Kulturë
Demir Krasniqi: A duhet të hyjë Qamili i Vogël në historinë e muzikës shqiptare?
E shtune, 03.04.2010, 03:59 PM
Nga kultura jonë kombëtare:
A DUHET TË HYJË QAMILI I VOGËL NË HISTORINË E MUZIKËS SHQIPTARE?
Nga Demir KRASNIQI
Gjenitë e lëmenjve të ndryshëm lindin vetëm njëherë brenda një shekulli . Secili popull në botë i ka gjenitë e vet, me të cilët mburret, identifikohet , krenohet dhe për ta kujdeset nëpër shekuj që të mos harrohen kurrë . Secili popull në botë do të kujdeset që gjenitë e vet t’i përfshijë në faqet e historisë , enciklopedisë , në librin e Ginisit , nëpër institucione e akademi të ndryshme shkencore , kulturore e artistike, në muzetë kombëtare, por edhe nëpër komplekse të ndryshme përkujtimore .
Sikur çdo popull në botë, edhe populli shqiptar i ka gjenitë e vet të lindur nëpër shekuj , por që fatkeqësisht , nuk mund të mburremi edhe aq shumë për ruajtjen , përkujdesjen dhe trajtimin e tyre adekuat !
Ndër shumë gjeni të lëmenjve të ndryshëm që i pati populli shqiptar , unë do t’i përmendi vetëm dy prej tyre , të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në fushën e krijimtarisë artistike muzikore , të bazuar gjithnjë në bazamentin e traditës dhe trashëgimisë së krijimit dhe kultivimit të veprave muzikore mbi tabanin e folklorit muzikor shqiptar.
Këta dy gjeni të popullit dhe të shekullit ishin: Jusuf Myzyri nga Elbasani dhe Qamili Vogël (Muhaxhiri) nga Gjakova .
E veçanta e këtyre dy gjenive të kombit shqiptar është se që të dy këta krijues muzikor nuk kanë qenë njerëz të shkolluar në profesionin e muzikës e as të specializuar për degën e kompozimit .
Jusuf Myzyri nga Elbasani , me profesion jetësor ishte këpucëtar , kurse Qamili Vogël në mënyrë autodidakte e kishte mësuar shkrim – leximin shqip dhe më vonë ishte kualifikuar si punëtor grafik .
Që të dy këta krijues muzikor – gjeni të popullit shqiptar , kanë lënë pas veti një bagazh shumë të madh të veprave të krijuara muzikore , të cilat po jetojnë dhe do të jetojnë me shekuj brenda shpirtit muzikor të popullit shqiptar .
Vallë, po cili popull mund të ketë në gjirin e vet krijues të tillë gjenial , të pa shkolluar, veprat e të cilëve jetojnë me popullin dhe nuk do të vdesin kurrë?!
Shumë profesionist akademik muzikor , sprovuan që të kompozojnë vepra të mëdha muzikore e bashkë me to edhe këngë të zhanreve të ndryshme muzikore , por të rralla janë ato vepra që i përqafoi, i përvetësoi dhe i mbajti në gji populli, sikur që ndodhi me veprat e gjenive të muzikës shqiptare:Jusuf Myzyri dhe Qamili i Vogël .
Një gjë duhet pasur para sysh , se këta dy gjeni, nuk krijuan vepra të muzikës artistike , skenike, notale e koncertale, por ata me veprat e tyre prekën thellë ndjenjat e popullit shqiptar , hynë thellë në zemrat dhe shpirtin e popullit shqiptar dhe aty mbetën për të jetuar të pavdekshëm për aq sa mbi rruzullin tokësor të flitet shqip, të këndohet shqip dhe të muzikohet shqip !
Pra, historia e muzikës së popullit shqiptar nuk fillon vetëm me çelësin , pentagramin dhe notat muzikore . Ajo daton shumë më herët se sa këto tri elemente të artit muzikor . Mirëpo, historia e muzikës shqiptare ka filluar të shkruhet shumë më vonë. Madje, edhe ajo që është shkruar është shumë modeste dhe nuk mund të thuhet se është e kompletuar deri në shkallën reale të zhvillimit të kulturës muzikore shqiptare.
Për krijuesin gjenial muzikor – usta Jusuf Myzyrin , nuk mund ta konfirmoj shifrën e saktë të veprave të krijuara e të lëna në trashëgiminë tonë kulturore, por për gjeniun muzikor – Qamili Vogël , mund të them bindshëm se ai la pas vetës gjithsejtë 88 këngë origjinale të krijuara me tekste e melodi autoktone nga vet shpirti, goja dhe dora e këtij mjeshtri të madh .
Përveç këtij volumi kaq të madh të veprave të krijuara , roli i Qamilit të Vogël në kultivimin dhe afirmimin e këngës popullore tradicionale shqiptare, pa dyshim se është shumë i madh . Ai, është krijuesi i parë muzikor në Kosovë, i cili në regji të vet ka botuar gjithsejtë 11 blej të këngëve popullore, të cilat i ka shpërndarë gratis gjithandej Kosovës, vetëm e vetëm që kënga shqipe të mos harrohet, të këndohet e të kultivohet gjithandej trojeve etnike shqiptare .
Qamili i Vogël , është i pari shqiptar nga Kosova, i cili në regjinë e vet , ka botuar disqet e para të gramafonit me këngë e valle popullore shqiptare .Ai, ka prezantuar me shumë suksese këngën shqiptare edhe jashtë trojeve etnike shqiptare, si në disa shtete aziatike , evropiane dhe amerikane .
Këngët të cilat i ka thurë , kompozuar dhe kënduar Qamili i Vogël, janë me vlera aq të mëdha artistike , me tekste, melodi e ritme të fuqishme, sa as akademikët më të mëdhenj muzikor nuk do të arrijnë kurrë që me kompozimet e veprave të tyre, t’ua kalojnë vlerave të veprave të Qamilit të Vogël!
Për ata që e njohin muzikën dhe që e kanë profesion jetësor , mjafton të marrim vetëm një shembull nga këngët e krijuara nga ky gjeni popullor dhe do të bindemi për vlerat e tij krijuese:
Këngën me titull:”Jarë, mos më shtje moj , me t’ ba be”, të cilën Qamili e thurë dhe e kompozon me dy fjali të mëdha muzikore, duke filluar me tempin “Rubatto” dhe duke kaluar pastaj në refrenin melodik në masën ritmike 7/8, me një melodi dhe diapazon shumë të zgjeruar , vështirë do të ishte edhe për profesionistin më të madh muzikor që ta kompozojë një vepër të tillë ! Por, jo vetëm kjo ! Këngët e Qamilit që të gjitha janë shumë komplekse të brumosura me ritme e melodi shumë të kompletuara .
Duke u nisur nga këto fakte dhe shumë të tjera që nuk u thanë në këtë artikull , mendojmë se është plotësisht e drejtë, e ndershme dhe reale që në historinë e muzikës shqiptare , të zënë vendin meritor edhe këta dy krijues gjenial muzikor: Jusuf Myzyri dhe Qamili i Vogël, nga se krijues të këtillë duhet të presim edhe një shekull që të lindin mbi trojet tona !
Po bëhen 20 vjet , qysh se u nda nga jeta Qamili i Vogël, por përveç disa koncerteve memoriale të cilat janë organizuar me iniciativa vullnetare nga dashamirët e tij, nga ana institucionale nuk është bërë asgjë për këtë njeri dhe veprat e tij gjeniale !
Andaj, këtu me të drejtë shtrohen një varg pyetjesh :
Pse të mos emërtohet ndonjë shoqatë kulturore me emrin e tij?
Pse nuk ruhen me ligj dhe në mënyrë institucionale veprat autoriale të këtij krijuesi kaq të madh muzikor?
Pse të mos emërtohet ndonjë rrugë, apo shesh qyteti me emrin e Qamilit të Vogël ?
Pse të mos organizohet ndonjë festival tradicional muzikor me emrin e Qamilit të Vogël? Pse të mos ndahet një shpërblim tradicional vjetor, si p.sh. “Mikrofoni i Qamilit të Vogël”, për ata të cilët e kultivojnë dhe e ruajnë me besnikëri këngën tradicionale shqiptare ?
Pse të mos i ngrihet një lapidar përkujtimor qoftë në Gjakovë, qoftë edhe në sheshet e qyteteve tjera kosovare , me të cilat do të mburreshim dhe krenoheshim me gjeniun tonë të madh popullor?!