e lënë me dy fëmijë të vegjël.

- C'më shikon orën çdo sekondë? Më bën nervoze.

Tjetra nuk përgjigjet një çast, shikon rreth e rrotull për të kapur ndonjë shikim, për ta bërë pjesëtar të bisedës, e për t'i shkëputur një miratim qoftë edhe të heshtur.

- Sepse dua të shkoj në meshë!,- më shikon në sy dhe padashur unë e miratoj me një tundje të lehtë koke.

- Edhe ti me atë meshë, si nuk hoqe dorë.

- Përse të heq dorë, kam shkuar gjithnjë. Kur isha e re jo dhe aq por...

- Kur të la burri? - kjo më acaroi, por gruaja nuk ja vuri veshin e vazhdoi.

- Jo, më përpara. Që nga ajo ditë që...- heshti një çast e kërkoi sërish sytë e mi. - Atë kohë që burrin e kisha në shtëpi.Një ditë më ra nga dora një qese sheqeri, apo mielli tashmë nuk më kujtohet. Ra përtokë dhe u ça. Im shoq filloi të më bërtiste me gishta në vesh :” Si ka mundësi që të jesh kaq e hutuar? Si të ka bërë Zoti kaq të pazonjën... etj etj”. Bërtiste aq shumë sa komshinjtë e pallatit përballë dolën të gjithë nëpër dritare. Nuk më la të hapja gojë e t'i thoja se isha e lodhur, se pas punës kisha bërë pazarin, kisha gatuar, larë e... Nuk më la të nxirrja zë e u dëshpërova shumë. Në mbrëmje ndeza një qiri poshtë figurës së Madonës që kisha në dhomë.

- “Të lutem Madonina ime, ulja pak zërin këtij burrit tim. Nuk të kërkoj tjetër, veç pakësoja ca zërin!”

Mirëpo do ti, pas dy ditësh isha unë që mbeta pa zë. Kur të them pa zë, pa zë fare. Vetëm buzët më lëviznin. U tmerrova, vrapova tek një murgeshë që e njihja. I tregova se ç'më kishte ndodhur e ju luta të ndërhynte sepse për çudi, mua Madona ma kish dëgjuar lutjen së prapthi.

- “Gjë që s'bëhet! - ma preu shkurt ajo.

- “Përse nuk bëhet”?- nga dëshpërimi filluan të më dridhen leqet e këmbëve.

- “Sepse e ke ti fajin. Nuk duhet t'i lutesh Madones më bëj këtë apo atë, nuk i kërkohet kjo ose ajo. Duhet t'i lutesh vetëm të të japë forcë per te duruar.”

U mërzita shumë, faji ishte i imi. Fillova të shkoj shpesh në kishë. Pas nja një jave zëri m'u kthye, ai i burrit nuk lëvizi fare, por më vonë... lëvizi ai.

Lëviza dhe unë, nuk mund të rrish aty e të dëgjosh të moshuarit në orar të punes. Pasi bëra nja dy xhiro kontrolli, rruga me ra përsëri andej.

-” Burrat janë të pakuptueshëm, të pandërgjegjshëm, të...”- bashkëbiseduesja e parë nga gjithë muhabeti kish kapur vetëm këtë nyje, e nuk kish faj, i shoqi siç dukej e kish harruar edhe për sot.

-”...sa herë që prifti fillon e këndon Ave Maria, aq herë më vjen ndër mend se çfarë më ka punuar një herë ajo Maria..., - tjetra vazhdonte avazin e vet.

- “ Sa budallaqe kam qenë, kur isha e re e burri nuk kish filluar të punonte në anije, i lutesha Zotit të binte shi, kështu që të rrinte në shtëpi...”

- “ Isha aq e tmerruar atë ditë që u gdhiva pa zë...”

- “ Burrat mendojnë se janë perëndi, se janë flori...”

- ...” mendova se ma kishte dëgjuar lutjen mbrapsht, përmbys...”

- “Gjithë ç'ka thonë ata është flori. E ke kuptuar “tutto ciò che dicono loro. LORO. Vedi L'Oro, kështu e konsiderojnë dhe e pretendojnë ata...

- “Më tha t'i lutesha të më jepte forcë për të duruar...

U largova duke vrarë mendjen se si mund ta përktheja në shqip atë “L'oro” nëse do të vendosja ta shkruaja këtë copëz të vogël bisede. Vërtet si mund ta shqipëroj? Burra... B'urra... Nuk del keq. B si brohoritje. Gjithshka që thonë ata duhet të brohoritet me “Urra!”.

Asgjë personale, vetëm një përkthim, shpresoj që im shoq mos të zemërohet kur ta lexojë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx