E merkure, 30.04.2025, 08:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Halit Bogaj: Demë Ahmeti

E enjte, 25.03.2010, 10:32 PM


DEMË AHMETI

 

Nga Halit Bogaj

 

Kënga ’’Demë Ahmeti''  bën pjesë në Grupin e këngëve historike, e cila është botuar në vëllimin e II kushtuar raspodit Rizah Bllaca nga autori Adem Borofci.

 

Për trimi, heroin dhe luftëtarin e paepur Demë Ahmeti dimë gati të gjithë ne dhe shpeshhëerë e kemi dëgjuar edhe këngën kushtuar këtij burri të shquar të cilit i kishte ndodhur një tragjedi e rrallë familjare kur çetnikët ia kishin vrarë të gjithë familjarët.

 

Siç  e dimë nga historia dhe shkrimet tona, populli ynë ishte përherë i rrezikuar dhe i kacafytur me armikun tonë shekullor kundër të cilit duhej të luftonte me të gjitha mjetet..Prandaj si rezultat i situatave të tilla të shumta lindën edhe heroizmat e parreshtura dhe u krijuan këngët më të njohura që kanë mbetur pjesë e pashlyer e së kaluarës sonë të mundimshme. Krahas figuravetë shuta madhështore të këtij populli, të cilat luftuan për liri dhe atdhe, për ekzistencë dhe prosperitet, si të gjithë popujt e tjerë të botës, ishte edhe trimi i madh, luftëtari dhe burri i rrallë Demë Ahmeti me emrin e të cilit është e lidhur një periudhë shumë tragjike e qenjes sonë kombëtare.

 

Demë Ahmeti, Ahmet Delia, Kamer Loshi, e më vonë edhe Rifat Berisha në Gajrak, Tahir Meha në Prekaz, Hasan Ramadani në  Albanik/ish Shajkofc/dhe në fund Adem Jashari në Prekaz, por edhe shumë të tjerë, luftuan heroikisht për t’i mbrojtur vatrat e tyre të rrethuara nga armiqtë tanë që vërsuleshin si hienat për ta shkatërruar jetën tonë dhe për të futur tmerr- panik në zemrat tona.Ata vinin tek sikur llavat e ujqërve për të shkretëruar gjithçka që gjenin përpara.Vinin në grupe të mëdha çetnikësh dhe lëshoheshin si orteku në viset tona për të vrarë, masakruar dhe për të grirë shqiptarë ngase ishin të mësuar dhe të edukuar nga gjenet e tyre çnjerëzore. Kolonistët serbomalazezë të cilët kishin ardhur dhe ishin vendosur me dhunë në vatrat dhe trojet tona, në vend që të rrinin’’urtë  dhe si njerëz’’, ata nuk lenin asnjë të zezë pa e bërë ndaj popullatës sonë të varfër dhe të pambrojtur. Njerëzit e tillë aq të pashpirtë dhe që vërtet nuk i përkisnin’’sojit të njeriut’’, i përkrahte dhe i mbronte shteti i tyre i cili ua dhuronte edhe benefitet më të mira.

 

Në këtë kontekst duhet shikuar dhe trajtuar edhe luftën e guximshme dhe heroike të Kolosit tonë Demë Ahmeti/me shokë/ i cili luftoi heroikisht në një vend të Serbisë duke hyrë atje për ta marrë hakun ndaj atyre që i vranë mbarë familjen tridhjetëanëtarëshe.Dhe ishte shumë e vërtetë se disa nga çmenditë specifike mund t’i bënte vetëm populli serb i cili që nga lindja e fëmijëve të vetë ushtron urrejtje patologjike ndaj nesh, duke i mësuar ata që të na urrejnë deri në vdekjen e tyre.Prandaj si të tillë edhe rriteshin që një ditë të vinin në Kosovë dhe ta realizonin ëndrrën e tyre psikopate. Pra në shtëpinë e Demë Ahmetit në një natë befasie, përkatësisht në një mëngjes të hershëm shkojnë treqind çetnikë për t’i vrarë familjarët e Demë Ahmetit dhe për ta grabitur vajzën e tij, në mënyrë që ta lëndonin shumëfish karakterin dhe burrërinë e tij të njohur!

 

Edhe kënga kushtuar Demë Ahmetit bën pjesë ndër krijimet më të fuqishme, të dhembshme dhe tragjike me të cilën lëndohet zemra njerëzore për të gjitha ato tmerre që i ndodhin Demë Ahmetit dhe familjes së tij të madhe/ ku atë natë tragjike kishin qenë edhe disa mysafirë/, të cilët, bashkë me djemtë e Demës u përpoqën të luftonin, por ishin të zënë në befasi të madhe, përkatësisht në gjumin e mëngjesit, kurse Demë Ahmeti kishte shkuar në Shkup për të blerë’’harç’’për ditën  e Bajramit.

 

Gjendja e krijuar pas vrasjes së të gjithë atyre njerëzve/nga të cilët kishin shpëtuar vetëm dy reja të Demës dhe një nip i tij në djep/, ishte katastrofike dhe e shoqëruar me skena lemerie.

 

Kënga e Demë Ahmetit është ndër këngët tona më të fuqishme historike e cila hedh dritë edhe në unitetin e popullit tonë, atëherë kur ishte shumë i nevojshëm, si në rastin e Demë Ahmetit, kur u mblodhën burrat nga të gjitha fshatrat e Llapit dhe Gollakut , duke u bërë njëmijë vetë për t’i shkuar në ndihmë Demës dhe për të hyrë brenda në Serbi për t’i vrarë të gjithë çetnikët në krye me gjakpirësin Novica i cili kishte qenë nismëtari kryesor i një’’aventure’të tillë të përgjakshme së cilës ia pau sherrin duke u vrarë si qeni nga Demë Ahmeti dhe trimat e tij të shumtë shqiptarë që i ndihmuan të kryhej një aksion  i përsosur luftarak në zemër të Serbisë. Pra në momentin kur Dema ishte në aktin vërtet para çmendurisë se çka e kishte gjetur, ngriten në këmbë i tërë rrethi për t’i ndihmuar në një gjendje aq të vështirë në të  cilën e sollën armiqtë tanë , të cilët njëkohësisht e pësuan edhe vetë duke u shfarosur që të gjithë nga faqja e dheut.

 

Ndër skenat më heroike të këngës është ajo kur Ajetja/e bija e Demës për të cilën kishin shkuar çetnikët/lufton si luaneshë duke i prerë me shpatë tre prej tyre, por së shpejti  edhe ajo vritet nga thika e përgjakur e Novicës së zi.

 

Grabitjen e dy femrave  këngëtari popullor e përshkruan: /O tuj lu valle e tuj pi raki/po i shtin me zor shqiptaret me kcy//, por Demë Ahmeti dhe trimat e tij e kryejnë si duhet misionin e tyre të lartë, duke ua dhënë hakun  edhe atyre që e shkaktuan një masakër të tillë të paparë në shtëpinë e Demës.. Ai e udhëhoqi operacionin  duke i porositur shokët që t’i vrisnin çetnikët të cilët luanin, vallëzonin dhe festonin për krimin që e kishin bërë në fshatin Mavriq dhe shtëpinë e Demës, por të cilët nuk e kishin parë as në ëndërr se do të vriteshin që të gjithë pikërisht nga ata të cilëve u kishin hyrë në fshat dhe ua kishin vrarë aq shumë njerëz dhe ua kishin rrëmbyer dy nuse të reja dhe një djalë në djep, të  cilit ia kishin nxjerrë njërin sy. Rrethimi i tyre i hekurtë nga ana e shqiptarëve përshkruhet me vargjet: /O po i shkep Dema djemt e vet/o rreth e rrotull rrethin po ua qet/ Oh tanë po i shtin  qafirat nërmjet/O mes tyne Dema ka hy/ O i briti Hanifes ku t’ kam moj bi/ E ruajna babës sa t’ mujsh at sabi/se po ta presin ata kryqali/Se ka mrri baba me njimijë vllazni/./O coftë dekun Novicën e ka lanë/ I shkoi brima n’ katër anë/.

 

Në fund të këngës Demë Ahmeti i falenderon shokët me fjalët: /Eu shyqyr Zotit o vllazën shqiptarë/ ma nxorrtë ftyrën e ma pshtuet kit djalë/./Dhe n’ dashtë Zoti me dhanë bereqet/ Prej kti bahen tridhetë vetë/./O kabull Zoti ia ka bamun. O ni mahallë sot prej tij janë bamun/.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx