E diele, 28.04.2024, 03:08 PM (GMT+1)

Faleminderit

Xhevahir Spahiu: Poeti që hapi një portë të mbyllur

E marte, 09.03.2010, 09:51 PM


Nga Shaban Sinani

Xhevahir Spahiu mbushi 65 vjet dhe kjo është një ngjarje e gëzueshme për gjithë letërsinë shqipe, për lexuesit e studiuesit e saj; për kulturën shqiptare dhe dashamirësit e saj kudo që ajo krijohet, trashëgohet dhe zbut e qytetëron njeriun shqiptar. Xhevahir Spahiu erdhi dhe hyri në letërsinë shqipe në një kohë të papërshtatshme. Mjetet e ndryshkura të poezisë folklorizante dhe retorike të periudhës menjëherë pasluftës i kishin flakur tej me kohë shkrimtarët e brezit të viteve 1960. Letërsia e re shqipe kishte dalë nga kriza dhe po zhvillohej tashmë në një rrugë rritjeje e konfirmimi. Ç’ishte për t’u refuzuar, aq sa ishte e mundshme brenda kufijve të rreptë të ideokracisë shtetërore, ishte refuzuar më parë. 
Kjo ishte ana e inkurajuese e kohës. Tjetra anë ishte se brezi që kishte bërë ndryshimin kishte paralajmëruar në mënyrë sfiduese, ashtu si në Shkrimet e Shenjta: “Pas meje porta e mbyll”. Porta e profecisë është mbyllur. Porta e poezisë është mbyllur. Të tjerët, që do të donin ta hapnin atë portë, do ta kishin vështirë edhe me mjeshtërit e tyre, të drejtpërdrejtët. Ata e kishin thënë shumë qartë se do t’ua tregonin vendin: përtej portës. 
Nëse do të përdornim një prej urimeve me të cilat shpesh Xhevahir Spahiu identifikohet, “Ardhsh i bardhë”, atij nuk i tha kush “Ardhsh i bardhë!”. Koha ishte kundër tij. Aq ndryshim sa kishte imponuar kriza jo vetëm që kishte ndodhur, por kishte ardhur një çast kur ishte shqiptuar frika e ndikimit të mendimit. Ishte një kohë ndalimesh edhe për vetë ata që kishin paraprirë ecjen, “në rrugën që kishin dalë”. 
Eshtë e ditur tashmë se brezi letrar që hyri në rrugën e vështirë dhe të pamëshirshme të krijimit në një kohë kur letërsia shqipe kishte gjetur paraprijës të tillë si I. Kadare, D. Agolli, Dh. Qiriazi, përgjithësisht hyri duke gjetur dhe pranuar një vend modest në hapësirën e ngushtë dhe të rreptë ku duhej të mbijetonin. Në të shumtën e rasteve një vend periferik dhe dytësor. 
Bashkë me shumë vlera që historia e letërsisë do t’ua njohë sido e kurdo që të bëhet, përfaqësuesve të brezit të viteve 1960 do t’u shenjohet edhe një ndikim tjetër, ndoshta i pallogaritshëm: një gjysmë shekulli ata e trembën procesin letrar në tërësi. Ndoshta më shumë se një gjysmë shekulli. Dy dekada pas shpengimit të zhvillimit të letrave shqipe prej kodeve kanonikë dhe fanatizmit ideokratik, hija e atij brezi edhe sot vazhdon të frikësojë dhe frenojë. Dhe sa kohë që kjo hije e rëndë tremb e ndalon, për aq kohë zor se mund të flitet për ndërrim breznish letrare. 
Xhevahir Spahiu është poeti që farkoi mjetet e veta të krijimit dhe hyri me mosbindje në mjedisin letrar që gjeti gati, një mjedis i stabilizuar fort jo vetëm në parimet krijuese, por dhe në hierarkitë e veta. Shumë shpejt ndodhi ballafaqimi i parë. Në fillimin e viteve 1970 jo vetëm rendi letrar i trashëguar, por edhe ndoruesit e politikave kulturore, i kërkuan Xhevahir Spahiut të vihej në radhë. Dikush i tregonte portën e mbyllur, dikush kufijtë ideologjikë. 
Kritikave e qortimeve dhe kësaj hierarkie frikësuese ai iu përgjigj me sfidën e vet. Mosbindja e Xhevahir Spahiut nuk qe në formën e mosnjohjes së meritave të paraardhësve, por në formën e dëshmisë se ndryshimi nuk kishte mbaruar. Nëse poetët e mëparshëm e kishin afruar shumë poetikën e tyre, të mbushur me një realitet industrial në fjalor e në përfytyrim, me atë të futuristëve të Marinetti-t, Xhevahir Spahiu iu largua kësaj tradite dhe hapi udhën e vet të poezisë pa madhështi dhe heroizëm historik, të poezisë që kishte në qendrën e vet njeriun: nënën, motrën, të dashurën, mikun, Nolin, Çabejn apo qytetarin pa emër. 
Nuk ka në poezinë e Xhevahirit qytete të përfytyruar, ardhmëni postindustriale, antena, trena të shpejtë, kibernetikë, urbanizim të qëllimshëm, teknologji të frikshme për vetë fatin e poezisë. Dallimin kryeneç që bëri Xhevahir Spahiu me paraardhësit e vet hijerëndë mund ta vërejë edhe lexuesi i përditshëm, prej fjalorit poetik apo fjalëve-çelësa. Poezia e Xhevahir Spahiut ka cilësinë e antropocentrizmit. Në këtë kuptim, mund të thuhet se qortimet për ankth ekzistencialist që iu bënë në fillim, të vijuara pastaj me qortime për errësi, nuk kanë si qendrojnë as teorikisht e parimisht, sepse këto edhe në Perëndim ndodhën në një kohë të mëvonshme, në postmodernizëm, kur letërsia u armiqësua me njeriun dhe e ktheu atë në një send kotësie. 
Dallimin Xhevahir Spahiu dhe bashkë me të edhe Frederik Rreshpja dhe të tjerë, e bënë edhe në një mënyrë tjetër: jo duke iu varur dikujt prej hierarkisë së mëparshme, por duke mbështetur dhe lartësuar ata të rinj poetë që donin t’i dorëzoheshin urdhërit të shenjtë të poezisë, por shtigjet i shihnin të mbyllura. Të vetmet “aleanca” të Xhevahir Spahiut qenë ato me më të ngratët e më të papërkrahurit prej çetës së re të krijuesve; shpesh dhe me më problematikët e më shqetësuesit prej tyre. 
Letërsia shqipe do t’i jetë mirënjohëse poezisë së Xhevahir Spahiut për shumë vlera origjinale, por mbi të gjitha ajo do t’i përulet me nderim për rikthimin paradigmatik të detit në shqetësimet e saj. Dijet shqiptare e kanë vuajtur shumë gjatë shekullit të 20-të atë që është quajtur “mungesë kujtese detare tek shqiptarët”, që është formuluar me kohë si një tezë autoktonine/aloktonie (G. Weigand); tezë që zakonisht i është referuar kujtesës historike dhe gjuhësore të tyre. Poezia shqipe, ashtu si vetë mjedisi shqiptar, ka shumë botë alpine, male madhështorë, prej Naim Frashërit, At Gjergj Fishtës dhe Ismail Kadaresë, deri tek një bashkësi e madhe poetësh të viteve 1970 e 1980. Në letërsinë më të re të pas viteve 1990 ka një ikje evidente nga madhështia e epizmit të historik e gjeografik të Shqipërisë, por nuk shihet ndonjë tentim serioz rikthimi tek “deti i munguar”, tek kultura detare, me ndonjë përjashtim të rrallë, si poezia e Arian Lekës. Poezia ia ka borxh kulturës shqiptare rikthimin e detit, jo si pjesëmarrje në debatet shkencore, por sepse shqiptarët kanë vërtet det, ndonëse të pavërejtshëm lehtë, në botën e tyre shpirtërore. At Shtjefën Gjeçovi, kur shenjonte në kodin etnojuridik të mbledhur prej atij vetë, se në traditën shqiptare veriore detyrimet e dasmës së djalit ndaj dasmës së vajzës mund të llogariteshin edhe në peshk të thatë, në fakt nuk shpiku, por me vëmendjen te tij vuri një shenjë referenciale për tipologjinë e kulturës tradiconale shqiptare. 
Mosprania e detit në poezi, me përjashtim të asaj të De Radës, që ka shpjegimin e vet; në një periudhë historike edhe demonizimi i detit në vetëdijen krijuese shqiptare (identifikimi i baiulus-it me bajlozin dhe i legatit me lugatin në kulturën tradicionale, kuptimi i detit si burimi i së keqes dhe rrezikut, si shtëpia e përbindëshit); përbëjnë një shqetësim themelor për mendimin shqiptar. Poezia është ajo që me magjinë e saj eufemike mund ta rikthejë në burimin e vet sjelljen shqiptare me detin. 
Xhevahir Spahiu, në poezinë e tij, nuk është marrë me teorinë e opozicionit të përjetshëm tokë - det, Behemot - Leviatan, telurokraci - tallasokraci, por thjesht ka rindërtuar poetikisht botën detare burimore të njeriut shqiptar, dhe bashkë me të edhe kulturën detare si të tërë: ullinjtë, agrumet, agaviet, gjelbërimin e shenjtë, lundrimin, peshkatarët, portet, Vlorën, bregdetin, kaiken aramaike. Në poezinë e Xhevahir Spahiut ka ndoshta më shumë det se në gjithë poezinë shqipe të shekullit të 20-të të marrë në tërësi. Kjo ka qenë diçka e vetvetishme tek poeti, një “thirrje e të parëve”, ashtu siç ishte në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, ashtu siç ishte tek poezia “Rruzullimi” e Pjetër Bogdanit, që rronte në hinterlandin e thellë të vendit dhe shumë-shumë nga vetvetja mund të kishte “lumin” e Ali Podrimjes ose “liqerin” e Lasgushit. 
Xhevahir Spahiu është një prej poetëve që ka për të qenë gjithnjë një referencë si ai që e nderoi deri në madhështim vlerën e fjalës. Në dy periudha, të dyja inkurajuese të një omnigrafie përmbytëse dhe të shumë manive të tjera të lidhura me fjalën e shkruar e të folur, të lirën dhe të ndaluarën, ai është më i kursyeri dhe më mirëbesuesi në fuqinë e fjalës. Në një kuptim të tillë, Xhevahiri ishte dhe është një idealist, sepse ka dashur dhe don t’i ndryshojë gjërat me fuqinë e ndikimit të mendimit dhe jo të veprimit, sikurse është zakon ndër shqiptarët. Kohë të artë për idealizmin nuk ka pasur ndonjëherë. Sidomos kur zëdhënësi “vjen i bardhë” në kohëra komisarësh e në kohëra të mëvonshme të lojës me lirinë. Shumë interesante është të vërehet se poezia e Xhevahir Spahiut e vazhdon vetveten përmbi cakun që ndan dy periudhat historike-politike pa ndonjë sforcim, pa ndonjë shtrëngim, gati-gati me pandjeshmëri ndaj asaj që kishte ndodhur. Ishte dhe mbeti njeriu në poezinë e tij. Ardhtë i bardhë Xhevahir Spahiu dhe për njëqind vjet të tjera! 


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora