E shtune, 27.04.2024, 06:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Loli: Koha shpirtërore

E hene, 05.04.2010, 07:31 PM


PIRRO LOLI

 

KOHA SHPIRTERORE

 

esse

 

1.      ÇASTI MAGJIK

 

Casti magjik i krijimit, është çasti i nje gjendje të veçante që disa e quajne edhe çast hyjnor,  ështe i ndryshëm në shkrimtarë

të ndryshëm.  Marsel Prusti (1871- 1922) këtë çast e gjen në kohën e sotme si çast shkakësor për të ndrërtuar të shkuarën. 

Te “Madalena e vogël” një ditë kur qe i mardhur dhe i drobitur, kur e ëma i jep një gotë çaji, ku kish tretur edhe një madalenë (karamale), ai befas ndieu një kënaqësi e një mrekulli shpirtërore të pakuptueshme dhe drithërohet. 

Pa kuptuar, tollovitë e jetës, gjëndja e keqe shëndetësore, iu dukën te paqëna, përkohesia e parrezikshme, dobesia e rreme;

siç bën dhe dashuria që të mbush me një esence të pakapshme;

diçka ajrore që të bën të fluturosh…”Kjo esence ishte tek unë” dhe s’e ndiej veten të pavlerë e vdekator.  Shumë pyetje i bën vetes, por s’merr përgjigje.  “Nga erdhi ky çast”?  Nga shija e çajit? 

Jo … në fakt, e vërteta e kësaj kënaqësie ishte brenda atij çasti si rreze drite, ndoshta sa e zgjoi. Çasti është shtysë krijuese, ndriçim i lartë për kapjen e simbolit, padyshim, për spjegimin e vetvetes; është gjenia e orës, ku merr krahë imagjinata – ajo aftësi për të ndarë e seleksionuar një objekt mbreslënës, i aftë për të përfaqësuar botën; ajo gjëndje e veçantë intuitive ku poeti udhëton nëpër botë për të gjetur të bukurën. , por edhe nëse rruga është e mbushur me të bukura, ato, nuk mund t’i shohësh, nëse nuk i ke me vete , sepse çdo e bukur është një dalje në karakterin tënd. Nuk mind të shijosh Luvrin, nëse nuk e ke me vete; nuk mund të shijosh portretin e Krishtit , sado i përsosur qoftë, nëse nuk e ke përmbushur shpirtin me Krisht. Çasti i krijimit është provokim i ëndërrimit., është ajo fërgëllimë enigmatike që kaplon qënien e poetit, akt magjik që e detyron atë të kërkojë, seleksionojë, të ndezë thëngjijtë e përshuar në hi për të ndezur flakët e rrëfimit , ose romanin. Duhet , padyshim talent, talent dhe vullnet. Në krijimtari talenti dhe vullneti janë sinonime. Pa të dyja këto, s’ka vizion të konkretizuar, realiteti s’mund të marrë një formë të mbinatyrshme, më shkurt, pa gjetjen e duhur në formë, s’mud të bëjmë fjalë për art… çasti buit befas, dhe befas mund të të digjet në ajër.Duhet përjetuar figura, zëri, hapësira, koha përmes kujtesës deri sa, qoftë dhe një detaj si thëngjill i fshehur në hi,  të rindezë piknisjen e një vepre letrare . E atëhere shkrimtari fillon e lidh një pakt me lexuesin, pajtimin me trillimin e tij..Pra, ai duhet të  krijojë……Akoma është diçka që akoma s’është, por që me anën e kujtesës duhet ta fokusojë në dritën përkatëse për të kompozuar një realiter tjetër.

Ai çast i shtyn tutje sendet dhe realitetin përreth, është diçka që dëshiron të çvendoset, të ngrihet nga nata.  Seç është kjo, nuk e di.  U ngjan etheve, drithërimave,……një proçesi të ndërlikuar që duhet t’ia gjesh mekanizmin.   Deri te vlera artistike, deri te pëlhura magjike e mendefshit, duhet të të çoje krimbi, ose gjethja e manit, pastaj te larva, pastaj te flutura……

E ndiej, e ndiej pëlhurën……Duhet të jetë imazh, një kujtim pamor që të ndjek pas, deri sa vjen tek ti.  (poeti)……Dhe si pakuptuar Prusti prek çastet e tjera.  Një të dielë, në Combray, kur teto Leonia vite më parë, i kish dhënë çaj me një karamele të tretur…… Kujtesa, (pas vdekjes së qënieve) ruan ato më të brishtat, më të palëndëtat, më këmbëngulset – aromën ose shijen ose diçka tjetër) si shpirtrat mbi gërmadha, ato që në të tashmen duhet të ngrenë ngrehinën e pamatë të kujtimeve.  Dhe ja tek i del përpara shtëpia e vjetër e Teto Leonisë, si në një dekor teatri e bashkë me të, krejt rrugët, lulishtet, kodrat e fiminisë, krejt qyteti Combray me njerëz, zogj e pemë.  Si tek loja Japoneze në një tas porcelani me ujë, ku copa letrash, befasisht duke u njomur, marrin forma të ndryshme e (vini re !) bëhen shtëpi, barka, zogj, rrugë… i gjithë qyteti doli nga një filxhan çaji ku qe shkrirë një karamele ; si libri që prodhohet nga fjala, si piramida nga guri, si qielli nga e kaltra, nga një zog i padukshëm që fluturan brënda teje.

 

* * *

 

DETI

 

Një çast tjeter e gjën në një hotel, tek rruhej në taulet.  Hodhi sytë nga dritarja dhe beftas ndieu një ngazëllim të çuditshëm. Deti i përgjumur, pa bujë , veç valëzat hidheshin e luanin si kërcimtarët e trampolinit… Mbideti, nga sipër malit me majat e dëborta.  Deti dhe malet me buzeqeshjen e diellit përsipër…Përshkrimet aq të imta me atë dritëhijen e jargavantë, nxitin edhe lexuesin e thjeshtë të shohi detin dhe malin e tij…(Duke lexuar Prustin, edhe unë e pashë diellin tim.  Në gjunjët e Dhëmbelit, mua, dielli më vinte nga Mali i Topovës përballë, pak nga pak si një shirit i zjarrtë, derisa më çelte syrin nëpër gjethet e manit në oborrin tim……)

E tani dhe te Bodleri me diellin e tij vezullues mbi det.  O Zot, ato dritëhije!  “Sikur Perëndia vet zbavitet duke i zhvendosur në një pasqyrë diellore.”  Në pejsazhet e tij Prusti më bëhet se jam unë, ose ai unë.  E kur ai çasti magjik kalon nga autori tek lexuesi, letërsia kap vlerat e saj e bëhet univesale. 

 

* * *

Te “kundër Saint – Beuve-it” një mesnatë tek thërriste më kot gjumin, iu bë jastëku i butë si faqet e fëmijërisë që e perqafonin. 

Është i sëmurë, e befas ngazëllehet tek pikas poshtë derës një vraje drite.  Një dritë në mesnatë dhe një diell nëpër gjelbërimet e fëmijërise.  Gjumë i ndërprerë, i shqetësuar… Në natën e thellë, pakuptuar, a është në gjumë apo zgjuar, pranë tij ndien një femër……”Ashtu si lindi Eva nga brinja e Adamit, në krevat të tij një grua, ndoshta nga pozicioni i gabuar i kofshës së tij…Ndieu kënaqësine nga ngrohtësia e trupit të saj…Zgjohet…Faqet i ka të nxehta nga puthjet e saj, trupin e dërmuar nga pesha e saj… E cili mashkull nuk i ka provuar këto skena?  Vetëm dashuritë tona të para janë të pavullnetshme.  Por plot detaje si detajet e një shpirti të trazuar, që te Frojdi (lugina e seksit) është pashmangshmëri e pavullnetshme sekuale dhe te Prusti e poetët e mëdhenj, bëhen vlera artiske.

 

RINGJALLJA E ALBERTINES

 

Albertina iku…La pas një letër për të.  E zgjodhi vetë ndarjen.  Për Prustin,  “ …si kripë e kristalizuar, mbeti vuajtja”, kundërveprimi i menjëhershëm i dhimbjes. Mos prek asgjë nga sendet e saj, i tha vetes, por prania e saj ishte e plotë. Albertina ishte e këtueshme. Tani, sidoqoftë, duhet të mësohesh me ndarjen. Vjen trishtimi, zymtia, frika kundër dhimbjes shpirtërore.. Dhe tani fillon faza tjetër , Harresa. Dhe një krimb brenda saj, xhelozia. Albertina iku..”Arrij t’i uroj vdekjen e saj, vetëm që ajo të mos jetë e të tjerëve..(?!) Por ajo iku , ç’kërkon ti prej saj? E , pa kuptuar, ngrihet i egër geni mashkullor, geni që kërkon pronësinë mbi lirinë e seksit tjetrit.

   Kur mëson vërtet për vdekjen e saj i godet zemra fort nga dhimbja, por dhe një farë çlirimi të pakuptueshëm… Vetëm vdekja e shuan atë që ekziston. Dhe xhelozinë. Befas ndien se vdekja s’qe për Albertinën, por për diçka të shenjtë brenda tij… Dhe tani mendja e ngjall të vdekurën, madje të shumfishuar. Kujton atë, puthjet, zënkat, çastetet e kënaqësisë erotike. E çasti i kujtimeve i kthehet në torturë.”Asnjëherë ajo ,s’kishte qenë më e gjallë”.. E duke menduar orë e çast për të, “Unë kisha ngjallur dhe tradhëtinë e saj”. Kësaj nuk i shpëtoi dot. Dhe ndeshet poeti me filozofin. Tradhëtia nuk është vepër e të vdekurve, thotë njeri, por tradhëtia e saj, bëhet çast i tanishëm, jo vetëm për atë…Ajo vjen e plotë. Ai e ngjalli. I vuri dhe një trëndafil mes gjinjve.., por ajo e tradhëton.   Trëndafili i kuq. Vyshket. I ftohtë ,borëzi, ky trëndafil i kujton… Dhe kujtimet e humbjes bëhen mizore. Pluhuri i harresës, plisat e mallit, dashuria e dikurshme (dhe e këtueshme)…Albertina iku… Albertina erdhi.. Me të gjitha bukuritë, veset, puthjet, dhe tradhëtinë.. Dhe “Në kërkim të kohës së humbur”, bëhet personazh që jeton përtej vdekjes…Poeti gërmon në skutat e tejme të asaj që mungon.

 

ATEHERE KUR…

 

Për Prustin koha ndahet në kohë të shkrimtarit dhe të veprës letrare. Çelsi i artë i veprës së tij është përjetimi i kohës shpirtërore, i kohës atje dhe dikur, ku e kur, personazhet e tij, në çastin e shfaqjes, shpalosin krejt përmasat e asaj që kanë qenë. Është fjala për kujtesën që shkrimtari hap pas hapi gërmon e zbulon lëndën brenda vetvetes, atë të argjentën kohë që ka kaluar. Ai e kuptonte rrjedhjen e pamëshirshme të kohës, që lë pas çdo qenie. Koha lineare është mizore, është lumë që të përmbyt, hap pas hapi e ditë pas dite, sistematikisht gllabëruese që na merr rininë, forcën ,bukurinë, dashurinë…Koha është një arkivol gjithpërfshirës që ikën, ikën pa ndalim e në këtë arkivol jemi ne. Prusti gërmon kohën që ka ikur dhe përndez  botën e bukur të kujtimeve. Por dhe harresa si koha, është objektive. Lumin e Letes, nuk e pijnë vetëm të vdekurit në Had, por fillimisht të gjallët. Dhe ky është lumë i padukshëm që vetëm fshin, fshin e shkreton zonat jetike të menduarit dhe të ndieshmërisë. Harresa dëgjon klithmën e   viktimës së secilit që e mbyt qënien e vet me duart e veta. Kafka kujtimesh është e kaluara dhe harresa e përbindshme. Dhe pleqëria dhe vdekja fillon nga truri. Dhe Prusti ndez prozhektorët e kujtesës në kohën pas. Dhe nuk i lë lulet të fishken….

 

* * *

John P.Houtson, në kohën letrare të veprës së Prustit, gjen një trajtim krejt origjinal. Personazhet e tij nuk gjenden atje ku janë e veprojnë, por tutje e pas, atje ku shkon kujtesa e autorit.Zgjedhja e çastit, psh, një mbremje te princesha Germante, bëhet vetëm shkas për rigrupimin e ngjarjeve, zbulimin e personazheve dhe mendësive të kaluara. Duke ruajtur mjeshtërisht koherencën e ngjarjeve, ai pranëvë imazhe shumëkuptimore plot kontraste. Ky paradoks, duke e kaluar veprimin  në kohën e pakryer dhe në të kryerën e thjeshtë, formalisht e mban lexuesin në kohën e tashme si në një këndvështrim kinematografik, duke i qëndruar besnik vetëm boshtit dramatik të veprës.

Sen-Lui, një veteran i luftës (“që e kam para syve”) ka humbur Kryqin e Luftës në një shtëpi publike për pederastë…Plot detaje si te stërhollimet e Balzakut, një ditë , një çast(rreth 170 faqe), mbushen me kohë tjetër, e, befas, atëhere kur ajo…,vërtet ,mos është lesbike Albertina ?! Houtson vlerëson: “Të shkon mendja te libretet e Wagnerit, ku tonaliteti ndryshon vazhdimisht, pa ndryshyar çelsat e pentagramit”.

  Prusti njëson ditët me stinët e vitet dhe me anën e kohës së foljes përqas në të tashmen atmosfera krejtësisht të tjera. Bën mirë e mirë portretin e hallë Leonisë(si me qenë para syve), tregon jetën e vetmuar të saj e, befas, mësojmë se ajo ka vdekur. Mjeshtërisht iluzionet e tij optike lëvizin jo vetëm në hapësirë, por dhe në kohë. E në çast kur dielli është në dritare, ndryshon temperatura, ngjyrat e stina e lexuesi ndien ngricat në xham, shira e borina të befta në oborr.. Kjo përbën një nga novacionet e prozës, që e veçon Prustin në majën e romancierëve të Evropës. (Padyshim,Uliksi i Xhojsit ishte fruti i fundit madhor i kësaj risie, ku çdo kapitull formon fishekzjarre të veçuar). Larminë rrëfimtare të Prustit, nuk e nxë realizmi i Balzakut, Floberit apo Zolasë. Prusti e përtheu realizmin subjektivisht, plot dritë e hije, ashtu siç ia shtrëmbëronte kujtesa(lexo, siç i harmonizon ai të gjitha elementet e veprës në një njësi unike në struktura kompozicionale e figura që, siç thamë,  fokuson në ndiesitë e së kaluarës.)

 

ZONA ME GJELBERIM TE PERHERSHEM

 

Vendlindja dhe fëminia,regjistruar në kujtesën e njomë të njeriut, mbeten atje si gjelbërim i përhershëm. Balbecu-i i Prustit kështu ka mbetur në kujtesën e tij. Kanë ngrirë atje njerëzit, pemët, rrugicat dhe të gjitha bëmat e fëmijërisë. Ai ndien se shpirti i tij përplaset në atë vend, paçka se vite larguar, i paprekur është fshehur në kujtesë. Ajo zonja Villeparisis i duket si një personazh i paharruar romani. Mendja e tij përafron gjithçka, ecën drejt tyre, ose më saktë, në atë drejtim të brendshëm, ku i shihte të tëra brenda vetes së tij. Të gjitha bëmat e fëmijërisë, pikturuar si në një album të dikurshëm e që tani, mallëngjyshëm, i pluskojnë si figura të njohura e të pashlyeshme. Ai i kishte ndërtuar qindra herë nëpër ëndrra këto pamje…(15 vjet në Athinë dhe unë të gjitha ëndrrat i shihja në shtëpinë time në Zagorie sikur ajo të ishte qendra e botës. Thirrjet e fëminisë në pasmalet e mia, m’i rrëzonin të gjitha pallatet dhe bulevardet e Athinës. Ato hijet e fëmijërisë sime , si te Prusti, përditë më kërkonin t’i merrja me vete… Dhe i mbajta mbi shpinë. Pastaj u bëra tahmaqar e plot trishtim kërkova ta merrja të tërë atdheun me vete… Mora dhe një gur për të mbjellur lule dhe një fyell që më duhej për të qarë..) “Qenë qënie të dashura që kishin humbur gojën”…Shkrimtarit i duhet t’u japë zërin, trajtën, peshën, frymën. Tre pemët e Prustit në Balbecu, janë tri pemët e mia, mani në oborr, qirshia e lulëzuar që zgjaste krahun në dritaren time dhe gorrica në kodër, ku unë kisha prishur një fole zogu.. Pashë pemët që largoheshin duke tundur krahët të dëshpëruara për mua e më thonë “ në na lënsh të biem sërish në fund të kësaj udhe, ku po kërkojmë të ngrihemi deri tek ty… Dëgjon ?!.. “ e tërë ajo pjesa e jotja që gjëndet tek ne, do të bjerë në hiç.” Shumë herë më kanë folur lisat e mi. Të rrëzuar tashmë. Tre lisa gjigandë te gurra e Konckës. Dhe sa herë që makina frenon atje, i shoh të ringritur, me kryt në qiell ngarkuar me mite e legjenda. Dhe me një gjarpër  që flitej se gjarpëronte palcës së lisit më të madh.. E kujtoj dhe atë rrufenë e tmerrshme, që një natë me një inat qiellor ma rrëzoi atë lis gjigant, si lisin e Dodonës. Tani ata janë brenda meje e kur vete e kur iki përhumbur si Prusti, kur zonja Villeparsis e shkundte nga supi… “E pse , ku humbe kështu ?!” Dhe ai si unë e si çdo njeri, trishtueshëm largohet me kokën pas, sikur humbasim miqtë më të dashur  “ sikur të kisha vdekur vetë- thotë ai- sikur të kisha harruar një të vdekur (pa mbuluar)..ose sikur të mos kisha pranuar Zotin”.

 

BOTA (Ç)NJERZORE E KENAQESISE SEKSUALE

 

Me sa duket përvojat seksuale të Prustit kanë qenë të pasuksesëshme. Dhe, pikërisht kjo sferë në veprën e tij, është një lojë kundërshtish magjiplota; realiste dhe imagjinative, nevoja fiziologjike, kënaqësi dhe tmerr, inçesti si përdhosje gjaku, ose erotizmi kriminal, përbëjnë te “Kërkimi..”një fushë loje plot aktorë që mund të kenë emrin e secilit prej nesh, sidomos të autorit. Vo!: “Atë e tmerronte ndarja me mamin” Thellë shpirtit, ai ndien një trishtim të fshehur ,të pamatë.- jo vetëm nga ana e tij me vesin që vetë natyra i jep që në gjenezë fëmijës, por edhe pse, paralelisht me të  “I dukej se qante edhe shpirti i së ëmës..” E autori, duke u tjetërsuar në emra të tjerë, madje dhe në homoseksualë, qëmton në sferën e tmerrit dhe të kënaqësisë, i ndërgjegjshëm drejt fajit (ç)njerzor. E ëma e Marcelit zhduket dhe pas vdekjes nuk zihet më në gojë. (ajo nuk ringjallet si Albertina). Imazhet seksuale lëvizin tundonjëse dhe ligjërohen artistikisht si përtej tij. Te “Sidome dhe Gomorrhe” thuhet se djemtë, meqë nuk u ngjajnë gjithmonë etërve, përdorin në pamjen e tyre përdhosjen e nënave. Celsi i kësaj tragjedie, sa e vjetër e sa e re, na jepet në episodin ku vajza e Vintenilit, sjellja e shëmtuar e së cilës e futi të atin në dhe, e ..prej marazit shijonte ledhatimet e një dashnoreje lesbike që kurvëron dhe pështyn të atit. (Vintueli është e ëma e Marcelit).. Dy lesbike në luginën e lagët të Frojdit. Nuk është çështje morali- Maska e fajit njihet, por njeriu frojdian, fëmija paraadoleshente, përfytyron kënaqësinë e ndaluar. E, natyrisht fajet nuk futen në botën ku jetojnë besimet, të cilat as lindin as zduken prej fajeve.. Marceli, artist i së keqes, tundues i inçestit, s’mund të jetë plotësisht i poshtër- sepse e keqja nuk është e huaj për të, ashtu si vrasja tek vrasësi që barazohet dhe me një detyrë a qëllim të dhënë. Është “virtuti” brenda vesit të njohur. Sadisti si Marceli janë qënie të ndjeshme, sa dhe kënaqësia epshore, privilegj i së keqes. Të futesh në lëkurën e poshtërsive seksuale, ke kapur edhe kënaqësinë sadiste të botës (ç)njerzore. Prusti, brenda kësaj vorbulle, te “Koha e gjetur përsëri” na thotë se sadisti, sado i mirë qoftë, etja për inçestin, s’mund ta kënaqë..Tmerri është balanca e dashurisë, por vo !: etja për të keqen është balanca e së mirës. Është e keqja që të tundon drejt të ndaluarës, në atë masë që e mira përbën çelsin e saj. Gjysma e së zezës, nuk përfton dritën e së mirës. E kështu e keqja bëhet joshëse. Diçka ngrihet kundër atij që kupton. Krizat e ndjeshmërisë rrjedhin prej kontrasteve. Jeta epshore mbështetet në frikën që mashkulli i ngjall femrës dhe në kënaqësinë brutale të çiftëzimit… Shkurt, kjo është letërsia e së keqes. Romanet e mira përshkruajnë vujtjet dramatike të njeriut, jo kënaqësitë. Tek e fundit, lumturia bëhet e virtutshme sepse ndodh rrallë.

 

                  LETERSIA DHE E KEQJA

 

Letërsia cilësore është kundër moralizimeve. Por hapësirat e moralit, politikës,së mirës, virtutit, vesit, padrejtësisë- në të gjitha kohët- kanë qenë objekte arti. Te “Letërsia dhe e keqja”George Bataille, thekëlson se duhet të kesh një hipermoral që ta drejtosh tehun e luftës kah e keqja… Sepse morali i drejtë jepet nëpërmes njohjes së të keqes. Prusti 30 vjeçar u angazhua në krah të socialistëve dhe te “Jean Santeuit”, merr në mbrojtje drejtuesin e partisë, që therret për drejtësi, që shan “hajvanët e urryer”, deputetët e shumicës që përdorin epërsinë numerike për të mbytur drejtësinë..Jean Santeuit-i, alter egoja e autorit, argumenton : Jeta plus politika është luftë dhe, meqë,zemërliqtë janë të armatosur, edhe të ndershmit duhen të armatosen për hir të drejtësisë…Por(dhe shikoni si vjen në skenë shkrimtari), “ por, nëse të mëdhenjtë, do ta kishin mendjen te armët, kurrë drejtësia nuk do kish korrur suksese” Kthjellohet Prusti shkrimtar, braktis politikën dhe pranon se shqetësimet revolucionare vetëm sa e kishin turbulluar..I armatosur me virtute të larta, Prusti e pranon gënjeshtrën, “ që Zoti ia dha krijesës që në gjenezë”,pranon vesin,krimin, dallaveret, seksin, inçestin etj., të gjitha si njerzore. Ai i përmbahet devizës se njeriu i moralshëm është i pamundur nëse nuk ka guxuar ta shkelë moralin ndonjëherë. Dhe ngërthehet në kundërvenie e argumenta që nuk i rrëzon dot.  “Ne tallemi me ligjin që dënon vrasjen.. dhe si ligji, lufta është e përgjithshme..”Aktet e krimit janë mbushur me tmerr, ndërsa aktet e luftës që vrasin me mijra, qenkan akte burrërore ?!” Në idenë e burrërisë kemi figurën e burrit, po në idenë e krimit, që gjithashtu, realizohet nga burrat, çfarë kemi ?!..Deri pas mesnate Prusti i sëmurë e i drobitur debaton për këto probleme me mikun e tij, Berlin, e një çast, kur fizikisht luftonte me oreksin, azmën, gjumin, dhimbjen e padurueshme, si gjigant, ngrihet më këmbë dhe bërtet : “Përjashta !Dilni jashtë!”. Ai ishte tërbuar nga e vërteta.Te Prusti dituria e ndriçon diellin, e drejta është më e bukur se çdo njeri dhe vetëm dashuria e gjen veten  në urtësinë universale. Tek ai ishte puthitur nata e errët e zëmërimit me dritën e virtutit dhe ..sa herë që prekte të vërtetën, ( kur shkruante), ngihej gjigant si Anteu kur prekte tokën…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora