E marte, 30.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Kulturë

"Shqiptari" i Bardhyl Demirajt

E shtune, 27.03.2010, 10:42 AM


Nga Anila Omari

 

Libri "Shqiptar" i prof. Bardhyl Demirajt rimerr në një vështrim ndërdisiplinor problemin e ndërlikuar të emërtimit që kemi sot në përdorim për etninë tonë. Nga shqyrtimi i burimeve shkrimore të botuara rishtas autori ka nxjerrë edhe të dhëna interesante për të ndriçuar aspekte të ndryshme të problemit të etnonimit shqiptar.

 

Pyetja se përse ne shqipfolësit e quajmë veten shqiptarë, kur të tjerët na quajnë ndryshe, si dhe prejardhja e këtij emri, vazhdon të na ka intrigojë, ashtu siç ka intriguar qysh herët studiuesit albanologë, po edhe vetë shqiptarët e thjeshtë, që nuk kanë munguar të bëjnë hamendje nga më të ndryshmet, deri në fantazi të pastra.

 

Ndërkaq vëmendje më e madhe në studime i është kushtuar etnonimit tjetër tonit, më të lashtë e tashmë të dalë nga përdorimi në truallin kompakt shqipfolës, emrit arbër, arbëresh. Libri "Shqiptar" i prof. Bardhyl Demirajt rimerr në një vështrim ndërdisiplinor problemin e ndërlikuar të emërtimit që kemi sot në përdorim për etninë tonë.

 

Si një gjuhëtar e filolog i plotësuar që shfaq në vazhdimësi profile të reja studimore, Bardhyl Demiraj na paraqet në këtë libër një studim shumëplanësh, gjithëpërfshirës për problemin që trajton, ku ndërthuren vështrimi historik, filologjik, gjuhësor-diakronik, etnolinguistik e sociologjik.

 

Pavarësisht nga përmasat, që në thelb janë ato të një artikulli të cilin Fondacioni Shirazi pati dëshirën e vullnetin ta botojë në formë libri dygjuhësh, shqip dhe anglisht, punimi i përmban premisat e një monografie, që nga tematika që përqendrohet rreth një subjekti të caktuar, te shqyrtimi kritik i studimeve të kryera deri sot, në bazë të një bibliografie mjaft të plotë, edhe pse pa pretendime shteruese, te rrokja tërësore e aspekteve të ndryshme e të veçanta të trajtimit të problemit të emrit shqiptar, te vlerësimi i dokumenteve të reja të zbuluara apo të botuara rishtas që hedhin dritë të re mbi anë të ndryshme të kompleksitetit të problemeve, te rivlerësimi i tezave më serioze që janë hedhur nga studiuesit e mëparshëm, te interpretimet e reja dhe përfundimet interesante të karakterit historiko-social.

 

Lidhur me dokumentimet më të hershme të etnonimit shqiptar punimi sjell disa dëshmi të reja që kanë dalë në dritë nga botimi kohët e fundit prej studiuesve arbëreshë të veprave të mbetura në dorëshkrim që i përkasin shek.

 

XVIII, siç është vepra e Nikollë Ketës Tesoro di notizie su de' Macedoni (1777), fjalori italisht-shqip i po këtij autori, ende i pabotuar, i vitit 1763, një këngë fetare, ndoshta e Nikollë Brankatit, nga dorëshkrimi i Kieutit, dhe mbi të gjitha dëshmia më e vjetër e përdorimit të etnonimit shqiptar në fjalorin italisht-shqip të misionarit françeskan Francesco Maria Da Lecce të vitit 1702, botuar pjesërisht në vitin 1997 nga Matteo Mandalà dhe tani në botim të plotë kritik nga Gëzim Gurga.

 

Kjo dëshmi e hershon me katër vjet dokumentimin më të vjetër të përdorimit të etnonimit tonë, para dëshmisë së akteve të Kuvendit të Arbënit të vitit 1706, që deri vonë mbahej si më e vjetra.

 

Për dëshmitë e mëhershme të etnonimit shqiptar në emrat vetjakë të shekullit XIV Schipudar, Scapuder etj. që sjell Shufflay për qytetin e Drishtit, autori mbron tezën e këtij albanologu të shquar kundër kritikave të ndryshme që i janë bërë, me argumentin se në një mjedis etnokulturor të përzier, ku banorët e mbanin veten pasardhës të romakëve por mes të cilëve kishte pa dyshim shqiptarë, sllavë e grekë, siç i dëshmon Jireçeku, është plotësisht e mundur që një familje me gjuhë amtare shqipen të cilësohej si "shqiptare".

 

Në bazë të shqyrtimit të vëmendshëm të dokumenteve autori ndërton edhe një skemë të vogël trungu familjar për pjesëtarët e së njëjtës familje me kryefamiljar Andreas Schipudarin.

 

Nga shqyrtimi i burimeve shkrimore të botuara rishtas autori ka nxjerrë edhe të dhëna interesante për të ndriçuar aspekte të ndryshme qoftë gjuhësore qoftë etnolinguistike apo antropologjike sociale të problemit të etnonimit shqiptar.

 

Një nga këto aspekte është ai gjuhësor-diakronik i mënyrës së formimit të këtij etnonimi. P.sh. toponimi Shqip,-i "Albania" që sjell Keta i jep dorë autorit të shestojë një skemë të re fjalëformimi të çerdhes leksikore të fjalëve shqip, shqiptar etj. me dy procese të pavarura: njëri që ndjek rrugën fjalëformuese me bazë ndajfoljen shqip dhe rrjedhojat e saj shqipoj, shqiptoj, shqipëroj, dhe tjetri që përmes toponimit Shqip,-i shpie te shqiptar, Shqipëri etj., gjithsesi kjo në rrafsh hipoteze për shkak të mungesës së një dokumentimi bindës të toponimit Shqip,-i.

 

Nga ana tjetër autori vlerëson si zgjidhjen më bindëse për rrugën e formimit të etnonimit shqiptar atë të propozuar së pari nga Hahni, që merr për bazë pjesoren e foljes shqipoj - shqipët-uarë, e cila me prapashtesën -ar ka dhënë emrin shqiptar.

 

Autori paravendon një bazë pjesore/mbiemërore shqip(ë)t-, që ka dhënë nga njëra anë emrin shqip(ë)tar e nga ana tjetër ndajfoljen shqip me rrjedhojat e veta.

 

Ai gjen dëshminë e ekzistencës së një trajte të tillë me -t në vargun Te Skutari shqipt "A Scutari albanese" të këngës së Nikollë Brankatit. Kjo zgjidhje ka përparësi ndaj hipotezave të tjera pasi shmang disa vështirësi që përmban formimi i etnonimit shqiptar nga ndajfolja shqip + prapashtesën -tar, që nuk është aq e vetëkuptueshme sa duket.

 

Prapashtesa -tar zakonisht u shtohet emrave duke formuar emra vepruesi (lajmëtar, udhëtar), prandaj formimi prej ndajfoljes do të parakuptonte një fazë të ndërmjetme konversioni të ndajfoljes në emër.

 

Së dyti kjo prapashtesë nuk haset tek emrat etnikë të shqipes, ku mbizotërojnë formimet me prapashtesat -ar, -as, -an etj. (khs. korçar, shkodran, tiranas).

 

Gjithsesi rruga e formimit të emrit shqiptar lë ende shteg për diskutime: formimet me bazë ndajfoljore me -tar nuk janë të pamundura në gjuhën shqipe dhe vetë autori sjell për një fazë më të vjetër shembullin kundërt?r të Frang Bardhit. Veç kësaj për emrin shqiptar mund të merret në sy një formim fillestar jo si emër etnik.

 

Për këtë mund të vlerësohet barasvlerësi shqip i emrit të vepruesit ‹parlatore - gojët?r, shqipët?r, i› të Da Lecces që citon autori nga botimi i fundit i G. Gurgës, edhe pse duket të jetë përdorur më fort në mënyrë figurative.

 

Nga ana kuptimore, folja shqipoj apo më drejt shqiptoj, siç gjendet sot e përhapur gjerësisht në të folmet e shqipes, në zanafillë ka pasur domethënien "kuptoj, marr vesh", siç e jep Hahni e Meyeri dhe siç e dëshmojnë të dhënat dialektore nga diaspora shqiptare e Ukrainës pikërisht me kuptimin e mësipërm (khs. në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës nuk shqiptoj "nuk kuptoj", nok zallahit po shqipton "nuk flet por kupton"). Sipas kësaj teze, emri shqiptar në thelb do të thotë "ai që kupton".

 

Ky është edhe shpjegimi që mbështet autori, duke dhënë një skemë të zhvillimit kuptimor që ka përshkuar ky emër nga një apelativ i thjeshtë në një shenjues etnik.

 

Sa për etimologjinë e fjalës shqipoj, Gustav Meyeri, në bazë të kuptimit që dëshmonte Hahni për këtë folje, dha një zgjidhje shkencore, duke e rrjedhuar prej latinishtes excipio "perceptoj, dëgjoj" po edhe "kuptoj", një tezë që sidoqoftë nuk është miratuar përgjithësisht nga gjuhëtarët.

 

Autori i punimit nuk ndalet hollësisht në syzimet e ndryshme etimologjike të këtij emri duke u mjaftuar me renditjen e propozimeve kryesore të tre shekujve të fundit, por mendoj se teza e Meyerit mund të rivlerësohet, me ndonjë korrigjim.

 

Ajo që në libër tërheq interesin edhe të lexuesit më të gjerë, jospecialist, është qasja etnolinguistike e problemit të etnonimit shqiptar.

 

Këtij kreu autori i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe ka nxjerrë përfundimet e veta lidhur me arsyet e ndërrimit të emrit etnik të vjetër arbëresh me më të riun shqiptar, një çështje e diskutuar nga studiuesit që janë marrë me të, por asnjëherë e zgjidhur në mënyrë bindëse.

 

Autori ecën në rrugën e çelur së pari nga Osman Myderrizi e të thelluar më pas nga Rexhep Ismajli, që përcakton si një nga shënjuesit kryesorë të identitetit etnik besimin fetar për periudhën e parë të formimit të etnosit shqiptar.

 

Këtë e dëshmon etnonimi arbën në letërsinë katolike të veriut (sipas të dhënave të Myderrizit) dhe në gojën e popujve fqinjë, të cilët me etnonimin përkatës në gjuhën e tyre shënonin zakonisht shqiptarin katolik (sipas pohimit të Shufflayt për kohët e reja në Mal të Zi e rreth Dubrovnikut dhe të Pjetër Bogdanit për emërtimin e fesë katolike nga sllavët si feja shqiptare).

 

Me ndryshimin e rrethanave social-politike mbas depërtimit të islamit në vend dhe në kushtet e shumësisë së besimeve fetare, sipas autorit përkatësia fetare erdhi duke e humbur rëndësinë si përbërës themelor i identitetit etnik-kulturor. Nëpërmjet shqyrtimit të monumenteve të shqipes të shek.

 

XVIII, siç është veçanërisht teksti i vendimeve të Kuvendit të Arbënit, ai analizon dukuritë komplekse sociolinguistike që kanë bashkëvepruar me njëra-tjetrën në atë periudhë dhe që duhet të kenë kushtëzuar edhe përhapjen e emrit etnik shqiptar.

 

I njëjti emërtim që shënonte përkatësinë etnike dhe fetare të popujve fqinjë shënonte edhe përkatësinë etnike shqiptare, pra, me fjalë të tjera, arbën dhe turk ose arbën dhe orum mund të ishin dy emra të ndryshëm për dy pjesëtarë të së njëjtës bashkësi etno-gjuhësore shqiptare.

 

Në kushtet kur kjo dysi mund të ndodhte edhe brenda një familjeje, d.m.th. kur një pjesë e familjes kalonte në fenë islame e pjesa tjetër mbetej e krishterë, rrezikonte të shpërbëhej vetë bërthama e etnosit, familja shqiptare.

 

Mbi këtë bazë, përfundimi që nxjerr autori është se populli shqiptar, në një reagim vetëmbrojtës për mbijetesë, zgjodhi në mënyrë pragmatike një identifikues tjetër etnik, që ishte gjuha amtare, pra një emër etnik që kishte si përmbajtje tashmë gjuhën shqipe.

 

Autori shtron pyetjen ekzistenciale: Ç'do të ndodhte me popullin shqiptar, sikur të kish hequr dorë në mënyrë po aq pragmatike nga identifikatorë të tjerë etnikë, p.sh. nga gjuha? Kjo tregon se në etnosin shqiptar ndodhi një proces etnogjenetik i veçantë, që e dallon atë nga proceset etnoformuese të popujve të tjerë ballkanikë.

 

Pyetja e vështirë se kur ka ndodhur ndërrimi i emrave etnikë nga ai me bazë arb- (arbënesh/arbëresh) te shqiptar diskutohet duke u mbështetur në të dhënat e reja dokumentare, ku krahasohen dy dëshmitë e të njëjtit misionar italian Da Lecce në dy periudha të ndryshme me distancë kohore prej 14 vjetësh.

 

Duket disi e habitshme që në fjalorin italisht-shqip të vitit 1702 ai i drejtohet lexuesit me emrin shqiptar, ndërsa në veprën tjetër të tij me vërejtje gramatikore për gjuhën shqipe, të vitit 1716, në një kushtim krejt të ngjashëm përdor etnikun arbënor.

 

Kjo sidoqoftë nuk jep dorë për një përgjigje përfundimtare, por një përfundim i përkohshëm që nxjerr studiuesi është se në këtë periudhë të fillimit të shekullit XVIII e ndoshta edhe më parë, në Shqipërinë e Veriut të dy këta etnonime përdoreshin në mënyrë të barasvlershme.

 

Ndërkohë pas 170 vjetësh, në botimin e dytë të akteve të Kuvendit të Arbënit nga Engjëll Radoja në vitin 1872 me titullin tashmë të përshtatur "Koncili i dheut Shqypn?s", ky proces paraqitet i përfunduar.

 

Themi në Shqipërinë e Veriut, pasi në atë të Jugut duhet të jetë përgjithësuar më parë etnonimi shqiptar, meqë sipas pohimit të Johan Thunmannit (1774) mbështetur në dëshminë e udhërrëfyesit e mësuesit të tij shqiptar nga Voskopoja, shqiptarët nuk donin të cilësoheshin me emrin arbën/r dhe vetëquhen shqiptarë.

 

Me këtë libër lexuesve u jepet në dorë një studim i shumanshëm për etnonimin shqiptar, ndërsa Bardhyl Demiraj shënon një hap të ri në rrugën e tij shkencore si albanolog tashmë i afirmuar në nivel evropian.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora