E enjte, 24.07.2025, 09:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi-Basha: Qeshje e ngrirë (Cikël poetik)

E shtune, 20.03.2010, 01:15 PM


Sabile Keçmezi-Basha
Sabile_basha@hotmail.com

QESHJE E NGRIRË


Qeshje e ngrirë

Vrapova ta zë kohën
Dhe diellin
Qeshja u ça në dysh
 Në pasqyrën e diellit
Në dhomën e gjumit
E ngjyrosur në djersë të kripta

Atëherë dhe atë ditë
E zbulova ishullin e verdhë
Dhe çudi o zot
Sëmbimi i bardhë
E trandi Itakën

Gjer në fund të këmbëve
Dhe të shpirtit
Dhe ishte mitike

Ndize qiriun

Kur të mendosh
Se përfundoi dita
Ndize një qiri
Dhe 
Shprehe revoltën

Kur të mendosh 
Se filloi nata
Qëndro vertikalisht
dhe
mblidhe purpurin
që kurrë s’e ke pasur

Paçka 
Që nuk e njohe
Lirinë-NUSE
 

Nuk ishte ashtu

Përsëri nuk na doli
Ashtu siç e ëndërruam

Përsëri 
Ëndrrat e kuqe
Na u sëmurën në gishta
Dhe me duar 
e hetova mortin
që kishte zënë vend
mbi çatitë në menopauzë

Përse nuk na doli 
Ashtu siç e menduam
Përse lozëm vallen e kamikazëve
Në dy anët e brigjeve

Përse qave nga dhembja
Kur e premë mollën e kuqe
Pa anestezion

Mesazhi i dytë

Dalaj Lama
Nga Tibeti i largët
shkruan mesazhin e dytë

“Shpesh në ëndërr
Më vjen Mic Sokoli e 
Adem Jashari
Më thoni çfarë fytyre ka liria
Në kafkën e Atdheut”
Pyet
Dalaj Lama
plaku karizmatik

Pak më ndryshe

Pak më ndryshe 
Ta kam parë buzëqeshjen
Dhëmbë e dhëmballë
Itakë
Pak më ndryshe
Ta qëndisa lëkurën
Për natën e madhe

Pak më ndryshe të mendova
Pas natës së parë

Pak më ndryshe
 
Nuse

Kush tha mbrëmë
Se nuse të kam pritur
Në parqe diellore
E Ti mungove

Në çatinë e shtëpisë
Të shtrembëruar nga mbarsjet e yjeve
Qëndroja unë
Me amanetin në gji
Që ma kishte lënë stër-stërgjyshi

Rrugëve të kalldrëmta
Që me miliona herë i kisha rrahur
Me shputa të djegura
Nga udhët e përflakta
Liria erdhi nga fundi i ëndrrës
Me bukuri e djeg diellin
Dhe ecën
Netve të rënduara 
Pa bërë zë
Dhe menjëherë matanë mbeti
E nusëruar NUSJA

Lëkura e atdheut

Me shtiza të helmuara
E copëtuan lëkurën e atdheut
Pas ca e ca shekujve 
Një ditë e shëruam
Me hukamë të kuqe
Dhe e mbështollëm me shami-bajrak
Për beteja të reja

Vezullima e një mijë e një diejve
Zgjoi erërat
Dhe atdheun
E barta kudo që shkova 
Si lëkurë
Të tkurrur nga lotët

Përsëri stuhi

Përsëri stuhi
Në Ilirinë stërgjyshore
Dhe Teuta lotët fshin
Në ditën e djegur shkrumb 

Me miliona herë 
Të thashë pa të keq
Se dhembjet që kanë gurinat
Janë të padiagnoza
Se hileti i tyre
Shkatërron stinë të fjetura
Nuk më besove 

Itakë
Andaj bëj kujdes
Në ditën që vjen
Nga katallani i humbur

Palë-palë

Palë-palë
Dregëzohen plagomat
Sikur vetëm një ta shartoja
Do ta vrisja dashurinë 
E tokës – Nënë

Dhe 
Nuk dua
Të më vrasë dielli i varur 
mbi çatinë e kullës
Nga puthja sterile

Qeshje e hidhur

Mos u mundo të kuptosh qeshjen satanike
As jehun e këngës
Në mbrëmjet mortore të hënës - hënuar

Nuk u kuptua drejt as shungullima
As vaji i erës në ikje
Në ikje
Që erdhi i vonuar

Nuk kurohen jo
As plagomat e dheut
Në fundshekull 
Pa praninë Tënde Baba

Të përgjërohem Itakë

Sonte të përgjërohem
Të më marrësh
Në gjirin tënd Itakë
Dhe ta ndjesh dhembjen
Se si i bluan eshtrat
Të gjymtyrëve të lodhura
Nga ecejaket

Identike

Shpesh shekulli shekullit i përcjell
Kohën mjegullnajë
Me mesazhe enigmatike Itakë
Merret Karoni plak
I ardhur nga një botë tjetër

Dhe 
Befasishëm si malli
Nata e kaluar ngrohet nga hukamë e kuqe
Që lëshuan milingonat
Në paradë mortore
Itakë për të satën herë të përgjëroj
Kudo që të jesh më ndje
Puhizën e vesin të mbaj peng
Për ditën me erë ftoi

Maratonë

Të gjitha netët e veja
Në maratonë
Pësuan metamorfozë
Xhaketat prej pambuku
I këputën mangët
Dhe
Pa gjymtyrë ngeli
Koha tekanjoze

E nesër
Moj mike
Është vonë
Për ta zënë ylberin
Që kullonte dhembje
Nga diagnozë e gabuar

Nganjëherë

Rëndom më është njësoj
Se çfarë grafikësh ka
Në statistikat e tmerrit
E nganjëherë
Parqet diellore
Ma qesin gjuhën
Më përqeshin

Shpesh më ndodh
Ma zënë pritën
Në udhëkryq-fantazmat
Dhe
Ikën me vrap kipci i im
Pa u përshëndetur
Me mua
Shtegtaren e trembur 

Konfuzion

Mos u habitni me Itakën
Pse qanë e qesh në udhëkryq
Se dje i kishin thënë
Homazhet do ia bëjnë
Tek kështjella e Rozafës

Pa pranin e saj...

Një herë...

Vetëm edhe njëherë do të iki
Bile pa u përshëndetur me kipcin
Dhe mos akuzo veten tënde
Se ke bërë
Ndonjë shantazh

Sonte
Do të salvohen shami-bardhat
Tek guri i shpuar
Duke bërë gjëmën
Për natën e sëmur

Aromë ftoi

Erë ftoi sonte ka marrë
Arka e gjyshes
Duhanxhinjtë djegin gishtat
Duke bërë pelegrinazh

Katallanët e zënë pritën
Për karvanët që ecin
Eci edhe unë...
Po kah...se

Mish e thua

Një ditë 
Gjyshja më tha
E di Ti
Se dhemb...
Sa shumë dhemb
Kur ç’kapet
Mishi nga thoi...

E ne nuk qamë
 
Metamorfozë

Pëson metamorfozë
Dita e java

Pash më pash i bie
Memories në tri qoshe
Dhe kërkojë hartën e grisur
Që më qet gjuhën
nga pasqyre e thyer
ani mesjetë... ani

Më falë ...

Më falë Atdhe
Që ta rrëfeva ëndrrën
Dhe drithërimën e fundit
Në prag të ikjes

Më fal për të pa bërat
Që nuk munda t’i bëja
E si bëra kurrë

Më fal
Edhe pse qesha
Edhe pse qava
Edhe pse më mungove shumë
Skelet prej hëne
Në natën- skëterrë

E sot
Si veja vesë
Ngjajnë ditët
Në mes veti


(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx