E diele, 28.04.2024, 10:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Raimonda Moisiu: Bisedë me Istref Haxhillarin

E diele, 28.03.2010, 09:56 PM


Bisedë me Istref Haxhillarin

 

Nga Raimonda Moisiu

 

1- Kush është Istref Haxhillari? Për cfarë kini studiuar?

 

Jam lindur në Pogradec ku mbarova arsimin e mesëm. U diplomova për Fizikë në Universitetin e Tiranës. Më pas kam kryer kursin pasuniversitar për këtë specialitet.

Endrra im e hershme ka qene letërsia. Ne kerkesen për studime në Universitet ku duheshin shënuar tri degë alternative shkrova tri herë fjalën magjike “letersi”. Në kundërshtim me dëshirën time me çuan per fizikë. Ç’mund të bëja?

            Më tej mësues dhe drejtor shkolle, pastaj inspektor, shef i arsimit të rrethit Pogradec, përgjegjës i burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore etj. Aktualisht mësues në shkollën e mesme të qytetit.

I martuar me tre fëmijë.

 

2-Cfarë keni shkruar ndër vite? Cila është gjinia juaj e preferuar? 

Krijimtaria ime është një krisje e shpirtit të hepuar nëpër mote. Kujtesa e mbingarkuar prej gjithfarë ngarkesash dhe fiksionesh nduk dhe kurdis mekanizmin e pakuptuar të nënvetëdijes, prej nga ndihem i ngacmuar e i shqetësuar.

Prej disa vitesh kam botuar tregime, ese dhe publiçistikë në shtypin periodik, një pjesë e të cilave u botuan në vëllimin  “ Përthyerje ”, prill 2007, libri im i parë.

Romani “ Pesha e kohës „ publikuar nga Shtëpia Botuese Toena doli në dritë më 2008.

Në vitin 2009 u botuan libri me proza “ Bari i ujkut ” nga Toena dhe novela

“ Ëndrrat kryqëzojnë kohën ” në dy gjuhë, shqip dhe anglisht nga Shtepia botuese

“ Ada ”.

Vëllimi me titull “ Hapësirat rrallohen prej dhimbjes ” është në proces botimi.

Unë jam thjesht prozator. Preferoj prozën e gjatë dhe romanin.

           

3-Jeni një krijues i mirëfilltë në gjininë e tregimit. i vlerësuar nga kritika letrare, së fundi me Çmimin e Tretë dhe lexues të shumtë. Sa qëndron kjo te krijimtaria juaj?

 

Unë thjesht shkruaj. Kam në kokë qindra motive, disa i kam hedhur në letër, të tjerat qëndrojnë në hije. Vesi i të shkruarit është sfilitës. Shpesh më duket se nuk do të mund t’i realizoj të gjitha prandaj nxitoj. Renditja i treti ne konkursin e Tiranës me 60 pjesëmarrës më gëzoi, po nuk janë çmimet që përcaktojnë vlerat, është koha. Le të kujtojmë që Lasgush Poradeci endej rrethinave të opinionit letrar kur poetë dhe shkrimatrë pa vlerë merrnin çmime dhe përkëdheleshin nga kritika zyrtare e kohës.

 

4.-Tregimi Juaj, vlerësuar me çmim,"Thikat e Vardarit", stili dhe mënyra e të shkruarit, shprehjet mjaft të goditura e të bukura, kanë patur jehonë në shtyp dhe internet. Si iu lindi ideja për ta shkruar?

 

E urrej pabesinë më shumë se çdo ves tjetër. Është motiv i vjetër në letërsi. Kujtoni Shekspirin, krijuesin me të madh të gjithë kohërave. E veçanta e tregimit “Thikat e Vardarit” qëndron në mënyrën si goditet e keqja, llahtari i të pabesëve aq sa vdekja kthehet në shpëtim. Tranzicioni shpalosi akte të shëmtuara të jerëzve tanë jashtë kufijve të vendit. Kapërcyelli shqiptar nuk do të ishte aq i dhimbshëm po të mos masakrohej  mizorisht feja, institucionet e saj dhe të krijohej “ njeriu i ri ”, mostër që nuk deshi pas Zotit, as prindrit dhe të afërmit e tij. Një rast i tillë i dhimbshëm më ngacmoi të kompozoja prozen “ Thikat e Vardarit ”.

 

5-Gjinia juaj e preferuar është proza, tregimi, romani. A kini shkruar, poezi, reportazhe??

 

Kam shkruar më së shumti ese, reportazhe dhe kritikë, por asnjëherë poezi. Poezia më duket art shumë i lartë, nuk guxoi t’i qasem. Vjershat që kam shkruar në rininë time nuk arritën të bëhen poezi. Nuk e di më vonë.

Kam përshtypjen se poezia e sotme është në krizë identiteti, pa nerv dhe emocione të fuqishmë që përbëjnë thelbin e poezisë së vërtetë. Edhe proza luhatet në kërkim të formave të reja shpesh pa sukses. Romanet dhe tregimet e njëzet viteve të fundit nuk kanë nxjerrë një personazh të qëndrueshëm, përfaqësues të epokës së tij si Zylo Kamberi psh. Pa mendoni që Don Kishoti prej 400 vjetësh udhëton nëpër botë i paprekur nga harresa, madje donkishotizmi sot është më i pranishëm se në kohën kur u shkrua.

 

6-Shkruani edhe tregime me bazë legjendat. Si ju lind ideja për t'i shkruar ato, mesazhi që ju transmetoni nëpërmjet tyre?

 

            Vendlindja ime luhatet midis duknajës dhe fantazisë si katete të barabarta trekëndëshi këndrejtë. Dheu i Mokrës, hapësirat perreth Liqenit të Ohrit përzihen me vegimet që vërtiten përmes tyre. Nuk dihet në ka më shumë gjallesa apo fiksione. Imazhet shpërhapen kudo. Ju e dini legjendën e Kadmit dhe Harmonisë, zanafilla e liqenit dhe fisit të lashtë të Enkelejve. Njerëzit e kohëve të shkuara në trojet e vendlindjes sime jetonin mes imazheve, lindnin dhe vdisnin në mjegullnajën e tyre, skllavëruar nga fantazi, që i besonin barabar me gurët e valëzuar dhe pyjet e gjera të vendit.

Kujtesa ka veti përzgjedhëse, fikson e ngulit sjellje, veprime, ngjarje të holla përshtypjelënëse që e tronditin dhe shpërfill të tjera që nuk lenë vragë, të dorës së dytë apo të rastit. Dukuri të pakuptuara për arsye kohëtare, ngacmuese tejgjatë të palarguara asnjë çast, njeriu përpiqej t’i kthjellonte dhe shkoqiste si mundej. Në përpjestim me kufijtë e njohjes dhe përceptimeve të kahershme, dritësimi i ndodhive tejet të dhimbshme mbresëlënëse ishte larg së vërtetës, po brenda përjetimeve njerëzore. Në këtë trajtë u mbartën nga njëri brez në tjetrin, ngjallën habi, gëzim, mburrje apo mosbesim, nënqeshje shpërfillse për zgripin e shpalosjes së tyre nga interpretues të lashtësisë. Shpesh quhen përralla, gënjeshtra që nuk mund t’i pranojë njeriu i kulturuar, ndaj arkivohen në lëmin e trashëgimisë së panevojshme.

Po si ta shpjegojmë jehonën e pambaruar, tingëllimën shekullkapërcyese, trokitjen në kujtesën njerëzore gati përjetësisht? Janë e pazakonta, e lemerishmja, e frikshmja e legjendës që udhëtojnë gjatë dhe përimtohen sot njëlloj si dikur, pavarësisht nga meditimet.

Tregimet e mia me motive legjendash janë ngjizur mbi këtë opus konceptual letrar dhe njerëzor. Po legjendat janë vetëm shtysa. Më tej ka punuar fantazia për t’i kthyer ato në rrëfenja përafërsisht të tipit kutelian.

 

7- C'mund të na thoni për "Iradenë", një tregim jashtëzakonisht i bukur?

 

Në shkollën e mesme kam lexuar vlerësimet e Lasgush Poradecit për Nikolla Naçon. Më ka mbetur në mendje përpjekja titanike e tij për të bërë Shqipërinë në fundin e shekullit XIX. Ishte Naçoja që bleu me flori fermanin e Sulltanit për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, mbajti me shpenzimet e tij mësuesit dhe komitët që e ruanin etj. Mbi këtë motiv madhor kam ndërtuar tregimin “Iradeja”, ku gjithashtu fantazia ka punuar shumë. Unë kam futur aty një dashuri të zjarrtë të Nikollës për një rumune, Aleksian, që sigurisht nuk ka ekzistuar ose mund të ketë qene nje tjetër femër me tjetër rrjedhë në jetën e tij prej beqari.

 

8-Si iu duket kritika letrare sot? A ka kritikë të mirëfilltë? C'mund të na thoni për këtë temë që shqetëson njerëzit e letrave shqipe?

 

Nuk pajtohem me inekzistencën e kritikës siç thuhet shpesh. Kritikë ka por ajo vuan nga mungesa e profesionalizmit dhe një klientelizëm i tejskaj. Me një pagesë modeste kritikë të njohur ngrejnë në piedestal krijime dukshëm të dobëta. Habitesh kur lexon nëpër organe letrare, gazeta apo internet për një Xhojs në Vlorë, Borges të ri në Tropojë e të tjera absurditete.

Po aq i dëmshëm është fetishizimi i figurave të mëdha. Krijuesit e afirmuar rrethohen nga vlerësime dalëmode. Kritikët u thurin lavde në përmasa groteske, më shumë për jehonën e shkuar se veprat letrare që janë dukshëm poshtë lavdisë së dikurshme. Brezi i krijuesve më të rinj shikohet me dyshim dhe mosbesim të pakuptimtë. Situatë jo normale. Mungesa e kritikës profesioniste dhe objektive, analiza rracionale e prurjeve të reja në letërsi, pa paragjykime, pa dallime mendoj se është nevojë po aq e domosdoshme sa një operacion urgjent kirurgjikal në trupin e të sëmurit.

 

9-Në vështrimin tuaj si ngjizet një vepër letrare?

 

Ju cekët linjë delikate paksa fluide, ku druaj se definohet ndonjë rregullsi e pranueshme për të gjithë. Kam përshtypjen se sprovat krijuese nuk hyjnë në të njëjtën hulli, nuk mund t’i binden saktësisht ndonjë ecurie fikse përgjithësuese, njëngjyrëshe.

Plazmimi letrar, ndoshta edhe i tragave të tjera të artit, i ngjan së tepërmi ngjizjes së fëmijës në barkun e nënës. Akti i formësimit në zanafillë është proces i fshehtë brendësor dhe i pakuptuar, s’e di askush veç krijuesve potencialë, madje shansi i pjalmëzimit është i pakapshëm për vetë çiftin ngjizës. Kur duken shenjat e para të shtatzanisë gruaja e paqartë në fillesën fshehtarake, e pasigurt ngurron t’i shfaqet partnerit të afërt, po kur sigurohet plotësisht i jep lajmin me gëzim të parrëfyer.

Vijmë në pyetjen tuaj të ngjizjes së veprës letare, përngjasimin me lindjen dhe nxjerrjen në jetë të fëmijës. Tek njeriu i letrave në fillim lind ideja e krijimit, ngasja e së cilës mund të jetë gjithfarësh, mbresë e afërt apo e largët, ngjarje të veçanta ose të zakonta, përjetime fantazie apo ëndrra. Mbresa rri tulatur thellë nënvetëdijes, herë humbet harrohet për ca kohë, pastaj shfaqet sërish, bëhet ngacmuese dhe tek krijuesit e mirëfilltë arrin kufijtë e torturës. Thonë se Mendelejevit që studjoi për një kohë të gjatë mundësinë e vendosjes së rregullit në shumllojshmërinë e elementeve kimike, tabela e sistemit periodik iu përshfaq në ëndërr dhe ai u ngrit e shkroi. Ndoshta mund të jetë legjendë, diçka e zmadhuar, por në thelbin e vet mbart ngacmimin e vazhduar të idesë torturuese përjetuar gjatë. Petraq Zoto e ka cekur me shume kompetencë këtë rrethanë në një mesazh për krijuesit e Botës së re.

 

10- A mendoni se ka një krizë leximi, se mjetet audiovizive kanë zbehur interesin për librin?

 

Jo, absolutisht jo. Këtë çështje e kam trajtuar në një shkrim në postën kolektive. Pranoj që një pjesë e njerëzve të sotëm janë të sipërfaqshëm, mjaftohen me plotësimin e nevojave shpirtërore përmes imazheve audio-vizive çka sheshon dhe krijon një reliev të zbehtë. Ndërsa libri letër apo elektronik është mjeti më ideal dhe më produktiv i dialogimit, i pakrahasueshëm për nga thellësia as me mikun më të mirë, as me të dashurën. Letërsisë i kanë mbetur ata lexues besnikë që duhet të jenë. Të tjerët kanë patur lidhje të dobëta me të. Elektronika ka hapur mundësi të mrekullueshme në të shkruar, komoditet tejet të sofistikuar me perspektivë edhe më të shkëlqyer. Po sido të jetë kibernetika, mbetet një formë më e avancuar e paraqitjes së shpirtit të njeriut dhe vetëm kaq. Ashtu si letra e bardhë nuk të thotë asgjë, kompjuteri dhe interneti mbeten thjesht mjete të vdekura krejtësisht të pakuptimta pa shpirtin e krijuesve të letërsisë dhe artit më përgjithësisht.

 

10-Cili autor iu inspiron?

 

Janë disa: Xhojsi, Kafka, Borgesi, Kuteli, Mjeda dhe më të rinjtë Agron Tufa, Rudian Zekthi, Ardian Kyçyku etj.

 

12- Së fundi?

 

Eshte impresionuese të shpreh idetë dhe disa krijime të miat me ju.

Uroj sa më shumë mendje të dlira të bashkohen përreth Tempullit te Letersise.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora