E shtune, 27.04.2024, 03:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefki Ollomani: Zgjohu, ngritu Shqipëri! (Cikël poetik)

E diele, 21.03.2010, 02:00 PM


Shefki Ollomani u lind në vitin 1959 në fshatin Tuhin të rrethit të Kërçovës. Shkollën tetëvjeçare e ka kryer në vendlindje, kurse shkollën e mesme në gjimnazin "Zef Lush Marku" në Shkup. Ka të kryer 3 vite të Fakultetit Juridik në Prishtinë.
Si aktivist dhe veprimtar ilegal i OMLK-së, në Shtator 1982 detyrohet të ndërpresë studimet dhe të emigrojë në Zvicër, ku qëndron deri në Vjeshtë të vitit 1985.
 
Në Zvicër angazhohet në rradhët e LR(S)SHJ-së, sot LPK, si bashkëpunëtor dhe pastaj si anëtar i Redaksisë së "Zërit të Kosovës", janar 1985 - nëntor 1987.
Ishte anëtar i Redaksisë së organit intern të MLK-së - "Pararoja", 1985 - 1987.
Gjatë viteve 1987 - 1990 ka qenë Redaktor Përgjegjës (në cilësinë e Kryeredaktorit) i organit intern të GKK-së - "Rruga e Revolucionit".
Gjatë viteve 1991 - 1992 ka qenë Redaktor Përgjegjës (në cilësinë e Kryeredaktorit) i organit të ORSH-së - "Kushtrimi i Lirisë".
Në vitet 2002 - 2003 ka qenë Sekretar i Kolegjiumit të Redaksisë së organit të FBKSH-së - "Ribashkimi i Shqipërisë".
Nga viti 2004 është krijues i pavarur (pa parti).
Merret me poezi dhe publicistikë.
Deri tani ka botuar 2 vëllime me poezi, me titull: Vargje lirie për Atdheun (Shkup 2004) dhe …Për lirinë, për Shqipërinë (Shkup 2005). Si dhe 3 libra publicistik me titull: Në rrugë drejtë Lirisë (Shkup 2004), Shqipëria Etnike (Shkup 2007) dhe Çështja Kombëtare Shqiptare (Shkup 2008).
    
''Zgjohu, ngritu Shqipëri!'' është Libri i tij i Gjashtë që ia boton Shtëpia Botuese "SHKUPI" nga Shkupi.

 

Shefki Ollomani

 

Disa Poezi nga Libri im më i Ri

 

ZGJOHU, NGRITU SHQIPËRI!

            (Shkup, Dhjetor 2009)

 

DUA

 

Dua dielli të rrezojë

Dua hëna të ndriçojë

Dua njerëzit të gëzojnë

Dua fëmijtë të lodrojnë.

 

Dua kafshët të frymojnë

Dua zogjtë të këndojnë

Dua peshqit të notojnë

Dua insektet të gjallërojnë.

 

Dua drunjtë të gjethojnë

Dua bimët të gjelbrojnë

Dua lulet të lulëzojnë

Dua pemët të frutojnë.

 

Dua era të freskojë

Dua uji të gurgullojë

Dua zjarri të flakërojë

Dua toka të mbijetojë.

 

Dua shumë, dua tepër

Dua t’shembet botë e vjetër

Dua jeta të triumfojë

Dua paqa të mbizotërojë.

 

 

SHKRUAJ…

 

Shkruaj kur mendja logjikon,

Shkruaj kur shpirti mediton,

Shkruaj kur zemra këndon,

Shkruaj kur trupi vallëzon.

 

Shkruaj kur syri loton,

Shkruaj kur gjaku pikon,

Shkruaj kur tragjedia luhet,

Shkruaj kur jeta shuhet.

 

Shkruaj kur lufta fillon,

Shkruaj kur liria triumfon,

Shkruaj kur paqa fiton,

Shkruaj kur populli feston.

 

Shkruaj kur më vlon frymëzimi,

Shkruaj kur më gufon gëzimi,

Shkruaj kur më kap trishtimi,

Shkruaj kur më zen zemërimi.

 

Shkruaj kur dita agon,

Shkruaj kur Dielli rrezon,

Shkruaj kur nata errëson,

Shkruaj kur Hëna ndriçon.

 

Shkruaj kur bjen borë apo shi,

Shkruaj kur gjëmon me stuhi,

Shkruaj kur shpërthen vargu,

Shkruaj kur ka dasma pragu.

 

 

Shkruaj nga dashuria,

Shkruaj nga mërzia,

Shkruaj nga malli,

Shkruaj nga halli,

Shkruaj nga morali,

Shkruaj nga ideali.

 

Shkruaj kur lulet plot aromë çelin,

Shkruaj kur bari mbulon zabelin,

Shkruaj kur dushku shpërthen,

Shkruaj kur vjeshta vjen.

 

Shkruaj në dimër e në verë,

Shkruaj pareshtur, përherë,

Shkruaj se aty gjejë pushim,

Shkruaj me bindje e përkushtim,

Shkruaj se kam besim e shpresë,

Shkruaj atë që shohë e ndjejë vetë.

 

 

RRUDHAT...!

 

Rrudhat në ballë!

Si do ja bëjmë vallë?!

Rrudhat në fytyrë!

Ç’është kjo mynxyrë?!

Rrudhat në trup!

Bukuria na humb!

 

Rrudhat në zemër!

Fol drejt e rri shtrembër!

Rrudhat në tru!

Logjika tuj fluturu!

Rrudhat në shpirt!

Në terr pa dritë!

 

Shqiptar i rrudhur!

Shqipëri e ndrydhur!

Shqiptar i shtrydhur!

Shqipëri e tkurrur!

 

Rrudhat e Shqiptarit

Rrudha të jetës, të fatit.

Rrudhat e Shqipërisë

Rrudha të robërisë!

 

Rrudhat në trup të Shqiptarit

Rrudha të pleqërisë e të hallit.

Rrudhat e kufinjve të Shqipërisë!

Rrudha të përgjakura të historisë!

 

Rrudhosur Shqiptari!

Rrudhosur ideali!

Rrudhosur trimëria!

Rrudhosur Shqipëria!

 

I shohim e dot s’i ndalim!

Rrudhat e ballit, të pjekurisë.

I shohim e s’i flakim!

Rrudhat e Trojeve të Shqipërisë!

 

 

NËNAT TONA

 

Nënat tona shamibardha,

shpirtbardha e pulëbardha.

Nënat tona shamikuqe,

zemërzjarrta e lulëkuqe.

Nënat tona lulëbozhure,

herë me djepa, herë me kobure.

 

Nënat tona - zana mali,

Nënat tona - xixa stralli,

Nënat tona - trimëresha,

Nënat tona - burrëresha.

 

Nënat tona dëbuan Turqinë,

Nënat tona mundën Greqinë,

Nënat tona rrënuan Jugosllavinë,

Nënat tona mposhtën Serbinë,

Nënat tona vullkan, tërmet e dridhje,

Pak me pushkë, më shumë me lindje.

 

Nënat tona lindën djem Ilirie,

lindën vasha Arbërie,

lindën shqiponja Shqipërie,

lindën Zeusë e Promethe,

lindën Pirro e Ante,

lindën Lekë e Skënderbe,

lindën Teuta e Adema…,

Nënat tona me shtatë zemra.

 

Shterroi kroi, lumi e deti,

Në vatrat tona përkundet djepi,

Nënat tona lindin dragonj,

Nënat tona rrisin heronj.

 

 

O NJERI!

 

O Njeri, o Njerëz!

O motra, o vëllezër!

A dini kush jeni?!

A dini nga vini?!

A dini pse jetoni?!

A dini ku shkoni?!

 

O Njeri, ti mend s’u mbushe!

Kurrë s’u gdhende, kurrë s’u zbute!

Egërsirë linde, egërsirë mbete!

Si në paqë, si n’tërmete!

 

Mos vra veten për çdo ditë!

Lëshoje terrin, dil në dritë!

Se kjo botë s’është e jotja!

Janë në ty jeta e mortja!

 

O Njeri pa logjikë!

Nga vetvetja ti ke frikë!

O Njeri pa vetëdije!

Mendja jote fije-fije!

O Njeri pa ndërgjegje!

Kurrë nuk fole, s’mu përgjegje!

 

O Njeri, ndal urrejtjen e racizmin!

Ndal vëllavrasjen e fashizmin!

O Njeri, ndal grykësinë e mashtrimin!

Ndali luftërat e shfrytëzimin!

 

O Njeri, flake xhelozinë dhe egoizmin!

Flake padijen e primitivizmin!

O Njeri, largo veset, vuajtjet, paudhësinë!...

Përqafo të vërtetën, gëzimin e drejtsinë!

 

O Njeri me shpirt hyjnie!

S’i del zot kësaj dhuntie!

O Njeri, krijesë hyjnore!

Mos shkatërro ç’të bjen përdore!

 

O Njeri, ke përgjegjësi!

S’je i vetmi në Gjithësi!

O Njeri, pa njerëzi!

Për çdo ditë zi e më zi!

O Njeri, që s’je Njeri!

Zbute zemrën, shpirtin përtri!

O Njeri, bëhu NJERI!

Si t’krijoi ZOTI Ty!

 

 

MOS…!

 

Mos mendoni se humbi Shqipëria

Mos thoni se vdiq trimëria

Mos besoni se s'ka bashkim kombëtar

Mos kujtoni se s'ka më luftëtarë.

 

Mos shpresoni, por punoni!

Mos pritni, por luftoni!

Mos luteni, por veproni!

Mos flini, mos ëndërroni!

 

Mos duro, mos u bë qyq!

Mos Shqiptar, mos rri duarkryq!

Se liria nuk vjen vetë,

Po e presim mbi dymijëvjetë!

 

 

KY SHEKULLI I RI

 

Ky Shekulli i Ri,

është një shekull tjetër,

por me shumë prapësi,

sikur Shekulli i Vjetër!

 

Ky Shekulli i Ri,

me moshën 8-vjeç,

i moçëm për dredhi,

tekanjoz e kryeneç!

 

Ky Shekulli i Ri,

i ri porsi fëmi,

mbrapsht ia filloi,

si shekulli që shkoi!

 

Ky Shekulli i Ri,

erdhi me shumë premtime,

për paqë dhe liri,

por solli veç mjerime!

 

Ky Shekulli i Ri,

është një vazhdimësi,

e shekullit  plak,

mbushur luftëra e gjak!

 

Ky Shekulli i Ri,

ky shekull i zi,

jetën po na nxi,

me këto padrejtësi!

 

Ky Shekulli i Ri,

shekull me ligësi,

me plagë të vjetra ngeli,

plagë të reja çeli!

 

Ky Shekulli i Ri,

me emër Njëzetenji,

gjë të mirë nuk solli,

për këtë Njerëzi!

 

 

ÇAMËRI, IKONË KOMBËTARE!

 

Çamëri na dogji malli,

Sytë na nxjerrin xixa stralli.

 

Sytë lot na lotojnë,

Zemrat gjak na gjakojnë.

 

Vjen një zë nga Janina,

Zgjohi vëllezër, bini trima!

 

Bubullinë, gjëmon Preveza,

Flakadanët thotë i ndeza!

 

Flamurkuqin ngre Konica,

Pas i shkon dhe Gumenica.

 

S'mbetet prapa as Filati,

Tani thotë ka ardhë sahati.

 

Shqipe mali e zemër burri,

Parga trime dhe Kosturi.

 

Sikur Marko, Foto e Bubulina,

Qëndron Arta e Florina.

 

Thonë s'durohet më Greqia,

Margëlliçi e Paramithia.

 

Çamëria në këmbë është ngritë,

Po kërkon diell e dritë.

 

Mbarë Çamëria po betohet,

Me Shqipërinë të bashkohet.

 

Ti je motra e Mollosisë,

Je pasardhëse e Thesprotisë.

 

Ti je bija e Ilirisë,

Shtojzovalle e Shqipërisë.

 

Çamëri, ikonë kombëtare,

Tokë e Shenjtë Shqiptare.

 

 

ATDHEU DHE UNË

 

Mendja jote - mendja ime,

Gjykojnë drejt, pa gabime.

 

Zemra jote - zemra ime,

Rrahin fortë me ngazëllime.

 

Besa jote - Besa ime,

Rreze drite me vezullime.

 

Qëndresa jote - qëndresa ime,

Bashkë e tok në luftime.

 

Pena jote - pena ime,

Shkruajnë shqip me ligjërime.

 

Shpata jote - shpata ime,

Janë dy skaje të një vetëtime.

 

Syri yt - syri im,

Ditë e natë në vigjëlim.

 

Zëri yt – zëri im,

Bubullimë dhe kushtrim.

 

Betimi yt – betimi im,

Krah për krah në marshim.

 

Vullneti yt - vullneti im,

Të pandarë në amshim.

 

Fati yt – fati im,

Herë i ëmbël, herë pelim.

 

Ëndrra ime - ëndrra jote,

Vizion i një epoke.

 

Lufta ime - lufta jote,

Ardhmëria e kësaj toke.

 

Rruga jote - rruga ime,

Rrugë e gjatë, plot shtegtime.

 

Fitorja jote - fitorja ime,

Këngë e valle, shumë gëzime.

 

Liria jote - liria ime,

Lule e bukur plot shkëlqime.

 

Jeta jote - jeta ime,

Histori me shumë flijime.

 

Unë dhe Atdheu:

Sikur Leka e Anteu,

Sikur Pirro e Prometheu,

Si Bardhylli e Skënderbeu.

 

Unë dhe Ti jemi Nji,

Ti i Shenjtë, unë Njeri,

Jemi bashkë në përjetësi,

Unë Shqiptar, Ti Shqipëri.

 

 

FJALA

 

E para qe Fjala,

Fjala - si vala.

 

Fjala e ëmbël të shëron,

Fjala e idhët të helmon.

 

Fjala e lehtë – vullnet,

Fjala e rëndë të vret,

 

Fjala e mirë – shëndet,

Fjala e keqe të tret.

 

Fjala e gëzueshme të ndrit,

Fjala e kobshme të lebetit.

 

Fjala - më e butë se pëllumbi,

Fjala - më e fortë se plumbi.

 

Fjala - të ngroh zemër e kokë,

Fjala - të fut nën tokë.

 

Fjala - të ngren në këmbë,

Fjala - të thyen duar e dhëmbë.

 

Fjala - shpëton atdhe,

Fjala - të rrëzon përdhe.

 

Fjala lëviz male,

Fjala largon halle.

 

Fjala trazon dete,

Fjala sjellë tërmete.

 

Fjala ndez kryengritje

Fjala shuan etje.

 

Fjala jep kushtrim,

Fjala shpallë çlirim.

 

Fjala bashkon trojet,

Fjala shterron krojet.

 

Fjala është për trimat,

Fjala shkrep vetëtimat.

 

Fjala është për burrat,

Fjala freskon gurrat.

 

Fjala është Besë,

Fjala është shpresë.

 

Fjala është Betim,

Fjala është besim.

 

Fjala është fillimi,

Fjala është mbarimi.

 

 

NË KËTË BOTË…

 

Në në këtë botë pa njerëzi,

është vështirë të jesh Njeri!

 

Në këtë botë pa drejtësi,

është vështirë të fitosh Liri!

 

Në këtë botë plot marrëzi,

shumë urrejtje, pak dashuri!

 

Në këtë botë plot me halle,

ujqër e qengja hedhin valle!

 

Në këtë botë përplot çudi,

gjysma bardhë, gjysma zi!

 

Në këtë botë plot ligësi,

lot e dhimbje pakufi!

 

Në këtë botë plot me klithma,

të therë zemra, të kap dridhma!

 

Në këtë botë plot shtrëngata,

të ngrinë bora e të djeg flaka!

 

Në këtë botë lakadredhë,

pushtetari dredhë e zhdredhë!

 

Në këtë botë me andralla,

pak t’vërteta, më shumë përralla!

 

Në këtë botë dallga-dallga,

këmbë e duar lidhë me pranga!

 

Në këtë botë thërrime-thërrime,

e mira me t’keqen shpinë për shpine!

 

Në këtë botë si cektinë,

jeta e vdekja këmbkryq rrinë!

 

Në këtë botë kasaphanë,

vret vëllau-vëllanë!

 

Në këtë botë të çakërdisur,

herë i mençur, herë i krisur!

 

Në këtë botë të gjakosur,

luftëtërat, vrasjet s’kanë të sosur!

 

Në këtë botë plot mallkime,

s’ndihmojnë lutje, as përgjërime!

 

Në këtë botë me psherëtima,

si xhelati, si viktima!

 

Në këtë botë me trauma,

të zihet fryma, të del shkuma!

 

Në këtë botë plot llahtari,

shumë tmerr e lemeri!

 

Në këtë botë me lakmi,

pak ngopje, shumë grykësi!

 

Në këtë botë plot dredhi,

shtatë hile, një trimëri!

 

Në këtë botë me trishtim,

pak gëzime, shumë hidhërim!

 

Në këtë botë ferr-skëterrë,

mbillesh lule, shpërthen therrë!

 

Në këtë botë si greminë,

njeriu përbin njerinë!

 

Në këtë botë përplot terror,

shumë djaj, pak shenjtorë!

 

Në këtë botë hallakamë,

mbushur shtriga e shtriganë!

 

Në këtë botë paradoksale,

liri, barazi,... - fjalë banale!

 

Në këtë botë iluzore,

pak fushë, shumë bregore!

 

Në këtë botë kaotike,

plot shpërthime vullkanike!

 

Në këtë botë dramatike,

shumë përleshje tragjike!

 

Në këtë botë plotë huti,

qarje - qeshje varg e vi!

 

Në këtë botë me xhelozi,

orë e çast një pabesi!

 

Në këtë botë me varfëri,

vjedhje, krim dhe uri!

 

Në këtë botë me rënkime,

pak këngë, shumë vajtime!

 

Në këtë botë lara-lara,

të qesh fati, të humb fara!

 

Në këtë botë vandaliste,

pak solidare, shumë egoiste!

 

Në këtë botë të tymosur,

blozë e hi – katranosur!

 

Në këtë botë fillim pa fillim,

vuajtjet, luftërat s’kanë mbarim!

 

Në këtë botë fund pa fund

e mira të keqen nuk e tund!

 

Në këtë botë, si n’atë botë,

mjaltë e helm në një gotë!

 

Në këtë botë, mbi këtë Tokë,

të dridhet zemra, t’luajnë mend në kokë!

 

Në këtë botë, në këtë Planetë,

bashkë: njerëz, engjuj, djaj e lanetë!

 

 

ME TY, POEZIA IME!

 

Me ty kalova fëmijërinë,

Me ty përjetova rininë,

Me ty arrita burrërinë,

Me ty mësova historinë,

Me ty pata shumë gëzime,

Me ty, Poezia ime!

 

Me ty nisa të krijoj,

Me ty nisa të vargëzoj,

Me ty u rrita në robëri,

Me ty këndova për liri,

Me ty u nisa në shtegtime,

Me ty, Poezia ime!

 

Me ty godita çdo armik,

Me ty kandili nuk u fik,

Me ty trokita prag më prag,

Me ty shërova varrë e plagë,

Me ty në dasma e n’flijime,

Me ty, Poezia ime!

 

Me ty pena nuk u tha,

Me ty kombi nuk u nda,

Me ty shpresa nuk u shua,

Me ty besa u forcua,

Me ty n’fitore e ngadhnjime,

Me ty, Poezia ime!

 

 

ZGJOHU, NGRITU SHQIPËRI!

(Shqipërisë Etnike)

 

Re të zeza të kanë mbuluar!

Diell e Hënë të kanë errësuar!

S’je në ëndërr!

Por je zhgëndërr!

Në terr të zi e n’robëri!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Laku n’fyt po t’shtrëngon!

Pranga trupin ta mundon!

Okupimi po t’shkatërron!

Armiqtë sulen me egërsi!

Me ushtri e me djallëzi!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Mjaft Ti fjete dhe u përgjume!

Mjaft Ti ndejte e ngujume!

Mjaft Ti prite ditë-përditë!

Hape terrin - bëhe dritë!

Ndize zjarrin nga një shkëndi!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Më dhemb zemra kur rënkon!

Kur  nga dhembjet Ti gjëmon! 

M’hapet goja e s’mund të flas!

Jap kushtrim e po bërtas!

Por askush nuk më dëgjon!

Por askush nuk më beson!

I gjithë trupi të është shkri!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

  

Kam shumë zjarr e shumë dhimbje,

Kam shumë vuajtje e shumë dridhje,

Kam shumë mall e dashuri,

Kam shumë dhembje e krenari,

Kam shumë ankth e burrëri,

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Shpatë e Damokleut të rrin mbi kokë!

”Pako” e ”Traktate” hartojnë me okë!

Rezoluta (1244) e 14 Pika!

Gjithësecila më e mprehtë se thika!

Trupin copa ta copëtojnë!

Shpirt e zemër të dërrmojnë!

Trojet Tua t’i pushtojnë!

Marimangat thurrin robëri!

Kameleonët endin tradhti!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Serbia jepë autonomi!

Bota jepë gjysmëpavarësi!

Ç’janë këto hile një dreq e di!

Gjithçka janë veç jo liri!

T’ka hy n’Kullë Bajlozi i Zi!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Janë ndryshkë armët mbi tavan!

Pastro shpatë e jatagan!

Dil në shesh dhe n’mejdan!

Shpërthe vrullshëm si vullkan!

Ja Vdekje – Ja Liri!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Mos i le armët të ndryshken!

Mos i le teshat të myken!

Mos e le luftën në mes!

Mos e le idealin t’vdesë!

Mos harro - je Iliri,!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Gjithë Kosova n’re të zeza!

Nënat, motrat shamizeza!

Frynë stuhia e shfrynë era!

Lufta të troket te dera!

S’ka liri, s’ka pavarësi!

S’ka bashkim, as drejtësi!

Rroki armët përsëri!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!

 

Zgjohu, ngritu - del te dera!

Se sërish po vjen pranvera.

Se liria s’vjen çdo ditë,

Ikë nga terri - del në dritë!

Del në dritë e n’liri!

Mos duro më tirani!

Sllavo-grekë, as dredhi!

Zgjohu, ngritu Shqipëri!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora