Faleminderit
Fritz Radovani: Një za ''ushton'' edhe sot: ''A ka Shqipni edhe për mue..?!''
E shtune, 13.03.2010, 07:59 PM
NJË ZA “USHTON” EDHE SOT: “A KA SHQIPNI EDHE PER MUE..?!”
Nga Fritz RADOVANI
65 VJET MA PARË...
Askush nuk ia njohti zanin predikatarit të vet në Tiranë!..
Askush nuk e njohti Burrin e cunguem dy kambësh me sharrë druevari, madje, edhe Nana e vet dyshoi, a asht apo, nuk asht djali em Ky, i zhytun në një brrakë pislleku në një qeli të Tiranës...?! I nguli sytë e Saj si Shqipja, në Fëtyrën e qeshun të djalit të vet...e, Burrnisht, kërkoi:
“Ma vritni, ju lutem ma vritni, banje këte mirësi...mos e leni kështu djalin..!”, u tha, Bija e Rozafës, xhullinjve komunistë...dhe, ata, ia plotësuen “dëshirën...”, plot 65 vjet maparë...
Me datën 5 Mars 1945, në orën 5.00 të mengjezit, Don Lazër Shantojën bashkë me një nga Atdhetarët ma të devoçëm të Shkodres Sulçe Beg Bushatin, i pushkatuen në Tiranë, brinjë Lanës.
Ja, kush ishte Ky “armik i popullit” që, “zani i Tij” ushton...edhe sot, që prej vitit 1924:
Zani i të vdekunit!
Carlyle e fillon historinë që shkroi mbi revolucionin e Francës së vitit 1848 me këto fjalë të Montesquieu: “Lum ai Popull që ka një histori të mërzitëshme!”
Po kje, se, qetësia e monotonia e ndolljëve historike përbajnë lumninë e një kombi, atëherë, Shqiptarët e sotëm do të ishin me të vërtetë njerëzit ma të mjerë të botës. Historia e Shqipnisë së lirë asht një kaos luftash, ngatërresash, trathëtinash, ambicionesh, partishë kaq të mëdha, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk ia gjenë askund shoqën në botë.
Sot me hapjën e Kuvendit Kushtetues, Populli Shqiptar çilë një fletë të re e ngulë një cak të rinj, që ka me shënue një epokë në historinë kombëtare. Me Kuvendin Kushtetues na Shqiptarët dëshrojmë dhe prëtëndojmë me ditë tek e fundit se ku jemi! Do të flasim me letra të hapuna! Jemi tepër të lodhun e të mërzitun prej ndolljëve të vjetëve të shkueme: lypim që historinë e kombit tonë ta përshkojë mbassodi jo, ma, era e duhisë, por flladi i një jete ma të stabilizueme e të normalizueme.
Me datën e Kuvendit Kushtetues historia shqiptare do të filloi me u ba ma monotone! Do ta dimë edhe na njëherë atë “ubi cosistam” t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kërcënime, pasiguri të vazhdueshme ekzistenca e jonë nuk mund të vazhdohet ma.
Mjaft e kemi pa Shqipninë e mjerë të bame dyqan për fitimin ekskluziv të disa klasave të privilegjueme: mjaft ma qëndroi livall kulloset ku, rend mbas rendit u lëshuan politikanët e improvizuem; mjaft duruam porsi fushë eksperimentale për aventurierët kozmopolitë; mjaft pësoi e bame skakjerë lojnash diplomatike. Mjaft!
Sot Popullit i ka ardhë shpirti në fyt: sot Populli do me ditë kategorikisht:
A ka a nuk ka Shqipni?
Të mendojmë se kësaj pyetje qeveritarët tonë të deritashëm nuk i janë përgjigjë endè!
Se ka Shqipni sot e beson, ndoshta, ministri, deputeti, oficeri, nëpunësi: me njëfjalë i frangarpaguemi, por Populli që luftoi, që pagoi, që u dogj, që u vorfnue, që u fik....nuk mund ta besojë kurrë!
Janë disa vite që Shteti ynë i rinj valëzon nëpër udhën e haptë të lirisë. Si lexohët në një prej vjershave ma të bukura e të përmenduna të Henrrik Ibsen, edhe Shqipnia i ka ngja “një anijës që udhton me një të vdekun mbrendë”. Në barkën e Shtetit tonë të rrënuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër, përveç, një trup të vdekun.
Ky i vdekun asht Populli!
Qeveritarët tonë deri sot, u kujtuan me mbajtë Shqipninë e..., mbytne Popullin!
Por, ky Popull, sot flet! Prej gjumit të vdekjës ngritë zanin me shpresë, por edhe me guxim e kërcënim, pyet:
A ka Shqipni edhe për mue?
Po, kje se, Misët e Kuvendit Kushtetues, me ligjët që do të bajnë e me drejtësinë që do të ndjekin nuk kanë me mujtë me iu përgjigjë kësaj pyetje, atëherë, ajo Mbledhje, nuk ka me kenë tjetër veçse, mbaresa e një farsës dhe fillesa e një tragjedisë!
Hyu mos e prëmtoftë!
Y. (Don Lazër Shantoja).
Nga gazeta “Ora e Maleve”, Viti II. Shkoder, e Shtunë, 19 Janar 1924. Nr. 4.
?“...Prej gjumit të vdekjës ngritë zanin me shpresë por, edhe me guxim e kërcënim, pyet:
A ka Shqipni edhe për mue?...”
?Përgjigje nga Fritz Radovani:
E di mirë Don Lazër, se çka jé tue më pvetë,
E di mirë Don Lazër, se ku Ty t’kanë tretë,
E di mirë Don Lazër, se çka pret prej meje,
E di mirë Don Lazër, se çka t’ndriste mendja,
E di mirë Don Lazër, se çka priste gjuha,
E di mirë Don Lazër, se çka asht fjalëshpata,
E di mirë Don Lazër, se çka të gufoi zemra.
E di mirë Don Lazër, se çka të thante buzën,
E di mirë Don Lazër, se çka t’prishë buzëqeshjën.
E di mirë Don Lazër, se kush t’ vërboi sytë,
E di mirë Don Lazër, se kush desht me t’mbytë.
E di mirë Don Lazër, se kush t’ theu dy krahtë,
E di mirë Don Lazër, se kush s’ desht gojëmjaltë,
E di mirë Don Lazër, se kush ti sharroi kambët,
E di mirë Don Lazër, se kush ti theu dhambët,
E di mirë Don Lazër, kush desht me t’ zhigatë...
E di mirë Don Lazër, se n’ç’kjamet të pau Nana,
E di mirë Don Lazër, se çka i lypi hasmit ....
E di mirë Don Lazër, se çka i the’ Asaj...
E di mirë Don Lazër, si t’ngushlloi Nanë-locja,
E di mirë Don Lazër, si s’e lanë me të prekë...
E di mirë Don Lazër, edhe ku, Ajo...ka vdekë...
E di mirë Don Lazër, si shunglloi Rozafa,
E di mirë Don Lazër, si n’për gji t’mkoi tamth...
E di mirë Don Lazër, si t’vajtoi me ankth,
E di mirë Don Lazër, si belbzoi Tirana,
E di mirë Don Lazër, sesi ushtoi Dajti,
E di mirë Don Lazër, sesi u skuq Lana...
E di mirë Don Lazër, se kush të trathtoi Ty,
E di mirë Don Lazër, sesi kryet pat thye...
E di mirë Don Lazër, kush t’shporoi Ty n’parzëm,
E di mirë Don Lazër, Zemërshqipja,...u shue.
E di mirë Don Lazër, kush armët desht me t’fye,
E di mirë Don Lazër, se n’ Kryq mori shenjë...
E di mirë Don Lazër, ...Flut’rove me Enjë...
E di mirë Don Lazër, pse, pat Shqipni për Ty
E di mirë Don Lazër, ata ujq t’kanë shkye!
E di mirë Don Lazër, se Ajo,... asht barka Yte...
E di mirë Don Lazër, se bash brinj Rozafës...
Ti, s’ don ma t’ vajtojmë...
Rreth e rrotull Saj Ti, do, të vallzojmë...
Ti, po, m’ fton të këndojmë...
Në liqe t’ Shkodres s’Ate...
“Mbi të bukrat vala...Eni të lundrojmë...”.
Komentoni
Artikuj te tjere
Ramiz Dërmaku: Një kujtim për Kolonel Tahir Zemën
Selman Hoxha: Bali Fehë, njeriu i zakonshëm!
Arben Llalla: Në kujtim të atdhetarit dhe mësuesit Rexhep Voka - Tetova (1847-1917)
Besim Muhadri: Shaban Lajçi - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës
Thanas L. Gjika: Duke lexuar veprën Ali Tepelena të F. Pukevelit
Mexhid Yvejsi: Shejh Ali Kruja (1884 -1976)
Azem Hajdari : "Kisha e Shen Palit dhe Dom Anton Kçira rrezatojne drite ne Komunitetin shqiptar te Detroitit
Neki Lulaj: Akademi Përkujtimore për Atdhetarin Haxhi Dobraj
Xhevat Rexhaj: Cerrcasi - Isa H. Rexhaj veprimtar i kauzës kosovare
Xhevahir Spahiu: Poeti që hapi një portë të mbyllur
Remzi Limani: Afirmimi i vlerave shqipe në diasporë
Halit Bogaj: Adem Jashari
Milazim Kadriu: Përfundon manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së"
Julia Gjika: Ata që lënë gjurmë të përhershme në zemrat tona
Milazim Kadriu: Jasharët simbol të pakrahasueshëm të vetëflijimit sublim dhe të sakrificës
Dibran Demaku: Jasharajt
Neki Lulaj: Ademit dhe Shaban Jasharit
Agim Gashi - Drenica: Te varri i komandantit
Gani Qarri: Familjes Heroike-Jashari
Eduard M. Dilo: Burhan M. Juka