E diele, 28.04.2024, 05:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (XI)

E hene, 05.04.2010, 07:11 PM


DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

XI. DISA MENDIME E KONSTATIME  RRETH NEVOJËS 

                         SË RISHTIMIT TË STANDARDIT

                                                  

Në kreun e mësipërm, siç u tha, paraqitëm katër nënprofilet e diskutuesve rreth standardit të shqipes, pa përmendur emra konkretë. Këtu do të japim mendimet, më mirëme thënë,  disa meditime ose citime të individëve të caktuar rreth kësaj teme, duke e vënë theksin kryesisht tek ata që shprehin nevojën apo jo për rishikimin e standardit të sotëm. Në bazë të këtyre citimeve lexuesi i kujdeshëm nuk e ka vështirë t’i përcaktojë ose t’i radhisë diskutuesit (medituesit) përkatës sipas grupeve që u cekën në kryen e mëparshëm. Sidoqoftë, le të lexohen me kujdes këto mendime e konstatime dhe në fund të nxjerrim bashkë konkluzionin duhet apo jo të rishikohet standardi i sotëm dhe nëse po çfarë duhet ndërmarrë urgjentisht nga gegërishtja për të rishtuar standardin e sotëm.

Po në këtë vazhdë siç u shprehëm më sipër, në këtë krye, do të japim disa fragment-citime të gjuhëtarëve e intelektualëve tanë, të cilat deri më tash nuk i kishim të njohura, të cilat po i japim më poshtë të shoqëruara me ndonjë koment a sqarim rasti prej nesh:

 

1) Së pari po përmendim mendimin e prof. Martin Camajt, i cili  shprehet kështu:

Uroj që edhe në Shqipni të ketë ardhë koha, në të cilën nuk kanë me qenë politikanët ata që të vendosin për çështje gjuhësore e letrare... po të merret çdo vendim në përputhje me vullnesën e shumicës së popullit. Idealja kishte me qenë një pëlqim i gjithanshëm... (Shih gazeta Pavarësia, 11. 09. 2004) f.  16.)

Ne duke pasur parasysh shprehjen në përputhje me vullnesën e shumicës kuptojmë se  M. Camaj ishte për rehabilitimin e gegnishtes letrare. Në të vërtetë M. Camaj, pasi jetonte jashtë, vazhdoi të shkruante i lirë gegnisht, por zgjon interes fakti se në gramatikën e tij harmonizoi shembuj në tri variantet letrare: gegnisht, toskërisht (letrarishten e sotm) dhe arbërisht

 

2) Studiuesi Bahtijar Kryeziu, në mënyrë mjaft solide e ka parashtruar problemin duke i shënuar pikat kryesore ku mbështeten dy grupet ekstreme të kritikuesve lidhur me standardin, grupe e nënprofile këto (i pari dhe i katërti, siç i merenduam ne) që u cekën në kreun e mëparshëm, duke theksuar se:

“Standardi i shqipes për një palë konsiderohet e arritura më e madhe në arsimin dhe kulturën shqiptare, kurse për palën tjetër si një punë e shëmtuar dhe e dështuar,

ndërsa  vetë  autori ka dëshirë mos me mbetë në kornizat e asnjërës palë, sepse është për diskutimin e disa çështjeve, si:

...Standardi i shqipes as nuk mund të përjashtojë e mohojë  dialektet dhe prurjet e reja, por as të krijohen nga ai statuse të reja dialektore. Ai duhet të jetë një mjet bashkimi për kombin dhe kulturën tonë dhe së këtejmi norma kërkon plotësim krahas ecjes dhe zhvillimit të vetë kombit shqiptar”.

Autori edhe pse nuk e cek paskajoren dhe nevojen e integrimit të saj në standard në parim e ka shtruar çështjen shumë mirë.

 

3) Studiuesi Roland Basha, si duket pajtohet me mendimin e  diskutuesve të grupit të katër ngase shprehet kështu:

Përkushtimi i verbët ndaj standardit të ‘72–shit paradoksalisht e pengon ngjizjen ma të natyrshme të të dy dialekteve në një gjuhë të shqiptarëve jugorë e veriorë...  Standardi i sotëm shkencërisht dhe moralisht del i dyshimtë... lulet  e atij (standardi) mbesin si lule të plastikës, pa marrë parasysh se sa i vaditë  (ato mbesin të tilla).... Sot pranohet qi gegnishtes iu ba e padrejtë, mirëpo si mendim i pranuem (për dikë) mbetet:  ashtu  u ba çka u ba, tash duhet të pajtohemi me të e ta kemi nji gjuhë të njisueme(!)... Kjo asht sikur dikush me t’i dhanë nji palë kupucë dy numra ma të vogla e nese ti ankohesh se po të vrajnë mos me të mbetë hatri (pse t’i kanë marrë ato që të rashim tamam!) ...  Zgjidhja ma e mirë asht mos me i veshë  fare ato këpucë (që të vrasin dhe me i mbathë ato që të përshtaten). 

Sipas tij: Së këtejmi, zgjidhja e shëndoshë (për gjuhën) kish me qenë me i ristandardizue të dy variantet e gjuhës letrare, d.m.th. ky ka mendimin se varianti i gegnishtes, mund  dhe duhet të rikthehet në përdorim.

 

4)  Prof. Shezai Rrokaj, konstaton drejt kur përcakton se shqipja e sotme përballë ka këto dy probleme themelore:

a) çlirimin gradual prej gjuhës së drurit, e cila shprehte perceptimin e shqiptarëve brenda kornizës së dogmës ideologjike dhe

b) kapërcimin e pengesave për prurje të reja, sepse me ndryshimin gjeopolitik pas viteve të ’90-a u krijuan mundësi të reja qarkullimi të njerëzve dhe të fjalëve që dalin nga enklavat, duke kapërcyer pengesat e dikurshme që vinin nga kufijtë politikë...

 pastaj vlerëson drejt perspektivën e standardit të sotëm, me fjalët:

...gjuha standarde ka prirje të zgjerohet dhe të larmohet me prurje të rëndësishme dhe cilësore nga dialekti gegë...,

duke theksuar se:

uniteti i një kombi arrihet kur çdo kombas ndërgjegjësohet për tërësinë e vlerave që i përkasin. Nëse këto vlera mbeten të coptuara, nëse ato nuk njihen dhe nuk bëhen pjesë e përbashkët  e gjithsecilit, ky unitet mbetet abstrakt, nuk jetësohet, pasi një nga vlerat më të mëdha të tij është gjuha, një amanet i të parëve, pjesë e vetëdijes sonë e identitetit kombëtar, e shqiptarisë.

Konstatimet e fundit ngjajnë me propagandën e bardhë dhe vërtet një mirëkuptim i tillë u nevojitet në radhë të parë standardologëve tanë aktualë.

 

5) Studiuesi Nezir Myrta, paksa me nervozizëm kërkon që patjetër dikush t’u flasë dy akademive, të Tiranës e asaj të Prishtinës që.

ta bëjnë rishqyrtimin e standardit të shkrimit shqip, sepse nuk jetohet më me këtë gjuhë që të zë frymën,

duke u arsyetuar se kërkesa e tij:

“nuk është luftë kundër gjuhës sonë, pse kërkohet urgjentisht rishqyrtimi i standardit, ngase lufta e vërtetë (kundër gjuhës shqipe) është mosshqyrtimi i standardit, kjo duhet të thuhet”, 

S’kemi  arsye si të mos pajtohemi me autrorin, sidomos me konstatimin e tij ti fundit.

 

6) Ngjashëm me këtë diku tjetër në faqe interneti lexuam:

Për gjuhën në një mënyrë ose në një tjetër, si shkrimtarët, dramarurgët, poetët, mësuesit, stilistët dhe gramatologët, çështja nuk shtrohet a me prekë a me prishë a me përçudnue, por vetëm se si me përmirësue.

Pra, mendimet e tilla për përmirësimin e standardit nuk reshtin, ato gjithnjë e më shpesh  i ndeshim sot edhe në mjetet tona të informacionit.

 

7) Po përmendim faktin se prof. Jorgo Bulo është shprehur mjaft arsyeshëm në gazetën Zëri të Prishtinës (më 16 gusht 2004, f. 17.), ku veç tjerash theksonte:

Norma drejtshkrimore nuk është e ngurtë. Gjuhët janë fenomen i gjallë në zhvillim. Norma ka nevojë për përmirësime e përcaktime dhe Instituti ynë (i Tiranës), po punon për një botim të dytë të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ku disa çështje që nuk kanë qenë parashikuar do të zgjidhen, disa çështje që janë zgjidhur në mënyrë jo të drejtë do të riformulohen... Gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë një sistem i mbyllur. Ajo, vërtet ka fuqinë e çuditshme që të marrë fjalë nga gjuhët e tjera e t’i përpunojë sipas frymës së saj dhe t’i përshtatë plotësisht.

Edhe ky nuk përmend ndonjë çështje konkrete nga gegërishtja, por nënëkuptohet se është fjala për ato çështje që nuk janë zgjidhur drejt dhe që duhet të gjejnë zgjidhje në tekstin e korrigjuar, të cilin, për çudi, deri më tani ende nuk ndeshim të publikuar!

 

8) Temën pse ka nevojë të përmirsohet norma drejtshkrimore dhe në përgjithësi standardi i shqipes e shpjegon mjaft mirë studiuesja Helena Grillo me fjalët:

Ndryshimet politike, ekonomike dhe demografike, ndryshimet në sistemin e të menduarit, ndryshimet e daljes nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri globale të informimit sjellin nevojën e zhvillimeve të shpejta edhe në gjuhë... Këto ndryshime do të pasoheshin edhe me ndryshime gjuhësore...Individi synon të ndërtojë identitetin e vert social kultuiror edhe me ndihmën e gjuhës. (Seminari 27/1 f. 564)...

Pra parimisht autorja shprehet drejt, por edhe kjo nuk cek çështje konkrete që duhen zgjidhur.

           

                     9) Ejup Ceraja,  bën përpjekje të paqortueshme për dallimin e gjuhës standarde nga gjuha letrare të gërshetuar me kodin dialektor:

Gjuha standarde shqipe është normë e përbashkët për të dy kryedialektet “ë shkrirë” e bërë njësh, kurse gjuha letrare shqipe është normë standarde + kodi dialektor, i dy kryedialekteve edhe kodi gjuhësor sipas profesioneve nga vijnë personazhet letrare, për të thelluar tipizimin e tyre... Së këndejmi pa reshtur del si nevojë e përhershme që ta begatojmë gjuhën tonë standarde me fjalë, me shprehje e fraza të dialektit gegë që mund të përfshihen brenda standardit të gjuhës sonë..., por, them, të mos tentohet në dy a më shumë standarde të gjuhës shqipe.

 

Autori, pra, pranon në parim përmirësimet ose prurjet e reja që i duhen standardit nga gegërishtja, por energjikisht kundërshton përmbysjen e standardit të sotëm.

 

10) Gjuhëtari ynë i njohur, prof. Rexhep Ismalji disa herë e ka theksuar me zë të lartë se liberalizimi i koncepteve ndaj standardit dhe legalizimi i disa prurjeve të reja nga gegërishtja janë të domosdoshme për konsolidimin e mëtejshëm të standardit të shqipes, ku ndër të tjera nuk qorton mundësinë për inkorporimin e paskajores së mirëfilltë në standardin e shqipes, sepse:

Për të qenë të gatshëm që të ballafaqohemi me sukses me sfidat e mëdha të kohës, duhet të shohim qartë të gjitha problemet që na mundojnë, të sqarojmë mitet dhe mistifikimet e së kaluarës, në mënyrë që të jemi të lirë të merremi më shlirshëm me të tashmën e gjuhës, e cila shtron të tjera detyra dhe të tjera kërkesa, ... çka nënkupton shfrytëzimin  maksimal  të thesarëve të saj dhe mbi të gjitha zgjerimin e aftësive tona të konkurrimit në sa më shumë hapësira e varietete të shqipes, duke i dhënë krih parimit elastik në funksionimin e gjuhës standarde. Natyrisht një qëndrim i tillë i hapur sjell me vete edhe një konceptim më liberal ndaj elementeve të ndryshme të gjuhëve të tjera... (Shih: Drejtshkrimet e shqipes  (Prishtinë, 2005, f. 202)

Këto fjalë e fraza na duken se i takojnë gjuhës së diplomacisë, për me zënë lepurin me qerre, siç thuhet.

 

11) Edhe prof. Rexhep Qosja flet për të njëjtën temë, ndonëse pa u shprehur qartë për ndonjë element a kategori të caktuar konkrete, por që për ne janë të nënkuptueshme, ngase ai shprehet kështu:

Me planifikimin gjuhësor duhet të ndihmohet shqipja standarde që t’i përballojë sfidat dhe dukuritë e ndryshme shfytyruese. Dhe ky planifikim, duhet të mbështetet në parimin që gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë e hapur, e hapur në radhë të parë ndaj gjuhës popullore, dialekteve dhe të të folmeve të saj... Në saje të konceptit të gjuhës standarde të hapur bëhet e mundshme që ndikimi i kundërnormës të vihet në shërbim të normës, që ndikimi afatshkurtër shpërbërës të bëhet ndikim aftagjatë qëndrueshmërie. (Shih: Gjuha shqipe 1-2/2003, Perishtinë 2004, f. 58.)

Një mendim pothuajse të ngjashëm e pati shprehur edhe prof. Androkli Kostallari.

 

12) Lidhur me këto çështje edhe më haptas e mjaft qartë shprehet studiuesi Rrahman Paqarrizi me fjalët:

 

Nëse duhet t’i ndërtohet një digë globalizmit,... janë një varg masash  që duhen ndërmarrë në rastin e shqipes, parasegjithash në morfologji e sintaksë.... Sociolektet duhet të shihen si një infrastrukturë shtesë që e ndihmon zhvillimin e natyrshëm të gjuhës... Duhet të ruhet standardi aktual, por jo në formën e sotme, meqë ky paraqet shumë ngarkesa dhe barriera psikologjike... Liberalizimi i sociolekteve duhet të konsiderohet  si një ventil çlirimi për enegjitë e akumuluara, për të mos i lënë ato të  dezorientohen. (Shih: Pro cult, shtator  Prishtinë, 2007 f. 12-13.)

Autori pse duhet të ruhet standardi por jo në formën e sotme, këtu nuk dha përgjigje të qartë, por na jep për të kuptuar se ato punë nuk janë aq të thjeshta, i takojnë morfologjisë e sintaksës, kontekstit gramatikor në kuadër të realitetit ligjërimor..

 

13) Po e shtojmë edhe mendimin Prof. Ramiz Këlmendit, i cili paksa me keqardhje përzie me nervozizëm gjuhën e mediave të sotme e quan: “patologji”, të cilën nuk e arsyeton, por e shpjegon si një:

“pjellë kopile e “normës” që është barrikaduar dhe tabuizuar tash 37 vjet, duke mos ndryshuar as edhe një presje(!)... Kam thënë dhe vijoj të them  se jemi  vonuar  jo më pak se 37 vjet  (edhe me shkronja tridhjetë e shtatë vjet, për të mbajtur Kongresin II të Drejtshkrimit, që na duhet si buka, në të cilin do të korrigjoheshin mangësitë e derisotme të dëshmuara. Po para se gjithash “autonomia” e gegërishtes (përkrah toskërishtes). (Shih: Zëri, 16 maj 2009 f. 25.) 

Intelektualët e kalibrit të autorit bëjnë mirë që po shplohen ose së paku po shlirohen shpirtërisht, duke mos e mbajtur mllefin brenda vetes. Për ne autonomia e gegërishte përkrah toskërishtes, del e paqartë kur mendohet për një gjuhë shqip të përbashkët zyrtare. Kur shprehet kështu, vallë,  e zhvlerëson apo jo Kongresin e para 37 vjetve?! 

 

14) Edhe shkrimtari Ismail Kadare rreth kësaj teme, duke e kuptuar problemin si çështje serioze, shprehet kështu:

 

Ky standard është plot mungesa. Standardi natyrisht nuk është tabu. Të dy traditat (gege e toske n.v.) ishin barazisht të ligjshme. Kongresi i dytë natyrisht që mund dhe duhet të bëhet... Një rishikim i atyre rregullave që mund të jenë sadopak penguese për thesarin e traditës veriore patjetër duhet të kryhet. (Fragment nga intervista dhënë Hyllit të dritës 2008)

 

15)  Sabit Idrizi, pasi i bashkohet mendimit se

          Standardi nuk është tabu dhe është mirë që është keshtu

-vazhdon të sqarojë:

S’ka shqiptar që ka dy fije mend në kokë që nuk do të pajtohej që në një kongres të ardhshëm eventual, ku do të bëhej normëzimi apo rinormëzimi i gjuhës standarde shqipe, të merreshin parasysh njësoj dy dialektet e shqipes......

Por, sipas tij, nuk bëjnë mirë disa gegërishtshkrues që po nxitohen në të shkruar gjoja gegërisht dhe atë po e bëjnë pa kriter, sepse, duke mos e respektuar  “diftongun: ue dhe ye”, përkatësisht duke e asimiluar në U ose –Y  (dyzanorshet në fjalë) si p.sh. me pushu, kry në vend me pushue, krye etj., gjuha e tyre po del magjupçe.

Pra ky shtron nevojën që edhe gegërishtja duhet të standardizohet sa më parë.

 

16) Nga Arbitalia (nga interneti) shkëputëm këtë fragment teksti, i cili zgjon interes, madje edhe mund të cilësohet si kontribut:

Nëse përshtatja e shqipes me kohën është vërtet urgjente... kjo mund të ishte një pikënisje e mirë drejt diagnostifikimit të problematikave gjuhësore, për të përfunduar me terapitë që konsiderohen të dobishme nga ekspertët. Por për t’i bërë të gjitha këto hapa lipset që specialistët të konsultohen mes tyre, rreth institucioneve demokratikisht të hapura, pa përjashtuar askënd, pa paragjykime dhe pa pengime. Dialogu e ndjen gjithnjë nevojën e gjuhës, po edhe gjuha ka nevojë për një kulturë dialogu. Por në qoftë se shumë vetë e bëjnë veshin të shurdhët, në fund fare do të vendosë “tregu”. Veçse në një kontekst prej xhungle, vështirë që vendimet të jenë të drejta e të pranueshme.

Për mendimin tonë vërejtja e mësipërme është tejet me vend, nëse standardologët e sotëm nuk veprojnë në kohën e duhur, pasojat do të jenë vërtet të paparashikueshme dhe përgjegjësia do të bjerë mbi ta dhe politikëdrejtuesit  tanë gjuhësorë, sidomos të atyre në Shqipëri.

 

17) Astrit Cani, edhe pse nuk e përmend paskajoren, kjo nënkuptohet nga përmbajtja e tekstit të tij. Ja si shprehet ai:

 

Tash asht koha me ia dhanë gjuhës shqipe dimensionin europian që e ka merituar kahmot, tue qenë ndër idiomnat ma të lashta në kontinent... Historia e popullitt shqiptar asht historia e gjuhës shqipe, asht historia e nji gjuhe europiane. E si mundemi me pasë një përfaqësim europian me nji gjuhe si ajo e sodit, që s’i plotëson as nevojat e shoqnisë qi e përfaqëson. Thjesht nevojat po thom se jo ma me folë për aspirata...

Dhe vazhdon  edhe më me zë, nuk thekson, po proteston:

A durohet ma që Gegnishtja të trajtohet si diçka ekzotike dhe gegët si Shqiptarë të vjetruem!? ... Të na përgjigjen të indoktrinuemit çfarë faji pati gegnishtja, varianti letrar gegë, që u përjashtue nga kultura shqipe me 1972... Ora e tanëve asht ndalë në vitin 1972!? ... S’kemi çka presim nga të indoktrinuemit, se ata nuk i përkasin kohës sonë. S’kanë si e mbyllin atë kapitull se do të ishte vetvrasje e shkencës së tyne.

I cilësuam këto fjalë si zëra protestuesi, që kërkojnë nga të indoktrinuemit (nga disa standardologë të sotëm) që ta lëshojnë pushtetin inkriminues ndaj gegnishtes, dhe kështu gegnishtja me vlerat e veta të frymojë lirshëm e natyrshëm..

 

18)  Pavli Çesku, nga studimi që i bën veprës së Frang Bardhit si nëntitull bën pyetjen Gegnishtja apo tosknishtja? Dhe veç tjerash ja çfarë mediton:

“Mendoj përgjigjen për këtë pyetje dhe mendja më shkon te përpjekjet që bëhen sot për me i dhanë gegnishtes një status që e humbi në Kongresin e Drejtshkrimit... them me vete.. historia e kohëve të fundit e ka ba të veten dhe rrjedha e njisimit të shqipes (edhe pse nis me qëllime politike mjaft fyese për traditën veriore) nuk ka si kthehet mbrapsht. Fatin e gjuhës ia ndanë pushtetarët me nji dekret... Në  anën tjetër liberalizmi i jetës, hapsinat dhe mundësitë e mjeteve moderne, me lehtësi të larmishme komunikimi ... pa i lanë vend lavrimit të dialekteve dhe këto lirshëm pa dhunë e pa dekrete, ushqejnë trungun e gjuhës së njisueme”.

Pra, si mjaft të tjerë edhe ky e konsideron të kryer gjuhën e njësuar standarde, por njëherazi e sheh mundësinë e ushqimit të trungut të saj me mjete nga dialekti gegnisht, të cilin edhe e përdor.

.

19)  Lidhur me çështjen e standardit zgjon interes apeli (në internet) që vjen nga një kosovar(e) me  pseudonimin Dardha:

Thirrje të zashme që për hatër të bashkimit kombëtar vitin 2008 ta marrim si vit i shancës së madhe që ta krijojmë një standard ma të përshtatshëm gjuhësor që të gjithë të bashkohemi rreth atij standardi të ri dhe t’i tregojmë botës që me pavarësimin e Kosovës  mundet me fillue edhe bashkimi gjuhësor e shpirtëror i shqiptarëver kudo që janë...

Thirrje kjo që plotësohet nga një tjetër po kosovar(e) Genta, e cila thotë se

Ne na mbetet të presim që njerëzit e aftë të ulen e ta bajnë standardin, që s’duhet të jetë as kosovarçe, as si ai M.  Këlmendit ..., e kuptohet as si ky që është tani në fuqi !?

Siç dihet kërkesat e tilla të sinqerta nga kosovarët e thjeshtë janë gjithnjë e më të shpeshta.

 

20. Studiuesja Elsa Demo, pasi merr shkas nga një vepër e G..Getës  të përkthyer me shumë sukses në gegërishte konstaton se:

“regjistri i acartë i standardit nuk mundet me nxjerrë vepra të mëdha poetike si gegërishtja,

duke theksuar: 

:

“Thellë-thellë besoj që nga ky ligjërim (d.m.th. nga gegërishtja letrare) ka me lindë një të ardhme, ndoshta jo krejt afër, një standard i ri, i ndryshëm nga ai i ’72-shit si përfundim i vetvetishëm i proceseve alkimiste që kryhen në Furrnaltën Gjuhësore të Kryeqytetit,... ku e flasin një pjesë e konsiderueshme e të rijve kryeqytetas. Në çastet kur ky lloj ligjërimii shkruhet, ka mjaft trajta të gegnishtes sikurse edhe të të folmeve të tjera.

 

Autorja, edhe pse ende është nën presionin e së kaluarës, duke u bazuar në të folmen e një numri të konsiderueshëm të brezit të ri tiranas beson thellë që herët a vonë ka me lindë një standard i ri, ashtu siç mendojnë edhe mjaft dashamirës të tjerë të gjuhës shqipe dhe këtë rijostandard ose standardin e sotëm të rishtuar mund të përshpejtojnë standardologët e sotëm, nëse ia kthejnë standardit në përdorim normal të natyrshëm paskajoren gege.

           

            21) Studiuesi Atdhe Aliu, në një vështrim të tij veç tjerash shpreh shqetësimin se :

...E ardhmja e  gjuhës së përbashkët  ... me shtegun që ka marrë duke i rahatuar (vetëm) trajtat e panormuara të toskërishtes, çdo ditë e më shumë do të kthehet në një gjuhë që frymon gjithmonë në hap me zhvillimin e brendshëm të toskërishtes (por jo të gjuhës shqipe!).   

dhe atë shqetësim e vazhdon më tej me argumente të tjera:

Fakti se shqipja standarde më lehtë e më shpejtë po përqafon fjalë e shprehje të huaja sesa i merr nga thesari i gegërishtes, janë kërrcënimet më të mëdha që po e rrezikojnë cungimin e shqipes sot dhe në të ardhmen... Zgjidhja  nuk mendoj se është vazhdimi i këtij kodi shkrimor, meqë caku i këtij shtegu tashmë është i qartë. Janë për t’u duartrokitur përpjekjet për të gjetur një kod më gjithpërfshirës të shqipes së përbashkët, por këto nuk do të guxonin të bien pre e tendencave krahinore partikulariste...

Dhe kërkesën e tij që standardi domosdo duhet pëtplotësuar me elemente të gegnishtes e kushtëzon me vërejtjen patjetër të merret parasysh se përndryshe, siç shprehet ai tekstualisht, tani në gegnishte:

Ma nuk kam me e ndjekë nji kod shkrimor, shtegu i të cilit për mue dhe ata qi folin si unë i përjashton prej pronësisë mbi shqipen, E ardhmja e shqipes së përbashkët asht ngjeti. Ta lypim bashkë!

 

Vërtet, fjalët e tij, sidomos këto të fundit që standardin e ri ta lypim bashkë, s’kanë si të mos jenë të pranueshme nga të dyja palët, jugorë e veriorë, që e quajnë veten shqiptar dhe e kuptojnë me dhembje se  standardi i  shqipes  endce ka çështj të  pazgjidhura.

           

            22)  Nga një punim të studiueses frënge Odile Daniel  që ka për temë standardin e shqipes, të përkthyer gegnisht nga Niketa Stefa, veçuam këto konstatime:

           

“gjuha letrare e njësuar” që është sot... mundet me u konsiderue si nji gjuhë gjanësisht artificiale, sepse përfaqëson në tanësinë e saj vetëm nji pjesë të kombit. Sidoqoftë, ajo i asht impunue tanë vendit...Tosknishtja flitet nga 1 milion e gjysë, ndërsa gegnishtja prej 4 milion banorësh... Gegnishtja letrare... duhet të jetë e lirë me u shprehë rishtazi e me këndellë traditën e saj të pasun  poetike... Çështja mbetet ende e lidhun me qëndrime politike të njënës e tjetrës palë... Mbas 50 vjetësh përdorimi të gjuhës së unjisueme në media, në shtyp, në botime në shkolla – janë fitue  shprehi e zakone të tjera... por e randsishme asht me i ridhanë vendin e vet gegnishtes, me pasë nji urë ndërmjet gegëve e toskëve që të mos ketë diskriminim”.

 

Edhe pse ne shkëputëm aty-këtu vetëm disa konstatime vihet re se kjo studiuese rreth standardit të shqipes e njeh situatën mirë dhe propozimet e saj, sidomos ky: me pasë nji urë ndërmjet gegëve e toskëve që të mos ketë diskrimin,  nuk na duket i pambështetur.

           

            23) Shkodrani Paul Tedeschini, në trajtesën “A ekziston gjuha standarde shqipe?, nuk e përmend fare paskajoren, madje as që e përdor, edhe pse është për rehabilitimin e plotë të dialektit  të gegnishtes. Ky veç tjerash thekson:

Gegnishten  nuk do të ketë ma forcë ta ndalojë, sepse ajo mbetet gjallë nga populli... Ekzistenca e dy dialekteve asht nji pasuni e madhe, asht nji thesar që duhet ruejtë dhe duhet zhvillue, pa i mohue vlerat e mëdha të secilit dialekt Këto janë dy kambët ku mbështetet gjuha jonë... Atëherë pse ne e vrasim as shumë mendjen për të qëndrue vetëm në njenën kambë  ase t’ia fusim vedit të dyja kambët në një këpucë? Pse dona na vetë ta varfnojmë gjuhën tonë!?...

Dhe si përfundim ka dy kërkesa  ose, siç thotë ai, duhet të hidhen  këta dy hapa:

a) Hapi i parë: çfuqizimi i Drejtshkrimit të 1972-shit dhe

b) Hapi i dytë: të gjithë shqiptarët pa dallim krahine të flasin e të shkruejmë si gegnisht si tosknisht ...

Ky unifikim horizontal i shqipes do të kontribuonte edhe unifikimin mbarëkombëtar...

Autori edhe pse e ka shfrytëzuar të drejtën me u shprehë lirisht, por me sa duket nuk ka dhënë zgjidhje rreth gjuhës standarde të përbashkët zyrtare, ku dy kambët nuk futen në një këpucë, në kuptim të vrazhdë, po aty duhet të jenë të pranishme vlerat e të dy dialekteve, gjuhë kjo e domosdodhme zyrtare (standarde) si përfaqësuese e shtetit dhe e kombit shqiptar.

 

            24) Prof. Tomor Osmani, duke folë për gjuhën letrare të Sami Repishtit gjen pretekst të shprehë edhe këtë mendim:

Ne sot jemi në një stad më të ngritur dhe më të zhvilluar të gjuhës letrare shqipe, në stadin e modernizimit të saj, kur ajo po kërkon që të plotësojë gjithnjë e më shumë nevojat e shkencës, të kulturës, arsimit etj., duke pasqyruar gjithë bagazhin e shoqërisë së sotme shqiptare në fusha të ndryshme të jetës...Prandaj është e domosdishme të mos mbesim në disa korniza të vjetruara...”

Për mendimin tonë autori edhe pse nuk e sqaron drejtpëdrejt, “korniza të vjetruara” i quan rregullat e gjuhës njëdialektore që e çuan standardin në një gjuhë të drunjëzuar.

 

            25) Studiuesi Shpëtim Këlmendi shprehet qartë në favor të gegërishtes dhe si me thënë i vjen mirë që:

Gegërishtja i ka mbijetuar Kongresit Policor të Drejsthskrimit të vitit 1972... Në të vërtetë, me sendërtimin e atij akti ndodhi përçarja më e madhe në historinë e gjuhës shqipe,... megjithatë gegërishtja vijon të mbetet e gjallë... po vijon të shkruhet... Ajo i ka mbijetuar dëbimit, varrosjes për së gjalli, poshtërimit, përgojimeve të amatorëve dhe të cmirëzinjve të sotëm... për të hyrë në mijëvjeçarin e ri më e bukur, më madhështore, më e gjallë se kurrë. Gegnishtes s’ka kush që i ndalë turrin... Kosova tash është e pavarur dhe tashmë ka filluar të shprehë në liri vullnetin e saj gjuhësor...

dhe përfundon:

            Ne e duam një gjuhë të  njësuar, por jo si kjo, si kjo!

 

26) Zgjon interes edhe mendimi i Dafina Heqimit, e cila veç konstatimeve të përgjithshme shprehet edhe për ndonjë çështje të veçantë:

Gjuha dhe standardi i shqipes kanë nevojë të demokratizohen e të zgjanohen nga ana leksikore e sintaksore e jo të vazhdojnë të shpërfillin realitetin dhe mbi të gjitha identitetin kombëtar... Uniteti mbarshqiptar edhe po ndoshta s’do të arrihet me lëvizje kufijsh, duhet të krijohet në nivel intelektual e shpirtnor... Lëvrimi  i gegnishtes asht në vazhdën e asaj që kosovarët arrijnë ta bajnë ma së miri, ruejtjen e shqiptarizmit dhe ndërmarrjen avangarde. Ai asht hapi i parë për krijimin e nji arktipi të përbashkët, mbasi liron shqiptarët e Kosovës nga kompleksi i inferioritetit dhe çliron shqiptarët e Shqipnisë prej dogmatizmit... Adaptimi i standardit gjuhësor aktual qi përjashton gegnishten asht me e nda shpirtin nga materja.

Vërtet, mendime interesante, ndonëse ne më tepër parapëlqejmë si masë urgjente rishtimin e standardit të sotëm me elemente të domosdoshme të gegërishtes dhe kuptohet ofrimi i vlerave qoftë i gegërishtes ose i toskërishtes le të vazhdojë si e drejtë e patjetërsueshme e të shprehurit të lirë në epokën e demokratizimit e të liberalizimit të gjuhës dhe të shoqërisë.

 

            27) Intelektuali i dëshmuar shqiptar Mërgim Korça, veç tjerash shprehet edhe për gjuhën e sotme standarde ose, siç  e quan ai:

“gjuhën e njësuar” të cilën konsideron si një mjet përçues të një idelogjie tashmë të dështuar, sepse jashtë  saj është lënë jo vetëm një ë folme krahinore shqipe, por e kanë lënë jashtë një gjuhë të dytë shqipe... andaj shpresojmë, siç shprehet ai, se ai dhunim do të rishqyrtohet dhe gjuha shqipe aq e bukur dhe aq e pasur do të rimarrë pamjen e vet të vërtetë”, dhe për këtë sugjeron të pajisurite standardit me elemente të gegërishtes.

Pra edhe ky autor standardin e sotëm e quan vepër të një ideologjie të dështuar dhe kërkon kompletimin e saj me gegërishten.

           

            28) Redaktori i kulturës në të përditshmen Zëri të Prishtinës, Ibrahim Kadriu, pasi shprehet mjaft rëndë kundër disa gegërishtshkruesve, që nuk e respektojnë normën e sotme, e cila sipas tij ka mbështje shkencore të padiskutueshme ...  po ngulin këmbë për përdorim të gegërishtes,  pa arsye fare, ngase tek ta, sipas tij, ngre kokë injoranca mbase edhe prepotenca, e cila ... nuk e ka bazën te njohja, po te mosnjohja e saj ...  andaj ky lidhur me këtë, si me zemër të plastë, shprehet kështu:

Shumë mirë. Gegërishtja (gegnishtja) asnjëherë nuk është vënë para pushkatimit, po gegërishtja do të lëndohet po qe se nuk përdoret drejt, pa gabime. Gegnishtja nuk është kjo gjuha e mëhallës, të cilën me një fanatizëm të çuditshëm përpiqen ta përdorin individë (po i quaj) të frustruar, edhe ajo ka kodet letrare, madje është e shkruar nga kompetentë, para të cilëve duhet gjunjëzuar. Gegërishtja letrare e ka sharmin e vet që nuk mund të anashkalohet, por është ofenduese kur në emër të atij sharmi keqpëdoret ajo në dëm të normës letrare... Ky mjerim vazhdon të thellohet... Lajthitje ndeshen edhe në shkrime të ndryshme, në formë dokumentash, në paraqitje publike etj.

Autori bën mirë që, nuk e mohon, por e cek sharmin e gegërishtes, por, nuk dimë a është e drejtë apo jo që nga ai dhe shokët e tij që e njihkan atë sharm mos t’u bëhet me dije njerëzve gegërishtfolës, edhe atyre të pafrustruarve, pra edhe të frustruarve(!), emërtim i tij, që pa e shijuar fare atë sharm të gegërishtes, ta nxënë e përdorin standardin, mbi bazë të toskërishtes, e cila paska mbështetje të padiskurtuesve shkencore si shqipe standarde, mbarëkombëtare, të cilin (srtandard) nuk po e respektuakan tani edhe disa intelektualë, madje edhe disa  profesorë që ia mësyjnë shkrimit me autoritetin e shkencëtarit(!). Vërtet, po del problem i hapur, shumë i madh(!), i cili, nuk  besojmë se mund ta zgjidhet me nervozë apo me ndonjë ligj(?!) i cili do t’i kujlturonte e displinonte të tillët. Me këtë problem, me sa dimë janë ose duhet të ballfaqohen ekipet ndërakademike, por edhe të tjerë, duke përfshuirë edhe redaktorët e kulturës gjuhësore..

 

 

            29) Prof. Kolec Topalli, si duket problemin e sheh në mënyrë më reale se shumë të tjerë. Ky, për këto çështje të standardit, veç tjerash, deklaron si vijon:

 

Standardi është në radhë të parë një gjuhë e gjallë në zhvillim, e cila sigurisht bën ndryshimet e saj. Ajo duhet të studiohet me qëllim përmirësimin e dijes si standard gjuhësor. Ky përmirësim ka si qëllim jo përmbysjen e tij, jo krijimin e ndonjë standardi tjetër, por rregullimin e tij me qëllim që ai të ketë mundësi të përfshijë gjithë pasurinë e madhe të gjuhës shqipe, dhe njëkohëisht të mund t’i bëjë ballë edhe globalizmit që sot është më afër se asnjëherë edhe njëkohësisht edhe më i rëzikshëm për varfërimin e shqipes dhe mbushjen e saj me fjalë të huaja.  Qëndrimi ndaj standardit gjuhësor për përmirësimin e tij dhe rishikimin e disa normave që do ta bëjnë atë më të aftë, është njëkohësisht qëndrim i drejtë kombëtar dhe detyrë qytetare e çdo shqiptari që gjuhën shqipe e ka gjuhë amtare.... E verteta është që pasuria leksikore e gjuhës shqipe nuk është derdhur e gjitha në standardin e sotëm, dhe kjo sidomos vlen për pasurine e madhe të gegërishtes...

 

Autori në fund e shpreh edhe mendimin e tij lidhur riaktivizimin e Komisionit ndërakademik, i cili  sipas tij:

Është e domosdoshme që ky Komision të ristrukturohet dhe të fillojë punën, me qëllim që t’i shtroje problemet, t’i studiojë ato dhe të marrë vendime përkatëse.

 

Siç po shihet  edhe autori e përmend gegërishten, ndaj së cilës standardi i sotëm ka çka të marrë, por për këtë, sipas tij duhet të vendosin komisionet  përkatëse. Shpresojmë se puna e komisioneve në fjalë nuk do të zvarritet si deri më tash. Për ne ka rëndësi të dorës së parë jo vetëm të shtruarit, por edhe të studiuarit e problemeve para se të merren vendime përkatëse, siç e thekson autori.

 

30) Edhe prof. Eshref Ymeri është për demokratizimin e politikës gjuhësore sa i përket standardit, por jo për përmbysjen e tij. Ja si shprehet ai:

 

Jam  plotësisht i një mendje ... ta mendosh  gjuhën shqipe pa njërin prej këtyre dy dialekteve, është njëlloj sikur ta përfytyrosh organizmin e njeriut  pa njërën nga dy gjymtyrët jetike  - këmbën ose dorën. (Shih ZSH, 5.01.2010.)

Krahasimin e tillë nuk e quajmë pa vend, por autori nuk thellohet më shumë dhe na mbetet të sugjerojmë se çfarë duhet bërë që ky organizëm ndërgjuhësor vërtet t’i ketë në funksion të forta të dyja gjymtyrët jetike,  këmbë e duar, por edhe pjesët e tjera që në kontekste të caktuara mund të jenë edhe më jetike.

 

             31) Intelekrtuali i shquar Primo Shllaku, pas konstatimit krahasues se:

            Gjuha shqipe pa gegnishten asht si gjuha shqipe pa tosknishten...

për standardin e shqipes në fuqi shton:

Ky standard nuk kënaq më askemd as kend (as toskët as gegët)  përveç atyne qi e fitojnë bukën tue krye arrnime...

prandaj, sipas tij:

Gjuha letrare shqipe do të krijohet mbi bazën e dy letrarishteve të shqipes, kur të dyja të jenë të gjalla e të përdoruna edhe në të folun edhe në të shkruem...

Siç po shihet ky kërkon rehabilitimin e plotë të gegërishtes në të folur e në të shkruar.

           

32)  Edhe albanologu i njohur anglez Krist Hughes, i cili nuk përjashton ndonjë kontraversë  ndaj  letrarishtës së sotme me gegnishten, të cilën e adhuron, jep këtë mendim:

Gjuha letrare asht nji koncept gjithpërfshimës mbi tosknishten dhe gegnishten... ka arsyë shumë të mira që gegnishtja të kodifikohet e të standardizohet zyrtarisht...Të dyja mund të bashkëpunojnë në mënyrë të përsosun në nivele të ndryshme, ndoshta edhe në regjistra të ndryshëm...

Edhe ky është për rehabilitimin e plotë të gegërishtes, e cila sikurse toskërishtja (letrarishtja e sotme) duhet të kodifikohet e zyrtarizohet dhe që të dyja të bashkëpunojjnë në mënyrë të persosur në nivele të caktuara.

            Me fjalë të tjera edhe ky si disa të tjerë  lë shumë gjëra të diskutueshme, kur është fjala te përfaqësimi zyrtar i standardit të sotëm.

           

Sidoqoftë,  ne po përfundojmë me këtë mendim-kërkesë, edhe pse në këtë vijë ndeshim edhe mjaft mendime të njëjta ose të ngjashme të shprehura me siqeritet të plotë nga individë të caktuar, të shqiptuara herë më butësi e herë pak më egër dhe të gjithë ose shumica prej tyre duan të thonë se çështja e standardit në gjuhën tonë nuk mund të quhet si punë e mbyllur. Madje pa rehabilitim e disa vlerave të gegnishtes, ku nënkuptohet edhe paskajorja e mirëfilltë me + pjesore, standardi nuk mund të quhet i plotë, prandaj standardologët tanë, duhet ta kenë parasysh këtë fakt dhe lidhur me këtë, si krye më vete, po i paraqitimin në vijim edhe mendimet e një numri studiuesish e intelektualësh , të cilët konkretisht juanë shprehur lidhur me paskajoren.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora