E enjte, 01.05.2025, 01:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Diskutim kritik per librin e Sazan Golikut

E hene, 05.04.2010, 04:40 PM


Diskutim kritik per librin e Sazan Golikut

“Mos harro se je njeri”

 

Nga Albert Zholi

 

Sazan Goliku, autori i më se 20 librave në prozë e në poezi për fëmijë,  kohët e fundit ka botuar vëllimin poetik me titull “Mos harro se je njeri”. Prapa këtij titulli të thjeshtë gjallon një galeri e tërë motivesh poetike, të materializuar në figura artistike origjinale të shumëllojta, të cilat përcjellin mesazhe njerëzore, të ngrohta që komunikojnë natyrshëm me botën shpirtërore, të brishtë të fëmijëve në formim të vrullshëm. Përmes nektarit poetik mjaft cilësor, ky libër përçon në vetëdijen e fëmijëve virtytet më të dëlira, thjeshtësinë dhe atdhetarinë, vetëdijen për të përjetuar me të gjithë nuancat gëzimet e jetës së përditshme dhe frymën altruiste deri në vetësakrifikimin e interesave vetjake, ndjenjën vetëkritike dhe kritike, kultivimin e shijeve estetike dhe zbukurimin e trupit përmes fizkulturës e sporteve, ndriçimin e gjithë personalitetit engjëllor të fëmijëve me

qiririn e shën Librit: “Ja, mësuesja uli dorën/ dhe na ndezi një qiri/ Është drita e shën Librit/ për t’u bërë vërtetë njeri” Vargjet e këtij vëllimi harmonizohen natyrshëm me grafikat e penelit mjeshtëror, plot emocion të piktorit Artion Baboçit. Vëllimi “Mos harro se je njeri” ka sharm artistik pasmodern që shprehet si gërshetim i formave poetike moderne me arritjet thelbësore të trashëgimisë letrare, shqiptare dhe më gjerë.

 

Shoqata  Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj (SHMSHFR) në programin e veprimtarive të saj ka planifikuar edhe diskutime letrar për librat e rinj, për të krijuar një frymë kritike për zhanret e ndryshme dhe për  të nxjerr në dritë problemet aktuale  të letërsisë për fëmijë e të rinj.

  kuadër    2 prillit, Festës Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë,  u zhvillua diskutimi  për librin poetik për fëmijë “Mos harro se je Njeri” të shkrimtarit Sazan Goliku, ku morën pjesë mjaft shkrimtarë të njohur, kritikë  dhe studiues të letërsisë për fëmijë.

Në fjalën e tij shkrimtari e publicisti Vangjush  Saro  theksoi nevojën e rrahjes së mendimeve, ku kritika të jetë mbizotëruese në takime  të tilla letrare. Duke folur për librin e S.Golikut , ai vuri në dukje vlerat e veçanta të këtij libri, thjeshtësinë e rrjedhshmërinë e vargjeve, por,  sipas tij, disa vjersha mund te harreshin e të pasuroheshin me një figuracion më origjinal. Gjithsesi, përfundoi ai, ky libër e pasuron më tej biografinë letrare të  këtij shkrimtari që hedh me guxim për diskutim kritikë librin e tij të ri. Shkrimtari Skënder Hasko vlerësoi vjershat ku autori iu është shmangur moralizimit të hapur dhe ka realizuar me shkathtësi motive sa të mprehta aq dhe emocionale. I këtij mendimi ishte  edhe shkrimtari Bardhyl Xhama, i cili vuri në dukje se moralizimi në letërsinë për fëmijë është i pashmangshëm, vetëm duhet ditur sa me art ta japësh atë. Poeti e  Anton Papleka në diskutimin e tij

ngriti problemin e freskimit të poezisë për fëmijë, për të dalë nga rutina dhe nga monotonia vargëzuese, për të pasuruar jo vetëm problematikën, por  dhe konceptimin deri te fjalori poetik. Ky libër, theksoi ai, ka figura befasuese, ka shmangur idealizimin,  duke dhënë situata konkrete dramatike, çka është risi jo vetëm për poezinë e këtij autori. Krahas vjershave që kanë informacion estetik, vërejti ai, në libër gjen edhe elemente etike, por që janë  në doza të pranueshme . Poetja dhe studiuesja Klara Kodra tha se Goliku e zbulon poezinë edhe tek e zakonshmja në shkollë dhe jashtë saj dhe di ta bëjë të qeshë e të emocionohet lexuesin e vogël. Pra, ai në këtë kohë krizash nxit mendimin dhe arrin të japë ndjenja pozitive. Në diskutimet e shkrimtarëve  Izet Shehu, Gjik Kurtiqi, Ferhat Cakaj, Zyhdi Dervishi, Petraq Zoto etj. u vunë në dukje tiparet e veçanta të artit të Golikut, por  u bënë dhe

vërejtje konkrete.

Pjesëmarrësit në këtë diskutim kritik sugjeruan nevojën  imperative për takime të tilla, prej nga dalin përgjithësime për gjithë krijimtarinë letrare të ditëvë tona.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx