Kulturë
Besim Muhadri: Përmendore kujtimesh për vendlindjen dhe njerëzit e saj
E merkure, 07.04.2010, 09:42 PM
PËRMENDORE KUJTIMESH
PËR VENDLINDJEN DHE NJERËZIT E SAJ
Nga Mr. Besim Muhadri
Libri me kujtime dhe refleksione Lulëkuqe mbi varre, i Nehat Jahiut është një përmendore e llojit të vet, për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Është një libër i mbresave të paharruara, të shpërfaqura në kujtesën e një krijuesi të përkushtuar. Tregimet që ndërtojnë faqet e këtij libri, fund e krye janë krijime që të kujtojnë një krijues të lidhur fort me tokën e tij, me vendlindjen e tij. Dhe kjo lidhje e përjetshme e bën atë shumë më të përkushtuar në trajtimin e të gjitha atyre ngjarjeve, e atyre peripetive që kishin përcjellur atë dhe njerëzit e vendlindjes së tij dhe atë vetë si pjesë e këtij shpirti, e këtij etniteti.
I lindur dhe i rritur në një vend, ku shtypja dhe respresioni i kolonizatorëve të tokës së tij kishte ngulfatur nëpër breza lirinë, Nehat Jahiu nuk e ka të vështirë, por as të lehtë që në kujtimet e tij të trajtojë tema kaq prekëse, kaq domethënëse që lidhen me këtë proces të dhembshëm të një historie të gjatë. Në tregimet e tij, që ai i quan refleksione, lexuesi has temën e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta dhe të dëbimit të tyre për në tokën e Anadollit, pastaj hapjen e shkollave të para në këto anë dhe të ardhjes së mesuesve të parë për të përhapur dritën e diturisë, përndjekja, burgosja dhe dënimi që iu bëhet mësuesve, vetëm e vetëm që ata kishin ligjëruar gjuhën e bukur shqipe dhe tek njerëzit kishin filluar të brumosnin ndjenjën e lirisë, dhe së fundi edhe temën e luftës për liri, luftë të bërë në vitet e para të këtij shekulli nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare .
Tema e shpërnguljes së shqiptarëve, por edhe tema e kurbetit, është një temë e vjetër, e trajtuar edhe nga shkrimtarë dhe krijues të mëhershëm, por Jahiu e trajton në një mënyrë të veçantë dhe në një situatë tjetër. Duke kapur segmente dhe inserte interesante të kësaj plage dhe dhembje të pashërueshme, shkrimtari na tregon edhe njëherë se sa e rëndë dhe sa e pashërueshme ishte kjo plagë, e cila në trupin e sfilitur të shqiptarëve mbeti një plagë e hapur.
Tema e përhapjes së diturisë, e trajtuar nga Jahiu ka të bëjë me hapjen e shkollave të para në mjedisin ku jeton dhe vepron autori. Përjetësimi i punës së palodhshme të mësuesit H dhe të mësueses S, janë një kontribut i shkrimtarit, që përmes këtyre rrëfimeve të ngrejnë një lapidar të llojit të vet për misionarët e dritës. Për të gjithë ata që me mundin, sakrificën dhe dijen e tyre u munduan të kontribuojnë në rrethe dhe mjedise të caktuara, vetëm e vetëm që ky popull, këta njerëz të shijonin dritën e diturisë dhe atë të përparimit. Puna e tyre e palodhur, vetëmohuese përherë ishte halë në syë të pushtueseve, të cilët i burgosën dhe i dënuan me burgje të rënda. Por, ata kurrë nuk u thyen, përkundrazi u bënë më të fortë dhe u përjetsuan në kujtesën e popullit. Këtë kanë për qëllim edhe tregimet e Nehat Jahiut, në të cilat spikat figura madhore e këtyre misonarëve, të cilët edhe pas kaq vitesh mbetën të paharruar në kujtesën e popullit të atyre anëve.
Tema e luftës për liri dhe çlirim është një temë tjetër e trajtuar me mjaft përkushtim në këto refleksione të Jahiut. Përmes rrëfimeve të tij, Jahiu arrin që të tregojë për sakrificën sublime për liri, por edhe të përjetësojë gjakun e derdhur të të gjithë atyrë që ranë në altarin e shtrenjtë të lirisë së atdheut, që është një gjak i sakrificës, gjak mbi të cilin mbinë dhe po rriten lulekuqet e lirisë.
Nehat Jahiu, përmes këtyre tregimeve ka arritur që të japë kontributin e tij si krijues, si mësues dhe si njeri i palodhur i vendit të tij. Ai ka portretuar me plot sukses portrete njerëzish, veprimtarësh dhe luftëtarësh. Këto tregime janë një kontribut i çmuar i autorit, të cilat do të kenë lexuesit e tyre që do të dijnë t’i vlerësojnë dhe t’i çmojnë si një arritje dhe si një kontribut i autorit.