E diele, 28.04.2024, 03:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Prekazi kurrë nuk e vrau këngën e vet

E shtune, 13.03.2010, 11:00 PM



Kumtesë   


Prekazi kurrë nuk e vrau këngën e vet

Nga Bedri TAHIRI
        
I nderuari kryetar i komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti!
Të respektuar të pranishëm nga mbarë Trojet Etnike Shqiptare!
Sot, në 11 marsin e trimërisë studentore shqiptare, na ka bashkuar ideali i brezave liridashës dhe ky evenimet i madh kulturor historik: zbulimi i Pllakës Përkujtimore për trimin e Prekazit e të Drenicës, Mursel Ahmet Delinë, i cili, që atë botë çau kufijtë artificial në trupin e gjakosur të Shqipërisë Etnike.
    Fundviti i 1912-ës Kosovën e gjeti më keq se kurrë. Betejat e përgjakshme disamujore me hordhitë osmane e kishin sfilitur për vdekje. Dhe, ende pa marrë frymë, cerberët e përtej Tunës u vërsulën tinëzisht mbi trupin e saj që kullonte gjak.
     Në këtë katrahurë ogurzezë shkreptiu një rreze drite nga Drenica heroike. Oxhaku i  Deli Zenelit nga Prekazi sfidonte barbarinë. Djali i madh i tij, Rexha  si  burrë atdhetar bëri emër për të mirë dhe u dërgua delegat në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878. Pas Kuvendit, duke u kthyer, bie në pritat që kishte kurdisur ushtria e Xhavit Pashës dhe për shtatë vjet rresht do të vuaj brenda mureve të gurta të burgut famëkeq të Shkupit... 
Mirëpo, ai që vulosi faqet e lavdisë sonë mbi 30 vjeçare ishte Ahmet Delia. Ai mbetet shembulli më emblematik i mbrojtjes se nderit dhe identitetit kombëtar. Betejat, luftërat dhe kuvendet që organizoi ai janë të panumërta dhe për të tashmë është shkruar edhe  një monografi përplot lavdi...Në kullën e tij bëri betimin edhe i madhi Hasan Prishtina...

Nga ky trung i lashtë trimërie doli edhe Mursel Ahmeti. Ky burrë i madh i kombit u lind më 1881 në Prekaz  të Drenicës heroike dhe ishte djali i dytë i Ahmet Delisë. Trimëria dhe fuqia tij titanike u hetuan herët. Qysh në betejën e parë kundër bandave çetnike serbe, më 25 dhjetor 1925, bashkë më të atin, Ahmet Delinë dhe kushërinjtë Ramë Islamin me djalë Jetullahun, ai u tregua hero i vërtetë, kur ua grabiti pushkën serbëve dhe  me të i vret pesë prej tyre e Jovanin e lë pa mend në kokë.

Më vonë, ai bëhet bashkëluftëtari më i ngushtë i Azem Galicës.  Kapedani e donte shumë dhe e bëri truproje besnike,duke mos  e ndarë kurrë nga vetja, madje as në takimet më të rëndësishme si në Zhabar, në Junik, në Shkodër, në Tiranë, në Durrës etj. 

Mursel Ahmeti, pos që ishte luftëtar i shquar në Çetën kreshnike të Azem e Shotë Galicës, gëzonte  autoritet të madh edhe në popull.  Kështu, me sugjerimin e Lëvizjes, në  vitin 1921, Murseli u zgjodh kryeplak i fshatit Prekaz, për të mundur në këtë mënyrë që ta ruajë popullin dhe  Lëvizjen.
Kur, në  korrikun e vitit 1924, ra heroikisht Azem Galica dhe u shkatërrua Arbëria e Vogël, Murseli kishte qarë me zë, sepse atë ditë nuk kishte qëlluar në shtëpi për t’i vajtur në ndihmë.

Vitet e fundit të jetës Murseli i kaloi në lëngatë të gjatë. Për disa vjet rresht qëndroi i sëmurë, shtrirë në shtrat. Disa muaj jetoi ilegalisht në Mitrovicë, te të afërmit. Pastaj, me insistimin e tij, më qëllim që edhe të takohej me atdhetarë e veprimtarë të Lëvizjes për liri e bashkim kombëtar, të cilët asokohe vepronin këtej, e sollën këtu, në spitalin e Shkupit, ku edhe ndërroi jetë, më 1931. Sipas të gjitha gjasave, me të marrë vesh kush ishte dhe pse kishte ardhur, dora e zezë organizoi  helmimin e tij. Këtu edhe është varrosur, mëqë xhandarmëria serbe nuk kishte lejuar që ta sillnin kufomën e tij në Kosovë. Siç tregojnë ata që i kishin parë, për një kohë të gjatë varri i tij ishte ruajtur nga forcat e sigurisë serbo-maqedone!
Dhe, koha ecte me ritmin e saj. Brezi brezit amanet. As pas luftës së Shaban Palluzhës e Mehmet Gradicës trojet tona nuk po shihnin ditë të bardhë. Sërish Prekazi u dashtë ta jep kushtrimin. Pushka e Tahir Mehës jehoi larg e larg. Në varrimin e tij u dha një betim, i cili edhe u realizua. Heroizmi i pashoq i Adem Jasharit me gjithë familje dhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kurorëzoi synimet tona shekullore. Edhe trungjet e lartpërmendura qindvjeçare  bulbëruan  hareshëm.  Kështu Besim Rama, Rafet Rama, Bahri Rama etj.  ishin krahë të fortë të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe ndër themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila riktheu nderin, krenarinë dhe dinjitetin tonë të nëpërkëmbur, e cila solli Ditën e Bardhë, solli LIRINË! 

Zjarri i këtij Flakadani ndezi zemrat edhe në Iliridën tuaj. Muhedin Aliu, Ismet Jashari- Kumanova e shumë luftëtarë të tjerë, ecen rrugës së Xhemë Gostivarit,  shaluan majat e Sharrit plak dhe me zjarr në gji u kthyen sërish këtej për t’i dhënë jetë ardhmërisë.
Mirëpo, gjithmonë është thënë se trimat nuk vdesin kurrë. Kjo është e vërtetë. Dhe, sot, pas 79 vjetësh, përjetësimi i Mursel Ahmet Delisë në mermer, mu në qendrën më të njohur të shqiptarisë, në Shkupin historik, është shenjë e mirë e një vetëdijësimi mbarëkombëtar, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë! Ky është edhe një ogur ndjellabardhë dhe një hap drejt synimit përfundimtar të dëshmorëve- BASHKIMIT KOMBËTAR!
Edhe njëherë Ju përgëzojmë për këtë punë të mbarë: U lumtë!!!    



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora