Faleminderit
Arben Llalla: Në kujtim të atdhetarit dhe mësuesit Rexhep Voka - Tetova (1847-1917)
E enjte, 11.03.2010, 10:58 PM
Nga Arben LLALLA
Njëri nga figurat e ndritura të Rilindjes Kombëtare për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare është Rexhep Voka-Tetova. Për këtë figurë kombëtar është shkruar shumë, por vitet e fundit bie në sy mos ftesat e nipave të Vokës nëpër aktivitete përkujtimore me rastin e Kongresit të Manastirit të mbajtur në nëntor 2008 në Shkup, Korçë si dhe të Kongresit të Dibrës mbajtur në korrik 2009 në Dibër. Në këto aktivitete ishin të ftuar nga një përfaqësues të familjeve të ish-pjesëmarrësve në vitet 1908 dhe 1909. Ndërsa organizatorët “harruan” përfaqësuesit e Rexhep Vokës të cilët nuk janë pak.
Rexhep Voka(Rexhep Xhaudi Bin Nuredin Voka) lindi në vitin 1847 në fshatin Shipkovicë të rrethit të Tetovës. Kishte një vëlla, Mehmetalin dhe një motër të quajtur Feride. Ndoqi shkollën e mesme të Medresesë në Tetovë, ku ra në sy inteligjenca dhe krenaria e tij kombëtare. Shpesh herë nxënësi Rexhep Voka kundërshtonte mësuesit e Medresesë kur binte fjala për identitetin kombëtarë. Ai e ndante fenë nga kombi dhe kundërshtonte ata që e ngatërroni atë si në mesjetë. Në vitin 1868 u regjistrua në Fakultetin Islam në Stamboll, dhe e mbaroj atë shkëlqyeshëm. Profesorët e Fakulteti Islam ngulmuar që Rexhep Voka të jepte mësim në këtë Institucion. Për pak vite dha mësim në Fakultetin Islam, por zemra e prof.Vokës rrihte për përhapjen e dijes në vendlindje, atje në Shipkovicë të Tetovës. Më 1895 kthehet nga Stambolli dhe angazhohet për përhapjen e gjuhës shqipe. Edhe pse ai nuk kishte mësuar në gjuhën shqipe, i këshillonte shqiptarët që të mësonin në gjuhën amtare.
Në viti 1903 hoxhë Rexhep Voka do të emërohej myfti i Vilajetit të Manastirit, ky Vilajet përbëhej nga rreth 2200 fshatra. Më 1906 morri pjesë në Kongresin e Bukureshtit bashkë me Ismail Qemal Vlorën.
Më 1907 ishte pjesëmarrës në mbledhjen e Ferizajt si përfaqësues i Tetovës. Fjala që mbajti Rexhep Voka u prit me një entuziazëm nga pjesëmarrësit në këtë tubim të madh shqiptar.
Duke qenë myfti i Vilajetit të Manastirit Hoxhë Voka u bë pritësi dhe përkrahësi kryesor i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe ose Kongresit të Manastirit që u mbajt 14-22 nëntor 1908. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalani ishin drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Më 19 nëntor ai mbajti kumtesën me temë: “Dobitë e bashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe të bashkëpunimit të tyre me komitetin xhonturk”.
Edhe pse në Kongresin e Manastirit mendimet e Rexhep Vokës për alfabetin shqip me shkronja arabe ndeshën në kritika të mëdha, ai nuk e ndali aktivitetin kombëtar në të mirë të çështjes shqiptare. Në vitin 1909 Rexhep Voka morri pjesë në Kongresin e Dibrës. Në këtë aktivitet mbarë shqiptar ishte përkrah atdhetarëve të tjerë si Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Qenan Manastiri, Haxhi Ali Elbasani etj., të cilët shpalosën mendimet e tyre kombëtare përballë qëndrimeve antishqiptare të Xhonturqve dhe filoturqve të cilët tradhtuan premtimet që u kishin bërë shqiptarëve pasi të vinin në pushtet. Këta atdhetarë në diskutimet e tyre mbrojtën gjuhën dhe kombin shqiptar përballë mendimeve antikombëtare për asimilimin e shqiptarëve.
Myftiu Rexhep Voka u zgjodh në Pleqësinë e Kongresit të Dibrës. Kjo Pleqësi përbëhej nga 45 përfaqësues nga katër vilajetet shqiptare. Rexhep Voka bashkë me atdhetarë të tjerë pjesëmarrës i dhanë një popullaritet Kongresit të Dibrës për bashkim kombëtar në mbrojtje të gjuhës dhe kulturës shqipe me anë të shkrimeve që botuan në shtypin e kohës. Kjo ishte një punë e madhe përballë propagandës antishqiptare që po bënin Xhonturqit me vasalët e tyre. Gjatë punimeve të Kongresit deputeti i Shkodrës, Riza bej Kopliku dhe Sadik Pasha deklaruan se nuk na duhet gjuha shqipe se na mjafton gjuha turke. Atëherë myftiu i Manastirit Rexhep Voka-Tetova u ngrit dhe u shpreh me indinjatë: “Bobo sa turp i madh! Qysh thuhet s’na duhet gjuha kombëtare?”. Në këtë kohë çohet Seid Kruaj i cili e mbështet Rexhep Vokën duke thënë: “Turqishtja nuk na voli në gojë, pasha zotin, ne do të këndojmë në shqip”.
Pas këtyre aktiviteteve kombëtare dhe mos kompromisi me turqit në dëm të çështjes shqiptare bëri që Rexhep Voka të pushohet nga detyra e myftiut të Manastirit dhe kështu dijetari i madhe kthehet në vendlindje. Por edhe në Shipkovicë e Tetovë ai ndiqej nga turqit dhe serbët. Pasi serbët pushtuan tokat shqiptare me zemër të pikëlluar dhe lot atdhetari dhe mësuesi Rexhep Voka largohet përgjithmonë nga vendlindja, nga bjeshkët e Sharrit ku u edukua me frymën kombëtare që në fëmijëri. Thuhet se në fillim u strehua në Bukuresht të Rumanisë diku nga viti 1913. Më pas u vendos në lagjen Lule-Burgas të Stambollit, por edhe aty ai u ndoq nga pushteti turk sepse njihej veprimtaria e tij kombëtare. Rexhep Voka ishte një shqiptar i cili kishte qenë kundërshtar i asimilimit të shqiptarëve si nga serbë, grekët por edhe nga turqit. Për të ruajtur njerëzit e familjes së tij nga ndjekësit turq ai ndërroj emrin dhe mbiemrin dhe punoj deri sa vdiq në vitin 1917 luleshitës(mendohet se në këtë vit vdiq, por nuk ka një vit të saktë të dokumentuar). Ai la dy djem dhe një vajzë të cilët humbën çdo lidhje me vendlindjen e babait të tyre. Thuhet se njëri djalë u largua për në Siri dhe punoi bukëpjekës. Ndërsa djali tjetër i cili quhej Ahmetahsin mbeti në Turqi bashkë me motrën(këto janë disa të dhëna gojore nga bashkëvendësit e tij që jetonin në Stamboll).
Rexhep Voka nuk ishte thjeshtë një hoxhë, një myfti, por ai me veprimtarinë e tij kombëtare në të mirë të gjuhës dhe kulturës shqiptare kishte dëshmuar si i përkiste kategorisë së lartë të Rilindjes Kombëtare pavarësisht nga paragjykimet ideologjike. Thëniet e tija për bashkim kombëtar i botoji në librin “Mendime” të cilin e botoj në gjuhën shqipe me alfabetin arab dhe me disa shkronja që i shpiku vetë. Që nga viti 1906 e deri 1912, botoj një sërë librash si: “Mendime”, “Arnaudçe Mufassal Ilmihal”, “Kujtimet për Kongresin e Dibrës, ca këshilla për vllaznit shqiptarë”, “Elifbanë(abetare) Shqipe”, “Gramatikën elementare shqipe”, etj.
Për veprën në të mirë të çështjes kombëtare emrin e tij sot me nder e mban shkolla 8 vjeçare në Shipkovicë “Rexhep Voka”, si dhe Shoqëria Kulturore e Shipkovicës “Rexhep Voka”. Busti i këtij Rilindasi është vënë në qendër të fshatit të lindjes në shenjë përkujtimi dhe falënderimi për kontributin e tij atdhedashës. Më 26 janar të vitit 1993, Kryetari i Republikës së Shqipërisë prof.dr.Sali Berisha e nderon Rexhep Vokën me urdhrin për veprimtari patriotike të klasit të parë me motivacionin “Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”. Ky vlerësim i madh ju dha këtij atdhetari për punën e madhe që ai bëri gjatë jetës së tij duke sakrifikuar gjithçka.
Edhe pse ende nuk dihet varri i Rexhep Vokës, ai ka lënë gurin e kujtimit në Shipkovicë, Manastir, Dibër, Ferizaj e Bukuresht. Figura dhe vepra e Rexhep Vokës u bë udhërrëfyesi i dhjetëra brezave shqiptar të cilët luftuan për ruajtjen e indentitetit kombëtar kundra pushtuesve të ndryshëm duke mos u mposhtur asnjëherë.
Përpjekjet për një alfabet të gjuhës shqipe
Në vitin 1910 Rexhep Voka, myftiu i Manastirit, kishte qëndruar në Stamboll dhe pas kthimit hartoi alfabetin me shkronja arabe për gjuhën shqipe. Meqë, alfabeti arab kishte 28 germa bazë, dhe nuk mund të plotësonte nevojat e gjuhës shqipes prandaj pedagog Voka bëri edhe disa kombinime për tinguj: c; e; ë; ll; nj; o; rr; y; x. Ky alfabeti i ri arab për gjuhën shqipe i krijuar nga Rexhep Voka me bazë të alfabetit arab ishte më i godituri nga të gjitha alfabetet për gjuhën shqipe me bazë nga alfabeti arab. Abetaren që shtypi Rexhep Voka e hapte me thënien: “Popullit të zgjuar shqiptar që fëmijët të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e vet amnore, kështu që të arrihet një përparim material e shpirtëror”. Kjo Abetare u mbështet fuqishëm nga klubi “Arnavud Mahfeli Maarifi”, si dhe nga qeveria xhonturke që kishte prapavijën e saj politike në dëm të shqiptarëve. Abetaria në fillim u botua në 5000 mijë copë të cilat u shpërndanë në Kosovë dhe Maqedoni. Por shumë shpejtë shumica e anëtarëve të shoqërisë “Arnavud Mahfeli Maarifi” dhe Rexhep Voka do të kuptonin hilen e mbështetjes së qeverisë së Xhonturqve për Alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja arabe dhe do ta braktisnin idenë për alfabetin arab. Ata mbështetën në fillim të muajt prill të vitit 1910 Kongresin e dytë të Manastirit për Alfabetin e gjuhës shqipe që vendosi përfundimisht që gjuha shqipe të shkruhej vetëm me shkronja latine.
I shkolluar nëpër shkollat islame, Rexhep Voka nuk mund të shkëputej lehtë nga ndikimet e dashurisë për kulturën e botës arabe. Duke parë se shumica e shqiptarëve ishin të fesë islame mendonte që gjuha shqipe po të shkruhej me alfabetin arab do të mësohej më shpejtë duke pasur parasysh se shumica e intelektualëve shqiptar ishin edukuar nëpër shkollat islame dhe të punësuar në administratën e perandorisë Osmane. Një tjetër shkak që mund të ketë menduar që shqipja të shkruhej me alfabeti arab duhet të ketë qenë mbrojtja e shqiptarëve nga ndikimet greke, sllave dhe latine. Duke parë se latinët katolik i braktisën shqiptarët duke i lënë nën pushtin sllav dhe ortodoksit shqiptar ishin nën ndikimin grek. Ai mendonte se afrimi i shqiptarëve me botën islame do të kishte një mbështetje politike, një shpëtim ndaj pretendimeve të grekëve për grabitjen e tokave shqiptare në jug. Këto mendime të Hoxhë Vokës për alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja arabe u kundërshtuan ashpër nga atdhetarët shqiptar që kërkonin një pavarësi kulturore dhe gjuhësore nga bota islame, ortodokse dhe katolike. Pas daljes së Abetares së Vokës me shkronja arabe ajo u kritikua nëpër shtypin e kohës deri në akuza si i shitur. Në të vërtetë Rexhep Voka nuk e bëri abetaren me prapavija politike, por si një nevojë e kohës, ku feja dhe kultura islame dominonte ashpër në çdo aspekt të jetë kulturore, politike dhe shoqërore tek shqiptarët. Rexhep Voka besonte në politikën e Xhonturqve të cilët u kishin premtuan shumë shqiptarëve pasi të vinin në pushtet, por kur erdhën ata, ju vërsulën me egërsi kulturës dhe gjuhës shqipe.Urdhri nga Kryetari i R.SH.Sali Berisha
Hoxhë Voka e kishte dëshmuar që në bankat e shkollës se ishte një shqiptar i pastër që para çështjes kombëtare dhe gjuhës shqipe nuk vinte asgjë. Ai nuk ishte kundër shkollës shqipe, por kundër alfabetit shqip me shkronja latine e greke. Dhe për kohën që jetoj edhe punoj nuk kishte ndonjë të keqe duke pasur parasysh rrethanat politike dhe shoqërore që gjendeshin shqiptarët. Vite me radhë për të shkruar gjuhën shqipe përdoreshin sisteme e alfabete të ndryshme, me shkronja greke, latine e arabe.
Pjesë nga libri “MENDIME” të Rexhep Vokës të shkruar në gjuhën shqipe
me shkronja arabe. Në këtë libër jepen këshilla për shqiptarët, por bie në sy
edhe kritikat e ashpra në drejtim të çdo qeverie turke të atyre viteve.
Disa fjalë vëllezërve të dashur shqiptarë
Pa më dëgjoni se kam mallë t’ua them disa fjalë, sado që s’kam shkruar hadith e ajet, por fjalët që do t’jua them, secila prej tyre është një mendim i lartë dhe i vërtetë.
Din e dije
O burra! O bijë, mirë ta dini që feja e dija
janë dy fletë për njerëzinë nga Perëndia.
Me ato njeriu nëse do veten ta lartësojë
tërë jetën do të ëndërrojë.
Njerëzia e njerëzive me fe e me dije
fetari i dijshëm edhe te Zoti është i dashur,
edhe në sy të çdo kujt është i ndershëm.
Feja dhe dija të tëra të mirat i sjellin e gjithë të këqijat i përcjellin.
Njeriu fe e dije kur të ketë, atëherë ka gjallëri të vërtetë.
Një njeri që nuk ka fe e dije
sado që e sheh të gjallë, të vdekur dije.
I lutem Zotit në këtë jetë shqiptarë të pa fe mos të ketë.
Edhe kjo fjalë, është e zgjedhur, nga dijetarët e mentarët që i besuan të mbarë se:
Njerëzia e njerëzive me fe e me dije
bagëtia e bagëtive është me haje e me pije.
Një njeri që shikon vetëm të hajë e të pijë,
e nuk mundohet të fitojë virtyte të mira dhe të mësojë fe e dije
s’dallon dot prej bagëtive, përveç se me haje e pije.
Mësime
Burra, të shikojmë një herë në të majtë e në të djathtë, dhe të shohim që bota sa me vrap e me dëshirë të madhe punojnë për përparim e për gëzim të farës vet. Bashkëqytetarët tonë grek e bullgarë dhe shumë të tjerë, secili është zgjuar dhe njëmend është bashkuar. Me dashuri të madhe, që buron nga fundi i zemrës e shikojnë njeri-tjetrin në sy.
Tani, ne që jemi popull shqiptarë, duke qenë në këtë vend më shumë, më të fortë dhe më të vjetër, më të mençur dhe më të kujdesshëm, si dhe me shumë vepra tjera e cilësi të mira dhe të lëvduara, sot, mos më keq kemi mbetur pa mësim e arsim, nga gjithë tjetri më të fundit jemi.
Nuk duan të na njohin dhe të na pranojnë se jemi gjallë, as popujt që i kemi këtu brenda as Evropa.
Kësaj kurrgjë nuk mund t’i themi, se pasi që na ka lënë dija nuk po na bën dobi fuqia dhe trimëria.
Një njeri: mësime, këndim e fitim si të mos ketë nuk ka si e sjellë, në dorë as këtë jetë as atë jetë kushedi sa të përpiqet, ai s’mund të gëzohet asnjë ditë.
A nuk na shohin sytë se tërë bota hyri në kadife e në mëndafsh, e ne s’jemi kah vejmë në trup brekë e këmishë. Perëndia veç na dhashë të mbarën, se ne më këtë gjendje që kemi sot, do të mbesim robër në duart të botës tjetër kot.
Mos qoftë thënë prej Zotit të mëshirshëm se edhe një kohë kështu me shku, emri fare ka me na u harru. Turp i madh, si për ne, burra trima, bujar, sot të mbesim më të poshtër se farët tjera.
Ku jeni o krerët e Shqipërisë? E fikët veten dhe i koritët varret e emrat e prindërve tanë.
Na pa këndim e pa mësim, kemi mbetur si të egër në male e në errësir. Veshë kemi por nuk ndijmë, sy kemi e nuk shohim, mend kemi e gjë s’dijm. Sot bota është bërë tjetër, vetëm me pushkë e me thikë nuk po fitohet. Lypet shkrim e lexim, fjalë e mendim.
Kemi mbetë në egërsirëe në errësirë
shoqi shoqin jemi duke lëvyrë
Ah, thua nuk vjen një ditë
të dalim në qytetërim e në dritë
Mundohemi dit për ditë
njani tjetrin syt me ia qitë.
Kuku qyqe për ne!
E zeza çka na ka gjet!
Jemi duke u vra vëlla me vëlla
humbëm veten sytë s’janë tuj na pa,
Na të ngratët shkojmë kot
Ti, Ti na ndihmo o i madhi Zot!
Këto të zeza e këto punë të liga të tëra na kanë pas ardhë nga qeveria e parë dhe e shkretë që punonte në krye të vet. Na i pat prishur vetitë e mira, na pat dhënë rrugët e këqia, na ndau e përçau na shtiu pushkën ndërmjet e na vrau.
Se ata, burra dhe të mirët që mundoheshin për atëdhenë, dhe mendonin për popullin, njerëzit e ligj i ndiqnin në çdo formë. I mbytnin me farë e me fëmi. E merrshin më qafë, i humbnin sa e sa shpirtëra që ne duhet t’i kujtojmë e t’i madhërojmë sepse për të mirë të popullit i kanë mbytë, oxhakët në jetë ua ka fik.
Pas gjithë këtyre të ligave u tremb njerëzia. Botën e kaploi një droje e madhe, kurrsesi nuk guxonin të flisnin asgjë, se për pak e për shumë fundin e detit e gjejshin. Ishin bërë dy kraharorë e një krye, nga njerëzit e ligj kishin dro të shikojnë djathtas e majtas, ishte punë me erdhë krye për krye.
Vllaun e vet njeriu, përpara e shihte dhe bëhej se nuk e njihte, kishte frik që ta njihte, zemra me njëmijë ofkamë i thërriste, por me gojë asgjë s’mund të fliste.
Ah, ajo qeveri e mallkuar! Ajo ishte armike i njerëzisë. Ajo kohë e shkretë ishte sepse çdo fjalë për mëmëdhenë trajtohej si tradhti kundra qeverisë. Parësia kishte një faj të madh që nuk falet sa i përket shpëtimit dhe gëzimit të popullit e atdheut. E kishin shpier popullin e pafajshëm e të ndershëm në prag të greminës me pasuri e me fëmi. Buzë varrit të poshtuar e kishte shpënë, ç’far ironie!? Me duar lidhur përpara shpatës së armikut kishin ra e s’kishim dert si me qa.
Kishim ardhë deri në atë shkallë që njeriu me mend në krye, kur ulej në sofër, kur i vijshin parasysh këto rreziqe, e kaplonte kujtesa trishtuese, fëmijët si përpara xhelatit i parafytyronte, e pushtonte një i keq i madh sa kafshata në gojë e në fyt i mbeste.
E tash, ato situata të këqija për faqe të zezë t’ia ngarkojmë asaj qeverie të mallkuar e të shkatërruar për jetë, të kapim një udhë të drejtë e një punë të vërtetë.
Se sot erdhi koha me ia dhënë krye për krye dhe me pleqnu. Se udha u çel për shpëtim të mëmëdheut, për gëzimin dhe përparimin e popullit të varfër të punojmë, të mos rrijmë kot. Asnjë minutë të mos e humbim por të përpiqemi seriozisht se Zoti me rahmet të vet na ka bërë një të mirë të madhe. Atë shpresë të pastër e të madhe që e lypnim me mallë të flaktë e me zemër të djegur, mushkëri të përgjakur e faqe të përlotur, na e plotësoj.
Nëse më pyet mua se cila është puna e parë që duhet të ndjekim e të punojmë, ashtu që një orë as një minut të mos vonojmë.
Shkollat t’i hapim edhe nëmës paçim mundësi të ndërtojmë ndërtesa të mëdha, në koliba me kashtë fëmijët t’i tubojmë vetëm të mësojnë.
Mos shikoni vetëm nga qeveria, por edhe vetë të mundohemi, se një qeveri e cila nuk ka mund të na bëjë çare deri sot, edhe këtu e tutje, bëhet që na len shkret e të shkoj më kot. Mos rrimë, mos rrimë, por i madh e i vogël të vrapojmë në shkollim e të mësojmë. Mos rrijmë kështu si të marrë, por tërë botës njerëzinë tona t’ia tregojmë.
E dyta
Gjuhën tonë, bashkë me gjuhën turke, ta mësojmë se është një punë e mençur. Secili e din se deri sa të mos mësojmë edhe në gjuhën tonë, amtare, kombit dije dhe edukim të përgjithshëm nuk mund t’i japim.
Nuk ka në histori asnjë shembull, e në jetë, që një popull është përparuar dhe është ngritur pa mësuar në gjuhën e vet.
Kjo punë do të bëhet, sepse dijetarët e fesë dhe imamët të gjithë janë me një fjalë, kanë një mendim.
Asnjë nuk është ndarë, të gjithë kanë thënë se çdo komb mundet të kultivojë fenë në gjuhën të vet.
Për të gjithë dijetarët lusim e madhështojmë Zotin xhel-leshanuhu, që të jenë të shpëtuar dhe të ndihmuar. U falënderoj dhe i lus, njëmend, që këto mendime që i kam shkruar t’i pleqnojnë mire e hollë, e pastaj nëse i shohin si mendime të mira e të drejta le t’ia dëftojnë kombit. Le të bashkohen sikur një dhe të punojnë për t’i dhënë kombit dije, edukim e arsimim.
Prej nesh kërkohet që shumë të kujtohemi dhe ta dijmë e ta kemi shumë të qartë se për këtë komb do të përgjigjemi, do të vij një ditë që do të pyetemi.
Ta heqim me njëherë nga zemra djallëzinë dhe të kapim mirësinë e mbarësinë. Të mos thomi se ky është mysliman e ky tjetri i krishterë, jo toskë e jo gegë, se të gjithë që jemi farë shqiptari jemi, një fis e një farë.
Duhet të mirremi vesh, të shikojmë ku e kemi ndonjë rrugë çelur të kërkojmë rrugëdalje dhe të gjejmë mënyrën se si e ku do të mblidhemi, sepse jetën më një vend e kemi. Përndryshe humbasim, emrin shqiptarë shuhet, madje shqiptari, në sy të popujve të tjerë turpërohet për jetë. Prandaj kërkohet prej nesh të bashkohemi për një mend. Askush prej nesh anash të mos mbesë, sepse kemi një besë dhe na mban një shpresë.