E diele, 28.04.2024, 09:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Niko Tyto: Në kopshtin e zemrës ku rriten trëndafilat e shpresës e të besimit

E marte, 06.04.2010, 09:55 PM


Në kopshtin e zemrës ku rriten trëndafilat e shpresës e të besimit

Nga Niko Tyto

Në këtë tranzicion emërkeq, mjaft i vështirë për letërsinë tonë artistike, poeti Kujtim Mateli, me vëllimin "Kur mendon për të tjerët", po na gostit dhe po na emocionon, duke na krijuar një atmosferë të këndëshme.
Natyrisht, lexuesi i apasionuar pas letërsisë artistike, është njohur dhe e ka shijuar ëmbëlsinë e penës së Kujtimit, sa herë që ka lexuar poezi a cikle poezish në shtypin letrar e periodik dhe në vecanti në publicistikë, ku ai i ka bërë vend vetes së tij me dinjitet.
Dalja në dritë e vëllimit "Kur mendon për të tjerët", një titull intrigues, e njeh lexuesin me një brumë të begatë letrar, të gatuar me dorë mjeshtri dhe të lëvruar në disa cikle si: "Takim me pranverën", "Peizazhe", "Vendlindjes sime", "Tek stani dimëror", "Kroi i blerimit të jetës", "Dhimbje dhe dashuri", apo "Më ngacmon kujtimi yt".
Nuk po marr përsipër, në këtë shkrim modest, për të bërë një analizë të hollësishme, po desha  me ndienjën e mikut, të bëj disa vlerësime që mendoj se autori i vëllimit i ka realizuar me finesë e mençuri.
Në një kuadër të përgjithshëm, lënda e vëllimit është e njohur, e prekshme nga lexuesit, por ajo që të bie në sy e që të intrigon, është aftësia e poetit që ka ditur të zgjedhë një tematikë të larmishme dhe, si një mjeshtër i aftë apo dorëmbarë, nëpërmjet fjalorit letrar, fjalës me ngarkesë emocionale, me një larmi metrike, të shprehur me një stil të zhdërvjelltë,ka gjetur një kënd origjinal për të shprehur mendimet e tij e për të dhënë mesazhe për jetën.
Për ilustrim po jap disa mendime nga cikli  "Vendlindjes sime". Për të gjithmonë është i njohur mendimi filozofik se vendlindja është e dashur dhe se ajo nuk njeh as kohë, as moshë, madje as largësi. Ndërkohë të gjithë duhet të kontribojmë pa kërkuar asnjë shpërblim material, veç atij moral.
Prej këtej, nga tymi i oxhakut të shtëpisë, nga fshati a qyteza e lindjes, dashuria fluturon tek atdheu e siç thotë autori:"...Kombi ka fytyrën e atyre bijve.... që Shqipërinë në zemër e kanë".
Në këtë cikël autori shkruan për familjen e tij, për babanë që...nuk dinte shkrim, por si punëtor i paepur "I mbushte vedrat plot me qumësht dele" Shkruan për gjyshin që ishte i mirë dhe zemërbardhë, për Mazhanin që ishte vendlindje e trimërisë, ...për krahinën e Dëshnicës që është: "Një copë qiell me krah shqiponje"....etj.
Si mjeshtër i fjalës artistike, si njohës i mirë i vargut tetërrokësh trokaik, nëpërmjet figurës artistike, poeti ka dhënë një portret të arrirë të përmetares, ku epitetet dhe krahasimet, njëri më i goditur se tjetri, si dhe vendosja mjeshtërore e çdo fjale në varg, ka portretizuar vajzën përmetare me plot virtute, me plot hire apo si e citon poeti: "Fustani zbritur nga qielli/Si ylber i rënë në male,...apo "Kush të pa dhe të harroi"?
Për poetin, i bukur është çdo kontribut që jep secili në çdo lloj profesioni dhe në çdo kohë.
Po aq vlerësues është kombinimi  i trashëgimisë patriotike me atë të sotmen, gjë që shprehet qartë, mirë dhe bukur tek vjersha "Në stanet verore të Trebeshinës" me dy vargje koncize:"Shkoni nga ikën dielli,-na thatë/Dhe ne shkuam".
Poeti nuk është vetëm vrojtues i vëmendshëm, një konstatues i vlerave të vendlindjes, një njohës që di të nxjerrë në pah gjithçka të mirë, por është një bir që shpreh optimizmin, sepse "Bijtë siç të ikën/ Një e nga një,/Ashtu do të kthehen,/Do të gëzojnë një ditë…"
Plaga e hershme dhe e dhimbshme e kurbetit, mbetet përherë e pashëruar. Prindër që për vite me radhë nuk i panë fëmijët e tyre, gjersa erdhi një ditë që "Duke pritur flokëbardha ndër varreza shkoi të prehet".
Me plot gojën themi se mesazhi i këtij cikli është një himn për dashurinë e vendlindjes.
Duke lexuar me kërshëri vëllimin, më emocionoi cikli: "Kroi i blerimit të jetës". Aty spikat qartë e bukur dora, djersa e mendja e njerëzve që sjellin në jetë frutet e punës së tyre. Pra nga puna e njeriut, si krua buron jeta... Portreti i çobanit që, siç thotë autori, vetëm mosha e thyer ua heq kërrabën nga dora... është dhënë i plotë, ku gjetën bukurinë dhe lumturinë e jetës apo të moshuarit, njerëzit me sedër në punë e të virtutshëm me vlera pozitive të historisë, kur mosha i thërret për t`i mënjanuar nga jeta ata:"Bëjnë sikur s`kuptojnë...".
Pa bërë një portretizim të veçantë për traktoristin që "Nxiton të mbjellë dhe disa brazda...." për fermerin Kastriot që : "Gëzon gëzimin që sjell shata..." për agronomin e komunës që “kujdeset për çdo kallëz si nëna për fëmijën..."
Kujtim Mateli ka mundur që në harkun e një dite të japë atmosferë pune mobilizuese që  sjell për çdo njeri begati e lumturi.
Me një sy vëzhgues e përgjithësues, me kënaqësi konstatoj se poezia e Kujtim Matelit ka një njohje dhe mbështetje të mirë tek poezia e bukur e traditës folklorike, ka një larmi metrike, kryesisht në përdorimin strofik  e monokolonë të vargjeve, në përdorimin e strofave destrike, trecine, katër a gjashtë vargjesh, ashtu sikundër janë të pasura me llojshmërinë e rimave, të asonancave e të kadencave, pasqyruar me një stil konciz, të shprehur në një gërshetim ritmik, për tëcilën lexuesi ka nevojë të thyejë monotoninë e të mbajë të freskët kënaqësinë e leximit e të marrë një mesazh jete për vlerat pozitive të traditës e bashkëkohores.
Autori prezantohet si një penë me përvojë artistike që, sa di t`i japë lexuesit material jetësor, aq di dhe t`i verë në lëvizje mendimin krijues të tij dhe që të dy, autor dhe lexues, të binjakëzuar si bashkëluftëtarë në jetë e që, si thotë vargu i poezisë së bukur "Mos i dëgjo yjet se ç` thonë", në këtë bashkëbisedim të përjetshëm "Toka na thotë rrini këtu/Eja tek unë qielli na thotë...".Pra një mesazh optimizmi për jetën, për vlerat pozitive.
Bukur e thotë poeti edhe tek vjersha "Kur isha 18-vjeçar", ndërsa ishte i zhytur në lexime dhe në punët e përditshme"Një trëndafil shprese dhe një tjetër besimi/Mbolli Naimi në kopshtin e zemrës". Nota optimizmi shpreh dhe vjersha “Mëngjezeve" ku zëri i qortues, zëri i së ardhmes, e fton lexuesin për rrugë.... "Mjaft me nanurisje!".
Jam i një mendje me autorin e pasthënies, zotin Zenel Anxhaku, se Kujtim Mateli është poet i ndieshmërisë së thellë, se ai nuk i thurr hymne vetmisë, por komunitetit, si dhe me thirrjen dashamirëse: "Këndo, poet, këndo!".
Kur lexuesit i ke dhënë një vëllim poetik që ke shkrirë talentin dhe përkushtimin tënd, e meriton një  vlerësim  të tillë.
Së fundi, dëshiroj t`i uroj autorit shëndet e penë të mbarë për të shkruar e pasuruar më tepër e më mirë ndjesinë poetike të shpirtit të tij, për t`na gostitur në të ardhmen jo të largët, me libra poetikë që aq shumë kemi nevojë, për të zbukuruar e pasuruar Panteonin përmetar që, fatbardhësisht, krijuesit i ka të shumtë e të nderuar. Ndërkohë, me zemër uroj dhe lexuesit e apasionuar, ta shijojnë këtë poezi, si një dhuratë të bukur e dashamirëse, për ta patur këtë libër si një mik të mirë në bibliotekën personale.

Kujtim Mateli

Kur mendon për të tjerët…

 

Ti mendon për të tjerët

Dhe unë të them:

Bukur shumë!

Ti mendon për të tjerët

Dhe unë të them:

Ditke të mendosh dhe për vete!

Ti qenke si shelgu i kaltër mbi lumë,

Që është vështirë ta shkulësh,

Të pleksura rrënjët po ia gjete.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora