E shtune, 27.04.2024, 09:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Muharrem Blakaj: Egzoni

E marte, 06.04.2010, 09:03 PM


Tregim nga:

Muharrem BLAKAJ

 

E G Z O N I

 

 

            Vapa e korrikut ishte në kulm. Edhe ajo grimë vesë që e mbulonte fushën gjatë natës, zhdukej bashkë me rrezet e para të diellit dhe, gjatë asaj kohe sa vesa zhdukej, në qendër të fshatit kafenetë fillonin të mbusheshin.

Burrat zgjoheshin vonë nga gjumi dhe pasi pinin kafenë e mëngjesit dilnin nga shtëpitë dhe tuboheshin jo si dikur motit te Blini për t’u bashkuar për punë, por në kafene për llafe... dhe natyrisht për të luajtur shah e domino.

Ende kishte ngelur ndonjë plak, që me shat në dorë përpiqej ta mbante të ndezur vullnetin për punë. Këta të kafenesë talleshin me të: Sa anakronik që janë pleqtë tanë! Ka kaluar ajo kohë! S’ka hesap të punosh!...

...Dhe hapej loja e shahut me lëvizjen e dy piunve diku nga mesi i figurave.

            Në rrugët leqe-leqe të fshatit shpesh mund ta takoje edhe Egzonin e vogël, me pantallona të shqyer zhele-zhele dhe me zhallogat gojë hapura! Ai ecte ngadalë, i mbështjellë i tëri nga pluhuri që lenin prapa rrotat e veturave luksoze, derisa nga kapistalli e tërhiqte lopën e tij për ta dërguar në kullotë. E ku? Në Derrpa!... Në varrezën e veturave të shkatërruara e të hedhura pa asnjë kujdes!...

            – Shah!... Shiko mirë se do ta humbasësh lojën!

            Edhe këtë ditë, si gjithë të tjerat, Egzoni i vogël ishte zgjuar nga gjumi. Nuk donte të hante vet por donte që lopa e tij të jetë e ngopur dhe gjatë kohës sa lopa të kulloste dushk e barë, ai do të shkëpuste ndonjë fije teli, ndonjë pjesë llamarine apo ndonjë vidë nga skeletet e veturave të prishura e pastaj do t’ia shiste mekanikut të fshatit dhe me ato pak para që do të fitonte do të blinte... e çka do të blinte më parë Egzoni i mjerë kur çdo gjë i mungonte? Eh!... shokët e mi tani luajnë futboll! Unë nuk loz dot me këto zhalloga të shqyera!... dhe i shikonte opingat gojëhapur!

            – Sheh!... e humbe një oficer!

            Kaçavida u ndesh me gjithë forcë mbi plisin e çarë të vidës, por nuk rrotullohej dot. Pa lirimin e saj nuk e tërhiqte dot telin. I dha prapë. Duart e tij të vogla ishin bërë të shkathëta në këtë lloj pune. Ç’ka vallë kjo e plasur që nuk lirohet? I dha me gjithë forcë. Ju bë se lëvizi pak. Sytë i ndritën nga gëzimi! Edhe pak... dhe pasi ta shes këtë tel... prapë janë pak para... nuk shkoj dot të lahem në lum, me vjen turp, vetëm unë duhet të lahem lakuriq!...

            – Prapë e ke nga unë një shah dhe një sheh!

            Vida u lirua, por teli nuk tërhiqej. E tërhoqi me forcë sa që edhe skeleti i veturës u tund lehtë. Të shoh një herë ku e ka zanafillën ky tel i mallkuar! Duke përcjell zgjatjen e telit u detyrua t’i dilte nga ana e poshtme e skeletit të veturës. Oh! Ky qenka tel i gjatë. Më mirë i gjatë, do ta shes më shtrenjtë. Qenka edhe në gjendje të mirë. Ah, këtu e paska zanafillën! Paska edhe një vidë tjetër. Prit, qenka me qoshe. Tani më duhet çelësi numër trembëdhjetë. Gjendja e mirë e telit, edhe çmimi i mirë doemos!... Një libër për këtë vit shkollor... edhe i vjetër qoftë s’ka gajle!...

            – Tani ti e ke një shah nga unë!

            – Ah! Ku ishte kjo e mallkuar që nuk e pashë? E humba kalin!

            Edhe kjo u lirua, tani me mbetët ta tërheq me forcë. Edhe ky teli tjetër duhet të jetë në gjendje të mirë! Tani vidat t’i grumbulloj në një vend të veçantë se mos më humbin në barë. Ta tërheq një herë me forcë nga e majta. Prapë u lëkund i gjithë skeleti i veturës. I dha me shumë por, kësaj radhe skeleti i veturës filloi të binte. Në fillim e rëna ishte e ngadaltë, e qetë, e pa rrezikshme dhe sakaq Egzoni ju dha këmbëve që të ngrihej, të tërhiqej, të largohej por, koka ju pengua nën peshën e pragut të metaltë të skeletit të veturës dhe nuk u largua dot. Skeleti i veturës afrohej me shpejtësi të shtuar. Duart e tij të vogla nuk e mbanin dot gjithë atë peshë. Skeleti i veturës tani kishte marrë shpejtësi marramendëse. Rreziku kishte hyrë në fazën kritike. Pesha e skeletit të veturës tani ishte e pa llogaritshme. Duart e vogla të Egzonit nuk e mbajtën dot. Pjesa e pragut ju ngjesh fort mbi gushën e tij të bardhë, dhe e plandosi për dhe.

            – Shah, Sheh! Princesha është e imja!

            Kryet, qafa, gjoksi nuk lëviznin dot. Lëviznin vetëm duart por, të pafuqishme për të bërë diçka, duke goditur me forcë llamarinat e ndryshkura e të mprehta dhe... u çanë nga ato goditje... shkulmi i gjakut spërkati skeletin e veturës. Lëviznin edhe këmbët e tij të vogla bashkë me zhallogat që i kishte mbathur. Tundeshin në mënyrë të çrregullt dhe shpejt... shpejt... pastaj dalëngadalë e humbën ritmin fillestar. Zë nuk nxirrte dot nga goja, as nuk merrte fryme, kurse gusha e butë si e pëllumbit e Egzonit të vogël shtypej pa mëshirë nga pesha e rëndë dhe e hekurt e skeletit të veturës!...

            – .... i paç më shëndet gjashtë vajzat, Egzoni të la!... – u dëgjua një zë i thekshëm në mes të asaj zallahie.

            – Mat!... – ia bëri kundërshtari.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora